ATV

Author: K.B.

  • Dalin detaje se si u kanos me vrasje dëshmitari në rastin “Brezovica”, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

    Dalin detaje se si u kanos me vrasje dëshmitari në rastin “Brezovica”, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit R.K., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I njëjti dyshohet se ka kanosur me vrasje dëshmitarin bashkëpunues në çështjen penale “Brezovica”. Rasti ka ndodhur më 21 mars. “Vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë”, janë fjalët me të cilat i dyshuari ka kanosur dëshmitarin në rastin “Brezovica”.

    “Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë më 21 Mars 2026, në restaurantin “Mero” cili gjendet në fshatin Uglar, komuna – Fushë Kosovë, i pandehuri R.K., ka kanosur seriozisht se do ta vras të dëmtuarin A.Q., i cili është dëshmitar bashkëpunues në çështjen penale të njohur si “Brezovica” , në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ka qenë në një dasëm me familjarë, i pandehuri i cili nuk ishte mysafirë në këtë dasëm ka hyrë në tualet pas tij dhe ka kanosur me fjalët se “vetëm qenke me fëmijë se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lan”, i cili kërcënim ka shkaktuar ankth dhe frikë tek i dëmtuari i cili në procedurën penale në rastin “Brezovica” ka dhënë dëshmi në cilësi të dëshmitarit bashkëpunës kundër disa të pandehurve e në mesin e të cilit ka qenë edhe i pandehuri R.K., për shkak të dyshimit të veprës penale “Shmangia nga tatimi”. Andaj, sipas Prokurorisë, i njëjti me këto veprime do të kryente veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale“ nga neni 387 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, ndaj të pandehurit R.K., ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njejtë, ka mbajtur në posedim të paautorizuar armën në kundërshtim me Ligjin për armët nga neni 05/L-022, me këtë do të kryente veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

    I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprat penale të lartëcekura.

  • Çitaku në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: Liria erdhi nga sakrifica dhe aleatët

    Çitaku në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: Liria erdhi nga sakrifica dhe aleatët

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, në përvjetorin e 27-të të ndërhyrjes së NATO-s, u shpreh mirënjohëse për ata që dhanë gjithçka për lirinë.

    Ajo ndau në rrjete sociale një fotografi krah gjeneralit Wesley Clark, duke falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me popullin e Kosovës në orën më të rëndë të historisë.

    “Falë luftës çlirimtare, urtësisë politike të lidershipit të asaj kohe dhe vendosmërisë së aleatëve tanë, ëndrra e brezave të tërë u bë realitet. Kosova, amanet i gjakut dhe sakrificës, sot është realiteti ynë i përditshëm, një vend i lirë, me shpresë dhe me të ardhme”, ka shkruar Çitaku.

  • Egzon Pacolli emërohet Shef i Asambleistëve të LDK-së në Prishtinë

    Egzon Pacolli emërohet Shef i Asambleistëve të LDK-së në Prishtinë

    Egzon Pacolli është caktuar në pozitën e Shefit të Asambleistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

    Vendimi është marrë sot nga organet e degës së LDK-së në kryeqytet.

    Kujtojmë se Pacolli ishte një ndër kandidatët më të votuar të LDK-së në listën për Kuvendin Komunal në Prishtinë duke arritur të sigurojë rreth 1 mijë vota.

  • Policia shqipton rreth 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia shqipton rreth 2 mijë e 400 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2380 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

    Në 24 orët e fundit janë raportuar 32 aksidente trafiku me dëme materiale, kurse 24 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

    Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona, 18 janë dërguar në mbajtje, ndërsa 4 persona janë në vuajtje të dënimit.

  • 27 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij

    27 vjet nga vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij

    Sot mbushen 27 vjet nga vrasja e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

    Avokati Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO nisi bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.

    Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

    Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

    Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.

    Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut.

  • Aksion policor në Suharekë: Tre të arrestuar, sekuestrohen heroinë dhe armë

    Aksion policor në Suharekë: Tre të arrestuar, sekuestrohen heroinë dhe armë

    Policia e Kosovës ditën e djeshme ka arrestuar tre persona, kjo pas një hetimi disa mujor.

    Sipas raportit policor gjatë kontrollit në tri lokacione të ndara janë gjetur dhe konfiskuar: sasi e substancës e dyshuar narkotike e llojit heroinë, 3 armë zjarri, 1 pushkë gjuetie, fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Lidhur me rastin të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Kina miraton implantin e parë të trurit në botë – Si do të funksionojë

    Kina miraton implantin e parë të trurit në botë – Si do të funksionojë

    Kina ka miratuar implantin e parë në tru të projektuar për të ndihmuar njerëzit me paralizë të rifitojnë lëvizjen e duarve, duke shënuar autorizimin e parë komercial në botë për një pajisje të tillë. Pajisja u zhvillua nga kompania kineze Neuracle Medical Technology dhe përdor një ndërlidhje tru-kompjuter (BCI).

    BCI-të lidhin sistemin nervor të një personi me pajisje të afta për të interpretuar aktivitetin e trurit të tyre, duke i lejuar ata të veprojnë, siç është përdorimi i një kompjuteri ose lëvizja e një dore protetike, me anë të forcës së mendimit të tyre.

    Sistemi Neuracle është i destinuar për njerëzit që kanë paralizë të shkaktuar nga dëmtime serioze të palcës kurrizore në qafë. Këto dëmtime mund të pengojnë sinjalet e trurit të arrijnë në krahë dhe duar.
    Sistemi funksionon duke zbuluar sinjale të trurit të lidhura me qëllimin për të lëvizur dorën. Këto sinjale më pas përkthehen nga softueri dhe dërgohen në një dorezë robotike që mban pacienti. Doreza përdor lëvizje me ajër për të ndihmuar dorën të hapet dhe mbyllet, duke i lejuar përdoruesit të kapë objekte, sipas CGTN.

    Jo të gjithë pacientët janë të përshtatshëm për ta përdorur pajisjen. Sipas mediave shtetërore kineze, ajo është menduar për të rriturit midis moshës 18 dhe 60 vjeç që kanë pasur paralizë për më shumë se një vit dhe gjendja e të cilëve ka mbetur e qëndrueshme për të paktën gjashtë muaj. Pajisja është projektuar për njerëzit që nuk mund të kapin objekte me duar, por që ende ruajnë njëfarë lëvizjeje në pjesën e sipërme të krahëve.

    Kina ka rritur investimet e saj në teknologjinë e ndërfaqes tru-kompjuter vitet e fundit. Vendi kohët e fundit e ka përfshirë teknologjinë BCI si një përparësi strategjike kombëtare dhe planifikon ta përfshijë atë në planifikimin e ardhshëm ekonomik të vendit si një nxitës të mundshëm të rritjes së ardhshme.

    Zhvillimi vjen në një kohë kur kompanitë në të gjithë botën po garojnë për të sjellë teknologji të ngjashme në treg. Vitin e kaluar, një tjetër ndërfaqe tru-kompjuter e zhvilluar nga kompania kineze Shanghai NeuroXess tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një burrë 28-vjeçar, i cili kishte qenë i paralizuar për tetë vjet pas një dëmtimi të rëndë të palcës kurrizore, ishte në gjendje të kontrollonte pajisjet dixhitale duke përdorur mendimet e tij pesë ditë pasi mori implantin në Kinë.

    Ndërkohë, Elon Musk tha së fundmi në një postim në X se kompania e tij e implanteve të trurit Neuralink, e cila filloi provat në njerëz në vitin 2024, do të fillojë “prodhimin me vëllim të lartë” të pajisjeve BCI në vitin 2026. Neuralink tha në shtator të vitit të kaluar se 12 persona në mbarë botën me paralizë të rëndë kanë marrë implantet në tru dhe po i përdorin ato për të kontrolluar mjetet dixhitale dhe fizike përmes mendimit.

  • Plagosja e inspektorit të IPK në Prishtinë – gjithçka që dihet deri tani

    Plagosja e inspektorit të IPK në Prishtinë – gjithçka që dihet deri tani

    Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) është plagosur me armë zjarri të hënën mbrëma rreth orës 21:00 në Rrugën “B” në Prishtinë.

    Sipas informacioneve fillestare, incidenti ka nisur si një konflikt verbal mes zyrtarit dhe një personi tjetër, i cili më pas ka eskaluar në të shtëna me armë. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar plagosjen e një personi.

    I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente, ku sipas mjekëve ndodhet në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Pas trajtimit fillestar, pritet të transferohet në Klinikën e Ortopedisë.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti nuk ka lidhje me detyrën zyrtare të inspektorit. Ndërkohë, i dyshuari për sulmin është identifikuar dhe është në kërkim nga policia.

    “Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “B” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rasrit ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, njoftoi Flora Ahemeti nga policia.

    Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

    Nga IPK është bërë e ditur se incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare, ndërsa Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet dhe janë në kërkim të të dyshuarit të identifikuar.

    “IPK ju konfirmon se nê incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në rrugën “B” në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare. Aktualisht policia dhe Prokuroria kanë filluar një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, tha Arbër Beka nga IPK.

  • Varroset sot në Gjilan, 17-vjeçari që vdiq tragjikisht në Gjermani

    Varroset sot në Gjilan, 17-vjeçari që vdiq tragjikisht në Gjermani

    Anik Avdullah Babatinca, 17 vjeç, i cili vdiq pas një aksidenti tragjik në Gjermani, do të varroset sot.

    Kështu kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit, teksa shtuan se Aniku do varroset në fshatin Pogragjë në Gjilan.

    Sipas familjarëve, ceremonia e varrimit nis në orën 15:13, ndërsa e pamja do të mbahet nga dita e enjte deri të shtunën në Podujevë, në shtëpinë e familjes Babatinca.

  • E trishtë: Trevjeçari nga Peja vdes në Gjermani pasi ra në lumë

    E trishtë: Trevjeçari nga Peja vdes në Gjermani pasi ra në lumë

    Një fëmijë trevjeçar ka vdekur në Gjermani pak ditë pasi ka rënë në lumin Sieg River. Sipas RTL.de, vogëlushi ishte në koma që nga dita kur ra në lumë, por fatkeqësisht i njëjti ndërroi jetë sot pasi mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

    Ngjarja ka ndodhur më 17 mars në Siegen, derisa Peja në Fokus raporton se fëmija me iniciale Z.K., është me prejardhje nga Peja.

    Sipas RTL.de, fëmijët nga një çerdhe kishin dalë për aktivitet pranë ujit, nën mbikëqyrjen e disa edukatorëve. Siç tha “German Red Cross”, që menaxhon institucionin, gjithsej tetë kujdestarë po përkujdeseshin për 46 fëmijë.

    Në një moment u vu re mungesa e trevjeçarit. Kujdestarët nisën menjëherë kërkimet dhe e gjetën pas pak kohe në lumë, nga ku e nxorën. Ekipet emergjente e reanimuan në vendngjarje dhe më pas ai u dërgua në spital në gjendje kritike. Policia kishte deklaruar se nuk kishte indikacione për ndonjë vepër të qëllimshme dhe rasti po trajtohej si aksident tragjik.

    Pas gati një jave në gjendje të rëndë, sot u konfirmua lajmi i rëndë se trevjeçari ndërroi jetë në spital në orët e pasdites.