ATV

Author: K.B.

  • Aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj B.J. në Prizren, komunës iu shkaktua dëm mbi 18 mijë euro

    Aktakuzë për keqpërdorim detyre ndaj B.J. në Prizren, komunës iu shkaktua dëm mbi 18 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër B.J. nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Prokuroria tha se ai dyshohet se kreu këtë vepër si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomikë “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri B.J., në cilësinë e personit zyrtar dhe të organit mbikëqyrës të projektit “Ndërtimi i infrastrukturës në fshatin Vlashnje, rrugët dhe ndriçimi publik”, gjatë periudhës nga muaji gusht 2022 deri më 16.08.2024, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje i tejkalon kompetencat dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, përpilon raporte dhe situacione fiktive, në të cilat është paraqitur se punimet janë kryer sipas kontratës, ndonëse në terren gjendja ka qenë ndryshe.

    Si rezultat i këtyre veprimeve, Prokuroria tha se Komisioni për Pranimin Teknik është vënë në lajthim dhe ka përpiluar raport pranimi, duke konfirmuar në mënyrë të gabuar se punimet janë realizuar sipas specifikimeve të kontratës, pavarësisht se në terren punimet nuk ishin përfunduar në përputhje me kushtet e kontraktuara.

    “Andaj, si rezultat i këtyre veprimeve, janë realizuar pagesa në favor të grupit të operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, edhe pse punimet nuk ishin përfunduar sipas kontratës së lidhur. Përmes këtyre veprimeve, Komunës së Prizrenit i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 18,765.00 euro, ndërsa përfitim pasuror i kundërligjshëm për operatorët ekonomik në të njëjtën shumë. Me këto veprime, B.J., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”.

    Ndërsa, i pandehuri J.B., si përfaqësues i autorizuar i operatorëve ekonomik “M.B.G.” Sh.P.K dhe “A.P.” Sh.P.K, në bashkëpunim me të pandehurin B.J., ka vepruar me qëllim përfitimi pasuror duke shkelur dispozitat dhe procedurat e prokurimit publik dhe i njëjti nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata. Me këto veprime, J.B., ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Mbi 2 mijë e 500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 43 aksidente e disa persona të arrestuar

    Mbi 2 mijë e 500 gjoba për 24 orë, Policia njofton për 43 aksidente e disa persona të arrestuar

    Policia e Kosovës, përmes raportit të saj 24 orësh, ka njoftuar se gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 2512 gjoba trafiku.

    Po ashtu, është njoftuar për 43 aksidente trafiku, ku, 13 janë më të lënduar, kurse 30 janë me dëme materiale.

    Pos këtyre, policia njofton se janë arrestuar 9 persona ku 7 janë dërguar në mbajtje.

  • Milicia pro-iraniane publikon pamje që tregojnë sulmin me dron ndaj një objekti amerikan në Bagdad

    Milicia pro-iraniane publikon pamje që tregojnë sulmin me dron ndaj një objekti amerikan në Bagdad

    Një milici pro-iraniane në Irak ka postuar një video një minutëshe që tregon dronë që fluturojnë mbi një instalim amerikan në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.

    Në videon e gjeolokuar nga CNN, një dron shihet duke fluturuar ulët mbi kompleksin që strehon Qendrën e Mbështetjes Diplomatike të SHBA-së në Bagdad përpara se t’i afrohet një sistemi radari dhe ta godasë atë, duke shkaktuar një shpërthim.

    Një sistem radari mund të shihet në të njëjtin vend të sulmit në imazhet satelitore të shqyrtuara nga CNN.

    Pak çaste më vonë, një dron i dytë fluturon mbi bazën dhe i afrohet një helikopteri Black Hawk. Videoja ndërpritet përpara se të jetë e qartë nëse helikopteri është goditur.

    Videoja daton më 23 mars, megjithëse CNN nuk mund të verifikojë saktësisht se kur është regjistruar, transmeton Telegrafi.

    CNN i ka kërkuar Komandës Qendrore të SHBA-së koment mbi videon.

    Sulmi është i fundit në një seri sulmesh ndaj objekteve amerikane në Bagdad.

    Milicitë pro-iraniane kanë nisur sulme të shumta ndaj objektivave amerikane në kryeqytetin irakian, përfshirë Ambasadën Amerikane, e cila u godit nga disa dronë.

    Më parë këtë muaj, një milici e veçantë postoi pamje të filmuara nga një dron që lëviz nëpër kompleksin e Ambasadës Amerikane në Bagdad.

  • Përmirësohen shërbimet mjekësore në Rahovec, QKMF-ja pranon donacionin e rëndësishëm

    Përmirësohen shërbimet mjekësore në Rahovec, QKMF-ja pranon donacionin e rëndësishëm

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec, bashkë me QMF-në dhe AMF-në, ka pranuar një donacion të rëndësishëm.

    Donacioni përfshin shtretër, joga ortopedike, karroca për pacientë dhe pajisje të tjera ndihmëse.

    Këto pajisje pritet të përmirësojnë shërbimet shëndetësore që ofron ky institucion.

  • Japonia do t’i lirojë rezervat shtetërore të naftës ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet pothuajse e mbyllur

    Japonia do t’i lirojë rezervat shtetërore të naftës ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet pothuajse e mbyllur

    Ndërsa Irani mban kontrollin e tij të fortë mbi Ngushticën e Hormuzit, qeveria e Japonisë do të fillojë të enjten lirimin e rezervave shtetërore të naftës për 30 ditë konsum, raporton CNN.

    Kjo është pjesë e një plani më të gjerë për të liruar deri në 45 ditë në total – sasia më e madhe ndonjëherë- së bashku me lirime shtesë nga rezervat e sektorit privat, për t’i minimizuar ndërprerjet në ekonominë e katërt më të madhe në botë.

    Japonia mban një nga rezervat më të mëdha të naftës në botë me rreth 254 ditë konsum në total, duke përfshirë rezervat qeveritare dhe ato private. Por ajo ende importon mbi 90% të naftës së saj bruto nga Lindja e Mesme, duke e lënë të ekspozuar gjatë luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

    Ndërsa qeveria ka shmangur deri tani masa të rrepta për kursimin e energjisë, ajo ka paralajmëruar kundër blerjeve nga paniku të letrës higjienike mes shqetësimeve për furnizimin. Dhe ndërsa çmimet e karburantit arrijnë nivele rekord prej 190 jenësh (1.20 dollarë) për litër, Japonia ka vendosur subvencione për produktet e karburantit për të kufizuar çmimin e benzinës në rreth 170 jenë (1.07 dollarë) për litër.

  • “Ma ktheu: do ta mbajmë fjalën”, Edita Tahiri kujton bisedën me gjeneralin Clark para fillimit të bombardimeve

    “Ma ktheu: do ta mbajmë fjalën”, Edita Tahiri kujton bisedën me gjeneralin Clark para fillimit të bombardimeve

    Ish-anëtarja e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Edita Tahri, ka bërë me dije se 24 marsi është ditë shprese për Kosovën.

    Derisa komentuar 27-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, ajo ka rikujtuar bisedën që kishte pasur me komandantin e NATO-s para fillimit të bombardimeve.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se gjeneralit amerikan e kishte kërkua që ta mbajnë fjalën.

    “Sot 27 vjet me pare SHBA dhe NATO bombarduan Serbine, mposhten Millosheviqin famekeq, i sollen lirine Kosoves, ate dite e quajtem “Dita e Shpreses’ dhe mbetet e tille ne historine tone. Nje dite para, me 23 mars 1999 kisha zhvilluar nje bisede telefonike me Gjeneralin Clark, i thash ‘koha qe ta mbani fjalen’, ma ktheu ‘Do ta mbajme fjalen’, dhe e mbajten fjalen, si ai vet, Presidenti Clinton dhe Madeleine Albright. Historine e Kosoves se lire e shkruajtem neve lideret e asaj kohe, populli i Kosoves dhe Amerika dhe NATO”, ka shkruar Tahiri.

  • Sulmi ajror vret 7 ushtarë irakianë dhe plagos 13 të tjerë

    Sulmi ajror vret 7 ushtarë irakianë dhe plagos 13 të tjerë

    Shtatë ushtarë irakianë u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në një sulm ajror në një vend që i përkiste Forcave Shiite të Mobilizimit Popullor të Irakut pranë një qendre mjekësore ushtarake në Anbarin perëndimor.

    Kështu thanë të mërkurën burime sigurie dhe ministria e mbrojtjes për Reuters.

    Ministria tha se sulmi goditi një klinikë ushtarake dhe një njësi inxhinierike aty pranë. Ekipet e shpëtimit ende po kërkonin në vend për viktima të mundshme shtesë.

    Kjo ministri e dënoi sulmin si një “shkelje flagrante dhe serioze” të ligjeve dhe normave ndërkombëtare që ndalojnë sulmet ndaj objekteve dhe personelit mjekësor, duke e përshkruar atë si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe duke bërë thirrje që ata që janë përgjegjës të mbahen përgjegjës.

  • LDK do të mbajë konferencë për media për “skandalin e njehsorëve elektrikë”

    LDK do të mbajë konferencë për media për “skandalin e njehsorëve elektrikë”

    Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në orën 13:00 në Selinë Qendrore të LDK-së, ka njoftuar partia.

    Folës në këtë konferencë do të jetë Visar Azemi, i cili, siç tha LDK, do të trajtojë çështjen e skandalit të njehsorëve elektrikë.

  • Ndërrim komande në KFOR: Hetényi merr drejtimin e batalionit taktik rezervë

    Ndërrim komande në KFOR: Hetényi merr drejtimin e batalionit taktik rezervë

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, kryesoi ceremoninë e transferimit të autoritetit të batalionit taktik rezervë të KFOR-it, në prani të ambasadorit hungarez në Kosovë, László István Dux.

    Ceremonia u mbajt në kampin e Novosellës.

    Gjatë ceremonisë, nënkoloneli Gergely Herczog ia dorëzoi komandën nënkolonelit Botond Hetényi, duke shënuar përfundimin e një detyre.

    “Në fjalimin e tij, gjenerali Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij për nënkolonelin Herczog, duke theksuar profesionalizmin e tij dhe vlerësimin që ai meritoi nga ushtarët e tij, si dhe nga njerëzit që jetojnë në zonën e tij të përgjegjësisë” thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    Gjenerali Ulutaş gjithashtu i shprehu mirëseardhjen nënkolonelit Hetényi, duke riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë” deklaron KFOR.

  • Lansohet platforma “Kosovo Volunteers”, synon certifikimin e punës vullnetare të të rinjve

    Lansohet platforma “Kosovo Volunteers”, synon certifikimin e punës vullnetare të të rinjve

    Në Kosovë është funksionalizuar platforma “Kosovo Volunteers”, një nismë e re që synon të njohë dhe dokumentojë angazhimin vullnetar të të rinjve, duke e shndërruar atë në një vlerë të matshme për zhvillimin profesional.

    Sipas ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, kjo platformë do të mundësojë edhe certifikimin zyrtar të punës vullnetare, duke i dhënë asaj peshë konkrete në tregun e punës.

    “Përmes saj, kontributi juaj do të njihet si një vlerë konkrete që ndikon në zhvillimin tuaj profesional. Në të njëjtën kohë, vullnetarizmi përmes kësaj platforme do të shërbejë si një parapërgatitje e rëndësishme për tregun e punës duke ju ndihmuar të ndërtoni aftësi praktike, përvojë dhe besim në vete”, ka theksuar Gashani.

    Ai ka inkurajuar të rinjtë që të përfshihen aktivisht në këtë platformë, duke u bërë pjesë e një nisme që, sipas tij, fuqizon rininë dhe kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë.