ATV

Author: K.B.

  • “Osmani s’i ka votat për t’u rizgjedhur presidente”, Nagavci thotë se partia nuk e ka asnjë hatërmbetje ndaj saj

    “Osmani s’i ka votat për t’u rizgjedhur presidente”, Nagavci thotë se partia nuk e ka asnjë hatërmbetje ndaj saj

    Arbërie Nagavci, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha në një intervistë për Euronews Albania se LVV si subjekti më i madh parlamentar në Kosovë do të vijojë përpjekjet për ta bërë vendin me president.

    Nagavci u shpreh se Vjosa Osmani nuk i ka votat e nevojshme për t’u rizgjedhur presidente, ndërsa theksoi se nga ana e Vetëvendosjes nuk ka asnjë hatërmbetje karshi saj.

    “Gjatë kësaj kohe është diskutuar shumë për zonjën Osmani, ne ja kemi bërë me dije se nuk janë 80 deputetë të qëndrojnë në sallë, që nuk e mbështesin edhe për një mandat. Kemi pasur deklarata publike, ka edhe deputetë të LDK që nuk e mbështesin, ajo nuk i ka votat për t’u rizgjedhur. Duhen firmat, PDK e ka bërë të qartë që nuk e mbështet, edhe brenda LDK nuk kanë qenë të gjitha nënshkrimet. E kemi bërë të qartë që nuk kemi pasur hatërmbetje, kemi pasur një raport shumë korrekt institucional, Osmani duhet të shprehë publikisht falenderimet për këtë bashkëpunim”, tha Nagavci.

    Ajo tregoi se LVV ishte e detyruar të propozonte 2 kandidatë që u paraqitën në seancën e 5 marsit, duke qenë se opozita refuzoi të paraqiste një kandidat me gjithë gatishmërinë e LVV për të dhënë firmat për ta.

    Sipas Nagavcit, qëllimi i LVV është që t’i japë vendit një president konsensual dhe të shmangë një palë zgjedhje të tjera që siç tha, nuk do ta zgjidhnin krizën.

    “LVV ka nominuar 2 kandidatë për president që të plotësohen kushtet formale, përpara kësaj kemi pasur një valë përpjekjesh që mos vinim te situata që ndodhi në 5 mars ku nuk u arrit kuorumi. Kurti ka pasur takime të vazhdueshme me të dy liderët e partive opozitare që të gjendet një kandidat konsensual që do të merrte mbështetjen e deputetëve dhe të arrihet kuorumi prej 80 deputetësh. Kur pamë që nuk ka gatishmëri për një kandidat nga opozita prezantuam kandidatin e dytë në mënyrë që të vijohej me procesin.

    Seanca në datë 5 nuk është mbyllur por është ndërprerë ndaj nuk quhet një seancë e ezauruar, janë së paku 60 ditë kur mund të përsëritet ky proces deri në zgjedhjen e presidentit. Që të fillojë procesi, cilido nga kandidatët duhet të ketë të paktën 30 nënshkrime, asnjë s’i ka pasur deri tani veç LVV. Ne kemi qenë të gatshëm të japim nënshkrimet tona për kandidatët e opozitës. Qëllimi ka qenë që të gjejmë një kandidat konsensual, kemi qenë të gatshëm të diskutojmë”, tha ajo.

  • Rritet çmimi në bursa i naftës për kaq për qind

    Rritet çmimi në bursa i naftës për kaq për qind

    Pasiguria dhe deklaratat kontradiktore midis SHBA-ve dhe Iranit vijojnë të shkaktojnë luhatje të forta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës .

    Si rezultat nafta u rrit me rreth 2% të enjten, duke rikuperuar humbjet nga seanca e mëparshme për shkak të shqetësimeve se luftimet e zgjatura në Lindjen e Mesme do të prishin më tej rrjedhat e energjisë.

    Kontratat e ardhshme të naftës Brent u rritën me 2.08 dollarë, duke arritur në 104.30 dollarë për fuçi ndërsa kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor të SHBA-së u rritën me 1.93 dollarë, duke shkuar në 92.25 dollarë për fuçi.

    Konflikti pothuajse ka ndaluar dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila zakonisht transporton rreth një të pestën e furnizimit botëror me naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka quajtur atë ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë ndonjëherë.

    Kryeministri japonez Sanae Takaichi i kërkoi shefit të IEA-s, Fatih Birol, një lirim shtesë të koordinuar të rezervave të naftës gjatë bisedimeve të së mërkurës, ndërsa Tokio kërkon të mbrohet nga një konflikt i zgjatur në Lindjen e Mesme.

    Ndrësa shqetësimet për furnizimin, janë shtuar edhe më shumë pasi të paktën 40% e kapacitetit të eksportit të naftës së Rusisë është ndalur pas sulmeve me dronë ukrainas, një sulmi të kontestuar në një tubacion të madh dhe sekuestrimit të cisternave,.

    Prodhimi i naftës irakiane gjithashtu ka rënë , me rezervuarët e magazinimit që arrijnë nivele të larta dhe kritike, thanë të mërkurën tre zyrtarë irakianë të energjisë.

  • Instituti GAP: Përfaqësimi gjinor në drejtoritë komunale mbetet i ulët në fillim të mandatit qeverisës

    Instituti GAP: Përfaqësimi gjinor në drejtoritë komunale mbetet i ulët në fillim të mandatit qeverisës

    Një analizë e publikuar nga Instituti GAP tregon se gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në pozitat udhëheqëse të drejtorive komunale në Kosovë, pavarësisht premtimeve të shpeshta të dhëna gjatë fushatave zgjedhore për rritjen e rolit të tyre në vendimmarrje.

    Sipas të dhënave të mbledhura në fillim të mandatit 2025–2029, vetëm 22% e drejtorive komunale udhëhiqen nga gra, ndërsa 71% drejtohen nga burra.

    Një pjesë prej 7% e pozitave mbeten ende pa emërime. Këto shifra dëshmojnë se përparimi në barazinë gjinore në nivel lokal është i kufizuar dhe se angazhimet politike nuk janë përkthyer plotësisht në veprime konkrete.

    Analiza nxjerr në pah dallime të theksuara ndërmjet komunave: në disa prej tyre gratë kanë një përfaqësim relativisht më të lartë, ndërsa në shumë të tjera dominimi i burrave në pozita drejtuese mbetet i theksuar.

    Në disa raste, një numër i konsiderueshëm i drejtorive ende nuk kanë udhëheqës të emëruar, duke e bërë edhe më të paqartë balancën përfundimtare gjinore.

    Instituti GAP vlerëson se këto të dhëna reflektojnë nevojën për politika më të qëndrueshme dhe angazhim më të fortë institucional për të siguruar përfaqësim më të barabartë gjinor në strukturat vendimmarrëse lokale.

  • Haxhiu nga Krusha e Vogël: Masakrat e kryera gjatë luftës mbesin plagë të hapura për shoqërinë

    Haxhiu nga Krusha e Vogël: Masakrat e kryera gjatë luftës mbesin plagë të hapura për shoqërinë

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar nga Krusha e Vogël se masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë mbeten plagë e hapur për shoqërinë, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe ruajtje të kujtesës historike, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka theksuar se krimet e kryera në Krushë të Vogël nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës, por një dhimbje e vazhdueshme për familjet që humbën më të dashurit e tyre, duke nënvizuar se mungesa e tyre ndihet çdo ditë në jetën e përditshme.

    “Kujtojmë se për tri ditë rradhazi, në Krushë të Vogël u morën jetët e 155 civilëve shqiptarë, mes tyre fëmijë dhe gra, përfshirë edhe një grua shtatzënë. Ajo që ndodhi këtu nuk është vetëm një kapitull i historisë sonë. Është një heshtje që vazhdon të rëndojë mbi çdo shtëpi që humbi babanë, nënën, fëmijët. Është mungesa që ndihet në tryezat familjare, në emrat që thirren dhe nuk përgjigjen më”, tha ajo.

    Haxhiu theksoi se mizoritë nuk përfunduan vetëm me vrasjet, por vazhduan me shkatërrimin sistematik të shtëpive dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjet për zhdukjen e provave të krimeve.

    “Duhet thënë që mizoria nuk përfundoi me masakrimin. Qindra shtëpi u rrafshuan bashkë me objektet e besimit drejt trashëgimisë kulturore, në një përpjekje për të zhdukur çdo gjurmë të jetës dhe identitetit. Tentativa për t’i zhdukur gjurmët, për t’i djegur trupat, për t’i fshirë provat, ishte përpjekje për të zhdukur edhe kujtesën. Ky krim ishte pjesë e operacionit të strukturuar shtetëror serb, i njohur brenda pra si Ministria e Punëve të Brendshme serbe, me formulën cinike: ‘pa trupa s’ka krim’”, tha ajo.

    Ajo shtoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për trajtimin e krimeve të luftës, përfshirë themelimin e mekanizmave për hulumtim dhe dokumentim, si dhe forcimin e kornizës ligjore për ndjekjen e këtyre krimeve.

    “Pra, kjo ishte edhe doktrina për shumë veprime që kanë për qëllim adresimin e krimeve të luftës. Kemi themeluar Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës për hulumtim dhe evidentimin e krimeve të luftës. Kemi plotësuar boshllëqet e kahershme në kornizën tonë ligjore dhe kemi forcuar kapacitetet institucionale për trajtim më efektiv të krimeve të luftës. Në funksion të drejtësisë për këto krime, kemi mundësuar edhe gjykimin në mungesë, sepse Serbia që bëri gjenocid në Kosovë është bërë strehë për kriminelët e luftës dhe për terroristët që kryejnë krime në kohë të paqes”, tha ajo.

  • Vrasja e 29-vjeçarit shqiptar në Itali, trupi i dorëzohet familjes

    Vrasja e 29-vjeçarit shqiptar në Itali, trupi i dorëzohet familjes

    Trupi i 29-vjeçarit shqiptar që humbi jetën më 20 mars në Olmo, një zonë pranë Arezzos në Itali, i është dorëzuar familjes, e cila ka hapur dyert për pritjen mortore.

    Siç raporton JOQ Albania, Gjergj Pergegaj do të përcillet për në vendlindjen e tij në Shqipëri për t’u varrosur, pasi kishte jetuar në Itali prej rreth pesë vitesh.

    Ai punonte në ndërtim dhe u qëllua me armë zjarri nga një bashkëkombës i tij, Edison Beluli, 35 vjeç, sipas raportimeve të mediave italiane.

    Në qendër të konfliktit dyshohet të jetë një grua e re. Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer në Siena ka zbardhur detaje të rëndësishme mbi plagët: një plumb i qëlluar nga afër në zonën e fytit rezultoi fatal, ndërsa një tjetër e goditi në kraharor. Dy të shtëna të tjera nuk e prekën viktimën.

    Gruaja që mendohet se lidhet me përplasjen mes dy burrave punonte pranë lokalit ku ndodhi ngjarja. Ajo kishte qenë më parë në një lidhje me viktimën, ndërsa më pas kishte nisur një marrëdhënie me autorin e dyshuar. Mes tyre kishte pasur edhe konflikte të mëhershme.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30, kur Pergegaj u qëllua me një pistoletë tip Glock, e cila rezulton e vjedhur një vit më parë në Assisi. Sipas hetimeve, arma ishte siguruar nga autori pak ditë para krimit. Beluli ndodhet tashmë në burg, i akuzuar për vrasje me dashje. Gjykatësi hetues Claudio Lara ka theksuar se ekzistojnë elemente të forta që sugjerojnë paramendim, pavarësisht se nuk pati përleshje fizike mes palëve.

    Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Një person i tretë ndërhyri për të ndaluar autorin, ndërkohë që viktima ndodhej në tokë. Më pas, i dyshuari u largua drejt Rigutinos, ku edhe banonte, por u arrestua nga policia.

    Nga sot, familjarët e viktimës kanë nisur procedurat për riatdhesimin e trupit dhe organizimin e ceremonisë mortore, që pritet të zhvillohet së shpejti. Pergegaj jetonte në Frassineto dhe përshkruhet nga të njohurit si një person i qetë dhe punëtor.

    Ndërkohë, hetimet vijojnë. I arrestuari ka zgjedhur të mos japë dëshmi deri më tani dhe përfaqësohet nga avokati Luca Turchetti.

  • Trump konfirmon takimin e majit me Xi Jinping

    Trump konfirmon takimin e majit me Xi Jinping

    Presidenti amerikan Donald Trump thotë se do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë më 14-15 maj, pasi e shtyu udhëtimin historik mes luftës SHBA-Izrael me Iranin.

    Kjo do të ishte vizita e parë në Kinë nga një president amerikan në gati 10 vjet.

    Trump gjithashtu do ta presë Xi në Uashington DC më vonë këtë vit, dhe zyrtarët po “përfundojnë përgatitjet për këto Vizita Historike”, shkroi ai në Truth Social të mërkurën.

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi datat e vizitës së Trump, duke u thënë gazetarëve se Presidenti Xi e kishte kuptuar dhe pranuar kërkesën për shtyrjen e udhëtimit, raporton BBC.

    “Presidenti Xi e kuptoi se është shumë e rëndësishme që presidenti të jetë këtu gjatë gjithë këtyre operacioneve luftarake tani”, tha Leavitt në një konferencë shtypi të mërkurën.
    Pekini nuk i ka konfirmuar datat e listuara nga Trump – megjithëse zakonisht nuk e zbulon axhendën e Xi shumë kohë më parë.

    Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Lin Jian, u tha gazetarëve të enjten se “të dyja palët po mbajnë komunikim në lidhje me vizitën e Presidentit Trump në Kinë”.

    Ai tha gjithashtu se “diplomacia në nivel udhëheqësi luan një rol udhëheqës strategjik të pazëvendësueshëm” në lidhjet dypalëshe.

  • Zelensky jep alarmin: Rusia do të godasë rrjetin hidrik

    Zelensky jep alarmin: Rusia do të godasë rrjetin hidrik

    Rusët po përgatiten të nisin një operacion kundër sistemeve të furnizimit me ujë të Ukrainës në muajt e ardhshëm.

    Alarmi është dhënë nga vetë Presidenti Volodymyr Zelensky: “Ne duhet të forcojmë linjat mbrojtëse: kjo është një detyrë e qartë”.

    Më herët, në një intervistë për Reuters, Zelensky lëshoi akuza të forta ndaj Rusisë se po kushtëzojnë amerikanët që të detyrojnë Ukrainën të pranojë lëshimin përfundimtar të Donbasit në përfitim të garancive të sigurisë.

    “Tërheqja nga Donbasi është e gabuar, imorale e kështu me radhë, por tërheqja nga Donbasi sot do të thotë gjithashtu dobësim i linjave mbrojtëse të Ukrainës. Kaq është. Rusia gjithmonë mban një opsion rezervë. Merrni për shembull armët bërthamore, diçka për të cilën flasin vazhdimisht, duke kërcënuar të gjithë botën. Sa herë që ka një bllokim, në një moment ata dërgojnë një mesazh: ‘Po sikur t’i përdorim?’”, tha Zelensky.

    Rusia konfirmon menjëherë deklaratën e Presidentit të Ukrainës. Kirill Dimitrev, i dërguar i Rusisë, theksoi: “Unë jam i përqendruar në axhendën ekonomike dhe bisedimet e paqes atje po zhvillohen paksa me dyer të mbyllura. Por, meqenëse zoti Zelenskiy herë pas here komenton për të gjitha këto, do të doja thjesht të tërhiqja vëmendjen te deklarata e tij, e cila ishte e rëndësishme. Ai tha se më në fund e kuptoi se Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë garanci sigurie Ukrainës vetëm nëse tërhiqet plotësisht nga Donbasi”.

    Derisa paqja nuk është firmosur, palët shkëmbejnë sulme shkatërruese. Të paktën 5 të plagosur dhe dëme të shumta raportohen në Dnipro të Ukrainës. Edhe në Odesa ka pasur shpërthime të mëdha nga sulmet ruse. Situatë serioze paraqitet në ish impjantin bërthamor të Çernobilit, të dëmtuar kohë më parë nga bombardimet e ushtrisë së Moskës. Nëse çarja nuk riparohet, struktura do të fillojë të gërryhet brenda katër vjetësh.

    Sipas vlerësimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të stabilizuar situatën në centralin bërthamor për vite me radhë, restaurimi i strehës mbrojtëse mbi njësinë e katërt të energjisë së centralit, të dëmtuar nga një dron rus më 14 shkurt 2025, do të kushtojë 500 milionë euro.

    Drejtori i Centralit Atomik, Sergei Tarakanov paralajmëroi se shkatërrimi i sarkofagut do të shkaktonte një re radioaktive mbi Europën.

  • Rivarroset në Krushë të Vogël, Ajvaz Shehu, vëllai i tij: Mu vranë edhe nëntë anëtarë të familjes

    Rivarroset në Krushë të Vogël, Ajvaz Shehu, vëllai i tij: Mu vranë edhe nëntë anëtarë të familjes

    Vëllai i Ajvaz Shehut, Qazim Shehu, ka rrëfyer dhimbjen e thellë për humbjen e familjarëve të tij në masakrën e Krushës së Vogël, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga përjetimet më të tmerrshme që nuk mund të përshkruhen me fjalë, raporton Ekonomia Online.

    Në përvjetorin e kësaj masakre, familja Shehu i ka dhënë lamtumirën e fundit Ajvaz Shehut, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur u zhduk me forcë më 26 mars 1999, pas një pritjeje të gjatë për identifikimin dhe rivarrimin e tij.

    Shehu bëri të ditur se në mesin e viktimave ishin edhe nëntë anëtarë të familjes së tij.

    Ai tregoi se Ajvazi ishte gjetur para 8 vitesh, por nëna e Ajvazit nuk kishte mundur ta pranonte humbjen e djalit të saj deri në fund të jetës, ndërsa shtoi se vendimi për rivarrim erdhi pas vdekjes së saj, duke qenë se tashmë disa nga familjarët janë të varrosur.

    “Unë quhem Qazim Shehu, jam prej fshatit Krushë e Vogël. Historia e këtij fshati nuk është veç histori, asht nji rrëfim i tmerrshëm, një dhimbje që s’mund ta përshkruajë njeri që e pa ato çka ka ndodhur. Jo vetëm tek familjarët e mi, po aty kanë qenë prezent 109 persona. Unë, sipas të tjerëve, dëshmitarëve që kanë pas këtë rast po, që kanë qenë këta, ata kur i dëgjosh se çka kanë përjetu, i bëj pyetje vetes a thua mund njeri me bë këtë”, tha ai.

    “Mesin e këtyre kanë qenë 9 anëtarë të mi, që janë shtëpisë time baba, 4 vëllezër edhe 4 djemtë e vëllezërve. Në mesin e tyre është edhe Ajvazi. Ky është para 8 viteve i identifikuar. Po, siç thashë më herët, nëna e tij si çdo nënë nuk dëshironte ta pranonte që ai nuk ekziston. Edhe aty është problemi që unë, nëna para 6 viteve ka ndërru jetë, unë vendosa mbasi që 6 të tjerë i kam të varrosur, edhe këtë ta varros. Mu më mungojnë edhe dy vetë. Vëllai i madh edhe vëllai i dytë”, tha ai.

    Shehu tha se ende nuk dihet asgjë për fatin e dy anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht vëllait të madh dhe të dytë, duke theksuar se mungesa e informacionit për ta mbetet plagë e hapur.

    Ai u shpreh se, megjithëse dhimbja mbetet e madhe, fakti që tashmë dihet vendndodhja e Ajvazit e lehtëson disi barrën shpirtërore, pasi ai do të prehet pranë familjarëve të tij.

    “Nuk dihet asgjë për ta. Asgjë nuk dihet. Asgjë nuk dihet”, tha ai.

    “Po. Ky do të varroset si do t’ju bashkohet edhe këtyre trupave të tjerë që janë. Përndryshe edhe babës vet, se babai i tij është babai im. Për mua çka me thënë, jeta është shumë e dhimbshme, po kur po e di se ku ekziston edhe ku është, barem kjo për mua është shumë më lehtë që ta kem. Djali ka qenë 16 vjeçar”, tha ai.

    Në përvjetorin e masakrës së Krushës së Vogël, një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë, sot i jepet lamtumira e dinjitetshme edhe njërit prej më të rinjve të kësaj masakre.

    Pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme, familja Shehu ka vendosur të rivarrosë më të dashurin e tyre, Ajvaz Shehun , vetëm 16 vjeç në kohën kur u zhduk me forcë në masakrën e 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël.

  • Behrami: Pas 19 viteve, Kurti pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit përmes autonomisë për serbët në veri

    Behrami: Pas 19 viteve, Kurti pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit përmes autonomisë për serbët në veri

    Sot bëhen 19 vjet që kur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhet e pavarur.

    Lidhur me këtë ka reaguar Artan Behrami, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka thënë se pas 19 viteve, Albin Kurti, ka pranuar rinegocimin e kësaj Pakoje, ‘’përmes kompromiseve të fundit, marrëveshjes së Ohrit, largimit të njohjes reciproke, autonomisë për serbët në veri, eksterritorialitetit të kishave ortodokse serbe’’.

    Postimi:

    Para 19 vjetëve, ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin propozoi që Kosova të bëhet e pavarur.

    Pas 19 vjetëve, Albin Kurti, përmes kompromiseve të fundit, marrëveshjes së Ohrit, largimit të njohjes reciproke, autonomisë për serbët në veri, eksterritorialitetit të kishave ortodokse serbe, pranoi rinegocimin e Pakos së Ahtisaarit.

    Pra, pavarësinë që Ahtisaari e futi para 19 vjetëve në pako, sot Albin Kurti po e largon!

  • Haradinaj nga Krusha e Madhe: Siguria është jetike, duhet ta mbajmë fort me Amerikën që të mos na përsëritet historia

    Haradinaj nga Krusha e Madhe: Siguria është jetike, duhet ta mbajmë fort me Amerikën që të mos na përsëritet historia

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjen e palëkundur të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rruga e vetme për të garantuar që masakrat si ajo e Krushës të mos përsëriten më kurrë në Kosovë.

    Gjatë homazheve në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Haradinaj u shpreh se suksesi i shtetit dhe fuqizimi i institucioneve të sigurisë është “hakmarrja” më e mirë për të kaluarën e dhimbshme.

    “Është nder i madh me qenë këtu sot edhe me shpreh respektin edhe me u përul para të gjithë atyre njerëzve tanë që u vranë pafajësisht. Civilë, gra, pleq, fëmijë, të rinj, edhe po ashtu me shpreh shqetësimin tonë pse ende ka të pagjetur edhe pse ende s’ka ndodh drejtësia për këtë masakër në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Selinë, Pastasellë, Fortesë, e gjithkund”, tha ai.

    “Besoni është krejt e llogjikshme aq që me shpreh shqetësim pse nuk ndodh drejtësia, njëkohësisht është e drejtë pra me shpreh shqetësim si ka mundësi që ende me u gjyku UÇK-ja. S’ka lidhje cili asht. A e ka emrin Ramush, Afatmer, a dikush tjetër, a e ka Hashim, a Kadri, a Jakup, a Rexhepa, po UÇK-ja, njerëz që kanë luftu me mbrojt veten. Është shumë e pashpjegueshme e gjithë kjo”, tha ai.

    “Këto po na ndodhin në të vërtetë, po unë me leje n’nderim të të rënve sot, edhe jo vetëm sot, këto ditë se kanë fillu ma herët, 24, 25, 26 e vazhdon besoj edhe me tjerat, edhe janë në Gjakovë, janë në të gjithë. në t’gjithë Kosovën pra, shumë, qindra masakra. Si të veprojmë ma tutje, si t’i nderojmë këta?”, tha ai.

    “A ka diçka që mundemi me bë na, me bë ma me sinqeritet, ma me nder, si popull po flas, si Kosovë? Disa popuj thonë se hakmarrja ma e mirë asht suksesi. Ne duhet me punu shumë që kurrë ma mos me qenë të pambrojtun. Kurrë ma mos me qenë Kosova e pambrojtun. Prandaj duhet, si thotë populli, me i ra gurit e drunit e kurrë kjo tokë mos me qenë e pambrojtun.

    Se nëse nuk jemi të mbrojtun, po na përsëritet historia prapë, se na tregojnë gjyshërit, katragjyshërit çka na ka ndodh. Ushtrinë tonë, institucionet e sigurisë tonë duhet t’i forcojmë. Po ashtu, ne nuk bën kurrë me bë hajgare me sigurinë. Është shumë e pashpjegueshme mos me kuptu çka domethënë siguria e me besu që në siguri mundesh me marrë. Nuk mundesh me marrë në siguri për asgjë”, tha ai.

    “Nuk po hy ma në detaje po për asgjë s’mundesh me marrë në siguri. Kush merr prej sigurisë për çfarëdo qoftë tjetër ka me u gjyku keq. Na nuk mujmë me u përballë të vetëm me një armik që është jo vetëm sa na, o ashtu ma i madh se na, po që ka edhe miq. Na për siguri, mos me na u përsërit Krusha, e Krushat e tjera, duhet me e mbajt fort me Amerikën. Kush ju thotë ndryshe ta dini që ose ka diçka o ka ju thotë, ose o ka e di po s’e ka për të mirën e këtij populli, e këtij vendi, kurrë s’ka me e pasë. Se e dini vetë qysh jemi kthye njiherë në tokën tonë mos me pasë qenë Amerika dhe NATO-ja. E qysh ishim kthye edhe kur ishim kthye edhe çka kishim gjetë nga ky vend. Unë nuk du me e zgjat”, tha ai.

    Sot shënohet 27 vjetori i Masakrës se Krushë se Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën, dhe sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre.

    Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.

    Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat./EkonomiaOnline/