ATV

Author: K.B.

  • Kurti: 500 mijë euro shpërblim për fitore ndaj Sllovakisë, 1 milion për kualifikim në Botëror

    Kurti: 500 mijë euro shpërblim për fitore ndaj Sllovakisë, 1 milion për kualifikim në Botëror

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte bërë një zotim të fuqishëm në pjesën e dytë të vitit 2025.

    Gjatë njërës prej mbledhjeve të Qeverisë së tij, Kurti kishte premtuar shpërblime të majme për futbollistët e Kombëtares së Kosovës në rast të vazhdimit të suksesit.

    Më saktësisht, kreu i ekzekutivit i kishte premtuar 250 mijë euro për kalimin e grupeve, të cilin veçse e kishin bërë Dardanët.

    Ndërsa, premtimet e tij kishin vazhduar për suksesin eventual të Verdhekaltërve në të ardhmen.

    Ai më 27 nëntor 2025 kishte premtuar premi, si për fitoren ndaj Sllovakisë ashtu edhe për një kualifikim eventual në Botërorin 2026, i cili gjatë verës që po vjen do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.

    “Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tonë për ta. Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove”, thoshte Kurti, transmeton “Gazeta Express”..

    “Dhe së dyti, në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, zotohemi edhe për 1 milion euro shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty”, kishte shtuar ndër të tjera kryeministri.

    Kosova do të luajë sonte me Sllovakinë në Bratisllavë në ndeshjen që do të nisë prej orës 20:45.

    Në rast të një fitoreje eventuale në kryeqytetin sllovak, Dardanët do të luajnë të martën tjetër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në finale me fituesin e duelit tjetër gjysmëfinal, Turqi – Rumani.

    Kosova nuk ka qenë kurrë më afër kualifikimit në Kampionat Botëror, e sheh veten veç dy ndeshje larg tij

  • As Haxhiu nuk e komenton vendimin e Kushtetueses

    As Haxhiu nuk e komenton vendimin e Kushtetueses

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka refuzuar të flasë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Jo këtu”, ka thënë ajo derisa u pyet për vendimin e djeshëm të Kushtetueses.

    Sot, më herët, as presidentja Vjosa Osmani nuk ka pranuar të komentojë vendimin e djeshëm të Kushtetueses.

    Gjykata Kushtetuese, të mërkurën, e shpalli të pavlefshëm dekretin e presidentes për shpërbërjen e Kuvendit.Me këtë vendim, Kushtetuesja u jep deputetëve afat edhe 34 ditë për përfundimin e procedurës dhe e shfuqizon masën e përkohëshme të vendosur më 9 mars.

  • “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin”, i akuzuari Granit Plava nis deklarimin në gjykatë

    “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin”, i akuzuari Granit Plava nis deklarimin në gjykatë

    Në gjykatë është duke u zhvilluar seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Pas shpalosje së shumë detajeve në lidhje me natën kritike, tani radha është për ekipin mbrojtës së të akuzuarit Granit Plava.

    Plava tanimë është në foltore dhe pritet që të deklarohet në lidhje me pyetjet që do t’i parashtrohen.

    Plava akuzohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të Liridona Ademajt duke e lënë atë të vdekur. Plava dhe ish-bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli kishin kontaktuar më parë e që dyshimet janë se dyshja kishin bashkëpunuar në realizimin e kësaj vepre.

    Në deklarim e sipër si fillim Plava tha se është baba i tre fëmijëve dhe se ishte punëtor krahu.

    “Jam babë i tre fëmijëve, gjendje ekonomike e dobët, jam kanë punëtor krahu”, deklaroi ai.

    Përpos kësaj Plava deklaroi se deklaratën që kishte dhënë në stacion policor ka qenë në marrëveshjeje me Naim Murselin.

    “Deklarata në polici u kanë në marrëveshje me Naimin. Edhe kemi pas presion nga policia. Kam me fol për këtë deri të del e vërteta”

  • Negociata për Presidentin?, Hamza: Vendimin e marrim në parti, s’kemi ftesë nga Vetëvendosja

    Negociata për Presidentin?, Hamza: Vendimin e marrim në parti, s’kemi ftesë nga Vetëvendosja

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është pyetur sot nga gazetarët nëse do të ketë ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila caktoi 34 ditë afat për zgjedhjen e shefit të shtetit.

    Hamza tha se do të diskutojnë brenda partisë dhe mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK’së, do të dalin me qëndrimin e tyre.

    “Para diskutimit në organet e PDK’së nuk është e duhura sepse për këtë janë diskutimet. Për të debatuar, diskutuar dhe për të marrë vendime dhe për të qëndruar në këto vendime”.

    Ndërkaq, i pyetur nëse janë ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza tha: “Nuk ka ftesë”.

  • Deputeti i VV-së: Kurti do t’i dërgojë prapë ftesa opozitës për takim

    Deputeti i VV-së: Kurti do t’i dërgojë prapë ftesa opozitës për takim

    Deputeti i LVV-së, Enver Haliti, tha se gjatë afatit kushtetues 34 ditor për zgjedhjen e presidentit do të ketë rezulate pozitive të cila do të shmangin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

    Në një bisedë për RTV21 deputeti Haliti tha se Kurti do t’i dërgon ftesa partive politike opozitare për takime për të arritur marrëveshje që të shmangen zgjedhjet.

    ‘’Unë besoj se do të ketë prapë ftesa për shkak se ne e dim që derisa ishte në shqyrtim dekreti i presidentes në Gjykatën Kushtetuese kryeministri Albin Kurti u kishte dërguar ftesa për takim, por ato u refuzuan me arsyetimin se janë duke pritur akgjykimin pastaj janë të gatshëm të takohen që të shohin për hapa tutje. Nuk shoh asnjë arsye që partitë opozitare të refuzojnë një takim në mënyrë që ta gjejmë një rrugë përpara që të shmangen zgjedhjet.”

  • Këto janë operacionet më të dhimbshme për pacientët

    Këto janë operacionet më të dhimbshme për pacientët

    Dhimbja është një përvojë subjektive dhe ndryshon nga personi në person, megjithatë mjekësia bën një dallim të qartë mes pragut të dhimbjes dhe tolerancës ndaj saj. Ekspertët theksojnë se, pavarësisht këtij variacioni, ekzistojnë disa ndërhyrje mjekësore që konsiderohen ndër më të dhimbshmet për trupin e njeriut, sidomos për shkak të procesit të vështirë të rikuperimit.

    Sipas mjekut Dr. Dean Eggitt, ndër operacionet më të dhimbshme renditen ndërhyrje si operacionet e hapura të zemrës, ndërhyrjet në shtyllën kurrizore dhe zëvendësimi total i gjurit.

    Ai shpjegon se dhimbja nuk lidhet vetëm me procedurën kirurgjikale, por kryesisht me periudhën pas operacionit, kur pacientët duhet të përballen me rehabilitim të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm.

    Një nga ndërhyrjet më të rënda është operacioni i hapur i zemrës, i cili kërkon hapjen e kraharorit dhe ndërhyrje në kockën e sternumit. Pas operacionit, pacientët përjetojnë dhimbje të forta që përkeqësohen gjatë lëvizjeve apo kollës, ndërsa rikuperimi i plotë mund të zgjasë disa muaj.

    Po ashtu, shumë e dhimbshme konsiderohet edhe zëvendësimi total i gjurit, një procedurë që përfshin heqjen e pjesëve të dëmtuara të kockave dhe vendosjen e implanteve artificiale. Edhe pse realizohet nën anestezi, pas operacionit pacientët përballen me dhimbje të konsiderueshme dhe një proces të gjatë fizioterapie për rikthimin e lëvizshmërisë.

    Në listën e ndërhyrjeve të vështira përfshihen edhe procedura si punksioni i shtyllës kurrizore dhe biopsia e palcës së kockës, të cilat, edhe pse më pak invazive, shpesh shoqërohen me ndjesi të forta presioni dhe parehati. Megjithatë, mjekët kujtojnë se përjetimi i dhimbjes mbetet individual, dhe ajo që për dikë është e përballueshme, për një tjetër mund të jetë tepër e vështirë.

  • Komuna e Prishtinës nis aksion, liron hapësirat publike

    Komuna e Prishtinës nis aksion, liron hapësirat publike

    Komuna e Prishtinës ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike.

    Ky aksion, gjatë së enjtes, është zhvilluar në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet.

    Për të, ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka shpërndarë edhe fotografi të aksionit.

    Lirimi i hapësirave publike në këtë rrugë është duke u bërë me largimin e karikave dhe tavolinave që janë vendosur nga lokokale e kafene të ndryshme.

  • “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, nesër premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    Teatri Kombëtar i Kosovës sjell premierën e shfaqjes “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, e cila do të ngjitet në skenë nesër më 27 mars 2026, nga ora 20:00.

    Vepra e autorit të njohur Max Frisch vjen në regji të Agon Myftari, duke premtuar një realizim artistik që trajton tema aktuale përmes një qasjeje bashkëkohore skenike.

    Në këtë produksion marrin pjesë aktorët Kushtrim Qerimi, Arta Selimi, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Albina Krasniqi, Edlir Gashi, Ylber Bardhi, Lum Veseli, Donika Rushiti, Lis Maliqi dhe Erdonis Gashi.

    Muzika për shfaqjen është realizuar nga Memli Kelmendi, ndërsa dramaturgjia mban firmën e Zoga Çeta Çitaku. Skenografia është punuar nga Nicola Minssen, ndërsa kostumet nga Samka Ferri.

    Ekipi realizues përfshin gjithashtu asistenten e regjisë Diellza Dedushi dhe inspicienten Nazmije Krasniqi, ndërsa për ndriçimin dhe tonin janë kujdesur Bujar Bekteshi dhe Arben Aliu.

    Kjo premierë pritet të sjellë në skenën teatrore një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë evropiane, duke ofruar një reflektim të fortë mbi shoqërinë dhe përgjegjësinë individuale.

  • Zbulimi i bustit të Qorrajt, Lushtaku: S’është e lehtë të jem këtu, kur shokët i kam në Hagë

    Zbulimi i bustit të Qorrajt, Lushtaku: S’është e lehtë të jem këtu, kur shokët i kam në Hagë

    Në 27-vjetorin e rënies heroike të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafë Qorraj, sot u zbulua lapidar në fshatin Pemishte të Skenderajt, në nderim të tij.

    Pjesëmarrës ishte i pari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili deklaroi se nuk është aspak e lehtë për të që të jetë prezent në këtë ngjarje.

    Kjo pasi siç tha ai, shokët e tij, bashkëluftëtarët e tij, sot qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

    “Nuk është e lehtë me ardh për mu këtu sot, kur në Hagë i kam shokët e mi që janë atje padrejtësisht”, u shpreh Lushtaku.

  • Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës s’duhet të vonohet

    Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës s’duhet të vonohet

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është vetëm një aspiratë, por domosdoshmëri.

    Këtë ia ka thënë në takimin që ka pasur me shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey.

    Gërvalla thotë se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

    Sipas saj, trajtimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore mbetet prioritet i pakompromis, që kërkon reagim të koordinuar dhe veprim të qëndrueshëm institucional.

    “Republika e Kosovës jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por qëndron si dëshmi e gjallë e vlerave që kjo organizatë mbron. Për këtë arsye, vendi meritor i Republikës sonë në këtë organizatë nuk duhet të vonohet më”, thotë ministrja e Drejtësisë.