ATV

Author: K.B.

  • Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet që mori

    Qeveria në detyrë mban mbledhje elektronike, këto janë vendimet që mori

    Zyra për Media e Kryeministrisë ka mbajtur sot një mbledhje online, ku janë marrë disa vendime.

    Vendimi i parë ka të bëjë më dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të tokave të Agjencisë Pyjore për nevojat e KRU-së.

    “Miratuar vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës, për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh. A., me qëllim të realizimit të projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm, për Komunën e Leposaviqit”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu është miratuar vendimi për ndarjen e mbi 250 mijë eurove për Luginën, për pajisje me libra shkollore.

    “Miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 255,153.45€ (dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e njëqind e pesëdhjetë e tre euro e dyzet e pesë cent), për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë, që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026”, njofton ZKM.

    Në fund thuhet se gjithashtu është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000€ për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, të cilat kontribuojnë në promovimin e Republikës së Kosovë, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekosistemit vendor, si dhe në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës përmes organizimit të iniciativave dhe eventeve të njohura globale në këto fusha.

    Mjetet ndahen për organizatat, si në vijim:

    FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro); dhe

    ICK – (Inovation Center Kosovo), ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro).

  • Ndalohet përdorimi i ujit për pije në Gostivar, janë helmuar mbi 1200 qytetarë

    Ndalohet përdorimi i ujit për pije në Gostivar, janë helmuar mbi 1200 qytetarë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka lëshuar ndalim për përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se uji është i ndotur dhe i pasigurt për konsum.

    Gjatë inspektimit është konstatuar se në gypin kryesor të rrjetit të ujësjellësit, në mënyrë të paligjshme dhe pa leje, ishte vendosur një pompë që injektonte drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë.

    Mbi 1.200 banorë të Gostivarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm, duke u ankuar për dhimbje barku dhe të vjella.

    “Pas njoftimit të marrë nga Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar për kryerjen e një inspektimi të jashtëzakonshëm në stacionin e pastrimit të ujit në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit, me qëllim verifikimin e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm në këtë sistem furnizimi, si dhe pas ankesave të qytetarëve drejtuar Prokurorisë dhe kallëzimit nga MPB Gostivar lidhur me sigurinë dhe cilësinë e ujit, shërbimet inspektuese të AUV-së, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Prokurorisë Publike dhe teknikës kriminalistike të MPB-së, mbrëmë zhvilluan një inspektim të jashtëzakonshëm. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të pranishëm gjatë kontrollit, morën mostra të ujit për analiza laboratorike me qëllim përcaktimin e sigurisë së tij. Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullatën e këtij rajoni, AUV vendosi ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për pije deri në marrjen e rezultateve laboratorike që do të konfirmojnë sigurinë e tij”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

    Nga spitali bëjnë të ditur se kjo gjendje ka qenë e pranishme gjatë 3–4 ditëve të fundit. Nga SPB Tetovë njoftojnë se ekzistojnë baza dyshimi se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, kishte vendosur tre pompa në shtratin e ujërave të ndotura, përmes të cilave injektohej ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor që furnizon qytetin. Kjo veprimtari dyshohet se është ndërmarrë për të rritur presionin në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve të Gostivarit.

    “Në lidhje me epideminë që është përhapur në Gostivar gjatë këtyre 3–4 ditëve, kemi një numër të madh pacientësh të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore në institucionin tonë. Për këtë arsye kemi përforcuar personelin mjekësor në repartet ku ka më shumë pacientë. Shumica e pacientëve paraqiten me të njëjtat simptoma: të vjella, diarre, dhimbje stomaku, temperaturë, dobësi etj. Numri më i madh i pacientëve me këto simptoma është në repartin e Infektologjisë, Pediatrisë dhe Njësinë e Urgjencës”.
    “Gjatë këtyre ditëve, në Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Ferid Murad’ në Gostivar janë paraqitur rreth 1.000–1.200 pacientë me këto simptoma. Të gjithë pacientëve u është ofruar ndihmë mjekësore dhe terapi përkatëse”, thuhet në njoftimin e spitalit.

    Rasti është raportuar edhe në SPB Tetovë, nga ku pas veprimeve të ndërmarra është konstatuar se shkaku i mundshëm ka qenë injektimi i ujit të ndotur në ujësjellësin e qytetit për të rritur presionin në rrjet, nga pika e pompimit në fshatin Vrutok.

    “Më 16.07.2026, rreth orës 18:20, inspektorët e Zyrës së Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar, duke vepruar sipas udhëzimeve të Prokurorit Publik të Prokurorisë Themelore Publike Gostivar, ndërmorën masa urgjente dhe aktivitete në terren në fshatin Vrutok, për shkak të dyshimeve për ndotjen e ujit me të cilin furnizohet qyteti i Gostivarit”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

    “Po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, për shkak të dyshimeve për veprën penale ‘Ndotja e ujit të pijshëm’, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 219 të Kodit Penal”, njofton SPB Tetovë.

    Nga Qendra e Shëndetit Publik në Gostivar bëjnë të ditur se analizat për cilësinë e ujit janë ende në zhvillim.

  • Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë ndaj burrit i cili dyshohet se detyroi bashkëshorten e tij të kryejë veprime seksuale pa pëlqimin e saj

    Prokuroria në Pejë ngre aktakuzë ndaj burrit i cili dyshohet se detyroi bashkëshorten e tij të kryejë veprime seksuale pa pëlqimin e saj

    Prokuroria Themelore në Pejë ngrit aktakuzë ndaj një personi për veprat penale “Dhunimi”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

    Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Xh.Sh , për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Dhunimi”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

    Siç thuhet në njoftim për media sipas aktakuzës, i pandehuri me inicialet Xh.Sh dyshohet se, më 22 dhe 23 shkurt 2026, në Pejë, në cilësinë e bashkëshortit të viktimës, me përdorim të forcës dhe kanosjes, e ka detyruar atë të kryejë veprime seksuale pa pëlqimin e saj.

    Tutje bëhet e ditur se i pandehuri ngarkohet se, për një periudhë të caktuar kohore, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke cenuar sigurinë dhe mirëqenien e saj në kuadër të marrëdhënies familjare.

    “Në një pikë tjetër të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, ka mbajtur në pronësi dhe posedim të paautorizuar armë zjarri, municion dhe mjete të tjera, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore. Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin Xh.Sh ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet”, thuhet në njoftim.

  • FSK pjesë e konferencës ndërkombëtare për aviacionin ushtarak

    FSK pjesë e konferencës ndërkombëtare për aviacionin ushtarak

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në konferencën “European Partnership Flight”, që sipas tyre, është një nga aktivitetet kryesore të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara për Evropë (USAFE), që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e aviacionit ushtarak.

    Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, programi i konferencës përfshiu ligjërata profesionale, diskutime tematike dhe punë në grupe, duke u mundësuar pjesëmarrësve shkëmbimin e përvojave, praktikave më të mira dhe ekspertizës me përfaqësues të vendeve partnere.

    ”Në kuadër të aktivitetit u realizua edhe një vizitë në Bazën Ajrore të Kuçovës në Republikën e Shqipërisë, si dhe aktivitete të dedikuara për forcimin e partneriteteve, bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimit kulturor. Pjesëmarrja e FSK-së në këtë konferencë dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për zhvillimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë”, thuhet në postimin e FSK-së.

  • Instituti i Shëndetit Publik del me rekomandime për qytetarët se si të shmangin helmimin nga ushqimi gjatë verës

    Instituti i Shëndetit Publik del me rekomandime për qytetarët se si të shmangin helmimin nga ushqimi gjatë verës

    IKSHP ka dalë me disa rekomandime për qytetarët rreth rregullave që duhet t’i ndjekin për të parandaluar helmimet gjatë stinës së nxehtë të verës.

    Në faqen zyrtare, IKSHP ka publikuar një listë rregullash për temperaturat dhe kushtet higjienike në të cilat duhet ruajtur ushqimet.

  • Deputeti gjerman dhe burri i tij bëhen prindër me ndihmën e një nëne surrogate, plas debati në Gjermani

    Deputeti gjerman dhe burri i tij bëhen prindër me ndihmën e një nëne surrogate, plas debati në Gjermani

    Shefi i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Jens Spahn dhe bashkëshorti i tij, Daniel Funke, janë bërë prindër me ndihmën e një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre u shoqërua me urime, por edhe me debat publik sepse amësia zëvendësuese mbetet e ndaluar me ligj në Gjermani.

    Çdo marrëveshje e lidhur për këtë qëllim nuk ka fuqi ligjore sepse sipas legjislacionit gjerman, nënë e fëmijës njihet gjithmonë gruaja që e ka lindur atë.

    Megjithatë, prindërit që zgjedhin një nënë zëvendësuese jashtë vendit nuk ndëshkohen penalisht, raporton Bild, transmeton Klankosova.tv

    Por, sfida lind me procedurat për sjelljen e fëmijës në Gjermani, pasi shteti verifikon prejardhjen biologjike dhe shtetësinë.

    Ministria Federale e Drejtësisë ka theksuar se në disa raste, prindërit mund të njihen ligjërisht si të tillë nëse të paktën njëri prej tyre ka lidhje gjenetike me fëmijën.

    Vetë Spahn deklaroi: “Burri im u bë baba, dhe bashkë me të edhe unë“.

    Agjencitë në Amerikën e Veriut ofrojnë shërbime për gjetjen e një nëne zëvendësuese dhe menaxhimin e gjithë procesit mjekësor e ligjor.

    Një kompani amerikane vlerëson koston totale mes 140.000 dhe 160.000 dollarëve (rreth 122.000–140.000 euro), ndërsa studime shkencore tregojnë se shpenzimet mund të arrijnë deri në 200.000 dollarë.

    Në SHBA, amësia zëvendësuese është e ligjshme, por rregullat ndryshojnë nga një shtet në tjetrin. Atje lejohet edhe pagesa për nënat zëvendësuese, teksa brenda Bashkimit Evropian nuk ekziston një rregullore e përbashkët.

  • Presidenti i Argjentinës refuzon të shkojë në finalen e Kupës së Botës për një arsye të pabesueshme

    Presidenti i Argjentinës refuzon të shkojë në finalen e Kupës së Botës për një arsye të pabesueshme

    Finalja e Kupës së Botës në Nju Jork, ku do të përballen Argjentina dhe Spanja, do të tërheqë shumë liderë botërorë dhe personazhe të famshëm në tribunat e stadiumit MetLife.

    Megjithatë, njeriu i parë i Argjentinës padyshim që nuk do të jetë midis tyre.

    Presidenti argjentinas, Javier Milei, ka konfirmuar zyrtarisht se nuk do ta ndjekë ndeshjen drejtpërdrejt në stadium dhe arsyeja që dha është mjaft e pazakontë për një burrë shteti – është supersticion i pastër.

    I njohur për temperamentin dhe qëndrimet e tij jokonvencionale, Milei e bëri shumë të qartë se nuk donte të ndryshonte ritualet e fitoreve që i çuan Gauçot deri në fund të turneut.

    “A do të shkoj në ndeshje? Absolutisht jo! Do ta shikoj ndeshjen në rezidencën time në Olivos me motrën time, ashtu siç kam bërë që nga dita e parë. Është supersticion i pastër”, tha Milei, siç raportohet nga gazeta argjentinase El Observador.

    Në Argjentinë, një vend ku futbolli është praktikisht një fe, supersticionet dhe ritualet gjatë ndeshjeve merren jashtëzakonisht seriozisht.

    Pra, ndërsa e gjithë bota shikon mega-spektaklin në New York, presidenti i Argjentinës do të qëndrojë në shtëpi me motrën e tij, duke shpresuar që besnikëria e tij ndaj traditës do t’i sjellë Lionel Messit dhe ekipit një tjetër titull kampion bote.

  • Lirohet një hapësirë publike në kompleksin ‘Ramiz Sadiku’, ishte shfrytëzuar si parking privat pa bazë ligjore

    Lirohet një hapësirë publike në kompleksin ‘Ramiz Sadiku’, ishte shfrytëzuar si parking privat pa bazë ligjore

    Një hapësirë publike në Kompleksin “Ramiz Sadiku”, e cila ishte duke u shfrytëzuar pa bazë ligjore si parking privat, është liruar pas një aksioni të realizuar nga Drejtoria e Pronës.

    Sipas njoftimit të kryetarit Perparim Rama, aksioni është ndërmarrë me vendim të Drejtorisë së Pronës, në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e pronës publike dhe rikthimin e hapësirave në shërbim të qytetarëve

    Rama ka bërë të ditur se ky nuk do të jetë aksioni i fundit, duke paralajmëruar vazhdimin e lirimit të hapësirave të tjera publike që janë uzurpuar ose shfrytëzohen pa bazë ligjore.Kryetari thekson se qëllimi i këtyre veprimeve është garantimi i përdorimit të drejtë të pronës publike dhe ruajtja e interesit të përgjithshëm të qytetarëve.

  • Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova importoi 40% më shumë rrymë në maj, prodhimi nga termocentralet ra mbi 45%

    Kosova ka rritur ndjeshëm importin e energjisë elektrike gjatë muajit maj 2026, ndërsa në të njëjtën kohë ka shënuar rënie të theksuar të prodhimit vendor nga termocentralet, tregojnë të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas raportit, importi i energjisë elektrike arriti në 422.31 GWh, duke shënuar rritje prej 41.29 për qind krahasuar me majin e vitit 2025.

    Në të njëjtën periudhë, prodhimi bruto i energjisë nga termocentralet ra në 178.48 GWh, ose 45.40 për qind më pak se një vit më parë, raporton Gazeta10.

    Ndërkohë, prodhimi i energjisë nga hidrocentralet u rrit me 51.38 për qind, duke arritur në 49.22 GWh, ndërsa prodhimi nga era dhe panelet solare shënoi rritje prej 8.25 për qind, në 39.30 GWh. Megjithatë, këto rritje nuk mjaftuan për të kompensuar rënien e prodhimit nga termocentralet.

    ASK bën të ditur se konsumi i energjisë elektrike gjatë muajit maj arriti në 398.66 GWh, duke u rritur për 8.88 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa energjia elektrike bruto në dispozicion mbeti pothuajse në të njëjtin nivel, me një rënie të lehtë prej 0.41 për qind.

    Raporti tregon gjithashtu se prodhimi i thëngjillit ra me 37.25 për qind, në rreth 301 mijë tonë, ndërsa eksporti i energjisë elektrike shënoi një rënie të lehtë prej 1.58 për qind, duke arritur në 205.27 GWh.

  • LEGO sjell në jetë kryeveprën “The Kiss” të Gustav Klimt me një set prej 4 mijë pjesësh

    LEGO sjell në jetë kryeveprën “The Kiss” të Gustav Klimt me një set prej 4 mijë pjesësh

    Grupi LEGO ka njoftuar një bashkëpunim me Muzeun Belvedere në Vjenë për të sjellë një version të veçantë të kryeveprës “The Kiss” (1907–1908) të piktorit austriak Gustav Klimt.

    Seti i ri përbëhet nga 4 mijë pjesë, duke u bërë modeli më i madh i frymëzuar nga një pikturë që LEGO ka prodhuar ndonjëherë. Ai do të dalë në shitje më 1 gusht, me një çmim prej 299.99 dollarësh.

    Ndryshe nga piktura origjinale, versioni LEGO është tredimensional. Pjesët ndërtohen në shtresa, duke krijuar thellësi dhe teksturë që i japin veprës një pamje më dinamike. Përveç udhëzimeve tradicionale, ndërtuesit do të kenë në dispozicion edhe udhëzime interaktive 3D përmes aplikacionit LEGO Builder.

    Për realizimin e setit, kuratorja e artit të shekujve XIX dhe XX në Muzeun Belvedere, Stephanie Auer, bashkëpunoi ngushtë me dizajnerin e modeleve LEGO, Milan Madge, për të ruajtur sa më besnikërisht stilin karakteristik të Klimtit, teksturat e pasura, ornamentet dhe paletën e artë të ngjyrave që e bëjnë veprën një ikonë të modernizmit austriak dhe lëvizjes Vienna Secession.

    “Përshtatja e The Kiss në një set LEGO ishte një përvojë unike. Diskutuam gjatë për simbolikën, ornamentet dhe teknikat artistike të Gustav Klimtit, si dhe mënyrën se si ato mund të përktheheshin në tulla LEGO, duke qëndruar besnikë frymës së veprës origjinale”, tha Stephanie Auer.

    Edhe Milan Madge e cilësoi projektin si një sfidë të veçantë krijuese, duke theksuar se përdorimi i elementeve të arta dhe pjesëve të dekoruara posaçërisht bëri të mundur rikrijimin e nuancave dhe teksturave karakteristike të pikturës.

    Modeli i përfunduar ka përmasa 60 x 54 centimetra, është rreth 4 centimetra i thellë dhe mund të vendoset në mur falë një sistemi të integruar për varjen e tij.

    Ky është bashkëpunimi më i fundit i LEGO-s me muze të njohur botërorë. Më parë kompania ka prezantuar edhe versione të frymëzuara nga vepra të Claude Monet, Vincent van Gogh, Leonardo da Vinci, Robert Indiana dhe Katsushika Hokusai, por seti i “The Kiss” konsiderohet më ambiciozi deri më tani.