ATV

Author: K.B.

  • Harry Bajraktari i çon letër Marco Rubios: Rishqyrtojeni mbështetjen për Gjykatën Speciale

    Harry Bajraktari i çon letër Marco Rubios: Rishqyrtojeni mbështetjen për Gjykatën Speciale

    Veprimtari shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me kërkesën që Shtetet e Bashkuara të rishqyrtojnë mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Bajraktari ka thënë se kjo kërkesë vjen pas nismës së Rubios për të kundërshtuar, siç ka deklaruar ai, gjykatat ndërkombëtare që tejkalojnë mandatin e tyre, bëhen të papërgjegjshme, të politizuara dhe burokratike.

    Sipas tij, përvoja e Kosovës me Gjykatën Speciale duhet të jetë pjesë e kësaj qasjeje të re.

    “Drejtësia kurrë nuk duhet të jetë selektive, politike apo mekanizëm për ta rishkruar historinë”, ka shkruar Bajraktari.

    Ai ka theksuar se besimi në drejtësi, sovraniteti dhe e vërteta historike duhet të mbrohen, duke përfunduar reagimin e tij me urimet: “Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë popullin shqiptar”.

  • U përurua lapidari memorial “Rrasa e Zogut” në Bjeshkët e Junikut

    U përurua lapidari memorial “Rrasa e Zogut” në Bjeshkët e Junikut

    Komuna e Junikut ka njoftuar se në Bjeshkët e Junikut u përurua sot lapidari memorial te “Rrasa e Zogut”, në nderim të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkujtim të ngjarjeve të 17 korrikut 1998.

    Sipas organizatorëve, në këtë vend kaluan mbi 1.400 ushtarë të UÇK-së duke transportuar armatim, ndërsa kolona u përball me një pritë të forcave serbe, ku ranë dëshmorë dhe u plagosën shumë luftëtarë.

    Në ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionesh, shoqatash të dala nga lufta dhe qytetarë. Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, vlerësoi rëndësinë e memorialit për ruajtjen e kujtesës historike, ndërsa lapidari u zbulua në praninë e pjesëmarrësve të betejës, familjarëve të dëshmorëve dhe përfaqësuesve institucionalë.

    Lapidari do të shërbejë si simbol i përhershëm i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe i rrugës së Kosovës drejt lirisë.

  • Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të premten do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.

    Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit që parasheh kufizimin e qarkullimit të këtyre automjeteve.

    Kufizimi do të vlejë në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime të qarkullimit, pasi sipas ministrisë nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e kësaj mase.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bëri të ditur se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do t’i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim që lidhet me zbatimin e këtij vendimi.

  • Biletat e Botërorit bëhen skandal ndërkombëtar, FIFA përfundon në gjykatë

    Biletat e Botërorit bëhen skandal ndërkombëtar, FIFA përfundon në gjykatë

    FIFA po përballet me presion ligjor në lidhje me shitjen e biletave për Kupën e Botës 2026. Gjykata Rajonale e Frankfurtit ka nxjerrë një urdhër ndalimi ndaj organit qeverisës të futbollit botëror, duke e urdhëruar të ndalojë disa praktika të shitjes së biletave që prekin konsumatorët në Gjermani.

    Procedurat ligjore nisën pas një kërkese të bërë nga platforma e biletave Ticombo.

    Kritikat përfshinin mungesën e transparencës në platformën zyrtare të rishitjes së biletave të FIFA-s, mënyrën e organizimit të procesit të blerjes dhe presionin artificial të kohës që u vendosej përdoruesve gjatë blerjes së biletave.

    Gjykata i pranoi këto argumente dhe e ndaloi FIFA-n të vazhdojë me praktikat në fjalë.

    Federata botërore mund ta apelojë vendimin. Nëse FIFA shkel urdhrin e gjykatës, ajo përballet me një gjobë deri në 250 mijë euro.

    Ndërkohë, shpërndarja e biletave për Kupën e Botës 2026 po përballet me kritika në rritje edhe jashtë Gjermanisë.

    Hetimet për mënyrën e shpërndarjes së biletave të ndeshjeve janë duke u zhvilluar në disa shtete amerikane, përfshirë Teksasin, Kaliforninë, Nju Xhersin dhe Nju Jorkun.

    Për më tepër, në fund të qershorit u ngrit një padi kolektive në Shtetet e Bashkuara kundër platformës së tregut dytësor të biletave StubHub, pas akuzave se shumë bileta të blera më herët ishin anuluar në një afat të shkurtër.

    Ankesat kryesore lidhen me mungesën e transparencës, krijimin artificial të mungesës së biletave dhe rritjen e madhe të çmimeve, gjë që kritikët pretendojnë se po dëmton tifozët e futbollit.

  • Fundjavë me diell e vranësira, IHMK paralajmëron edhe reshje lokale të dielën

    Fundjavë me diell e vranësira, IHMK paralajmëron edhe reshje lokale të dielën

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për fundjavën e 18 dhe 19 korrikut.

    Sipas IHMK-së, të shtunën në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale pritet të arrijnë nga 31 deri në 35 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.

    Ndërkaq, të dielën parashihet mot kryesisht i vranët me intervale me diell. Vranësirat, në disa zona, mund të sjellin edhe riga të dobëta shiu.

    Temperaturat minimale do të jenë nga 13 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin ndërmjet 30 dhe 34 gradë Celsius.

    Sipas IHMK-së, era do të fryjë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra për sekondë.

  • Zana Spahiu zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

    Zana Spahiu zgjidhet Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

    Me 9 vota pro dhe asnjë abstenim, Zana Spahiu është zgjedhur Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së.

    Ky votim u mbajt gjatë mbledhjes së sotme të Bordit të RTK-së.

    Spahiu do të qëndrojë në këtë post për 3 vjet.

  • Edita Tahiri: Nëse SHBA po e kushtëzon Kosovën me Asociacionin, duhet ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë

    Edita Tahiri: Nëse SHBA po e kushtëzon Kosovën me Asociacionin, duhet ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e pavarësisë

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, tha se nëse SHBA e kushtëzon Dialogun Strategjik me Kosovën me përmbushjen e zotimeve ndaj serbëve të Kosovës, atëherë sipas Tahirit, Uashingtoni duhet të kushtëzojë Dialogun Strategjik me Serbinë me njohjen e Kosovës.

    Sipas saj, diplomacia e Kosovës duhet të punojë në këtë drejtim.

    “Amerika e ka kushtezuar Dialogun Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve, ky kusht nenkupton asociacionin – mirepo Amerika duhet ta kushtezoj dialogun strategjik edhe me Serbine kur Serbia ta njeh shtetin e Kosoves – diplomacia e Kosoves duhet te punoj ne kete drejtim..”, ka shkruar Tahiri.

  • Për dy ditë mbyllet përkohësisht rruga Brezovicë-Prevallë

    Për dy ditë mbyllet përkohësisht rruga Brezovicë-Prevallë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht gjatë fundjavës, për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “Brezovica 2026”.

    Sipas komunikatës për media, kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi më 18 dhe 19 korrik 2026, në intervalin kohor nga ora 10:30 deri në 18:00.

    Më 18 korrik do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa më 19 korrik gara zyrtare, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.

    “Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse. Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që gjatë këtyre intervaleve kohore të planifikojnë lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren”, thuhet në komunikatën për media.

  • Një tërmet i fuqishëm 7.3 godet Meksikën, paralajmërohet për cunami

    Një tërmet i fuqishëm 7.3 godet Meksikën, paralajmërohet për cunami

    Një paralajmërim për cunami është lëshuar për pjesë të Oqeanit Paqësor, pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.3 goditi të premten brigjet jugore të Meksikës.

    Sistemi Amerikan i Paralajmërimit për Cunami njoftoi se përgjatë brigjeve të afërta të Meksikës dhe Guatemalës mund të shfaqen valë të rrezikshme cunami, me lartësi nga 0.3 deri në 1 metër mbi nivelin normal të baticës, raporton BBC.

    Guvernatori i shtetit jugor meksikan të Oaxacës, Salomón Jara Cruz, tha se tërmeti u ndje me “intensitet mesatar”, por deri më tani nuk është raportuar për dëme të konsiderueshme.

    Lëkundjet u ndjenë edhe në Guatemalë dhe El Salvador, ku, sipas agjencisë Reuters, banorët e Guatemala City dolën me nxitim nga shtëpitë e tyre.

    Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ishte pranë qytetit bregdetar të peshkimit Puerto Madero në Meksikë, në një thellësi prej 15.2 kilometrash.

    Sistemi Amerikan i Paralajmërimit për Cunami bëri të ditur gjithashtu se përgjatë brigjeve të Kolumbisë, Kosta Rikës, Ekuadorit, El Salvadorit, Nikaraguas, Panamasë, Perusë dhe Hondurasit priten valë më të vogla se 0.3 metra mbi nivelin e baticës.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse në zonat bregdetare të rrezikuara që të njoftojnë popullsinë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve kombëtare dhe lokale.

  • Kurti e bën Dugollin zëvendës të Sveçlës

    Kurti e bën Dugollin zëvendës të Sveçlës

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon emërimet e zëvendësministrave nëpër ministri të ndryshme.

    Sot e ka emëruar Enver Dugollin në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që e drejton Xhelal Sveçla.

    Enver Dugolli në zgjedhjet e fundit ka dështuar që të futet në Kuvendin e Kosovës duke u renditur në vendin e 73-të me vetëm 12 mijë e 81 vota.