ATV

Author: K.B.

  • 74 aksidente për 24 orë në Kosovë

    74 aksidente për 24 orë në Kosovë

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur statistikat e përgjithshme të raportuara gjatë periudhës së fundit, ku janë evidentuar gjithsej 74 aksidente trafiku.

    Sipas të dhënave zyrtare, nuk është regjistruar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa 28 aksidente kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 46 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe, policia ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 96 tiketa trafiku, ndërsa janë arrestuar 14 persona për raste të ndryshme.

  • 28 vjet nga masakra e Rahovecit

    28 vjet nga masakra e Rahovecit

    Më 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec shumë shqiptarë u vranë e u plagosën.

    Në Tehqen e Sheh Myhedinit në Rahovec u masakruan shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

    Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë, si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, ndërsa gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

    Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi, tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

    Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u zhdukën dhe u morën peng shumë shqiptarë.

    Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shqiptarët e vrarë gjatë ofensivës në Rahovec. /KP

  • Hykmete Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë

    Hykmete Bajrami dorëzon kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës në Pejë

    Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal te Prokuroria lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës, e cila prej ditësh është përfshirë nga zjarri.

    Bajrami ka kërkuar hetim për përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e deponisë, duke thënë se situata paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Ajo ka publikuar edhe arsyetimin e plotë të kallëzimit penal. /Gazeta Express

    Postimi i plotë:

    Kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës, në Pejë

    Sot, përmes postës elektronike, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam dorëzuar kallëzim penal Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës.

    Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Por rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontigjenti italian i KFOR-t, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie. Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndot ajrin, tokën dhe ujërat, ndërsa sot, për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

    Aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.

    Përmes këtij kallëzimi penal kam kërkuar që Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, por edhe përgjegjësinë e institucioneve dhe zyrtarëve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe institucione të tjera që mund të kenë pasur përgjegjësi.

    Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të hetuar nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës.

    Asnjë institucion nuk ka të drejtë që me mosveprimet e tij të lejojë që qytetarët t’i ekspozohen për vite me radhë një rreziku të tillë.

    E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni.

    Pres që Prokuroria ta trajtojë këtë rast me prioritet, të zhvillojë hetime të plota dhe të sigurojë që çdo person apo institucion përgjegjës të përballet me përgjegjësinë që i takon sipas ligjit.

    Gjithashtu pres nga institucionet përgjegjëse të ndërmerren hapa konkret në sanimin e gjendjes deri në mbylljen e përhershme të deponisë.

  • Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

    Çitaku: Kosova po mbetet në periferi, Serbia po e thellon bashkëpunimin me SHBA-në

    Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës,Vlora Çitaku e ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e izoluar dhe me marrëdhënie të dëmtuara me aleatët strategjikë, ndërsa Serbia po avancon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Çitaku shkroi në Facebook se, “përderisa tash e gjashtë vjet Kosova vazhdon të jetë e izoluar, nën masa ndëshkuese dhe me marrëdhënie të lënduara me aleatët tanë strategjikë, Serbia po e thellon bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    “Marrëveshja e re për Dialogun Strategjik SHBA–Serbi përfshin fusha kyçe të së ardhmes: inteligjencën artificiale, energjinë, gazin e lëngshëm amerikan (LNG), të cilin Albin Kurti e refuzoi me kryeneçësi, si dhe bashkëpunimin në hulumtimet hapësinore”, shkroi ajo.

    Sipas Çitakut, këto janë pasojë e një politike që, siç u shpreh ajo, “e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”.

    “Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë pas vizitës në Kosovë i këshilltarit të posaçm të Presidentit Trump, u publikua një raport tejet kritik, që dëmton imazhin e vendit tonë. Këto nuk janë rastësi. Janë pasojë e një politike që e ka zëvendësuar diplomacinë me propagandën, partneritetin me arrogancën dhe interesin shtetëror me kultin e liderit”, shkroi ajo.

    “Dikur Kosova ishte në qendër të vëmendjes së botës demokratike. Sot, për fat të keq, po rrëshqet në periferi të interesimit të qendrave vendimmarrëse ndërkombëtare. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me aleanca të forta, me besueshmëri dhe me koordinim me partnerët tanë strategjikë, jo me vetëkënaqësi e konfrontim. Me këtë mënyrë të qeverisjes, rrezikojmë të mbetemi në periferi. Dhe këtë çmim nuk e paguan një qeveri, por e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e Republikës sonë”, shtoi Çitaku.

  • Mërgimtarët e bllokuar në kufi, këshilltarja shqiptare në qeverinë kroate tregon arsyen

    Mërgimtarët e bllokuar në kufi, këshilltarja shqiptare në qeverinë kroate tregon arsyen

    Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë deklaroi se është fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik si dhe shtoi se kjo pikë përfaqëson për shumë udhëtarë pikën e parë të zonës Shengen

    Numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova raportohet se kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë që nga ora 02:00 e natës, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.

    Ermina Përlaskaj, këshilltare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë tha për klankosova.tv se arsyeja për pritjet kaq të gjata në pikën kufitare Bajakovë-Batrovc është fluksi i madh i udhëtarëve gjatë sezonit turistik si dhe shtoi se kjo pikë përfaqëson për shumë udhëtarë pikën e parë të zonës Shengen, transmeton albinfo.ch.

    “Arsyeja kryesore e kolonave të gjata në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë është kulmi i sezonit turistik veror dhe ndërrimi i turistëve gjatë fundjavës. Pika kufitare Bajakovë-Batrovc mbetet më e ngarkuara, pasi përmes saj kalon numri më i madh i udhëtarëve nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia dhe Turqia drejt Kroacisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore. Duhet pasur parasysh se Kroacia është pjesë e zonës Shengen, që do të thotë se për shumë udhëtarë kjo pikë kufitare përfaqëson hyrjen e parë në hapësirën Shengen. Për këtë arsye, autoritetet kufitare kroate kryejnë kontrolle të detajuara të dokumenteve dhe kushteve të hyrjes, gjë që zgjat kohën e përpunimit të çdo automjeti dhe krijon kolona të gjata, veçanërisht gjatë fundjavave dhe muajve të verës, kur fluksi i udhëtarëve është shumë i madh”, tha ajo.

  • Tentuan të shisnin parcelë me vlerë 1.5 milionë euro në Sllatinë të Fushë Kosovës, tre persona dërgohen në mbajtje

    Tentuan të shisnin parcelë me vlerë 1.5 milionë euro në Sllatinë të Fushë Kosovës, tre persona dërgohen në mbajtje

    Tre persona janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, pasi dyshohen se përmes dokumenteve të falsifikuara kanë tentuar të përvetësojnë dhe shesin një parcelë me sipërfaqe rreth dy hektarë në Sllatinë të Fushë Kosovës, në vlerë prej 1 milion e 550 mijë eurosh.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet janë zhvilluar nga njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, të cilat kanë siguruar prova që dyshohet se i lidhin tre të dyshuarit me veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

    Sipas Policisë, të dyshuarit M.T., L.Sh. dhe M.R., përmes falsifikimit të dokumenteve të Serbisë, përdorimit të dokumenteve të rrejshme si të vërteta dhe paraqitjes së një personi të rremë si pronar real, kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë dhe shesin parcelën.

    “Përmes veprimeve të kundërligjshme, të dyshuarit kanë tentuar që përmes noterit ta tjetërsojnë/shesin parcelën në sipërfaqe prej rreth 2 hektarësh me lokacion në Sllatinë të Fushë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se të njëjtën pronë kanë tentuar t’ua shesin disa blerësve, duke synuar përfitimin e shumës prej 1 milion e 550 mijë eurosh.

    Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, duke falsifikuar pasaportën dhe letërnjoftimin e Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar të mashtrojnë si pronarin e pronës ashtu edhe blerësit potencialë.

    “Është vërtetuar se personat e dyshuar, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit të Serbisë në emër të pronarit të vërtetë të parcelës, kanë tentuar që përmes mashtrimit ta shesin pronën e viktimës dhe njëkohësisht t’i mashtrojnë personat tjerë/blerësit”, ka njoftuar Policia.

    Rasti është trajtuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar më 17 korrik 2026, në praninë e avokatëve të tyre.

    Pas urdhrit të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Therje me thikë në qendër të Podujevës – Një person dërgohet në spital, arrestohet i dyshuari

    Therje me thikë në qendër të Podujevës – Një person dërgohet në spital, arrestohet i dyshuari

    Një rast i rëndë njoftohet të ketë ndodhur sonte në Podujevë, ku një person është therur me thikë.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Kjo e fundit ka shtuar edhe se viktima është dërguar për trajtim mjekësor, dhe se, lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar.

    ‘’Sot rreth orës 19 :00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në sheshin e qytetit në Podujevë.

    Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person.

    Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që për përfshirje në këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar’’, ka thënë ajo.

  • Serwer: Po ta kishte Vuçiq vetëm një qelizë në trupin e tij që s’pajtohet me Paunovic do ta shkarkonte

    Serwer: Po ta kishte Vuçiq vetëm një qelizë në trupin e tij që s’pajtohet me Paunovic do ta shkarkonte

    Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka dhënë komentet e tij rreth deklaratës skandaloze ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila para disa ditësh tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

    Serwer, duke folur për kërkesat për largimin e ministres nga kjo pozitë, ka thënë se, nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi ‘’do ta kishte vetëm një qelizë të vetme në trupin e tij’’ që nuk pajtohet me Paunoviq, atëherë ai do e shkarkonte atë nga pozita e ministres.

    Serwer, ka thënë edhe se deklarata e ministres është aq e dënueshme, sa është vështirë të përshkruhet.

    “E dini, nëse Vuçiqi do të kishte qoftë edhe një qelizë të vetme në trupin e tij që nuk pajtohet me këtë, ai do ta largonte menjëherë atë. Është një deklaratë aq e dënueshme, saqë është vështirë të përshkruhet. Nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë’’, ka thënë ai për N1.

  • Trump refuzon takimin me Netanyahun shkaku i Turqisë

    Trump refuzon takimin me Netanyahun shkaku i Turqisë

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar të caktojë një takim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, pas kritikave publike të liderit izraelit ndaj planit të Uashingtonit për t’i shitur Turqisë aeroplanë luftarakë F-35.

    Sipas mediave amerikane, deklaratat e Netanyahut shkaktuan zemërim në Shtëpinë e Bardhë. Një zyrtar amerikan tha se Trump ishte “shumë i irrituar”, ndërsa një tjetër deklaroi se presidenti besonte se Netanyahu “nuk kishte të drejtë” të ndërhynte në strategjinë amerikane të mbrojtjes.

    Përplasja bëri që një takim i mundshëm në Zyrën Ovale të mos realizohej. Zyrtarët amerikanë thanë se takimi nuk ishte autorizuar dhe nuk ishte vendosur në agjendën presidenciale, pavarësisht se pala izraelite kishte nisur përgatitjet për udhëtimin në Uashington, shkruan axios.

    Tensionet mes dy aleatëve u shtuan edhe para udhëtimit të Trumpit në samitin e NATO-s në Ankara. Një pretendim i inteligjencës izraelite për një kërcënim të mundshëm iranian ndaj presidentit amerikan u vlerësua nga zyrtarët amerikanë si spekulativ dhe jo si një plan konkret.

    Mosmarrëveshjet vijnë në një kohë kur mbështetja për Netanyahun në Uashington po dobësohet. Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin, JD Vance, kanë kritikuar disa anëtarë të qeverisë izraelite për qëndrimet ndaj politikës së SHBA-së për Iranin.

    Ndërkohë, edhe në Kongres amerikan po rriten zërat kundër ndihmës ushtarake për Izraelin. Më shumë se 100 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve votuan për shkurtimin e 3 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake, në një shenjë të rritjes së përçarjeve mbi politikën amerikane ndaj qeverisë së Netanyahut.

  • Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia mohon akuzat e Kishës Ortodokse Serbe për presion ndaj komunitetit serb: Nuk veprojmë mbi baza etnike apo fetare

    Policia e Kosovës ka reaguar ndaj komunikatës së Eparkisë Rashkë-Prizren, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se ky institucion ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

    Në reagimin e publikuar të premten, Policia e Kosovës ka thënë se këto pretendime “nuk mbështeten në fakte” dhe nuk pasqyrojnë mënyrën e funksionimit të këtij institucioni.

    “Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagimin e PK-së.

    Sipas Policisë, institucioni funksionon mbi bazën e Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit.

    “Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb”, thuhet në njoftim.

    Policia ka theksuar se çdo veprim i saj bazohet në ligj dhe në përgjegjësinë individuale, duke mohuar se vepron mbi baza etnike, fetare apo politike.

    “Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, ka deklaruar PK-ja.

    Policia e Kosovës ka folur edhe për ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, duke thënë se ajo është zhvilluar pa pengesa dhe ndërhyrje nga ana e policisë.

    “Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagim.

    Sipas PK-së, veprimet e ndërmarra pas ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve apo identitetit serb, por ndaj personave për të cilët, sipas saj, kishte dyshime për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik.

    “Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç”, ka bërë të ditur Policia.

    PK publikon të dhëna për sigurinë e objekteve fetare

    Në reagim, Policia ka prezantuar edhe të dhëna për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke thënë se aktualisht 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarë të saj.

    “Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK), e cila përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Sipas PK-së, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, prej të cilave 16 raste ose 30 për qind kanë ndodhur në objekte ortodokse.

    Në vitin 2025 janë evidentuar 35 raste, prej të cilave 10 ose 29 për qind në objekte ortodokse, ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, prej të cilave 5 raste ose 15 për qind në objekte ortodokse.

    Policia ka thënë se shumica e rasteve lidhen me përftime pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në ruajtjen e sigurisë publike.