ATV

Author: K.B.

  • Katër burra të arrestuar për kontrabandë me drunj në Hajkobillë të Prishtinës

    Katër burra të arrestuar për kontrabandë me drunj në Hajkobillë të Prishtinës

    Policia e Kosovës, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të kundërligjshme ka realizuar një plan taktik gjatë ditës së enjte, me ç’rast në vijën kufitare me Serbinë, në Hajkobillë të Prishtinës, janë arrestuar katër të dyshuar për “kontrabandë me mallra”, “kalim i paautorizuar i vijës kufitare”dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armëve të zjarrit dhe municionit”.

    Të njëjtit janë ndaluar nga ana e zyrtarëve policorë, derisa në afërsi të vijës kufitare është hasur një sasi e konsiderueshme e druve të kontrabanduara nga territori i Serbisë.

    Me autorizim të prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja e një shtëpie në afërsi të vijës kufitare, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga kontrabandistët, ku janë gjetur armë ilegale.

    Lidhur me rastin janë sekuestruar provat materiale, si: 3 traktorë me tërheqje; 3 pushkë gjuetie; 1 pushkë ajrore dhe 83 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Me autorizim të prokurorit kompetent katër personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.

  • Alarm për ata që hanë bukë dhe kroasanë: Rrezik nga metali toksik

    Alarm për ata që hanë bukë dhe kroasanë: Rrezik nga metali toksik

    Kroasanët, bagetat dhe madje edhe drithërat e mëngjesit mund të ekspozojnë miliona njerëz ndaj një metali të rëndë të lidhur me kancerin, paralajmërojnë autoritetet shëndetësore franceze.

    Një raport i gjerë ka ngritur shqetësime për nivelet e kadmiumit në ushqimet e përditshme, duke sugjeruar se pothuajse gjysma e popullsisë në Francë mund të konsumojë sasi “shqetësuese” vetëm përmes dietës.

    Ky metal toksik gjendet kryesisht në plehrat kimike të përdorura në bujqësinë moderne. Ai grumbullohet në tokë dhe më pas përfundon në ushqime bazë që konsumohen çdo ditë. Sipas shkencëtarëve, produktet si buka, ëmbëlsirat, makaronat, orizi dhe patatet janë ndër burimet kryesore të ekspozimit. Tek personat që nuk pinë duhan, dieta përbën deri në 98% të marrjes së kadmiumit.

    Gjetjet, të publikuara nga ANSES, janë cilësuar si shqetësuese dhe paralajmërojnë për rritje të rrezikut nëse nuk merren masa.

    Kadmiumi është lidhur me disa lloje kanceri, përfshirë ato të pankreasit, fshikëzës urinare, prostatës dhe gjirit. Ai gjithashtu mund të shkaktojë dobësim të kockave, dëmtime të veshkave dhe sëmundje kardiovaskulare.

    Ekspertja Géraldine Carne paralajmëroi se efektet afatgjata mund të përkeqësohen nëse ekspozimi vazhdon në këto nivele.

    Studimi analizoi burime të ndryshme të kadmiumit – nga ajri dhe uji, deri te pluhuri dhe kozmetika – por arriti në përfundimin se ushqimi është burimi kryesor. Veçanërisht u identifikuan si problematike produktet e përpunuara të grurit si biskotat, tortat dhe drithërat e mëngjesit.

    Edhe duhani u përmend si një burim i rëndësishëm shtesë i ekspozimit.

    Këto gjetje mund të jenë shqetësuese edhe për vende të tjera, pasi shumë nga këto ushqime janë pjesë e dietës së përditshme. Edhe pse nivelet e raportuara në Francë janë më të larta se në disa vende të tjera evropiane, ekspertët theksojnë se rreziku nuk duhet nënvlerësuar. Kadmiumi grumbullohet në trup me kalimin e kohës, kështu që edhe sasi të vogla, por të konsumuar rregullisht, mund të jenë problematike në afat të gjatë.

    Autoritetet këshillojnë që njerëzit të mos heqin dorë plotësisht nga buka apo produktet e ngjashme, por të diversifikojnë dietën për të shmangur ekspozimin e vazhdueshëm nga të njëjtat burime. Rekomandohet shtimi i ushqimeve si thjerrëzat dhe qiqrat, të cilat përmbajnë më pak kadmium.

    Në të njëjtën kohë, kërkohet rishikimi i rregullave për plehrat kimike, që janë një nga burimet kryesore të ndotjes së tokës me këtë metal.

    Megjithëse paralajmërimet janë serioze, ekspertët theksojnë se nuk ka arsye për panik: konsumimi i rastësishëm i bukës apo ëmbëlsirave nuk përbën rrezik të madh në vetvete. Megjithatë, prania e kadmiumit në ushqimet e përditshme po ngre gjithnjë e më shumë shqetësime për ndikimin e tij afatgjatë në shëndet.

  • Sa shpesh duhet të shkoni në tualet? Ja çfarë thonë shkencëtarët

    Sa shpesh duhet të shkoni në tualet? Ja çfarë thonë shkencëtarët

    Sa shpesh duhet të kryeni nevojat personale? Përgjigjja nuk është e njëjtë për të gjithë, por studiuesit kanë përcaktuar disa kufij që lidhen me shëndetin.

    Sipas një studimi të vitit 2024 nga Institute for Systems Biology, frekuenca e jashtëqitjes mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e përgjithshëm.

    Rezultatet tregojnë se:

    1–2 herë në javë konsiderohet kapsllëk

    3–6 herë në javë është në nivel të ulët normal

    1–3 herë në ditë është intervali më i shëndetshëm

    Më shumë se kaq mund të tregojë diarre

    Sipas studimit, njerëzit më të shëndetshëm ishin ata që bënin jashtëqitje një ose dy herë në ditë – rreth 7 deri në 14 herë në javë. Ky grup kishte nivele më të larta të baktereve të mira në zorrë, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe lidhen me rrezik më të ulët për sëmundje si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe disa forma kanceri.

    Nga ana tjetër, ata që kishin kapsllëk kishin më shumë toksina në gjak, të lidhura me probleme si sëmundjet kronike të veshkave apo Alzheimer’s disease. Ndërsa personat me diarre të shpeshtë shfaqnin shenja që lidhen me dëmtim të mëlçisë.

    Ekspertët theksojnë se zakonet e tualetit ndikohen nga shumë faktorë, si ushqimi (sidomos fibrat), hidratimi, aktiviteti fizik dhe stresi.

    Sipas Marie Edison nga Vitality Health, nuk duhet të detyroni trupin të ndjekë një orar të caktuar, por të vëzhgoni ndryshimet me kalimin e kohës. Nëse shfaqen simptoma si dhimbje, fryrje, kapsllëk i vazhdueshëm apo gjak në jashtëqitje, duhet të konsultoheni me mjekun.

    Edhe Delphine Sekri paralajmëron se nëse dikush shkon në tualet më rrallë se një herë në pesë ditë, kjo mund të jetë shenjë e kapsllëkut, i cili shpesh shoqërohet me fryrje, dhimbje barku dhe ndjesi rëndese. Në raste të tilla mund të shfaqen edhe probleme si hemorroide ose çarje të vogla që shkaktojnë dhimbje dhe gjakderdhje.

    Nga ana tjetër, jashtëqitjet shumë të shpeshta mund të lidhen me dietë të pasur me kafeinë apo fibra, medikamente të caktuara ose sëmundje si Irritable Bowel Syndrome, koliti ulceroz apo hyperthyroidism.

    Në fund, ekspertët bien dakord për një parim të thjeshtë: ritmi “ideal” është ai që funksionon për trupin tuaj. Megjithatë, nëse vëreni ndryshime të pazakonta ose shqetësuese, është e rëndësishme të kërkoni këshillë mjekësore në kohë.

  • Vrasja e Liridona Ademajt – Kokalla: Në Polici më thanë se isha kryesori i rastit

    Vrasja e Liridona Ademajt – Kokalla: Në Polici më thanë se isha kryesori i rastit

    Në Gjykatën Themelore ka vazhduar seanca për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë mbrojtjen e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Ndrec Doda.

    Kokalla deklaroi se e kujton intervistimin në polici më 1 dhjetor 2023, kur ishte marrë në cilësinë e të dyshuarit për rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se kishte qenë në shtëpi kur është kontaktuar nga policia për t’u paraqitur në stacionin policor në Gjakovë, ndërsa nuk i kujtohet ora e saktë e paraqitjes, por sipas tij, në Prishtinë ka arritur rreth orës 20:00.

    Sipas deklarimit të tij, intervistimi kishte filluar rreth 30 minuta pas mbërritjes në polici.

    Duke u përgjigjur në pyetjet për trajtimin nga organet e rendit, Kokalla tha se nuk ishte keqtrajtuar fizikisht gjatë intervistimit.

    Megjithatë, ai theksoi se gjatë kohës para nisjes së intervistimit, hetuesit i kishin thënë se ai ishte “kryesori” i rastit.

    “Ma tregun pse më kanë arrestu, më thanë që ti je kryesori, edhe pse nuk e ke ngreh gishtin, ti e ke bë të gjithë skenarin dhe është në interesin tënd dhe tonin të tregosh si e ke bërë skenarin”, deklaroi Kokalla.

    Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe nuk kishte qenë i pranishëm avokati i tij.

  • Kosova dhe Panama heqin vizat për pasaportat diplomatike, synohet liberalizimi edhe për qytetarët

    Kosova dhe Panama heqin vizat për pasaportat diplomatike, synohet liberalizimi edhe për qytetarët

    Republika e Kosovës dhe Republika e Panamasë kanë bërë një hap të ri në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënshkruar një marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.

    Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Panamasë, Carlos A. Hoyos, në një ceremoni zyrtare që theksoi gatishmërinë e të dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin dhe lidhjet diplomatike.

    Para nënshkrimit, gjatë një takimi dypalësh, përfaqësuesit e të dy shteteve kanë diskutuar edhe për nisjen e procedurave drejt heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta. Po ashtu, në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si siguria, arsimi i lartë dhe turizmi.

    Palët janë pajtuar gjithashtu që raundi i ardhshëm i konsultimeve politike ndërmjet dy ministrive, në nivel të zëvendësministrave, të zhvillohet në Prishtinë në fund të vitit 2026.

  • Çfarë sjell prilli 2026? Parashikimi astrologjik i muajit

    Çfarë sjell prilli 2026? Parashikimi astrologjik i muajit

    Muaji prill 2026 pritet të jetë mjaft dinamik nga ana astrologjike, duke sjellë zhvillime të rëndësishme në jetën personale, profesionale dhe emocionale të shumë shenjave të zodiakut. Me lëvizjet e planetëve dhe fazat e Hënës, energjia e këtij muaji do të ndikojë ndjeshëm në marrëdhënie dhe vendimmarrje.

    Muaji nis me Hënën e Plotë në Peshore më 2 prill, e cila vendos në fokus balancën mes jetës personale dhe asaj në çift. Kjo periudhë mund të sjellë tensione në marrëdhënie, sidomos për shenjat kardinale si Dashi, Gaforrja, Peshorja dhe Bricjapi, të cilat do të përballen me zgjedhje të rëndësishme.

    Një ndikim i fortë vjen edhe nga hyrja e Marsit në Dash, duke rritur energjinë, vendosmërinë dhe dëshirën për veprim. Kjo prirje favorizon iniciativat e reja, por njëkohësisht kërkon kujdes ndaj impulsivitetit dhe konflikteve të mundshme.

    Nga mesi i muajit, Mërkuri në Dash nxit komunikimin dhe shprehjen e ideve, duke krijuar mundësi për takime, marrëveshje dhe zgjidhje çështjesh të mbetura pezull. Megjithatë, sinqeriteti i tepërt mund të sjellë keqkuptime në marrëdhënie.

    Hëna e Re më 17 prill shënon fillime të reja, veçanërisht në aspektin personal dhe profesional. Kjo është një periudhë e përshtatshme për të mbyllur kapituj të vjetër dhe për të nisur projekte të reja me më shumë besim.

    Në fund të muajit, hyrja e Diellit në Dem dhe e Venusit në Binjakë sjell stabilitet financiar dhe gjallëri në jetën sociale e romantike. Ndërkohë, lëvizja e Uranit paralajmëron ndryshime të papritura, duke kërkuar fleksibilitet dhe përshtatje nga të gjitha shenjat.

    Në tërësi, prilli është një muaj transformimi, ku sfidat dhe mundësitë ecin paralelisht.

  • Çfarë po ndodh me Cllevion? Postimi nga spitali shqetëson ndjekësit

    Çfarë po ndodh me Cllevion? Postimi nga spitali shqetëson ndjekësit

    Një postim i fundit në rrjetet sociale ka ngritur shqetësim për gjendjen shëndetësore të reperit të njohur Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun si Cllevio, i cili aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit.

    Në profilin e tij zyrtar në Instagram është publikuar një fotografi nga një ambient spitalor, ku shihet një person i shtrirë në sallën e ndërhyrjeve kirurgjikale. Postimi shoqërohet me një mbishkrim që ka tërhequr menjëherë vëmendjen: “Presim Ganggon dali nga operacioni tragjik”.

    Ky përshkrim ka lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një situatë serioze shëndetësore, ndërsa përdorimi i vetës shumës tregon se llogaria e reperit nuk po menaxhohet nga ai vetë, por nga persona të afërt.

    Një tjetër detaj që ka shtuar dyshimet është etiketimi i Spitalit Rajonal Memorial në Fier në postim. Kjo ka bërë që të aludohet se Cllevio mund të jetë transferuar nga ambientet e burgut drejt këtij institucioni për trajtim të specializuar mjekësor. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për natyrën e ndërhyrjes kirurgjikale apo për gjendjen aktuale të tij.

    Ndjekësit dhe publiku vijojnë të presin një reagim apo sqarim zyrtar, ndërsa postimi ka shkaktuar reagime dhe komente të shumta në rrjet.

    Mbetet për t’u parë nëse në orët në vijim do të ketë informacione të reja që do të hedhin dritë mbi situatën e reperit.

  • Shtyhet vendimi për daljen në treg të hapur të energjisë

    Shtyhet vendimi për daljen në treg të hapur të energjisë

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka njoftuar se është shtyrë procesi i vendimmarrjes për dalje në treg të hapur, derisa shtoi se kjo nuk pengon konsumatorët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të dalë nga shërbimi universal që nga data 1 prill 2026.

    Sipas ZRrE-së, vendimi është shtyrë deri më 1 maj të këtij viti, dhe arsyetim i tyre është nevoja për një analizë më të thelluar.

    “Konsumatorët që plotësojnë kushtet e nevojshme mund të vazhdojnë procedurat e kalimit në furnizuesin e zgjedhur sipas afateve dhe procedurave të parashikuara. ZRRE do të vazhdojë të monitorojë procesin me kujdes dhe do të njoftojë publikun në kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.

    Megjithatë, ZRrE ka paralajmëruar se vetëm 50 kompani do të kalojnë në treg të hapur, burime të gazetares së Klan Kosova, Sala Gashi, bëjnë të ditur se dyfish më shumë kompani do të kryejnë këtë tranzicion, pra rreth 111 kompani.

  • Identifikohet i moshuari i gjetur pa shenja jete në Prizren

    Identifikohet i moshuari i gjetur pa shenja jete në Prizren

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është identifikuar personi i cili u gjet pa shenja jete në Prizren.

    Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, në rrugën “Edit Durham”, ku një burrë rreth 70 vjeç është gjetur i pajetë. Njësitet policore, së bashku me ekipet hetimore dhe të krim-teknikës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se në trupin e viktimës nuk janë vërejtur shenja dhune. Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes” në konsultim me prokurorin.

    Fillimisht, policia kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e viktimës. Pas veprimeve hetimore në terren dhe kontaktit me familjarët, është arritur të konfirmohet identiteti i tij.

    Policia ka falënderuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin, duke bërë të ditur se procedurat ligjore do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

  • Vuçiq “njofton” për vizitën e Kurtit te Macron, pretendon se e di agjendën e diskutimeve “nga njerëzit e tij afër Kurtit”

    Vuçiq “njofton” për vizitën e Kurtit te Macron, pretendon se e di agjendën e diskutimeve “nga njerëzit e tij afër Kurtit”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të takohet nesër me presidentin e Francës Emmanuel Macron në Paris dhe pretendoi se e di agjendën e diskutimeve të dy udhëheqësve.

    Ai tha se Kurti do të ketë dy kërkesa “që Franca ta kushtëzojë Serbinë të mos përdorë armë kundër shqiptarëve dhe të “mbështesë propozimin” që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Forca e Sigurisë së Kosovës të shkojë në veri.

    “Kurti shkon te Macroni nesër. Do ta shihni që nuk do të fsheh asgjë dhe do të më pyesni se si guxoj ta them. Do ta shihni që guxoj”, tha presidenti serb mbrëmë në studion e TV Prva.

    Duke përsëritur disa herë se “Kurti po shkon te Macroni”, Vuçiq tha se këto informata i ka marrë nga “njerëz nga rrethi i Kurtit”.

    “Kemi njerëzit tanë në rrethin e Kurtit dhe kemi marrë agjendën e tij për bisedën me presidentin francez”.

    “Kurti do të shkojë me dy kërkesa. Ai ka katër tema, dy kërkesa. Njëra është që francezët të na vendosin kushte se si do t’i përdorim armët tona, domethënë që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve. Dhe kërkesa e tij e dytë do të jetë, siç mund ta shihni – unë e di paraprakisht se cilat janë kërkesat e tyre dhe nuk e fsheh faktin që e di dhe gjithmonë do ta di sepse ata kurrë nuk do ta dinë se nga i kanë marrë dhe si – dhe kërkesa e tij e dytë është shumë e rrezikshme: që NATO të largohet nga Zona Tokësore e Sigurisë në veri dhe që Franca ta mbështesë atë, në mënyrë që ata të mund ta sjellin të ashtuquajturën FSK në Zonën Tokësore të Sigurisë”.

    Vuçiq më pas pretendoi se “miku” i tij, Macron, nuk do t’i mbështesë këto kërkesa të Kurtit.

    “Shpresoj që askush në NATO të mos mendojë për këtë. Dhe jam i sigurt se miku im Emmanuel Macron nuk do të mendojë të mbështesë një kërkesë të tillë, sepse kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë Serbisë. Dhe besoj se kjo nuk do të ndodhë, jam pothuajse i sigurt”, tha Vuçiq.