ATV

Author: K.B.

  • Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, projekti i parë i gjatë i Sovran Nrecajt

    Nisin xhirimet e filmit “Për sa t’ketë det”, projekti i parë i gjatë i Sovran Nrecajt

    Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar nisjen e xhirimeve për filmin “Për sa t’ketë det”, një projekt i ri kinematografik që shënon filmin e parë artistik të metrazhit të gjatë me skenar dhe regji nga Sovran Nrecaj.

    Filmi prodhohet nga kompania Can and Cam në partneritet me Degjenerata, me producente Aurela Kadriu dhe me mbështetje institucionale nga QKK.

    “Për sa t’ketë det” trajton dhimbjet e heshtura dhe jetët e pezulluara nga pritja, duke u vendosur në një shoqëri që përpiqet të rindërtohet pas luftës. Filmi fokusohet në historinë e Sadetes, e interpretuar nga Ilire Vinca, e cila jeton me bashkëshortin e saj Burimin (Alban Ukaj) dhe djalin e tyre.

    Rrjedha e jetës së saj ndryshon rrënjësisht kur Burimi i bashkohet rezistencës së armatosur dhe nuk kthehet më, duke e lënë Sadeten të përballet me një mungesë pa përgjigje dhe një realitet të vështirë në një shoqëri patriarkale.

    Në kastin e filmit përfshihen edhe emra të njohur si Refet Abazi, Melihate Qena dhe Molikë Maxhuni, ndërsa drejtimin e fotografisë e mban Murat Emkuzhev.

    Filmi aktualisht ndodhet në fazën e xhirimeve në Kosovë dhe pritet të sjellë një rrëfim të ndjeshëm dhe realist mbi pasojat e luftës dhe përpjekjet për mbijetesë në një realitet të brishtë shoqëror.

  • 45 milionë euro borxhe, KRU “Prishtina”: Shteti mbahet duke paguar shërbimet bazë, koha për veprim

    45 milionë euro borxhe, KRU “Prishtina”: Shteti mbahet duke paguar shërbimet bazë, koha për veprim

    Ujësjellësi KRU “Prishtina” ka kërkuar përgjegjësi nga qytetarët për pagesat e faturave të ujit, duke potencuar se kompania është përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh.

    Kjo kompani thotë se pagesat me rregull janë kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional të shërbimit, prandaj bëri thirrje për veprim nga qytetarët.

    “SHTETI mbahet duke paguar shërbimet bazë, siç është uji. Megjithatë, përballë një borxhi prej 45 milionë eurosh për këtë shërbim jetik, lind pyetja: çfarë po bëjmë ne? A do të vazhdojmë të presim duarkryq, apo do të marrim përgjegjësi si qytetarë? Pagesa e rregullt e ujit nuk është vetëm obligim, por edhe kontribut i drejtpërdrejtë për një sistem funksional, për furnizim të qëndrueshëm dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Është koha për veprim”, thuhet në reagim.

  • Mjekja shtatzënë sulmohet nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së, po trajtohet në spital pasi ka marrë lëndime

    Mjekja shtatzënë sulmohet nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së, po trajtohet në spital pasi ka marrë lëndime

    Një mjeke e cila është shtatzënë është sulmuar nga qentë endacakë mëngjesin e sotëm brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla për KosovaPress tha se e lënduara ka marrë trajtimin e parë në Emergjencë dhe gjendja e saj është stabile.

    “Është e lënduar, është e sulmuar prej qenve dhe është trajtuar në Qendrën Emergjente dhe pas trajtimit do të pranohet në Kirurgjinë Plastike për trajtim të mëtejshëm. Gjendja është stabile plotësisht por ka lëndime që ka marrë plagë por nuk është në rrezik për jetë”, tha Syla.

    Sipas drejtorit, mjekja e sulmuar nga qentë endacakë po vazhdon të jetë nën kujdesin mjekësor.

  • Oda Amerikane dhe Kusari Lila diskutojnë për reformat për përmirësimin e klimës së biznesit

    Oda Amerikane dhe Kusari Lila diskutojnë për reformat për përmirësimin e klimës së biznesit

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një takim pune me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

    Sipas një njoftimi të Odës Amerikane, gjatë takimit, Kusari Lila prezantoi vizionin dhe programin e Ministrisë, duke vënë theks të veçantë në prioritetet e politikave publike dhe agjendën legjislative që synon avancimin e kornizës rregullative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të bërit biznes në Kosovë. Në këtë kuadër, ajo veçoi projektet kryesore, përfshirë transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja mbi parimet e ekonomisë qarkore.

    Një ndër objektivat strategjikë të prezantuar ishte adresimi i deficitit tregtar, përmes mbrojtjes dhe promovimit të prodhimit vendor, përfshirë trajtimin preferencial në kontratat publike. Po ashtu, Ministrja prezantoi ligjet prioritare që janë në proces apo në planifikim, si ligji për çmimet tavan në përgjigje ndaj situatave të krizës, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ligji për pagesat e vonuara, në përputhje me agjendën e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Diskutimet përfshinë gjithashtu ligje të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në biznes, si ligji për tregtinë e brendshme, ligji për cilësinë e derivateve dhe ligji për shoqëritë tregtare.

    Në anën tjetër, përfaqësuesit e AmCham theksuan disa çështje prioritare për komunitetin e biznesit. Në këtë drejtim, u kërkua rishikimi i barrës fiskale për derivatet e naftës, në funksion të reflektimit të zhvillimeve aktuale në zinxhirët e furnizimit dhe shmangies së shtrembërimeve në treg. Po ashtu, u kërkua përfshirja në agjendën legjislative e një akti ligjor që adreson humbjet teknologjike, avullimin e mallrave dhe humbjet e tjera që ndodhin gjatë proceseve të operimit, me qëllim të rritjes së parashikueshmërisë dhe trajtimit të drejtë fiskal për bizneset.

    Një tjetër temë e ngritur ishte nevoja për mbështetje më të fuqishme të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), veçanërisht në drejtim të zhvillimit të fuqisë punëtore dhe adresimit të hendekut të aftësive, në përputhje me kërkesat në rritje të tregut.

    Ministrja njoftoi edhe për procesin e transformimit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), i cili përfshin mbështetjen për ndërmarrjet e reja, fuqizimin e grave dhe komuniteteve joshumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion. Integrimi i arsimit dual profesional u theksua gjithashtu si një komponent kyç për zhvillimin ekonomik afatgjatë.

    Gjatë diskutimit u trajtuan edhe zhvillimet globale dhe rajonale, përfshirë menaxhimin e krizës së naftës dhe opsionet për Kosovën, hapat drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes, thjeshtimin e kornizës ligjore për sektorin minerar, si dhe nevoja për avancim në fushën e kërkimit dhe testimit të zgjidhjeve teknologjike.

    Në përmbyllje, Ministrja Kusari Lila theksoi rëndësinë e përgjegjësisë sociale korporative dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe konstruktiv me sektorin privat.

  • Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen arrijnë rekordin prej 1.4 trilion dollarësh

    Shpenzimet e NATO-s për mbrojtjen arrijnë rekordin prej 1.4 trilion dollarësh

    Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë arritur për herë të parë objektivin e shpenzimeve për mbrojtjen prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me shpenzimet totale që kanë arritur në 1.4 trilion dollarë.

    Në vitin 2025, shpenzimet e aleancës tejkaluan 1.4 trilionë dollarë, nga 1.3 trilionë dollarë vitin e kaluar, sipas Euractiv.

    Evropa dhe Kanada rritën buxhetet për mbrojtjen me 20 për qind në terma realë, duke arritur një rekord prej 574 miliardë dollarësh, ku 34 për qind e këtyre shpenzimeve u drejtuan për blerjen e armatimeve.

    Tani ata përbëjnë rreth 41 për qind të shpenzimeve totale të NATO-s, ndërsa pjesa tjetër vjen nga Shtetet e Bashkuara.

    Shkalla më e lartë e shpenzimeve ndaj PBB-së u regjistrua në Poloni (4.3 për qind), Lituani (4 për qind), Letoni (3.74 për qind) dhe Estoni (3.42 për qind). Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në 3.19 për qind.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti vitin 2025 një “vit vendimtar” dhe theksoi se aleatët duhet të përparojnë drejt një objektivi të ri prej 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035, duke rritur gjithashtu prodhimin e armatimeve.

  • Giaufret jep detaje nga vizita në Kosovë – Thekson përkushtimin për rrugën evropiane

    Giaufret jep detaje nga vizita në Kosovë – Thekson përkushtimin për rrugën evropiane

    Zëvendësdrejtori menaxhues i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) për Ballkanin Perëndimor, Emanuele Giaufret ka dhënë detaje nga vizita e tij e fundit në Kosovë, duke e cilësuar ditën e parë të takimeve si të suksesshme dhe produktive.

    Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar me zyrtarë institucionalë, përfshirë Albulena Haxhiu, si dhe me kryetarë komunash nga veriu dhe partnerë ndërkombëtarë, ndër ta edhe EULEX.

    Sipas tij, këto takime kanë shërbyer për të diskutuar zhvillimet aktuale dhe bashkëpunimin e mëtejshëm, ndërsa ka theksuar se është inkurajuar nga vendosmëria e përbashkët për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës.

  • Gjyqi për Liridona Ademajn, Kushtrim Kokalla: Për vrasjen e saj kuptova nga portalet

    Gjyqi për Liridona Ademajn, Kushtrim Kokalla: Për vrasjen e saj kuptova nga portalet

    Kushtrim Kokalla, një prej të akuzuarve për përfshirje në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka deklaruar sot në gjykatë se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarje.

    Kokalla tha se në momentin e ngjarjes ndodhej në shtëpinë e tij me të afërmit, kur shoku i tij Flori e informoi për incidentin. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje, pasi lajmet e para raportuan për këtë. Tha se kishte tentuar të kontaktonte Naim Murselin, por telefoni i këtij të fundit ishte i paqasshëm, dhe vetëm pas 20-30 minutash kuptoi se ishte vrasje.

    Ai deklaroi gjithashtu se kishte shkuar në Prishtinë bashkë me familjen e tij për të qëndruar pranë familjes Ademaj, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në ngjarje.

    Për qëndrimin në hotel, Kokalla tha se dhomën e kishte paguar një mik, Valon Lluka, pasi ai nuk kishte mundësi të përballonte koston e një dhome luksoze./BetimiperDrejtesi/

  • Kurti udhëton drejt Francës, ka drekë pune me Macronin

    Kurti udhëton drejt Francës, ka drekë pune me Macronin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Francë, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Gjatë ditës, kryeministri Kurti pritet të ketë takim dhe drekë pune me presidentin e Fancës, Emmanuel Macron.

  • Ish-reperi Shah betohet si kryeministër i Nepalit

    Ish-reperi Shah betohet si kryeministër i Nepalit

    Reperi i shndërruar në politikan Balendra Shah u betua si kryeministër i Nepalit të premten, i ngarkuar me rivendosjen e stabilitetit politik dhe krijimin e vendeve të punës në kombin e varfër Himalayan, i cili prej kohësh është përballur me probleme nga qeveritë e brishta dhe perspektivat e dobëta të rritjes.

    Shah, i cili mbante veshur pantallona të ngushta, një xhaketë të njëjtë, kapelen e tij të zezë prej cope nepaleze dhe syze dielli në ceremoni, është kryeministri më i ri i Nepalit në dekada. Ish-kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Katmandu, Shah, 35 vjeç, u bë kryeministër pasi Partia e tij trevjeçare Rastriya Swatantra (RSP) fitoi 182 vende në parlamentin me 275 anëtarë në zgjedhjet e 5 marsit, votimi i parë pas protestave anti-korrupsion të Gjeneratës Z, në të cilat u vranë 76 persona në shtator të vitit të kaluar.

    Në një videoklip të ri muzikor të postuar në faqen e tij në Facebook në prag të ceremonisë së betimit të tij, Shah theksoi patriotizmin dhe optimizmin për një të ardhme të ndritur për Nepalin.

    “Nepali nuk ka frikë këtë herë, zemra është plot me gjak të kuq… të qeshurat dhe lumturia do të arrijnë në çdo familje këtë herë”, këndoi Shah në videon që përmbante pamje të turmave të mëdha që e brohorisnin gjatë fushatës së tij zgjedhore.

    Më shumë se 200 priftërinj hindu dhe lama budistë kënduan himne dhe lutje paqeje së bashku me fryrjen e guaskave të kërmijve gjatë ceremonisë në Pallatin Presidencial, ku morën pjesë diplomatë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë.Pasi u betua, Shahu zgjodhi 14 anëtarë në kabinetin e tij, duke mbajtur premtimin e tij të fushatës për të pasur një ekip të vogël për të ulur shpenzimet shtetërore. Ai emëroi Swarnim Wagle, një ekonomist të arsimuar në Harvard, si ministër të financave. /Reuters

  • Kokalla tregon versionin e tij për takimet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

    Kokalla tregon versionin e tij për takimet me Granit Plavën dhe Naim Murselin

    Gjatë intervistimit të tij, i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dhënë detaje për takimet me të akuzuarit e tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën, duke pohuar se nuk ka pasur lidhje me planifikimin ose kryerjen e vrasjes së Liridona Ademajt. Ai tha se gjatë intervistimit në polici ishin prezent 4-5 hetues, të cilët ndërkohë që njëri bënte pyetje, tjetri shkruante dhe të gjithë merrnin pjesë aktivisht.

    Kokalla tha se kishte takuar Granitin disa herë, por vetëm për biseda të zakonshme dhe se nuk kishte ndërmjetësuar asnjë marrëveshje për kryerjen e veprës. Sipas tij, takimi i parë me Granitin kishte ndodhur në Shell, ku Naimi e kishte shoqëruar për t’u takuar me Granitin. Takimi kishte zgjatur 5-10 minuta dhe gjatë tij nuk u diskutua asgjë e veçantë, vetëm biseda të zakonshme rreth punës.

    Ai tha se gjatë kthimit në Gjakovë, Naimi i kishte dërguar mesazh në WhatsApp për të marrë numrin e kontaktit të Granitit, numër të cilin ai e kishte përcjellë. Takimi i dytë me Granitin kishte ndodhur 4-5 ditë më vonë në Benita.

    “Ata shkuan ta takojnë Naimin dhe udhëtuan përmes fshatit Kralan – rreth 10 km nga Cermjani – ku u takuan me të tek kryqëzimi Pejë-Kline-Gjakovë, pranë Benitës”, ka treguar Kokall.