ATV

Author: K.B.

  • Vdekja e tre kosovarëve në Shkup, familja del me njoftim

    Vdekja e tre kosovarëve në Shkup, familja del me njoftim

    Familjarët e tre kosovarëve që humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Maqedoninë e Veriut kanë dalë me njoftim pas ngjarjes së rëndë.

    Në një postim në Facebook, familjari ka bërë të ditur se viktimat humbën jetën pas aksidentit në rrugën nga Pika Kufitare Bllacë drejt Shkupit.

    “Me zemër të thyer dhe me pikëllim të thellë ju njoftojmë se, si pasojë e një aksidenti të rëndë në Maqedoninë e Veriut, nipi ynë Ejupi, mbesa jonë Fatmirja dhe kunata jonë Xheneta kanë marrë udhën e amshimit. Tre shpirtra të bardhë iu bashkuan parajsës, ndërsa neve na mbetet t’i kujtojmë me dashni dhe të lutemi për ta”, ka shkruar ai.

    Familja ka bërë të ditur se për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftojë me kohë.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, rasti është raportuar më 19 korrik 2026, rreth orës 22:35, kur në SPB Shkup është njoftuar për një automjet të tipit “Mercedes” me targa gjermane, i cili ishte përmbysur në këtë aks rrugor.

    Policia, pas daljes në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të pajetë – një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga ekipet e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.

  • Kufizimet për kamionët në autoudhë vazhdojnë edhe sot

    Kufizimet për kamionët në autoudhë vazhdojnë edhe sot

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bën të ditur se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

    “Në Autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë. Në rrugët nacionale dhe rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime”, thuhet në njoftimin e MIT.

    Ministria njofton po ashtu se, kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    “Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në njoftim.

  • MPB e Maqedonisë së Veriut konfirmon vdekjen e tre personave nga Kosova

    MPB e Maqedonisë së Veriut konfirmon vdekjen e tre personave nga Kosova

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se tre kosovarët e raportuar si të zhdukur janë gjetur pa shenja jete në një automjet të përmbysur në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit.

    Sipas MPB-së, rasti është raportuar më 19 korrik 2026, rreth orës 22:35, kur në SPB Shkup është njoftuar për një veturë të markës “Mercedes” me targa gjermane të përmbysur në këtë aks rrugor.

    Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.

    MPB ka bërë të ditur se më herët, në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor Bit Pazar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.

    Më 19.07.2026, nё ora 22:35, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën nga Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit ndodhet një automjet i përmbysur i markës “Mercedes” me targa gjermane. Menjeherë në vendin e ngjarjes janë dërguar zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur (një mashkull dhe dy femra). Vdekjen e ka konstatuar një mjek nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore. Më herët, në ora 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar, një shtetas i Kosovës kishte raportuar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta kishte qenë тё 18.07.2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.

  • Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

    Tre persona të zhdukur, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tyre

    Tre persona janë raportuar të zhdukur, ndërsa familjarët e tyre kanë apeluar për ndihmën e qytetarëve në lokalizimin e tyre.

    Sipas njoftimit nga familjarët, bëhet fjalë për Ejup Ternavën, Cennet Ternavën dhe Fatmire Shabanin, të cilët janë parë për herë të fundit mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, në Shkup.

    Sipas informacioneve, ata ishin nisur nga aeroporti në drejtim të Kosovës, por që nga ai moment nuk është arritur më asnjë kontakt me ta dhe vendndodhja e tyre mbetet e panjohur.

    Ata po udhëtonin me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu, me targa MR-DT 2025.

    Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë personat ose automjetin, apo posedojnë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e tyre, të kontaktojnë menjëherë familjarët ose Policinë.

    Çdo informacion mund të jetë i rëndësishëm.

  • ​Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë

    ​Behrami: Specialja është mbështetur në narrativa që burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë

    Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka akuzuar Dhomat e Specializuara se një pjesë të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e kanë ndërtuar mbi materiale dhe narrativa që, sipas tij, burojnë nga aparati shtetëror i Serbisë.

    Në një reagim publik, Behrami tha se Serbia, të cilën e akuzon se synon “ringjalljen e politikave të Millosheviqit” dhe spastrimin etnik të shqiptarëve, ka qenë burim i dezinformatave në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Ai iu referua edhe deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila, sipas tij, ditë më parë kërkoi spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, duke e cilësuar këtë si dëshmi të vazhdimësisë së narrativës së shtetit serb.

    Sipas Behramit, ekziston një paradoks, pasi nga njëra anë përfaqësues të shtetit serb vazhdojnë të mohojnë krimet e kryera në Kosovë, përfshirë masakrën e Reçakut dhe masakra të tjera, ndërsa nga ana tjetër, po ai aparat shtetëror trajtohet si burim i besueshëm në proceset e Gjykatës Speciale.

    “Përveç kriminalizimit të UÇK-së, Gjykata po synon të zbehë përgjegjësinë e Serbisë për krimet e saj dhe t’ia transferojë barrën morale viktimës”, ka deklaruar Behrami.

    Ai shtoi se nuk mund të ketë drejtësi mbi standarde të dyfishta dhe as pajtim duke relativizuar, sipas tij, krimet e Serbisë.

    “Nuk mund të ketë besim në një proces gjyqësor që mbështetet në narrativën e një shteti, përfaqësuesit e të cilit edhe sot shprehin keqardhje që spastrimi etnik i shqiptarëve nuk u përfundua”, ka shkruar Behrami.

    Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka dhënë komentet e tij rreth deklaratës skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila para disa ditësh tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

    “E dini, nëse Vuçiqi do të kishte qoftë edhe një qelizë të vetme në trupin e tij që nuk pajtohet me këtë, ai do ta largonte menjëherë atë. Është një deklaratë aq e dënueshme, saqë është vështirë të përshkruhet. Nuk mund ta imagjinoja kurrë një gjë të tillë’’, tha Serwer për Televizionin N1 të Beogradit.

    Ndërsa, eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e ministres serbe si të papranueshme. Ndër të tjera ai shtoi se duhet kërkuar nxjerrja e Serbisë nga negociatat për integrimin evropian.

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla dorëzoi ditë më parë kallëzim penal ndaj ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq.

  • Policia parandalon atentatin e radhës ndaj Preng Gjinit

    Policia parandalon atentatin e radhës ndaj Preng Gjinit

    Policia e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale. Bëhet fjalë për një atentat tjetër që nga të dhënat hetimore dhe provat e sekuestruara, do ti bëhej Preng Gjinit, makina e të cilit u hodh në erë në lëvizje edhe në shtator të vitit 2020 në zonën e Selitës në Tiranë.

    Blutë e qytetit verior kanë arrestuar pak ditë më parë në flagrancë 38 vjeçarin Euglen Buraku me një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Buraku banues në Durrës lëvizte në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës me një automjet me targa të vjetra të mbivendosura ndërsa nga ekspertimi i aparatit të tij cëlular iu gjet në brendësi foto e Preng Gjinit.

    Hetuesit besojnë se kanë zbuluar edhe një autor të dytë të dyshuar, Eduard Përgjoka 34 vjeç në banesën e së cilit në Rubik u sekuestruan kapsolla detonatorë, 11 celularë dhe fara kanabisi.

    Ky i fundit është shpallur në kërkim pasi bashkë me të arrestuarin po hetoen për vrasje me paramendim mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh.

    Nga hetimet e SPAK në dosjen ‘REVANSHI’, atentati i parë ndaj Preng Gjinit u krye për motive gjakmarrje ndërsa të pandehur të arrestuar dhe në mungesë, janë marrë 6 persona si urdhërues dhe sigurues të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje. /Euronews/

  • “S’e dija që ishte vëllai im”, historia si në filma e Vullnetit të grupit Marigona – Si e mësoi motra e tij pas shumë vitesh që ishin familje

    “S’e dija që ishte vëllai im”, historia si në filma e Vullnetit të grupit Marigona – Si e mësoi motra e tij pas shumë vitesh që ishin familje

    Mbrëmja e së shtunës ishte e mbushur me emocione për adhuruesit e muzikës shqiptare, teksa grupi legjendar “Marigona” mbajti koncertin e tij të fundit në Prishtinë, duke i dhënë fund një epoke të rëndësishme të muzikës live në vend.

    Por, përpara se Vullnet Sefaja të ngjitej në skenë për performancën e fundit me grupin, një histori e rrallë familjare preku zemrat e publikut.

    Motra e tij nga babai, Erëza Vela, ndau në rrjetet sociale rrëfimin e pazakontë se si zbuloi ekzistencën e vëllait të saj, një histori që, siç thotë vetë ajo, ia ndryshoi jetën përgjithmonë.

    Gjithçka nisi në vitin 1994, kur Erëza ishte vetëm nëntë vjeçe. Gjatë një bisede në Tetovë, një kushërirë e pyeti nëse e dinte që babai i saj kishte edhe një djalë tjetër me emrin Vullnet.

    Edhe pse u përpoq të sillej sikur e dinte, ajo pranon se në atë moment bota iu përmbys.

    “Nuk doja që ajo ta kuptonte se, me një fjali të vetme, sapo ma kishte lëkundur të gjithë botën. Atë natë nuk fleta”, rrëfen Erëza.

    Të nesërmen vendosi ta pyeste babanë e saj drejtpërdrejt. Pas një heshtjeje të gjatë, ai i tregoi historinë e djalit që kishte lindur pesë vite para se të njihte nënën e Erëzës.

    Vullneti ishte rritur nga nëna e tij, Vala, të cilën Erëza e përshkruan si një grua të fortë dhe krenare, që i kishte dhënë të birit mbiemrin e saj – Sefaja.

    Për Erëzën, zbulimi u bë edhe më emocionues kur kuptoi se ky vëlla ishte pikërisht këngëtari i grupit “Marigona”, zëri i këngës së saj të preferuar, “Ajshe”.

    Megjithatë, momenti që bashkoi përfundimisht familjen erdhi falë nënës së Erëzës.

    Ajo vendosi që fëmijët duhej të njiheshin me njëri-tjetrin dhe e ftoi Vullnetin në shtëpinë e tyre në Tetovë.

    “Fëmijët duhet të njohin njëri-tjetrin. Është koha të thërrasim Vullnetin të vijë në shtëpi. Të provojmë të bëjmë familje këtë që deri tani ka qenë vetëm një histori e komplikuar”, kujton Erëza fjalët e nënës së saj.

    Kur Vullneti mbërriti në shtëpi, ai u prit me ngrohtësi dhe përqafim.

    “Eja, djali im. Mirë se erdhe”, i kishte thënë nëna e Erëzës.

    Që nga ajo ditë, marrëdhënia mes tyre u forcua vazhdimisht, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të tyre.

    Erëza tregon se Vullneti u bë mbështetja e saj më e madhe, duke e ndihmuar të përfundonte studimet universitare, por edhe duke i qëndruar pranë në hapat e parë të karrierës profesionale.

    Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me respektin që Vullneti kishte për nënën e Erëzës.

    Pas vdekjes së nënës së tij, Valës, ai iu drejtua asaj me fjalët: “Tani mbeta vetëm me një nënë”.

    Në koncertin e fundit të “Marigonës”, Erëza dhe nëna e saj ishin në mesin e publikut për ta mbështetur Vullnetin në një natë historike për karrierën e tij.

    Mes nostalgjisë dhe emocioneve që shoqëruan performancën e fundit të grupit legjendar, historia e tyre familjare u shndërrua në një nga momentet më prekëse të mbrëmjes, një dëshmi se lidhjet e gjakut dhe dashuria familjare mund të kapërcejnë çdo pengesë.

  • Ministria e Infrastrukturës me një njoftim të rëndësishëm për kufizimet e nesërme në autoudhë

    Ministria e Infrastrukturës me një njoftim të rëndësishëm për kufizimet e nesërme në autoudhë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhë.

    Sipas ministrisë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.

    Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.

    Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

    Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.

  • Ndahet nga jeta gazetari Behlul Jashari, AGK shpreh ngushëllime

    Ndahet nga jeta gazetari Behlul Jashari, AGK shpreh ngushëllime

    Është ndarë nga jeta gazetari i njohur Behlul Jashari, një nga emrat e shquar të gazetarisë kosovare.

    Me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen e tij, duke vlerësuar kontributin mbi pesë dekadash të Jasharit në gazetari.

    AGK theksoi se ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës.

    Jashari i kushtoi mbi pesë dekada gazetarisë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në Rilindja, si kryeredaktori i parë i gazetës së rezistencës Bujku, si dhe përmes raportimeve të tij për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

    Ai do të kujtohet për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e tij në raportimin e ngjarjeve historike të Kosovës, përfshirë edhe periudhën e luftës.

    Në reagimin e saj, AGK u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, kolegëve, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve.

  • Ambasada e Kosovës në Zagreb u shpërndanë pako ushqimore bashkatdhetarëve në pikën kufitare Kroaci-Serbi

    Ambasada e Kosovës në Zagreb u shpërndanë pako ushqimore bashkatdhetarëve në pikën kufitare Kroaci-Serbi

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci ka qenë sot pranë bashkatdhetarëve në Pikën Kufitare Bajakovo, ku ka shpërndarë ujë dhe pako ushqimore për udhëtarët që po prisnin të kalonin kufirin, për shkak të fluksit të shtuar gjatë sezonit veror.

    Sipas Ambasadës, megjithëse kolonat e automjeteve janë të gjata, koha aktuale e pritjes për kalimin e kufirit është rreth 10 deri në 15 minuta. Në funksion janë tetë korsi hyrëse, ndërsa autoritetet kroate po punojnë për të siguruar një qarkullim sa më të shpejtë dhe efikas.

    Ambasada pëe Dukagjinin bëri të ditur se kolonat janë kryesisht pasojë e zbatimit të Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), i cili ka sjellë procedura të reja të kontrollit kufitar dhe ka ndikuar në ngadalësimin e përkohshëm të qarkullimit.

    Po ashtu, Ambasada falënderoi Hakif Qenajn për dhurimin e pakove ushqimore të shpërndara për udhëtarët, duke e vlerësuar kontributin e tij si një akt solidariteti dhe kujdesi ndaj bashkatdhetarëve.

    Ambasada e Kosovës theksoi se do të vazhdojë të monitorojë situatën në pikat kufitare dhe të ofrojë mbështetje për qytetarët sa herë që kjo të jetë e nevojshme, duke u uruar të gjithë bashkatdhetarëve një udhëtim të sigurt dhe të mbarë.