ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu pretendoi se deputetët obligoheshin të votonin për Presidentin, Kushtetuesja: Kjo tashmë është sqaruar qartë

    Haxhiu pretendoi se deputetët obligoheshin të votonin për Presidentin, Kushtetuesja: Kjo tashmë është sqaruar qartë

    Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

    Haxhiu dhe nëntë deputetë i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mos pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.

    Kushtetuesja thotë se lidhur me këtë çështje, Gjykata “tashmë ka konsoliduar praktikën e saj gjyqësore në këtë kontekst, respektivisht në rastet KO47/16 dhe KO29/11”.

    Në rrethanat e rastit aktual, Gjykata konsideroi se “nuk paraqiten rrethana të reja që do të arsyetonin një shqyrtim të mëtejshëm të kësaj çështjeje”.

    “Rrjedhimisht, Gjykata bazuar në pikën (b) të paragrafit 2 të rregullit 54 të Rregullores së punës konstaton se kjo çështje përbën çështje të gjykuar (res judicata) dhe, si e tillë, hyn në kategorinë e kërkesave që përfaqësojnë përsëritje të një kërkese të mëparshme të shqyrtuar dhe të vendosur nga Gjykata”, thuhet në vendim.

    Edhe çështjen e afateve për zgjedhjen e Presidentit, për të cilat shkroi Haxhiu në kërkesë, Kushtetuesja tha se e ka sqaruar.

    “Prandaj për sa i përket pikës së parë të vlerësimit, nuk është më kontestues fakti i “kalimit të afateve kushtetuese”, për shkak se përmes Aktgjykimit në rastet e bashkuara KO72/26 dhe KO74/26, cituar më lart, Gjykata thekson se kjo pikë përfshin vlerësimin kushtetues, i cili ishte objekt shqyrtimi në rastet e bashkuara KO72/26 dhe KO74/26 (shih, rastin e Gjykatës KO72/26 dhe KO74/26, cituar më lart)”, thuhet në vendim.

    Kësisoj, Kushtetuesja konsideron se “nuk ka çështje për shqyrtim, ngase kjo tashmë është sqaruar qartë edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës” përmes dy rasteve në të kaluarën.

    “Pra, si parim i përgjithshëm procedural, Gjykata nuk nxjerrë vendime për raste ku çështja më nuk përfaqëson kontest, apo pretendimi nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm (shih, rastet e Gjykatës, KO98/20, cituar më lart, paragrafi 84; dhe KO63/12, cituar më lart, paragrafi 23)”, thuhet në vendim.

  • Osmani priti në takim shefin e EULEX, Giovanni Pietro Barbano

    Osmani priti në takim shefin e EULEX, Giovanni Pietro Barbano

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosma Osmani priti në takim shefin e EULEX, Giovanni Pietro Barbano.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    Osmani ritheksoi përkushtimin e institucioneve për garantimin e rendit dhe ligjit, si dhe për avancimin e standardeve demokratike.

    Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në funksion të forcimit të sundimit të ligjit.

    Sipas njoftimit nga presidenca, në takim, të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë drejt avancimit të agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe zbatimin e standarteve të Konventës së Stambollit, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe fuqizimit të rolit të grave në shoqëri.

  • Policia dhe Prokuroria i shkojnë në banesë Shkëlzen Gashit, Rron Gjinovci: Kanë ardhë me bastisë dhe me mbledhë prova

    Policia dhe Prokuroria i shkojnë në banesë Shkëlzen Gashit, Rron Gjinovci: Kanë ardhë me bastisë dhe me mbledhë prova

    Anëtari i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, bashkëpunëtor dhe mik i Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës me pasaktësi për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, tha se një njësit policor i Drejtorisë së Krimeve të Rënda po kryen bastisje në banesën e Gashit, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

    Gjinovci tha se Gashi “tashmë është nën shoqërimin e policisë, por ende i paarrestum”.

    “Ky është njësiti i Drejtorisë së Krimeve të Randa të policisë, i cili me urdhëresë të Prokurorisë Speciale ndodhet në banesën e Shkëlzen Gashit. Kanë ardhë me bastisë banesën me mbledhë prova dhe me shoqëru Shkëlzenin i cili tashmë është nën shoqërimin e policisë, por ende i paarrestum”, shkroi ai në një postim në Facebook.

    “Shekulli 21, vend demokratik, Prokuroria Speciale dhe Policia e Krimeve të Randa bastisin e shoqnojnë njerëz për ekspozitë”, shtoi Gjinovci.

  • Kushtetuesja e hedh poshtë kërkesën e Albulena Haxhiut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit”

    Kushtetuesja e hedh poshtë kërkesën e Albulena Haxhiut për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit”

    Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

    Kushtetuesja njoftoi se ka vendosur njësëri që ta hedhë poshtë kërkesën dhe të refuzojë kërkesën vendosjen e masës së përkohshme.

    “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO68/26, të parashtruar nga znj. Albulena Haxhiu dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Gjykata, njëzëri, vendosi: TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit”, thuhet në njoftim.

    Haxhiu dhe deputetët i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mos pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.

  • Oficeri i FSK-së shpallet kampion kombëtar i karatesë në Shqipëri

    Oficeri i FSK-së shpallet kampion kombëtar i karatesë në Shqipëri

    Një tjetër sukses i rëndësishëm vjen nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Major Getoar Rexhepi është shpallur kampion kombëtar i karatesë në edicionin e 27-të të Kampionatit Kombëtar të zhvilluar në Shqipëri për kategoritë kadet, junior, U21 dhe senior.

    Garat u mbajtën në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku morën pjesë rreth 80 sportistë nga afro 20 ekipe të ndryshme nga e gjithë Shqipëria. Kampionati u zhvillua në dy disiplina, kata (demonstrime) dhe kumite (ndeshje), duke sjellë një nivel të lartë konkurrence mes pjesëmarrësve.

    Në këtë konkurrencë të fortë, majori Rexhepi arriti të dallojë me performancën e tij, duke u kurorëzuar me titullin kampion kombëtar i Shqipërisë në karate për vitin 2026.

    Ky kampionat konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në nivel kombëtar për sportin e karatesë në Shqipëri, ndërsa suksesi i majorit Rexhepi dëshmon për përkushtimin, disiplinën dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së, jo vetëm në detyrat ushtarake, por edhe në fushën e sportit.

    Arritja e tij është pritur me urime dhe reagime pozitive nga qytetarë dhe dashamirës të sportit, duke e vlerësuar këtë sukses si një tjetër dëshmi të nivelit të lartë të sportistëve shqiptarë.

  • Shqiptarja nga Maqedonia e Veriut, Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës

    Shqiptarja nga Maqedonia e Veriut, Shasime Osmani zgjidhet deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernës

    Në zgjedhjet e mbajtura në Kantonin e Bernës, qytetarët kanë zgjedhur 160 deputetë. Mes tyre, edhe Shasime Osmani, e cila u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit të Bernit. Ajo është shqiptare me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, respektivisht nga Kërçova.

    Gjyshi i Shasimes kishte shkuar në Zvicër në vitin 1979 nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, ndërsa babai i saj iu bashkua në vitin 1993. Vetë Shasimja shkoi në Zvicër me nënën në vitin 1999, në moshën 1-vjeçare.

    Ajo është studente e drejtësisë në Universitetin e Bernit. Ka përfunduar kualifikimin në biznes dhe ka një diplomë profesionale. Është rritur në lagjen Bümplitz-Bethlehem të Bernës, një zonë ku fëmijët përballen shpesh me vështirësi arsimore dhe sociale.
    Në fushatën e saj, Osmani theksoi:

    “Unë dua të jem zëri i atyre që mund të mos dëgjohen gjithmonë dhe kanë frikë se mos i nxjerrin jashtë sapo të flasin.”
    Zgjedhja e Shasimes në Parlamentin kantonal të Bernës është një hap i madh në karrierën e saj politike dhe një sukses i komunitetit shqiptar në diasporë, duke i dhënë një zë shqiptarëve dhe të rinjve me sfida sociale në Zvicër.

    Mediat zvicerane e prezantuan atë si “një zë për ata që nuk kanë zë”, dhe qytetarët e Bernës i dhanë besimin e tyre duke e votuar për të përfaqësuar 9641 qytetarë.

    Pas fitores, fotografia e parë që ajo postoi në Instagram ishte një tepsi me fli, shoqëruar me shënimin: “If you know, you know”.

  • Gjesti dorëzon kallëzim penal ndaj kompanisë Onima

    Gjesti dorëzon kallëzim penal ndaj kompanisë Onima

    Gjesti ka njoftuar se pas pak do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kompanisë “Onima”, stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

    Sipas tij, kjo kompani pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij, ka nënshkruar kontratë rreth të drejtave të autorit për të gjitha veprat e tij.

    Ky kallëzim penal është bërë në konsultim me avokatët e artistit, Artan Çerkini e Burzim Azemi.

    Më poshtë njoftimi i këngëtarit:

  • “Ekspozita”, Nagavci: Na duhet shumë punë që të kemi të dhëna të besueshme dhe të sigurta

    “Ekspozita”, Nagavci: Na duhet shumë punë që të kemi të dhëna të besueshme dhe të sigurta

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se “gabimet ndodhin”, kur u pyet rreth ekspozitës me të dhëna të pasakta lidhur me masakrat e ndodhura në Kosovë.

    Para mediave, Nagavci tha se Kosovës i duhet ende shumë punë që të ketë të dhëna institucionale të besueshme dhe të sigurta, sa i përket luftës së fundit në vend.

    “Ajo që kemi vërejtur gjatë reagimeve dhe debatit publik të këtyre ditëve, sjell në pah disa gjëra shumë të rëndësishme. E para, se neve si shtet akoma na duhet shumë punë që të kemi të dhëna institucionale të besueshme dhe të sigurta. Kjo e dëshmoi që gabimet ndodhin”, tha Nagavci.

  • ‘Aleanca ushtarake Prishtinë-Tiranë-Zagreb’ – Vuçiq thotë se ‘ka marrë opinionin e Putinit’

    ‘Aleanca ushtarake Prishtinë-Tiranë-Zagreb’ – Vuçiq thotë se ‘ka marrë opinionin e Putinit’

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se është i shqetësuar aq shumë me “aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, sa që një temë të tillë e ka diskutuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

    Këtë e ka bërë të ditur vetë Vuçiq, pas një telefonate që ka thënë se ka pasur me presidentin rus, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Vuçiq raportoi se, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ai diskutoi edhe tema të tjera me Putinin, duke deklaruar se ai e pyeti për Kosovën dhe Republikën Serbe, dhe se ata shkëmbyen mendime “për të gjitha çështjet e rëndësishme”.

    “E prezantova edhe me aleancën e Zagrebit, Prishtines dhe Tiranes, biseduam për të gjitha temat”, ka thënë Vuçiq në fjalimin e tij në Presidencën e Serbisë.

    Ai pretendon se e pyeti Putinin se çfarë mendonte për përfundimin e armiqësive në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, në Iran.

    “Ai më dha shpjegimin e tij dhe pikëpamjen e tij për situatën, mendimin e tij”, ka thënë më tej Vuçiq.

    Ndryshe, ka bërë të ditur ai, Serbia ka siguruar tre muaj të tjerë importi gazi nga Rusia.

    Importet më të lira të gazit rus mbulojnë deri në 90% të nevojave të Serbisë, megjithëse Beogradi është përpjekur të diversifikojë furnizimin me gaz nga Azerbajxhani dhe gaz natyror të lëngshëm nga terminalet në Greqi.

    “Ajo që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, dhe e falënderova Presidentin Putin, është se morëm një tjetër zgjatje tremujore të kontratës së gazit me kushte shumë të favorshme”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Beograd.

    Ai shtoi se zgjatja ruajti kushtet aktuale të çmimit dhe vëllimit.

  • Haxhiu: Kuvendi shpreh keqardhje për ekspozitën për masakrat

    Haxhiu: Kuvendi shpreh keqardhje për ekspozitën për masakrat

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës shpreh keqardhje për atë çka ka ndodhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, tha kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu

    Ajo në konferencë për media tha se vendimi për financim të kësaj ekspozitë ka qenë e kryesisë së legjislativit dhe se s’ka pasur asnjë indikacion për pasaktësi.

    Haxhiu tha se në mbledhjen e sotme morën vendim për vendim për inicimin e ndryshimit të rregullores dhe formimin e një komisioni të posaçëm për verifikimin e mbështetjes financiare të këtyre projekteve.

    “Kuvendi nuk është organizatore e asaj ekspozite… Ata që sot linçojnë dhe më akuzojnë nuk ishin në këtë ekspozitë të Kuvendit që e kam organizuar unë më 6 mars për Prekazin”, tha ajo.

    Haxhiu theksoi se asnjëherë s’ka pasur përpjekje më serioze për dokumentimin e krimeve të luftës sesa nën qeverinë Kurti.