ATV

Author: K.B.

  • Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Kandiq: As në Serbi s’është thënë që të vrarët në Dubravë ishin të armatosur

    Aktivistja serbe, Natasha Kandiq, mbrëmë përmes një lidhje direkte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ka shkaktuar indinjatë të madhe publike për shtrembërim historie.

    Ajo tha se Shkëlzen Gashi ka vepruar padije.

    “Ekspozita nuk mund të bëhet në këtë mënyrë, dhe duhen hulumtime”, tha ajo në Klan Kosova.

    Kandiq shtoi se për Masakrën e Dubravës, as në Serbi nuk është thënë që civilët ishin të armatosur.

    “As në Serbi nuk janë munduar që pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë qenë të vrarë në burgun e Dubravës, në atë kohë flitej ekskluzivisht për të burgosur politik, të dënuar apo të privuar nga liria”, tha ajo.

  • Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Cakolli: Vendimi i Kushtetueses mbyll debatet për përbërjen e KQZ-së

    Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përbërjes së KQZ-së.

    Ai thekson se kjo çështje është e qartë dhe e trajtuar më parë nga Gjykata, duke nënvizuar nevojën për respektimin e rregullave ekzistuese dhe përmbylljen sa më të shpejtë të përbërjes së plotë të KQZ-së për të ruajtur ekuilibrin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.

    Sipas Cakollit, kjo çështje është ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale. Ai thekson se rregullat e ekzistuara duhet të zbatohen njësoj si në situata identike më parë dhe se ideja që KQZ duhet të pasqyrojë raportin e mandateve të Kuvendit është e gabuar.

    “KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur ekuilibrin që e mban procesin zgjedhor të besueshëm,” tha Cakolli.

    Ai shtoi se presidentja duhet të përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh, duke emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi.

  • Mblidhen dy komisione parlamentare

    Mblidhen dy komisione parlamentare

    Dy komisione të rëndësishme parlamentare do të mbajnë mbledhjet e tyre gjatë ditës së sotme në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

    Në orën 13:00, Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport do të zhvillojë mbledhjen e radhës.

    Ndërkaq, në orën 14:00, do të mblidhet Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

  • Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Mot i ftohtë sot e me reshje lokale

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot relativisht i ftohtë, me vranësira dhe mundësi për reshje të dobëta lokale kryesisht në disa zona të rajonit të Dukagjinit.

    Mbrëmja pritet të jetë e vranët dhe kryesisht pa reshje ose me mundësi për riga të dobëta lokale shiu e në viset kodrinore-malore ndonjë fjollë bore.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 2 minimalja deri në 10 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Osmani premton medalje Presidenciale për kombëtaren e Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se do ta dekorojë kombëtaren e Kosovës me medalje presidenciale të meritave, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme kundër Turqisë.

    Osmani theksoi se “Dardanët” me paraqitjet e tyre kanë hyrë në histori.

    “Ne duhet t’i vlerësojmë edhe ata që po i dhënë shpresë qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme Kosovë – Turqi, ekipi i Kombëtares së Kosovës tashmë e ka bërë historinë. Kam nderin që të ju njoftoj që pikërisht për këtë kontribut të pamatshëm, për krenarinë që i kanë dhënë vendit në çdo moment, për shpresën që po i jepin këtij populli në hapat përpara, medalja presidenciale e meritave menjëherë pas fitores së nesërme, por pavarësisht edhe rezultatit, do t’i ndahet ekipit të Kombëtares së Kosovës”, ka deklaruar ajo gjatë një ceremonie ku ndau mbi 200 dekorata për personalitete të ndryshme që kontribuan për vendin.

    Kombëtarja e Kosovës triumfoi në një ndeshje dramatike në Bratisllavë të enjten e kaluar përballë Sllovakisë me rezultat 3:4, e vlefshme për gjysmëfinalen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror.

    Nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’, Kosova sfidon Turqinë në finalen e madhe të play-off-it të Botërorit që këtë verë mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

  • “Nuk ka kushte që Vuçiq të vijë në Kroaci” – Milanoviq anulon samitin Brdo-Brioni për shkak të deklaratave të presidentit serb

    “Nuk ka kushte që Vuçiq të vijë në Kroaci” – Milanoviq anulon samitin Brdo-Brioni për shkak të deklaratave të presidentit serb

    Presidenti kroat Zoran Milanoviq ka dërguar një deklaratë ku shprehet se beson që mbërritja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kroaci nuk është e mundur, dhe për këtë arsye ka vendosur të anulojë takimin e Samitit të Brdo-Brionit.

    “Republika e Kroacisë dhe Republika e Sllovenisë, si anëtarë të Bashkimit Evropian, iniciuan Samitin Brdo-Brioni me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore. Takimi i krerëve të shteteve të Samitit Brdo-Brioni do të mbahej në maj të këtij viti në Kroaci”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

    “Deklaratat dhe veprimet politike të presidentit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq që kemi parë në ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Samitit Brdo-Brioni, prishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore”, u tha ndër tjera.

    Presidenti i Republikës së Kroacisë Zoran Milanoviq beson se në rrethana të tilla nuk ka kushte dhe mbërritja e Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Republikën e Kroacisë nuk është e mundur.

    “Si bashkëkryetar i Samitit Brdo-Brioni, presidenti Milanoviq ka vendosur të anulojë takimin e planifikuar në Kroaci, i cili u është njoftuar krerëve të shteteve që duhej të merrnin pjesë në takimin për Brijunin. Takimi i radhës i krerëve të shteteve të Samitit do të mbahet kur të plotësohen kushtet dhe pas konsultimeve midis Milanoviq dhe Presidentes së Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, si bashkëkryetare e Samitit Brdo-Brioni”, njoftoi zyra e Milanoviq.

    Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha pas zgjedhjeve lokale të mbrëmshme, të cilat u shënuan nga incidente të shumta, se do të verifikonte raportet e agjencive të sigurisë mbi ndikimin e vendeve të huaja në zgjedhje.

    Duke komentuar akuzat nga mediat e Vuçiqit për ndikimin e huaj në zgjedhjet lokale të djeshme, Vuçiq përmendi mbështetjen logjistike të një vendi fqinj.

    Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me praninë e supozuar të makinave me targa kroate në ditën e zgjedhjeve në Kula, Vuçiq njoftoi se së shpejti do të paraqesë më shumë informacion.

    “Lidhur me zgjedhjet e djeshme, për mua ishte e qartë se sa mbështetje logjistike u ofrua nga një vend fqinj. Megjithatë, në periudhën e ardhshme do të marr një raport më të detajuar mbi të dhe më pas do ta ndaj me ju”, tha Vuçiq.

    Ai theksoi se merr raporte të tilla çdo ditë dhe nga disa burime.

    “Para së gjithash, nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë, por edhe nga shërbimet që merren me mbrojtjen e kundërzbulimit të objekteve tona dhe personelit tonë ushtarak”, shpjegoi ai.

    Më herët sot, ai tha gjithashtu se kishte folur me Presidentin rus Vladimir Putin. Vuçiç raportoi se, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ai diskutoi edhe tema të tjera me Putinin dhe deklaroi se Putin e pyeti për Kosovën dhe Republikën Serbe, dhe se ata shkëmbyen mendime për të gjitha çështjet e rëndësishme.

    “E prezantova gjithashtu me aleancën e Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës, biseduam për të gjitha temat”, tha Vuçiq në fjalimin e tij në Presidencë.

  • Prokuroria Speciale del me njoftim për intervistimin e Shkëlzen Gashit dhe bastisjen e banesës së tij: Rasti në procedurë të rregullt

    Prokuroria Speciale del me njoftim për intervistimin e Shkëlzen Gashit dhe bastisjen e banesës së tij: Rasti në procedurë të rregullt

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është duke zhvilluar veprime hetimore lidhur me rastin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

    Në njoftimin e saj, prokuroria thekson se “në kuadër të hetimeve, është intervistuar një person Sh.G., nën dyshimin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit””, që bëhet fjalë për Shkelzen Gashin.

    Gjithashtu, në vendbanimin e të dyshuarit, prokuroria njofton se është realizuar një urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, “me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin”.

  • Mbrojtja kërkon nga Apeli aktgjykim lirues ose rigjykim për “Kobrën” dhe tjerët, Prokuroria ashpërsim dënimi

    Mbrojtja kërkon nga Apeli aktgjykim lirues ose rigjykim për “Kobrën” dhe tjerët, Prokuroria ashpërsim dënimi

    Në Gjykatën e Apelit të hënën është mbajtur seanca ku u elaboruan ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe katër të tjerëve: Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023 në Prizren. Mbrojtja kërkoi nga kolegji i Apelit të ndryshohet vendimi i shkallës së parë ose të kthehet rasti në rigjykim, kurse Prokuroria e Apelit dhe pala e dëmtuar kërkuan ashpërsim të dënimit.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2025 e ka dënuar me 24 vjet burgim Dibran Hoxhajn i njohur si “Kobra”, kurse Roland Susurin me dënim unik prej 7 vjet burgim, Jesmir Badallaj u dënua me dënim unik prej 2 vjet burgim, Arben Vezaj dhe Burim Mazreku u dënuan me nga 1 vit burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Seanca e Kolegjit të Apelit u mbajt nga trupi gjykues i përbërë nga Mentor Bajraktari- gjyqtar raportues, Albina Shabani-Rama kryetare e kolegjit, dhe Valon Kurtaj- anëtar.

    Gjyqtari Bajraktari në raportimin e lëndës njoftoi se kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që vendimi i nxjerrë nga Themelorja të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i lartë me burgim.

    Avokati Kastrati edhe në këtë seancë deklaroi se mbetet pranë ankesës së parashtruar.

    Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që të aprovohet ankesa e avokatit Kastrati, ndërsa për të akuzuarin Hoxhaj të shqiptohet dënim më i lartë. Ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve.

    Në seancën e Apelit nuk prezantoi askush nga kjo Prokurori.

    Gjithashtu, kundër aktgjykimit të Themelores ankesë kanë paraqitur edhe mbrojtja e të akuzuarve. Mbrojtësit e Hoxhaj, avokatët Florent Latifaj dhe Musa Konxheli kanë parashtruar ankesë mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe lidhur me sanksionin penal.

    Mbrojtja e “Kobrës” ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të lirohet i akuzuari Hoxhaj ose rasti të kthehet në rigjykim.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Susuri, avokati Ruhan Salihu ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe të lirohet i akuzuari Susuri ose rasti të kthehet në rigjykim.

    Për të akuzuarin Badalli, ankesë ka prashtruar mbrojtësi i tij, avokati Jeton Rekathati mbi bazën e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe Ligjit Penal, duke propozuar lirimin e të mbrojturit të tij ose kthimin e çështjes në rigjykim.

    Avokati Blend Gjini, mbrojtës i të akuzuarit Mazreku ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të ligjit material, me propozimin që ankesa të aprovohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

    Ndërsa, avokati Gent Gjini, mbrojtës i të akuzuarit Vezaj ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të ligjit material, me propozimin që rasti të kthehet në rigjykim.

    Pretendimet ankimore, avokatët i elaboruan edhe në seancën e Apelit, duke theksuar se mbeten pranë tyre.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

    Në aktakuzë, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

    Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

  • NATO kap raketën e katërt nga Irani drejt Turqisë

    NATO kap raketën e katërt nga Irani drejt Turqisë

    Një tjetër raketë balistike e lëshuar nga Irani hyri në hapësirën ajrore turke, përpara se të rrëzohej nga mbrojtja ajrore dhe raketore e NATO-s, e vendosur në Mesdheun lindor. Lajmi u konfirmua nga Ministria turke e Mbrojtjes.

    Raketa e sotme shënoi incidentin e katërt të tillë që nga fillimi i luftës SHBA-Irlandeze me Iranin, pas tre përgjimeve të mëparshme nga sistemet e NATO-s në fillim të këtij muaji që e shtynë Ankaranë të protestonte dhe të paralajmëronte Teheranin, ndërsa Republika Islamike ka mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për lëshimin e raketës.

    Teherani ka mohuar në tre incidentet e mëparshme se ka autorizuar lëshime të tilla dhe i ka kërkuar Ankarasë të krijojë një hetim të përbashkët për këtë çështje.

    Ministria tha se po merren të gjitha masat e nevojshme “me vendosmëri dhe pa hezitim” kundër çdo kërcënimi të drejtuar ndaj territorit dhe hapësirës ajrore të Turqisë.A2

  • Vdes në spitalin e Korçës i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje

    Vdes në spitalin e Korçës i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje

    Ka vdekur mëngjesin e kësaj të hëne, 30 mars, i dënuari me burgim të përjetshëm Hysni Qamil Repaj.

    64-vjeçari lindur dhe banues në Shkodër vuante dënimin në burgun e Drevonës për veprën penale të vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje.

    “Sot, më datë 30.03.2026, rreth orës 09:40, është shoqëruar me urgjencë në ambientet e Spitalit Rajonal Korçë i dënuari me burgim të përjetshëm, Hysni Qamil Repaj, i datëlindjes 15.01.1962, lindur dhe banues në Shkodër. I dënuari vuante dënimin për veprat penale “Vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër” dhe “Armëmbajtje pa leje”, të parashikuara nga nenet 77 dhe 278 të Kodit Penal”, njofton policia.

    Gjatë vuajtjes së dënimit, ai është trajtuar edhe për probleme të shëndetit mendor nga mjeku psikiatër. Në konsultën e kryer këtë të hënë nga mjeku i institucionit, 64-vjeçari, u pa se i kishte të rrahurat e zemrës ishin të ulëta (bradikardi).

    Për këtë arsye, i dënuari u dërgua urgjentisht në shërbimin e urgjencës së Spitalit Rajonal Korçë për vlerësim të mëtejshëm nga mjekët specialistë.

    Gjatë procedurave të ekzaminimit në ë spital, gjendja shëndetësore e tij u përkeqësua, duke përfunduar në arrest kardiak respirator. Pavarësisht ndërhyrjes dhe ndihmës mjekësore të dhënë, ai nuk arriti të rikthehej në jetë, duke rezultuar në humbjen e jetës.