ATV

Author: K.B.

  • Arrestohen dy femra në Graçanicë, dyshohet se rrahën një person

    Arrestohen dy femra në Graçanicë, dyshohet se rrahën një person

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 31 mars 2026 janë intervistuar dy të dyshuara femra kosovare në Graçanicë, lidhur me një rast të raportuar më 30 janar 2026, rreth orës 16:00.

    Sipas raportit, të dyshuarat kanë kryer veprën penale ‘dhunë në familje’ ndaj një viktime mashkull.

    Me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje vazhdojnë.

  • “Diçka nuk ishte në rregull” – Klinikat IVF në Qipron Veriore u dhanë familjeve spermën e gabuar

    “Diçka nuk ishte në rregull” – Klinikat IVF në Qipron Veriore u dhanë familjeve spermën e gabuar

    Rasti i çiftit britanik, Beth dhe Laura, ka nxjerrë në pah gabime serioze në klinikat e fertilitetit në Qipron Veriore, ku testet e ADN-së treguan se fëmijët e tyre nuk janë të donatorit të zgjedhur dhe nuk kanë lidhje biologjike mes vete. Ky rast ka ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe kontrolli në trajtimet IVF jashtë vendit.

    “Ishte pak kohë pasi lindi James që e kuptova se diçka nuk ishte në rregull”, thotë Laura.

    Beth dhe Laura kanë dy fëmijë – Kate dhe James – të dy të konceptuar përmes trajtimit IVF në Dogus IVF Centre në Qipron Veriore. Të dyja gratë përdorën vezët e tyre dhe zgjodhën me kujdes një donator anonim dhe të shëndetshëm të spermës, duke kërkuar që të përdorej i njëjti donator për fëmijët e tyre.

    Pas lindjes së James, ndryshimet në tiparet e tij fizike – sytë kafe dhe lëkura e errët – ndezën dyshime te prindërit: “A kishte bërë gabim klinika?” thotë Laura. Testet e ADN-së konfirmuan dyshimet: asnjëri prej fëmijëve nuk kishte lidhje me donatorin e zgjedhur dhe nuk kishin lidhje biologjike mes vete.

    “Ndjenja e ankthit ishte nga ideja se diçka kishte shkuar shumë keq dhe çfarë do të thoshte kjo për fëmijët?” thotë Beth.

    BBC ka kontaktuar gjithsej shtatë familje që dyshojnë për gabime gjatë trajtimit IVF në klinikat e Qipros Veriore. Shumica e tyre kanë kryer teste ADN-je, të cilat konfirmojnë dyshimet. Ky territor nuk zbatohet nga ligjet e Bashkimit Evropian dhe njihet ligjërisht vetëm nga Turqia, gjë që e bën mbikëqyrjen e klinikave të dobët.

    Beth dhe Laura kishin zgjedhur donatorin “Finn” nga Cryos International në Danimarkë. Sipas tyre, klinika Dogus u zotua se sperma e tij do të përdorej për të dy fëmijët. Megjithatë, rezultatet e testit ADN treguan të kundërtën. “Kaluan nga ideja se kishim një profil të bukur të donatorit Finn dhe ndiheshim sikur njihnim historinë e tij familjare dhe shëndetësore, në asgjë”, thotë Beth.

    Klinika dhe stafi që morën pjesë në trajtimet e Beth dhe Laura nuk kanë dhënë përgjigje për pyetjet e BBC-së, ndërsa Firdevs, e cila kishte kryer trajtimet, mohon përgjegjësinë për porosinë e spermës dhe përfundimin e gabuar. Testet ADN të certifikuara konfirmojnë se James dhe Kate nuk kanë lidhje me donatorin Finn dhe as me njëri-tjetrin.

    Ekspertët e fertilitetit thonë se gabimet e tilla janë të rralla, por fakti që mund të jenë ndodhur më shumë se një herë tregon neglizhencë ose madje mashtrim. “Është një situatë absolutisht e tmerrshme për pacientët”, thotë Dr. Ippokratis Sarris nga Shoqata Britanike e Fertilitetit.

    Qiproja Veriore nuk ka një rregullator të pavarur për mbikëqyrjen e klinikave, ndërsa trajtimet jashtë vendit janë tërheqëse për çmimet më të ulëta dhe mundësitë për komunitetin LGBT dhe individët beqarë. Aktivistja Mine Atli thotë se “klinikat që zbatojnë ligjin e bëjnë këtë sepse pronarët kanë ndërgjegje të mirë. Nuk është diçka që u imponohet nga shteti”.

    Megjithatë, familja vazhdon të jetë e bashkuar. “Ne jemi ende një familje, edhe nëse nuk na lidh gjaku”, thotë Kate. Beth dhe Laura shtojnë: “Kemi dy fëmijë të mrekullueshëm. Në fund të fundit, gjithçka do të jetë mirë”.

  • Hiqet nafta falas për fermerët në Shqipëri

    Hiqet nafta falas për fermerët në Shqipëri

    Qeveria e Shqipërisë nuk do të japë më naftë falas për fermerët.

    Në skemën e re kombëtare, siç raporton Euronews.al, heqja e naftës për traktorët është zëvendësuar me një tjetër masë mbështetëse, pasi për herë të parë bujqit shqiptarë do të marrin lekë për sipërfaqe toke të mbjellë

    Konkretisht, fermerët do të marrin 100 euro për çdo hektar të mbjellë dhe me këtë masë ata do të stimulohen të punojnë tokën.

    Ndërkohë, sipas vendimit, janë 52 milionë eurot e skemës kombëtare 2026, qe do të ndahen në disa kategori, ku vëmendje të veçantë kësaj here ka marrë bletaria dhe kontrolli biologjik.

  • “Nuk munda t’i tregoj që i erdhi kufoma e djalit”, dëshmitarja e Masakrës së Lybeniqit rrëfen tmerret

    “Nuk munda t’i tregoj që i erdhi kufoma e djalit”, dëshmitarja e Masakrës së Lybeniqit rrëfen tmerret

    Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Lybeniqit, ndërsa dëshmitarja e këtij tmerri, Elhame Kurtaj-Haradinaj, rrëfeu të pathënat e aktit kriminal.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në Klan Kosova, aktivistja tha se Serbia ka kryer krime shumë të rënda ndaj popullit të Kosovës.

    “Ata përveç që kanë kryer krimin, i kanë bartë me vete kufomat, kanë dashur ta fshehin krimin, kanë shpallë edhe një luftë tjetër psikologjike me familjarë”, u shpreh Kurtaj-Haradinaj.

    Ajo ndau edhe një rrëfim tejet prekës nga koha e luftës, kur ushtronte edhe profesionin e mësueses në Lybeniq.

    “Unë kam qenë ajo që ua kam dhënë lajmin kur i kanë sjell kufomat prej Serbisë. Nuk kam mundur të shkojë te nëna e vet [nxënësit të saj] me ia dhanë lajmin që të ka ardh kufoma e djalit të vetëm”, tha mes emocioneve ajo.

    Ndër të tjera, Kurtaj-Haradinaj tha se liria që dikur u derdh gjak për të, sipas saj, ajo sot nuk po mbrohet si duhet.

  • I zhdukur nga tetori i vitit të kaluar, ende asnjë gjurmë nga Florjan Tabaku

    I zhdukur nga tetori i vitit të kaluar, ende asnjë gjurmë nga Florjan Tabaku

    Florjan Tabaku, një qytetar nga Shqipëria, i cili u raportua i zhdukur nga familja më 20 tetor, ende nuk është gjetur.

    Sipas familjarëve, Tabaku është zhdukur gjatë një mbledhjeje gështenjash në zonën kufitare “Qafë Morinë-Gjakovë”, dhe ende nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij, megjithatë shpresat e tyre janë që më i dashuri i tyre është akoma gjallë.

    Fabjon Tabaku, vëllai i të zhdukurit ka bërë thirrje për ndihmë në kërkimin e Florjanit.

    “Ju lutemi, na ndihmoni, ende nuk kemi asnjë lajm për vëllain tonë, Florjan Tabaku, i zhdukur që nga 20 tetor 2025 në Qafë Morinë – Tropojë. Çdo ndihmë dhe publikim nga ana juaj është jetik për ne”, tha ai.

    Familjarët e Florjanit kanë lënë një numër kontaktues për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij: 0693829918.

  • Pasojat e luftës në Iran, Starmer paralajmëron britanikët: Kostoja e jetesës nuk do të jetë e lehtë

    Pasojat e luftës në Iran, Starmer paralajmëron britanikët: Kostoja e jetesës nuk do të jetë e lehtë

    Kryeministri britanik, Keir Starmer ka paralajmëruar britanikët se ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme do të ndikojë në të ardhmen e vendit.

    Duke folur në një konferencë për shtyp në Downing Street këtë mëngjes, mes frikës për një krizë të re të kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri tha: “Më duhet të jem i sinqertë me njerëzit. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha ai.

    Starmer gjithashtu u tha gazetarëve: “Si do të dalim nga kjo krizë do të na përcaktojë për një brez.”

    Adresimi i tij vjen ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump tha se po shqyrton tërheqjen nga NATO pasi aleatët nuk iu bashkuan luftës së tij me Iranin.

    Presidenti amerikan gjithashtu pretendoi se Mbretëria e Bashkuar ishte ndër disa vende që “nuk mund të sigurojnë karburant për avionë”.

    Presidenti amerikan pretendoi në platformën e tij Truth Social se Britania dhe vendet e tjera që nuk morën pjesë në sulmet kundër Iranit duhet të sigurojnë vetë Ngushticën e Hormuzit. Që nga fillimi i luftimeve, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm si reagim ndaj bllokimit nga Teherani të cisternave që kalojnë përmes kësaj ngushtice.

  • ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    ​Qeverisë i kërkohet më shumë transparencë për procesin integrues të Kosovës në BE

    Transparencë më të madhe nga qeveria në procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian u kërkua të mërkurën në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane, raporton KosovaPress.

    Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke diskutuar për shqyrtimin e planit të punës së komisionit e konsideroi të nevojshme që kryenegociatori i Kosovës për integrim në Bashkim Evroian, Jeton Zulfaj të vjen në komision për raportin gjatë këtij muaji.

    Sipas saj, duhet të ftohen edhe ambasadoret e akredituar në Prishtinë për të marrë perspektivën e tyre për rrugën e Kosovës drejt unionit evropian.

    Mirëpo sipas saj në agjendë thirrja e ambasadorët duhet te ndodh në muajin maj, pasi të shihet si përmbyllet çështja e presidentit, pasi BE-ja ka prioritet edhe stabilitetin institucional në Kosovë.

    Kërkesë të ngjashme adresoi edhe deputetja tjetër opozitare nga AAK-ja, Time Kadrijaj.

    Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga radhët e LVV-së, Liza Gashi, theksoi nevojën e organizimit edhe të një tryeze të përbashkët me të gjithë ambasadorët e huaj të BE-së.

  • Ja si dukej Mimoza Ahmeti në vitin 2003: Videoja virale në TikTok që po “çmend” rrjetin

    Ja si dukej Mimoza Ahmeti në vitin 2003: Videoja virale në TikTok që po “çmend” rrjetin

    Mimoza Ahmeti njihet gjerësisht si një nga penat më rebele dhe më të vlerësuara të letërsisë shqipe, por ajo që shumëkush mund të ketë harruar është fakti se ajo është një artiste e vërtetë multidimensionale.

    Përveç suksesit në botën e librave, Mimoza ka një histori mjaft interesante me muzikën, duke sfiduar ndër vite skenat e festivaleve më të rëndësishme në vend.

    Së fundmi, një video e saj po bëhet virale në platformën TikTok, duke rikthyer në vëmendje performancën e saj ikonike të vitit 2003 në “Kënga Magjike”.

    Me këngën titulluar “Arti i jetës në vetmi”, ajo solli një stil unik dhe një vërtetësi që rrallëherë shihej në skenat e asaj kohe, duke u shndërruar menjëherë në një moment nostalgjik për ndjekësit e rrjeteve sociale.

    Pjesëmarrjet e saj nuk kanë qenë të rastësishme, pasi ajo ka lënë gjurmë edhe në skena të tjera prestigjioze si “Top Fest”, duke dëshmuar se poezia e saj mund të kthehet lehtësisht në melodi.

    Përveç hitit “Arti i jetës në vetmi”, publiku e kujton atë edhe për këngë të tjera mjaft të njohura si “Lejla”, ku shfaqi anën e saj më avangarde, apo performancën plot ndjesi në këngën “Bukuritë e tua”.

    Ky rikthim në vëmendje vjen në një moment kur Mimoza ka fituar sërish adhurimin e masës përmes eksperiencës së saj në “Ferma VIP”.

    Ajo arriti të marrë zemrat e publikut me thjeshtësinë dhe karakterin e saj unik, duke u shpallur madje edhe si fermerja e preferuar nga votat e njerëzve.

    Edhe pse sot vazhdon të jetë aktive në projekte të ndryshme, këto materiale arkivore dhe suksesi i saj i fundit televiziv na kujtojnë se arti i Mimozës nuk njeh kufij dhe se ajo mbetet një nga ato personazhe që di të mbetet gjithmonë aktuale. /Prive By Liberta Spahiu

    @arbi1985 #shqip #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #albania #albanian #fermavip ♬ original sound – arbi1985

  • Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Tentuan ta rrëmbejnë 17-vjeçarin në Pogradec, e rrahin dhe e therin me thikë

    Dy persona janë arrestuar pasi kanë tentuar ta rrembejnë një 17 vjeçar në Pogradec e më pas e kanë rrahur dhe e kanë therë me thikë.

    Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

    “Tentuan të merrnin me forcë, në automjet, një 17-vjeçar, ushtruan dhunë fizike ndaj tij dhe e dëmtuan me thikë, për motive të dobëta, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt në lagjen nr. 3, Pogradec, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec janë nisur drejt adresës së dhënë, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, u identifikuan shtetasit M. Xh. dhe A. H., të cilët ishin larguar nga vendngjarja, me automjet. Ata u kapën dhe u ndaluan në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Prrenjas.

    “Nga hetimet dyshohet se këta dy shtetas kanë tentuar të marrin me forcë në automjetin e tyre, një 17-vjeçar me të cilin ishin konfliktuar për motive të dobëta, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe e kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë), në dorë. 17-vjeçari mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. Xh., 33 vjeç dhe A. H., 32 vjeç, banues në Pogradec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftim.

  • QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    QKUK-ja fillon endoskopinë gastrointestinale për fëmijë

    Qendra Klinike Universitar e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.

    QKUK thekson se pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.

    “Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave”, thuhet në njoftim.

    SHSKUK tutje bën të ditur se gjatë 10 muajve të fundit janë realizuar gjithsej 23 procedura endoskopike, duke përfshirë vendosjen e PEG-it (gastrostoma endoskopike perkutane), largimin e trupave të huaj nga lukthi dhe pjesa distale e ezofagut, dilatime të ezofagut, gastroskopi eksplorative, si dhe kolonoskopi eksplorative dhe diagnostike.

    “Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se vendosja e PEG-ut tek pacientët pediatrikë me humbje të refleksit të gëlltitjes, që zakonisht paraqitet si pasojë e çrregullimeve neurologjike kongjenitale apo traumave me pasoja neurologjike, tashmë realizohet brenda vendit. Deri më tani, këta pacientë kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë Kosovës, ndërsa me avancimin e këtij shërbimi kjo nevojë është eliminuar”, thuhet në njoftim.