ATV

Author: K.B.

  • Rrobat që nuk duhet t’i vishni kurrë kur udhëtoni me aeroplan

    Rrobat që nuk duhet t’i vishni kurrë kur udhëtoni me aeroplan

    Pasagjerët duhet të shmangin veshjen e disa artikujve gjatë fluturimeve për arsye sigurie, rehatie dhe shëndetësore. Para së gjithash, atyre u këshillohet të mos veshin geta dhe veshje të tjera të bëra nga fibra sintetike.

    Christine Negroni, autore e një libri për rrëzimet e aeroplanëve, paralajmëroi se materiale të tilla mund të ngjiten në lëkurë në rast zjarri. Ajo i tha Sun Travel:

    “Tani të gjithë veshin geta joge në aeroplan, por unë i shmang të gjitha fibrat sintetike sepse ka më shumë të ngjarë të digjen dhe të ngjiten nëse bie zjarr. Do të këshilloja të vishni pambuk ose çdo gjë të bërë nga fibra natyrale.”

    Xhinset e ngushta ose veshje të tjera që ngushtojnë trupin mund të jenë gjithashtu problem, veçanërisht në fluturimet e gjata, pasi pengojnë rrjedhjen e gjakut dhe, me uljen e zgjatur, rrit rrezikun e trombozës, pra formimin e një mpiksjeje gjaku.

    Për arsye shëndetësore dhe sigurie, nuk rekomandohen shapkat dhe këpucët me taka të larta. Ish-anëtari i ekuipazhit të kabinës, Tony Kuna, pohon se ky lloj këpucësh e bën evakuimin edhe më të vështirë. Pasagjerëve që fluturojnë për në destinacione të ngrohta u këshillohet të mos veshin rroba banje.

    Lentet e kontaktit mund të jenë problem sepse ajri në kabinë është i thatë. Lagështia e ulët mund të shkaktojë irritim, kruajtje dhe shikim të turbullt. Bateritë portative, p.sh., bateritë e lëvizshme, duhet të mbahen në bagazhin e dorës për shkak të rrezikut të mbinxehjes dhe zjarrit.

  • Ndërpritet përkohësisht gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Ndërpritet përkohësisht gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut është ndërprerë përkohësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të disa problemeve teknike.

    Për këtë ka njoftuar Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.

    Seanca po mbahej në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

    Gjykata ende nuk ka njoftuar se kur do të vazhdojë seanca.

  • Policët e Kosovës sërish mbesin pa uniforma të reja, anulohet tenderi 11.3 milionësh

    Policët e Kosovës sërish mbesin pa uniforma të reja, anulohet tenderi 11.3 milionësh

    Furnizimi me uniforma vazhdon të jetë thuajse i pamundur për zyrtarët policorë të Kosovës.

    Ndër vite të njëjtit kanë problemin e njëjtë, të mungesës së unfiromave.

    Madje mbi këtë problem pati edhe raportime disa herë radhazi, ku zyrtarët policorë kanë çizme të vjetruara, këmisha krejtësisht të vjetruara e uniforma të pandërruara ndër vite, raporton EO

    Prej më shumë se dy vjetësh problem vazhdon të jetë edhe çështja e tenderimit. Policët vazhdojnë të përballen me mungesë të uniformave standarde si dhe solemne, pasi tenderi milionësh për furnizimin e tyre është zvarritur mes ankesave, pezullimeve dhe rivlerësimeve të njëpasnjëshme.

    Këto uniforma të cilat janë dhënë shumë kohë më parë për zyrtarët policorë, tashmë janë dëmtuar pasi janë pjesë e përditshme e tyre gjatë orarit të punës, por që shteti nuk po iu siguron ato.

    E tani mësohet se Policia e Kosovës ka anuluar sërish aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma standarde dhe solemne që është hapur nga viti 2023 dhe ende nuk është bërë një zgjidhje.

    Përmes publikimit në ueb-faqen e E-prokurimit, tenderi me vlerë të paraparë prej 11 milionë e 351 mijë e 852 euro, është anuluar për pjesën 1 dhe 2 me arsyetimin se mungojnë oferta të përgjegjshme.

    “Policia e Kosovës anulon aktivitetin e prokurimit për Pjesën 1 dhe Pjesën 2 në mungesë të një oferte të përgjegjshme”, thuhet në dokument.

    Policia e Kosovës më 27 shtator të vitit 2023 kishte publikuar njoftimin për kontratë për dy lote të furnizimit me uniforma standarde por edhe solemne për këtë institucion.

    Në dokumentin e publikuar në e-Prokurim, Policia e Kosovës ka vendosur edhe specifikat për këtë tender duke treguar në detaje se si duhet të duken uniformat policore.

    Vetëm pak ditë pas hapjes së tenderit nisën edhe kërkesat dhe ankesat e para në Policinë e Kosovës për specifikat, me ç’rast kompanitë që ia mësynë këtij tenderi milionësh kërkuan sqarime nga PK-ja.

    Më 17 tetor 2023, Policia e Kosovës u përgjigj në disa prej çështjeve që kishin ngritur kompanitë e interesuara, ndërsa më 06.11.2023, i njëjti institucion mori vendim që të aprovoj disa kërkesa të kompanive të interesuara.

    I njëjti institucion aprovoi kërkesat për korrigjim të dosjes së tenderit si dhe vazhdim të afatit për ofertim.

    Më 07.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që t’ia refuzoj kërkesën një biznesi individual, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më saktësisht më 21.11.2023, vendosi që të pezullojë aktivitetin e prokurimit për furnizim me uniforma pas kërkesave për rishqyrtim.

    Dy ditë më vonë, më 23.11.2023, Policia e Kosovës mori vendim që të refuzojë si të palejueshme kërkesën për rishqyrtim të cilën e kishte paraqitur grupi i kompanive “Malbertex ShPK, Premium beton ShPK, Demos ShPK, Mburoya ShPK dhe Levelmax ShPK”. Ky grup i kompanive i kishte parashtruar dy kërkesa e që Policia e Kosovës i kishte konsideruar të jashtë-afatshme.

    Sërish një vendim tjetër i Policisë së Kosovës për pezullim të këtij aktiviteti për blerjen e uniformave policore u regjistrua më 27.12.2023.

    Kjo për faktin se dy kompani ushtruan ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Më 26.12.2023, PK-ja pranoi 12 oferta nga kompani të ndryshme në lidhje me tenderin për uniforma policore standarde dhe solemne.

    Nga 12 ofertat, disa ishin për uniforma standarde e disa të tjera për uniforma solemne, meqenëse tenderi ishte me dy lote.

    Grupi i kompanive “Eco Clean corporation ShPK, Beijing Yiduchuan clothing group company” ofertuan për furnizim me uniformë standarde çmimin prej 8 milionë e 151 mijë eurove.

    E i njëjti grup për uniforma solemne dhe të nderit ofertoi çmimin prej 91 mijë e 85 euro.

    Kompania “Phantom solution ShPK” ofertoi çmimin e tij për uniforma standarde në vlerë prej 12 milionë e 229 mijë eurove.

    Një grup tjetër kompanish, “Sabit Mjekiqi B.I, Genc Taahhut Giyim tekstil insaat san vetic ldt sti vkn” ofertuan çmimin për uniforma standarde në vlerë të 9 milionë e 280 mijë eurove.

    Grupi i kompanive “Empreus ShPK, Seyntex dhe Boulevard ShPK” ofertuan për uniforma standarde çmimin prej 10 milionë e 640 mijë euro, ndërsa për uniforma solemne 99 mijë e 664 euro.

    Një tjetër grup i kompanive që ofruan çmimin e tyre për tenderin e uniformave ishin edhe “Poligoni i shenjëtarisë ‘Katana’, Senel Konfeksiiyon Tekstil Taahhut san vedis tic ltd sti, Infoglobal BV”. Ky grup i operatorëve ofertuan 8 milionë e 986 mijë e 627 euro për uniforma standarde.

    Grupi tjetër- i teti me radhë- ishte ai i përbërë nga “N.Sh.T. Neramed, Matei Conf Grup S.R.L, Divers Consulting Grup SRL”, me 9 milionë e 944 mijë euro për uniforma standarde.

    10 milionë e 389 mijë e 840 euro ofertoi grupi “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E shpk dhe Kimay srl” për uniforma standarde.

    E njëjta përbërje e kompanive ofertoi edhe për uniforma solemne, vlera e së cilës ishte 99 mijë e 446 euro.

    Grupi “Mbyroya, Taktik tekstil sanayi L.S” për uniforma standarde ofertoi 9 milionë e 203 mijë euro ndërsa për ato solemne 154 mijë e 195 euro.

    Nga hapja e ofertave e deri te vendimi i radhës kaluan gati tre muaj.

    Më 22.03.2024, Policia e Kosovës kishte njoftuar se për arsye objektive projekti për furnizim me uniforma nuk ishte finalizuar andaj edhe kishte kërkuar që të zgjatej validiteti i ofertave për një periudhë 90 ditore.

    Më 8 prill 2024, ky institucion vendos që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të parashtruar nga Operatori ekonomik “Sabit Makiqi B.I”, kërkesë kjo e parashtruar më 29.03.2024.

    Ky operator ekonomik ishte ankuar se Policia e Kosovës ka shkelur disa nene të Ligjit për Prokurimin Publik, ndërsa institucioni ishte përgjigjur se nuk është arritur që të dëshmohet shkelja e tyre.

    Më 8 prill 2024 edhe një vendim i Policisë së Kosovës ishte marrë për kompaninë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, që e kishte parashtruar ankesën më 02.04.2024.

    Në vendimin e Policisë ishin përmendur disa çështje për kompaninë që ishte ankuar e që disa prej tyre janë, që nuk ka a-test të akredituar për disa parametra të kërkuara për uniformat.

    “Kemi kontaktuar laboratorin me datë 29.01.2024 ku kemi pyetur lidhur me a-testet e kryera në tre laboratorë. Kanë pranuar që kanë kryer të gjitha a-testet duke përfshirë edhe dy a-teste të cilave ju mungon llogo e akreditimit. AK (Policia e Kosovës) e ka kontaktuar trupin akreditues më 31 janar 2024 dhe kanë kthyer përgjigje me datë 1 shkurt 2024 ku përgjigjet që për këto dy ateste nuk janë lëshuar ndër Accerdia certifikata”- kishte njoftuar Policia atëherë.

    A-testet për uniforma janë testime teknike dhe laboratorike që bëhen për të vërtetuar cilësinë, sigurinë dhe përputhshmërinë e materialeve të përdorura me specifikimet e kërkuara në një tender apo standard zyrtar.

    Tutje në po të njëjtin vendim thuhet se është kontaktuar ‘Laboratori Best SRL’ në Itali dhe të njëjtit nuk kishin pranuar se posedonin akreditim për të bërë A-testin për një specifikë të uniformave.

    E për këtë çështje Policia e Kosovës ka njoftuar kompaninë se eliminohet për pjesën e parë dhe të dytën dhe se nuk i janë hapur mostrat.

    Policia e Kosovës më 26.03.2024 kishte rekomanduar një grup të operatorëve për furnizimin me uniforma, atë “Empreus SHPK, Seyntex, Boulevard Shpk”.

    Më 02.04.2024, kompania “DE Kosova Tekstil” L.L.C” kishte parashtruar kërkesë për shqyrtim të cilin Policia e Kosovës e kishte refuzuar.

    E me 16 prill 2024, e njëjta kompani ishte ankuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Kompania “DE Kosova Tekstil L.L.C” ishte ankuar se kishte kërkuar rishqyrtim të rekomandimit për dhënie të tenderit por që një gjë të tillë e kishte refuzuar Policia e Kosovës.

    “Autoriteti Kontraktues më shumë ka tentuar të na bindë ne se jemi të papërgjegjshëm duke pretenduar se kemi mungesa të dokumentacionit të cilat po të shihen në dokumente të ofertës të gjitha janë të dorëzuara”- thuhet në ankesën e kompanisë.

    Kompania ishte ankuar edhe për kompaninë që ishte rekomanduar për kontratë duke pretenduar se do të duhej të shpallej e papërgjegjshme duke nisur nga oferta e saj që ishte më e shtrenjtë, por edhe për dokumentacionin që kishte dorëzuar, raporton lajmi.net.

    Më 15.05.2024, ekspertja shqyrtuese në OSHP, Agnesë Ibrahimi dhe eksperti teknik Zeni Ballazhi, rekomandojnë që të aprovohet pjesërisht ankesa e kompanisë “DE Kosova Tekstil L.L.C”, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet.

    Me 19.08.2024, Policia e Kosovës merr vendim në bazë të rekomandimit të OSHP-së që të anulohet dhënia e tenderit për kompaninë “EmpreusSh.P.K, Seyntex dhe Boulevard Sh.P.L”.

    Vetëm tri ditë më vonë, më 22.08.2024, Policia e Kosovës njofton kompanitë pjesëmarrëse në furnizimin me uniforma policore që aktiviteti rikthehet në ri-vlerësim në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Më 03.12.2024 dhe më 11.03.2025, Policia e Kosovës njofton me kërkesë për zgjatje të validitetit të ofertës dhe sigurimit të tenderit.

    Me 19.03.2025, institucioni i sigurisë sërish njofton për pezullim të aktivitetit për shkak të kërkesës për rishqyrtim nga operatori ekonomik “DE Kosova Tekstil L.L.C, D&E Shpk dhe Kimay SRL” si dhe kompanisë “Empreus”.

    Të dy këto operatorë ekonomikë si palë të pakënaqura kanë parashtruar kërkesë për rishqyrtim te Policia e Kosovës kundër njoftimit mbi vendimin e anulimit për aktivitetin e prokurimit për uniformat policore më saktësisht vendimin për ri-vlerësim.

    Policia e Kosovës kishte marrë vendim që të refuzoj kërkesën për rishqyrtim të grupit të operatorëve ekonomik “DE Kosova Tekstil, D&E ShPK dhe Kimay SRL” duke pretenduar se OE nuk ka ofruar të dhëna të sakta pse janë shkelur nenet e përmendura në ankesë. I njëjti është thënë se duhet të ketë a-testet nga një laborator i certifikuar si dhe a-testet e dorëzuara nga laboratorët nuk kanë qenë të akredituar me të gjitha fushëveprimet që kërkon Policia e Kosovës.

    Problemet e vazhdueshme të këtij tenderi, vazhdojnë t’i lënë zyrtarët policorë pa uniforma të reja teksa janë vazhdimisht në krye të sigurisë publike. /EO

  • Fenomeni turk i muzikës pop, Manifest ngjitet për herë të parë në skenën e Sunny Hill Festival në Prishtinë

    Fenomeni turk i muzikës pop, Manifest ngjitet për herë të parë në skenën e Sunny Hill Festival në Prishtinë

    Një nga emrat më të rinj dhe më të zhurmshëm të skenës së popit turk po përgatitet të sjellë për herë të parë në Kosovë një shfaqje që premton të jetë ndër më energjiket e verës në Sunny Hill Festival.

    Me një ngritje të shpejtë nga një talent show televiziv drejt majave të listave muzikore dhe rrjeteve sociale, ky grup vajzash është kthyer në një fenomen që po e tejkalon gjithnjë e më shumë kufirin e Turqisë.

    Në një kohë shumë të shkurtër, ato kanë ndërtuar një identitet të fortë artistik, të bazuar në performanca dinamike, stil modern dhe një kombinim të kujdesshëm të popit me tinguj bashkëkohorë që lidhen me R&B dhe dance.

    Suksesi i tyre nuk qëndron vetëm te muzika, por edhe te mënyra se si e përkthejnë atë në skenë: koreografi të fuqishme, estetikë vizuale e kuruar dhe një energji që synon drejtpërdrejt publikun.

    Pikërisht kjo qasje i ka bërë shumë shpejt një nga emrat më të përfolur në hapësirën digjitale, ku çdo paraqitje e tyre shpërndahet gjerësisht dhe shndërrohet në trend.

    Tani, ky momentum pritet të marrë një dimension të ri në Prishtinë, ku publiku do të ketë mundësinë t’i shohë për herë të parë live në një nga festivalet më të mëdha në rajon.

    Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill duhet theksuar se do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Bërnicë.

  • Aksidenti tragjik i kosovarëve, Haxhiu ngushëllon familjet e tre viktimave nga Vushtrria

    Aksidenti tragjik i kosovarëve, Haxhiu ngushëllon familjet e tre viktimave nga Vushtrria

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime për humbjen tragjike të jetës së tre qytetarëve nga Vushtrria, të cilët vdiqën në aksidentin pranë Bllacës.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se e ka pikëlluar thellë lajmi për vdekjen e Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit.

    Ajo u shpreh ngushëllime familjeve Tërnava dhe Shabani, të afërmve dhe miqve të viktimave, duke thënë se ndan dhimbjen me ta në këto momente të rënda.

    “Udhëtimi i tyre drejt shtëpisë u ndërpre vetëm pak kilometra larg Kosovës, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjet dhe të gjithë ata që i njohën. Në këto çaste të rënda, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Tërnava dhe Shabani, të afërmve dhe miqve të tyre. Jemi pranë jush dhe ndajmë dhimbjen tuaj. U prehshin në paqe”, tha mes tjerash Haxhiu në Facebook.

  • Arsyet kryesore pse po ju bien flokët

    Arsyet kryesore pse po ju bien flokët

    Julian Mackay-Wiggan, një profesor dhe drejtor i njësisë kërkimore klinike në departamentin e dermatologjisë në University of Columbia, shprehet se ka 7 arsye kryesore që shkaktojnë rënien e flokëve:

    Floku juaj është i tejpërpunuar: Duhet të zgjidhni produkte pa përmbajtje sulfatesh.

    Jeni i stresuar: Telogen effluvium është emri klinik për humbjen e flokëve që ndodh pasi trupi juaj ka kaluar nëpër një përvojë dramatike, si operacion, humbje peshe drastike, shtatzëni, apo stres ekstrem. Flokët rriten në tre cikle: rritja, “pushimi” dhe rënia. Gjatë telogen effluvium, flokët kalojnë më shpejt se normalja dy fazat e para . Për fat të mirë, telogen effluvium është e përkohshme, kështu që flokët tuaj i kthehen normalitetit, pasi trupi juaj të tejkalojë stresin e tepërt.

    Ndiqni një dietë të varfër ushqimore: Hiqni dorë nga ushqimet e përpunuara, fast-food, ushqimi i konservuar dhe shtoni sa më shumë përbërës të ushqyeshëm si vitamina, proteina, hekur, magnez dhe kalcium.4

    Laheni me ujë të nxehtë: Një ndër gabimet më të shpeshta që bëni kur lani flokët është përdorimi i ujit të nxehtë. Kjo është tejet e gabuar, pasi uji i nxehtë ka në përmbajtjen e tij minerale gëlqerore të cilat në kontakt me shampon dhe balsamin shkaktojnë rënie flokësh. Zgjidhni një temperaturë mesatare.

    Vuani nga gjëndrat tiroide: Rritja e funksionit të tiroides dhe ulja e funksionit të tiroides shkaktojnë njëkohësisht rënie të flokëve.

    Vuani nga sindromi policistik ovarian: Ky çrregullim endokrin shkakton një çekuilibër hormonal, që çon në nivele të rritura të testosteronit. Kjo mund të rezultojë në humbjen e flokëve.

  • Pas dorëheqjes së Starmerit, Andy Burnham merr detyrën si kryeministër i Britanisë

    Pas dorëheqjes së Starmerit, Andy Burnham merr detyrën si kryeministër i Britanisë

    Andy Burnham do të marrë zyrtarisht detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar këtë të hënën, pasi u zgjodh lider i Partisë Laburiste pas dorëheqjes së Keir Starmer.

    Burnham, 56 vjeç, ish-kryetar i Bashkisë së Greater Manchester, do të emërohet nga Mbreti Charles III për formimin e qeverisë dhe më pas do të mbajë fjalimin e tij të parë para rezidencës në Downing Street 10.

    Pas marrjes së detyrës, ai pritet të emërojë menjëherë kabinetin e ri qeveritar dhe të prezantojë prioritetet e ekzekutivit, me fokus në uljen e kostos së jetesës dhe zvogëlimin e pabarazive rajonale.

    Ndryshimi i kryeministrit nuk shoqërohet me zgjedhje të përgjithshme, pasi sistemi parlamentar britanik lejon që partia në pushtet të zgjedhë një lider të ri, i cili bëhet automatikisht kryeministër nëse gëzon shumicën në Dhomën e Komunëve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Britani pritet të mbahen në vitin 2029.

  • Kirurgu i QKUK-së: Vetëm në 24 orë trajtuam tre të plagosur me armë të ftohta, mos luani me thika e brisqe

    Kirurgu i QKUK-së: Vetëm në 24 orë trajtuam tre të plagosur me armë të ftohta, mos luani me thika e brisqe

    Kirurgu torakal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shqiptar Demaçi, ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të plagosjeve me armë të ftohta te të rinjtë gjatë sezonit veror.

    Sipas tij, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Qendrën Emergjente, Reanimacion dhe Klinikën e Kirurgjisë Torakale janë trajtuar tre persona të plagosur me thika dhe brisqe.

    Demaçi ka bërë të ditur se një 18-vjeçar është pranuar në gjendje të rëndë, me shok hemorragjik, pasi kishte humbur rreth 2.5 litra gjak nga plagët në kraharor. Ai është operuar me urgjencë dhe, falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore dhe transportit në kohë me autoambulancë, gjendja e tij është menaxhuar me sukses.

    Kirurgu u ka bërë thirrje të rinjve që të shmangin përdorimin e armëve të ftohta dhe sjelljet agresive, duke paralajmëruar se incidente të tilla mund të përfundojnë me pasoja fatale.

    “Si fenomen, loja e përdorimi nga pasja e armëve të ftohta, në moshën adoleshentëve e rinore ka qenë prezente, por jorrallë bëhet agresive! Në vend të alarmit, e them, vetëm për 24 orë u trajtuan tre të plagosur me brisq e thika në QKUK, Qendrën Emergjente, Reanimacion dhe Kirurgjia torakale ! Një i ri (18 vjeç) në gjendje të shokut të rëndë gjakderdhës u operua në mënyrë shumë urgjente( humbte 2,5 litra gjak nga plagët në krahëror), por u soll me kohë nga mjekët e paramedikët me autoambulancë të regjionit dhe u menaxhua me sukses nga ekipi kujdestar në QKUK (Q.Emergjente/Reanimacion/Kirurgji Torakale/ MIQ)! Mos ta teprojmë me lojëra e sjellje agresive se mund të ketë fatalitete!”, shkruan ai në Facebook.

  • Stabilizohet qarkullimi në pikën kufitare Bajakovo, MPJD: Nuk ka më pritje të gjata

    Stabilizohet qarkullimi në pikën kufitare Bajakovo, MPJD: Nuk ka më pritje të gjata

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se situata në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, është stabilizuar dhe qarkullimi tashmë po zhvillohet pa vonesa të gjata.

    Sipas MPJD-së, pritjet dhe kolonat e krijuara gjatë ditës ishin pasojë e zbatimit të Sistemit EES (Entry/Exit System), i cili ka sjellë procedura shtesë të kontrollit kufitar.

    Gjatë ditës, Ambasada e Kosovës në Kroaci ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kufitare, ndërsa ambasadori Martin Berishaj, së bashku me stafin e Ambasadës, vizitoi pikën kufitare Bajakovo për t’u takuar me bashkatdhetarët që ishin në pritje.

    MPJD bëri të ditur se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje dhe informata për qytetarët e Kosovës, veçanërisht gjatë sezonit veror.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Mitrovicë

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për tentim vrasje në Mitrovicë

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda ka paraqitur pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë kërkesë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin me iniciale B.R., nën dyshimin se ka kryer vepraa penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se tentoi ta privonte nga jeta B.M., duke e goditur me thikë në kokë, në pjesën e brinjëve dhe prapa kraharorit.

    “I dyshuari me datë 18 korrik me qëllim ka dashur ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.M., duke e goditur me thikë në kokë, në pjesën e majtë të brirëve dhe prapa kraharorit. Nga këto veprime i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore dhe gjendet i shtrirë në Kirurgjinë Torakale në QKUK”, njofton Prokuroria.

    I dyshuari është arrestuar më 18 korrik, dhe me vendim të prokurorit gjendet në mbajtje.