ATV

Author: K.B.

  • ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    ​13-vjeçari humb jetën gjatë festimeve të titullit botëror të Spanjës

    Një djalë 13-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pas shembjes së një shatërvani në Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamancës, gjatë festimeve për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

    Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnate në shatërvanin “Glorieta del Árbol Gordo”, ku një numër i madh tifozësh ishin ngjitur mbi strukturë për të festuar fitoren e Spanjës. Një pjesë e sipërme e shatërvanit u shemb nën peshën e turmës dhe një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë.

    Shërbimi i emergjencës 1-1-2 i Castilla y León bëri të ditur se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa telefonatave që njoftonin për shembjen e strukturës mbi personat e mbledhur në vendngjarje. Menjëherë u angazhuan Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës shëndetësore.

    Dy persona morën ndihmë mjekësore dhe u transportuan në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo. Njëri prej tyre, 13-vjeçari, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për gjendjen e të plagosurve të tjerë.

    Në mbështetje të familjes së viktimës është aktivizuar edhe Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike për Fatkeqësi dhe Emergjenca. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e shembjes së shatërvanit gjatë festimeve.

  • Pas vdekjes tragjike të tre qytetarëve, Vushtrria shtyn koncertet e “Ditëve të Diasporës 2026”

    Pas vdekjes tragjike të tre qytetarëve, Vushtrria shtyn koncertet e “Ditëve të Diasporës 2026”

    Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se janë shtyrë koncertet e parapara në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës 2026”, pas vdekjes tragjike të tre bashkëqytetarëve, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani.

    Përmes një njoftimi, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bëri të ditur se ky vendim është marrë në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjet e viktimave.

    “Për shkak të ndarjes tragjike nga jeta të tre bashkëqytetarëve tanë, ju njoftojmë se anulohen koncertet e parapara në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Diasporës 2026′”, ka shkruar Idrizi.

    Ai theksoi se koncertet nuk do të mbahen sipas programit të paraparë, por do të organizohen në një datë tjetër.

    “Në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjet Tërnava dhe Shabani, koncertet do të shtyhen për një datë tjetër, për të cilën do të njoftoheni me kohë përmes kanaleve zyrtare të Komunës së Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

    Kryetari Idrizi shprehu ngushëllime për familjet e të ndjerëve, duke shtuar se Komuna bashkëndjen me dhimbjen e tyre.

    “Në këto momente të rënda, u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani dhe bashkëndjejmë dhimbjen për këtë humbje të rëndë. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”, ka deklaruar ai.

  • AKB: Rezervat shtetërore të mbushen me grurë vendor, jo me importe

    AKB: Rezervat shtetërore të mbushen me grurë vendor, jo me importe

    Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar me fermerët e Kosovës gjatë sezonit të korrje-shirjeve, ku prodhuesit vendor po përballen me mungesë tregu, mungesë të hapësirave për deponim dhe çmime jashtëzakonisht të ulëta prej vetëm 16–18 centë për kilogram.

    AKB ka thënë se fermeri ka investuar, ka punuar dhe prodhuar ndërsa në fund po përballet me pasiguri se ku do ta dorëzojë prodhimin e tij. Sipas AKB-së, kjo është një goditje për bujqësinë vendore dhe për sigurinë ushqimore të Kosovës.

    “AKB rikujton se çështja e blerjes së grurit për rezervat shtetërore nga importi ka qenë objekt i hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Gjykata Themelore ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe disa zyrtarëve të tjerë të MINT-it lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Sipas raportimeve për aktakuzën e këtij rasti, janë ngritur dyshime lidhur me blerjen e grurit për rezervat shtetërore me çmime të larta krahasuar me tregun dhe me pasoja të pretenduara për buxhetin e shtetit. AKB thekson se sot, se nuk duhen të përsëriten praktika ku shteti mbështetet në import, duhet të krijohet një mekanizëm që rezervat shtetërore të furnizohen nga prodhuesit vendorë”, thuhet në reagim.

    Ata kanë thënë nëse para 3-4 viteve, gruri për rezerva shtetërore është blerë nga Turqia për 0.47 euro për kilogram, sipas tij duhet që këtë vit shteti ta blejë grurin nga fermerët kosovarë që po e shesin me 16-18 centë për kilogram.

    Sipas AKB-së, kjo do të sillte tri përfitime të mëdha ,do t’i mbështeste drejtpërdrejt fermerët vendorë, do ta forconte sigurinë ushqimore të Kosovës dhe do të kursente mjete të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

    “Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se Kosova nuk duhet të importojë atë që fermeri ynë e prodhon me mund dhe sakrificë. Rezervat shtetërore duhet të jenë mbështetje për ekonominë vendore, jo vetëm një proces blerjeje. Nëse shteti ka nevojë për grurë për rezervat strategjike, zgjidhja më e drejtë ekonomike është ta blejë atë nga fermerët tanë. Kjo është në interes të buxhetit, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës. AKB kërkon nga institucionet përgjegjëse që urgjentisht të ndërmarrin masa për grumbullimin e grurit vendor, krijimin e kapaciteteve depozituese dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm për prodhuesit kosovarë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Policia e Ferizajt apelon për kujdes nga zjarret, paralajmëron masa ligjore

    Policia e Ferizajt apelon për kujdes nga zjarret, paralajmëron masa ligjore

    Policia Rajonale e Ferizajt i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e tyre.

    Sipas Policisë, çdo zjarr, qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme materiale dhe të dëmtojë mjedisin.

    Policia ka kërkuar që të shmanget djegia e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të çojë në shkaktimin e zjarreve.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, me dashje ose nga neglizhenca. Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies apo çdo situatë që mund të paraqesë rrezik”, thuhet nga Policia.

  • Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë sot është 1 euro e 64 centë, më shtrenjtë se dje, ndërsa benzina 1 euro e 46 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.60 euro për litër.

  • Tragjedia në Maqedoninë e Veriut ku vdiqën tre kosovarët, krejt çka dihet deri tani

    Tragjedia në Maqedoninë e Veriut ku vdiqën tre kosovarët, krejt çka dihet deri tani

    Tre kosovarë kanë vdekur si pasojë e një aksidenti. Ngjarja tragjike ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, konkretisht në Pikëkalimi Kufitar Bllacë drejt Shkupit, ku u gjet edhe automjeti i tyre i përmbysur i tipit Mercedes, me targa gjermane.

    Rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

    “Menjëherë pas daljes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona të vdekur, një mashkull dhe dy femra. Vdekja e tyre është konfirmuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, thuhet në njoftim.

    MPB ka bërë të ditur se më herët, në orën 13:40, një shtetas i Kosovës kishte raportuar në Stacionin Policor Bit Pazar se tre persona ishin zhdukur. Kontakti i fundit me ta ishte realizuar më 18 korrik 2026, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në aeroportin e Shkupit.

    Personat që kanë vdekur janë nga Vushtrria. Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, ka ngushëlluar familjet Tërnava dhe Shabani.

    “Kjo tragjedi ka prekur jo vetëm familjet e tyre, por edhe gjithë qytetarët e Vushtrrisë. Në këto çaste të rënda, në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vushtrrisë, ju shpreh ngushëllimet më të thella familjeve Tërnava dhe Shabani, të afërmve dhe miqve të tyre, duke bashkëndjerë dhimbjen për këtë humbje të rëndë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Idrizit.

  • Gjendet trupi i pajetë i një shtetasi të huaj në Liqenin e Batllavës

    Gjendet trupi i pajetë i një shtetasi të huaj në Liqenin e Batllavës

    Një shtetas i huaj është gjetur pa shenja jete në Liqenin e Batllavës, pas një operacioni kërkim-shpëtimi të zhvilluar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 19 korrik 2026, rreth orës 17:30, pasi Njësia e Zhytësve e FSK-së ka lokalizuar trupin e pajetë të viktimës.

    Ndërkaq, FSK ka bërë të ditur se, pas marrjes së informacionit nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës, ka angazhuar menjëherë Ekipin e Kërkim-Shpëtimit në operacionin e zhvilluar në Liqenin e Batllavës.

    Sipas FSK-së, pas intervenimit në orët e vona, ekipi ka arritur ta gjejë trupin e pajetë të personit me inicialet A.A., shtetas i huaj, i cili më pas u është dorëzuar autoriteteve kompetente për procedurat e mëtejme.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    Policia ka bërë të ditur se rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes janë në vazhdim.

  • Lajm i mirë për mërgimtarët, nuk ka pritje të gjata në pikat kufitare

    Lajm i mirë për mërgimtarët, nuk ka pritje të gjata në pikat kufitare

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në shumicën e pikave kufitare në Kosovë qarkullimi po zhvillohet normalisht, me pritje prej 1 deri në 10 minutash dhe pa kolona në hyrje apo dalje

    Pika kufitare Dheu i Bardhë paraqet vonesën më të madhe, ku për automjetet në dalje pritja është rreth 10 minuta, ndërsa është krijuar një kolonë prej rreth 30 metrash

    Në të gjitha pikat e tjera kufitare, përfshirë Bërnjakun, Jarinjën, Hanin e Elezit, Merdarën, Qafën e Morinës dhe Vermicën, pritjet janë minimale dhe nuk raportohet për kolona.

    Të dhënat janë përditësuar më 20 korrik 2026, në ora 07:54.

  • Sot nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Kosovë

    Sot nis gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Kosovë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj 21 të pandehurve, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

    Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

    Gjykata ka bërë të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, gjykimi në këtë rast pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

    “Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash.

  • Nis sot gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Nis sot gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj 21 të pandehurve, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

    Sipas njoftimit të gjykatës në Facebook, bëhet fjalë për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj të pandehurve të cilët akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Me propozim të Prokurorisë Speciale, gjykimi në këtë rast pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

    Gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të drejtësisë në Kosovë, ndërsa personave që kanë informacione për vendndodhjen e tyre u është kërkuar që t’i raportojnë ato në Policinë e Kosovës ose te organet kompetente.

    “Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të.Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në komunikatë.