ATV

Author: K.B.

  • Këmbëngulë mbrojtja e Thaçit: ZPS-ja po e shkel rregullin 136

    Këmbëngulë mbrojtja e Thaçit: ZPS-ja po e shkel rregullin 136

    Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi po vazhdon ta kontestojë ligjshmërinë e dorëzimit të provave nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Kryembrojtësi, avokati Lluka Mishetiq sërish në kundërpërgjigjen ndaj ZPS-së, ka kërkuar që kjo e fundit të ndalojë dorëzimin e provave pas mbylljes së çështjes kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
    Fillimisht, me datën 13 mars kishte kërkuar nga trupi gjykues që të urdhërojë Prokurorinë për mos paraqitje të provave.

    Ndërkaq, më 25 mars, kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West iu përgjigj kërkesës duke kërkuar refuzimin e saj.

    ZPS ka thënë se zbulimet në fjalë i plotësojnë të gjitha kriteret dhe “nuk përbëjnë paraqitjen e ‘parashtresave’ apo ‘paraqitjen e provave’.

    “Kërkesa e Mbrojtjes së Thaçit për një urdhër ndaj ZPS-së në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe shpërfill zbatimin e Rregullës 112 dhe jurisprudencën e Dhomave të Specializuara lidhur me të. Përmbushja nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e detyrimeve të saj të vazhdueshme të zbulimit të provave, në përputhje me kornizën e aplikueshme, nuk përbën paraqitje provash, apo paraqitje të parashtresave, në kuptimin e Rregullës 136. Kërkesa duhet të refuzohet në përputhje me këtë”, thuhet në këto parashtrime.

    Por, më 30 mars, mbrojtja i është kundërpërgjigjur këtij parashtrimi, duke vlerësuar se qëndrimi i ZPS-së bazohet në “interpretim të gabuar” dhe “nëse nuk ndryshohet“do të lejonte një shkelje të vazhdueshme për gjykim të drejtë”.

    “Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (Mbrojtja) me këtë i përgjigjet Parashtrimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me Kërkesën e Mbrojtjes për një Urdhër në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës Qëndrimi i ZPS-së bazohet në një interpretim të gabuar të Rregullave 112 dhe 136, i cili, nëse lihet i pandryshuar, do të lejonte një shkelje të vazhdueshme të të drejtës themelore të z. Thaçi për një gjykim të drejtë”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes Lluka Mishetiq.

    Avokati kryesor i ish-presidentit, Hashim Thaçi, përmes parashtrimeve të tij shpreh shqetësimin se paraqitja e njëanshme e provave nga ZPS-ja nuk garanton proces të drejtë.

    “Kjo paraqitje e “fshehtë” e provave shkel parimin e barazisë së armëve dhe të drejtën për t’u komentuar mbi provat e paraqitura para gjykatësit të faktit, siç garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Brandstetter kundër Austria), Neni 31 i Kushtetutës dhe Ligji (vendim i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese që shqyrton dhe konfirmon përputhshmërinë kushtetuese të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës)”, thuhet tutje në këtë parashtrim të mbrojtjes.

    Mbrojtja sërish përmes kësaj kundërpërgjigjeje ndaj ZPS-së ka kërkuar nga trupi gjykues që të urdhërojë këtë të fundit për mos dërgimin e këtyre provave.

    Por, çfarë thotë Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, saktësisht rregulla 136?

    “Pas deklaratave përmbyllëse, kryetari i trupit gjykues e deklaron çështjen të mbyllur. Në këtë fazë trupit gjykues nuk mund t’i paraqitet asnjë parashtrim tjetër, përveç se në rrethana të posaçme dhe duke treguar arsye të vlefshme. Në këtë fazë trupi gjykues nuk mund të pranojë asnjë parashtrim, apo të dëgjojë dëshmi të tjera, përveç nëse diktohet prej rrethanave të posaçme”, thuhet në këtë rregullore.

    Ky debat vjen pas mbylljes së kësaj çështjeje ndaj katërshes së UÇK-së dhe kur ky rast tanimë është në duart e gjykatësve për vendim.

    Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

    Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.

    Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Kosovapress

  • Bajrami: Kurti është fajtori kryesor nëse vendi shkon në zgjedhje

    Bajrami: Kurti është fajtori kryesor nëse vendi shkon në zgjedhje

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë gatishmërie për zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas saj, Kurti synon ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në një intervistë për RTV21, deputetja Bajrami tha se Kurti ka mundur ta zgjedhë presidentin më herët, duke arritur marrëveshje politike.

    “Gjatë këtyre 8 ditëve nuk e kemi parë as tentativën më të vogël. Kjo tregon se që nga fillimi i kësaj legjislature, Kurti nuk e ka në plan të bëjë zgjedhjen e presidentit dhe nuk e ka në plan të kontribuojë në stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës. Këtë e kemi parë që në votimin shumë urgjent të buxhetit. Këta dëshirojnë ta kenë buxhetin në mënyrë që të mund të shpërndajnë taksat e qytetarëve për efekte elektorale, por faktikisht nuk e kanë në plan ta zgjedhin presidentin. Sikur të dëshironin një gjë të tillë, do ta bënin tashmë prej kohësh. Ju e dini se, pas disa takimeve që ka pasur me kryetarin e LDK-së Abdixhiku dhe atë të PDK-së Hamza, në mënyrë krejtësisht të njëanshme janë propozuar dy kandidatë nga LVV-ja, duke u munduar t’i shantazhojnë partitë opozitare, gjë të cilën nuk e kemi pranuar.”, tha Bajrami.

    Deputetja Bajrami tha se nëse kalon afati kushtetues 34-ditor për zgjedhjen e presidentit, atëherë fajtori kryesor është kryeministri Kurti për mosgatishmëri për të arritur marrëveshje politike.

    “Numri i ditëve është i kufizuar dhe kjo është një çështje e komplikuar, e cila assesi nuk zgjidhet nga partitë opozitare. Nëse ne mbetemi në këtë bllokadë dhe nëse harxhohet afati kohor që na e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, secili qytetar duhet ta dijë se fajtori kryesor që përsëri po e dërgon vendin në një proces zgjedhor është zoti Kurti dhe LVV-ja.”, u shpreh Bajrami.

    Deputetja Bajrami tha se LDK-ja nuk do ta votojë asnjë kandidat nga LVV-ja për president.

    “Nuk kemi votë për kandidatët e LVV-së për president. I patëm dy kandidatë nga LVV-ja dhe nuk ka ndodhur asgjë që ne ta ndryshojmë qëndrimin. Jemi kundër ndarjes së të gjitha pozitave. Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese.”, tha ai.

  • Hamza i shkruan letër presidentes Osmani: Emëroje anëtarin e dytë në KQZ, na takon me Kushtetutë

    Hamza i shkruan letër presidentes Osmani: Emëroje anëtarin e dytë në KQZ, na takon me Kushtetutë

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të procedoje me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

    Hamza ka shkruar në letër se pas vendimit të Kushtetueses, konfirmohet se përfaqësimi i PDK-së ne dy anëtar në KQZ është e drejtë kushtetuese dhe jo aspekt i interpretimit politik.

    Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.

  • Tualeti i ri i NASA-s për misionin Artemis II kushtoi 23 milionë dollarë

    Tualeti i ri i NASA-s për misionin Artemis II kushtoi 23 milionë dollarë

    Kjo është pyetja për të cilën shkencëtarët e NASA shpenzuan më shumë se 23 milionë dollarë për të gjetur përgjigjen në kohë për misionin Artemis II, i cili pritet të nisë në fund të kësaj jave.

    Është zhvilluar një WC i ri hapësinor, dhe misioni i parë me ekuipazh njerëzor që do të rrotullohet rreth Hënës pas më shumë se 50 vjetësh pritet të niset më 1 prill, raporton bbc.

    Ekspertët kanë krijuar të ashtuquajturin “Sistemi Universal për Menaxhimin e Mbeturinave” (Universal Waste Management System), i cili lejon mbledhjen e mbeturinave të ngurta dhe të lëngëta.

    Sistemi është dizajnuar që të përdoret si nga astronautët, ashtu edhe nga astronautët.

    Misioni Artemis II vjen pas misionit të suksesshëm Artemis I pa ekuipazh, i realizuar në vitin 2022.

    I gjithë programi i NASA shërben si përgatitje për misionet e ardhshme në hapësirën e thellë, me qëllimin përfundimtar të dërgimit të një ekuipazhi njerëzor në Mars gjatë viteve 2030.

  • Tragjedi në Egje, fundoset një gomone – humbin jetën 18 emigrantë

    Tragjedi në Egje, fundoset një gomone – humbin jetën 18 emigrantë

    18 emigrantë kanë humbur jetën, pasi një gomone u fundos në detin Egje, pranë Bodrumit në Turqi, njoftoi Garda Bregdetare turke.

    “Pas operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit, u shpëtuan 21 emigrantë pa dokumente, ndërsa u gjetën trupat e pajetë të 18 të tjerëve”, thuhet në një deklaratë.

    “Operacionet për të zbuluar fatin e personave të zhdukur dhe aktivitetet e tjera të kërkimit dhe shpëtimit vijojnë”, njofton më tej Garda Bregdetare. Në të njëjtin njoftim sqarohet se gomonia ishte ndaluar rreth orës 6 të mëngjesit, por më pas iku me shpejtësi në det të hapur. Për shkak të kushteve të vështira të detit, ajo u fundos.

    Java e kaluar, pranë Kretës, 22 emigrantë që kishin nisur nga Libia humbën jetën nga uria dhe etja, pasi qëndruan 6 ditë në det.

  • Deputetja e VV thotë se kanë kërkuar nga opozita që të propozojë kandidat konsensual për president

    Deputetja e VV thotë se kanë kërkuar nga opozita që të propozojë kandidat konsensual për president

    Deputetja e LVV-së, Liza Gashi, tha se janë të hapur për bashkëpunim me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit të ri. Në një bisedë për RTV21, deputetja Gashi tha se LVV-ja i ka vetëm 66 vota për zgjedhjen e presidentit.

    “Kemi qenë të hapur që nga dita e parë; ftesat kanë qenë po ashtu prezente për opozitën, kështu që unë po shpresoj që të vijmë deri te një dakordim. LVV-ja i ka 57 vota, ndërsa 66 jemi së bashku me partnerët në koalicion. Ne jemi të hapur që të procedojmë tutje, që të mos e dërgojmë vendin në zgjedhje. Përgjigjja i mbetet opozitës.”, tha ajo.

    Deputetja Gashi i është përgjigjur edhe kritikave të opozitës se LVV-ja qëllimisht po e zvarrit zgjedhjen e presidentit për ta dërguar vendin në zgjedhje.

    “Si ka mundësi që ta zvarrisim ne? Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga opozita që të vijë me një kandidat konsensual. Vazhdimisht kemi kërkuar bashkëbisedim apo dialog. Le të dalë opozita dhe të na tregojë nëse po dëshiron zgjidhje të situatës aktuale.”, tha ajo.

  • Dy shtetas turq u rrahen mes vete në Prishtinë

    Dy shtetas turq u rrahen mes vete në Prishtinë

    Dy shtetas të Turqisë janë përleshur mbrëmë në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 20:00 në rrugën “Enver Zymberi” në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Motivet e ngjarjes ende nuk dihen.

    Me këtë rast, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka marrë tretman mjekësor, derisa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Tashmë kanë nisur hetimet nga policia dhe rasti po cilësohet si “Lëndim i lehtë trupor”.

  • Papa Leoni XIV thirrje Trump: Kërko rrugëdalje nga lufta dhe ndal dhunën në Lindjen e Mesme

    Papa Leoni XIV thirrje Trump: Kërko rrugëdalje nga lufta dhe ndal dhunën në Lindjen e Mesme

    Papa Leoni XIV deklaroi se shpreson që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po kërkon një mënyrë për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe për të ulur nivelin e dhunës.

    Duke folur për gazetarët teksa largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo drejt Vatikanit, Papa tha se kishte marrë sinjale se Trump dëshiron të përfundojë konfliktin.

    “Shpresoj që ai po kërkon një rrugëdalje, një mënyrë për të ulur dhunën dhe bombardimet”, u shpreh Papa, duke theksuar se kjo do të ishte një kontribut i rëndësishëm për të zbutur urrejtjen që po rritet vazhdimisht në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

    Kreu i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithë liderëve botërorë që të rikthehen në tryezën e dialogut dhe të kërkojnë zgjidhje për konfliktet.

    “Le të rikthehemi në dialog dhe të gjejmë zgjidhje për problemet”, tha Papa, duke nënvizuar se bota po përballet me vuajtje të mëdha dhe humbje jetësh, përfshirë edhe fëmijë të pafajshëm.

    Në prag të Pashkëve, që ai do t’i festojë për herë të parë si Papë, Leo XIV theksoi se kjo periudhë duhet të jetë një kohë paqeje dhe reflektimi të thellë, por fatkeqësisht, sipas tij, dhuna dhe lufta vazhdojnë të dominojnë në shumë pjesë të botës.

  • Kusari-Lila takon Hargreaves: Kosova mbetet e hapur për investime, e përkushtuar ndaj reformave dhe gatu për ekonomi të qëndrushme

    Kusari-Lila takon Hargreaves: Kosova mbetet e hapur për investime, e përkushtuar ndaj reformave dhe gatu për ekonomi të qëndrushme

    Ministrja e Industrisë, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari Lila, ka takuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves

    Në këtë takim, siç ka njoftuar Kusari-Lila kanë diskutuar forcimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    “U fokusuam në nxitjen e mundësive të reja ekonomike dhe në rritjen e besimit të diasporës për të investuar në atdhe, duke e pozicionuar Kosovën si destinacion konkurrues për industri dhe ndërmarrësi. E njoftova Ambasadorin Hargreaves, për zhvillimin e 12 zonave industriale të gjelbërta, që do të ofrojnë kosto të ulëta operimi, qira afatgjata dhe shërbime të integruara, përfshirë partneritetet publiko-private dhe infrastrukturën moderne. Në fokus mbeten investimet dhe politkat tona në efikasitet energjetik, energji të ripërtëritshme dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujit, në përputhje me standardet e BE-së dhe përgatitjet për CBAM 2027”, ka shkruar Kusari-Lila.

    Ajo ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullatore, si dhe për adresimin e sfidave të tregut dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.

    “Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar shtrihet në sektorë kyç si energjia, minierat, teknologjia dhe mbrojtja, me synim tërheqjen e investimeve dhe zgjerimin e mundësive për produktet kosovare. Kosova mbetet e hapur për investime, e përkushtuar ndaj reformave dhe e gatshme për një të ardhme ekonomike të qëndrueshme me partnerët ndërkombëtarë”, ka shtuar ajo.

  • Përfshihet nga zjarri një veturë në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Përfshihet nga zjarri një veturë në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Një veturë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm në magjistralën Gjilan – Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i cili tha se nuk ka persona të lënduar.

    Ai ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i zjarrëfikësve, ndërsa Policia e Kosovës po e heton rastin.

    “Ju njoftoj se policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se sot me 01.04.2026 ,rreth orës dhjetë në Rrugën magjistrale Gjilan -Prishtinë, një vetur është përfshi nga zjarri. Policia e Kosovës njësiti nga stacioni policor i Novobërdës kanë dalë më vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se nuk ka persona të lënduar gjersa dëmet materiale janë të konsiserushme në automjet. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësiti i zjarrëfikësve. Policia e Kosovës është duke i hetuar rrethanat se si ka ndodhë rasti”, ka deklaruar Hashani.