ATV

Author: K.B.

  • Gruda: Kurti me agjendë që vendi të mbahet i bllokuar

    Gruda: Kurti me agjendë që vendi të mbahet i bllokuar

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka akuzuar kryeministrin Kurti dhe LVV-në për agjendë të fshehur për bllokimin e zgjedhjes së presidentit të ri. Në një bisedë për rtv21, deputeti Gruda tha se presidenti i ri do të duhej të zgjidhet përpara përfundimit të mandatit të presidentes Osmani.

    ‘’Me 4 prill përfundon mandati i presidentes aktuale dhe vendi kalon në ushtrues detyre të presidentit. Mendoj se vendi është dashur që të ketë president para se t’i përfundoj mandati siç e kërkon kushtetuta që të mos shkohet me ushtrues detyre të presidentit sepse u.d i presidentit është gjendje jo normale. Kjo vonesë që po ndodh, pra u konsumua një javë dhe nuk ka asnjë hap për zgjedhjen e presidentit është e papranueshme dhe tregon që ka një agjendë që të mos arrihet deri tek zgjedhja e presidentit, por të mbahet vendi i bllokuar.’’, tha Gruda.

    Deputeti Gruda tha se Kurti ka synim që ta zvarris zgjedhjen e presidentit për ta vendosur kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu si ushtruese e detyrës së presidentes.

    ‘’Synimi është ky që, në fundjavë Albulena Haxhiu sipas kushtetutës bëhet ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj këtyre nuk iu ngutet. Por, vendi nuk duhet të jetë me u,d të presidentit, ose duhet ta zgjedhim presidentin ose të shkojmë në zgjedhje. Tash fakti që e mbajnë me u.d të president tregon se krejt qëllimi ky ka qenë në fakt. Edhe kërkesa e afatit shtesë nga Gjykata Kushtetuese ka qenë qëllimi që ta marrin në kontroll atë institucion efektivisht që ta bëjnë Albulena Haxhiun u.d të presidentit për ta vazhduar lojën tjetër politike. Shpresoj që të kthehen tek diskutimet dhe debate normal.’’, tha Gruda.

    Deputeti Gruda tha se nuk kanë pranuar ende ftesë nga Kurti për takim. Por, sipas tij pa marrëveshje politike PDK nuk ka votë për kandidatët e LVV-së për president.

    ‘’s’kemi marrë ftesë deri sot, kur të marrim ftesën do të marrim një qëndrim të organeve të partisë. Pa marrëveshje normalisht nuk do të ketë votë dhe nuk mendoj se ka përpjekje serioze për ta zgjedhur presidentin, nuk shoh. Nëse nuk zgjidhet presidenti ne shkojmë drejtë zgjedhjeve kjo është automatikisht. Nuk është më në dorën dhe vullnetin tonë. Nëse nuk ka zgjidhje prej partisë që ka shumicën e votave. Pa Vetëvendosjes nuk zgjidhet presidenti, pa njërin prej neve të opozitës mundet. Ne kemi pasur një propozim që të na leu neve me propozu kandidatin, nuk është pranuar”, tha Gruda.

  • Bastisje në Prizren, dy të arrestuar për kultivim të narkotikëve dhe mbajtje në pronësi të armëve

    Bastisje në Prizren, dy të arrestuar për kultivim të narkotikëve dhe mbajtje në pronësi të armëve

    Policia e Kosovës ka kryer kontroll në një shtëpi në Prizren mbi dyshimet se ndodhej një laborator për kultivim të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.

    Aty është arrestuar një i dyshuar, ndërsa Policia ka vazhduar edhe me bastisjen e tri lokacioneve të tjera në Prizren, ku është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.

    Gjatë bastisjes në lokacionet janë gjetur dhe janë sekuestruar pajisje të ndryshme të dedikuara për kultivim të bimëve narkotike si (llampa për ndriçim, aparat për ngrohje, klima, trafo të ndryshme të rrymës, gypa ventilimi, pajisje për matje të lagështisë, temperaturës, vegla pune, vazo, preparate kimike dhe pajisje tjera).

    Po ashtu janë sekuestruar edhe një bimë narkotike kanabis sativa rreth 30 cm, një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.19 gramë, gjethe, dyshohet të bimës kanabis sativa me peshë 53.84 gramë, dy qese plastike me substancë narkotike dyshohet kokainë me peshë 0.41 gramë, një aparat vakumi, qese plastike, armë zjarri (pistoletë) e çmontuar me dy fishekë, 27 fishekë kalibër i panjohur, një veturë, dhe një furgon me targa vendore.

    “Të dyshuarit e lartcekur po ashtu dyshohet se kishin shkatërruar rreth 300 bimë të llojit kanabis sativa të mbjella në laborator brenda shtëpisë, me gjatësi rreth 20-30 cm, të cilat dyshohet se janë djegur”, thuhet në njoftim e PK-së.

    Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, ka tregtarë që po abuzojnë duke e keqpërdorur krizën

    Kurti: Do ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan, ka tregtarë që po abuzojnë duke e keqpërdorur krizën

    Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi risjelljen për votim në Kuvend të projektligjit për çmimet tavan, që tha se do t’i mbrojë qytetarët “nga abuzimi me çmimet e larta”.

    “Duhet ta rikthejmë ligjin për çmimet tavan”, tha Kurti gjatë fjalës së tij në Kuvend.

    Ai përmendi krizat dhe luftërat në botë, ndërsa foli për çmimet e larta.

    “Bota po kalon nga kriza në krizë. Një luftë që ka nis nuk përfundon, fillon një tjetër që as s’mendonim se do të niste. Dhe nga pandemia e vitit 2020, tash te lufta në Ukrainë në vitin 2022 e tash së fundmi edhe kjo lufta në Lindjen e Mesme, e ndërkohë krizës energjetike të vitit 2022 po i shtohet edhe ajo e vitit 2026. Ju e dini që secilës sfidë i jemi përgjigjur me pako konkrete”, tha ai.

    Kurti tha se kanë ndihmuar “secilën kategori shoqërore”.

    “Ka tregtarë, biznese të mëdha që e kanë keqpërdorur krizën për t’i rritur artificialisht çmimet”, tha ai.

    “Tash shumë shpejt do ta risjellim këtu për ta votuar dhe presim që edhe opozita të reflektojë e të na mbështesë në këtë projekligj”, tha ndër tjerash Kurti.

  • Fjalimi i jashtëzakonshëm: Shikoni çka ndodhi me çmimet e naftës gjatë dhe pas fjalimit të Trumpit

    Fjalimi i jashtëzakonshëm: Shikoni çka ndodhi me çmimet e naftës gjatë dhe pas fjalimit të Trumpit

    Duket se fjalimi i jashtëzakonshëm i Donald Trump nuk i ka bindur tregjet globale të naftës se ndërprerjet në një nga rrugët më të rëndësishme detare, Ngushticën e Hormuzit, do të zbuten së shpejti, raporton gazetari i biznesit i BBC-së, Peter Hoskins nga Singapori.

    Çmimi i naftës referencë Brent po tregtohej rreth 100 dollarë për fuçi para se presidenti të fillonte fjalimin.

    Gjatë fjalimit, çmimi ka luhatur, por më pas ka vazhduar rritjen dhe aktualisht është rritur me rreth 4%, duke arritur në 105.38 dollarë.

  • Arrestohet një burrë për hyrje pa leje në shtëpinë e Nicki Minaj

    Arrestohet një burrë për hyrje pa leje në shtëpinë e Nicki Minaj

    Një burrë është arrestuar për hyrje pa leje në pronën e Nicki Minaj.

    Policia shkoi në shtëpinë e reperes 43-vjeçare pas një telefonate të dyshuar për hyrje pa leje në rezidencën e saj në Los Angeles.

    Zyrtarët u thirrën për një të dyshuar të parë në kamera në oborrin e saj, thanë burime brenda policisë për TMZ.

    I dyshuari u arrestua në vendngjarje nga policia.

    Nicki nuk ishte në shtëpi në kohën e hyrjes pa leje, sipas raportimeve.

  • KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    KS i OKB-së, më 9 prill debaton për punën e UNMIK-ut në Kosovë

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS i OKB) të do të debatojë në Nju Jork për raportin e ri të punës së UNMIK-ut në Kosovë të enjten më 9 prill, është bërë e ditur në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizare.

    Seanca pritet të mbahet nga ora 16:00.

    Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-ut do të prezantohet nga shefi i ri i misionit të OKB-së në Kosovë, Peter Due, i cili e mori detyrën janarin e këtij viti.

    Klankosova gjatë ditës së djeshme publikoi këtë raport, i cili përfshin periudhën e fundit raportuese, ku përfshihet situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu, vlerësohet se nuk ka pasur progres domethënës në dialogun Kosovë-Serbi, në udhëheqjen e BE-së.

    Gjithashtu, thuhet se seancat e këtilla po shqyrtohet që të mbahen të mbyllura.

  • Fryrja e çmimeve, Mustafa: Qytetari detyrohet t’i numërojë centët – qeveria të marrë masa sa më shpejt

    Fryrja e çmimeve, Mustafa: Qytetari detyrohet t’i numërojë centët – qeveria të marrë masa sa më shpejt

    Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka folur për rritjen enorme të çmimeve të derivateve, teksa është paralajmëruar edhe fryrja e çmimit të rrymës.

    Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Mustafa kërkoi masa të menjëhershme nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të vihet në kontroll situata e krijuar.

    “Kohëve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të rritjes enorme të çmimeve të derivateve, edhe një paralajmërim nga ana e ZRrE-së, që me gjasë do të kemi edhe një rritje të çmimit të energjisë që nga 1 maji. Këto rritje të çmimeve kanë një efekt zinxhiror, pra kur rritet çmimi i derivateve dhe rrymës, do të kemi rritje të çmimit të ushqimit, transportit, barnave, imputove bujqësore, veshmbathje, pra kemi efet zinxhiror të rritjes së çmimit të çdo produkti”, tha ai.

    “Çdo familje në Kosovë duhet të numërojë centët, sepse fatkeqësisht nuk arrijnë të blejnë çdo gjq që iu nevojiten në çdo kohë. Pensionistët duhet t’i numërojnë centët, sepse nuk arrijnë të blejnë barnat. Vlen kjo edhe për studentët, për çdo qytetarë”, tha Mustafa.

    Ai shtoi se Kosova nuk ka mundësi të ndërhyrje në rritjen e çmimeve në botë, megjithatë, sipas tij, qeveria e ka për detyrë të mbështesë qytetarët e saj.

    “Kërkojmë urgjentisht nga Qeveria të merr masa për të mbrojtur dhe përkrahur qytetarët, qoftë largim i përkohshëm i akcizës në derivate, largim ose ulje komplet e TVSH-së për një periudhe, përkrahje financiare për qytetarët, sidomos për familjet e cenuara”, tha ai.

  • ​Nagavci kërkon bashkëpunim: Më mirë ta zgjedhim tani presidentin sesa më vonë

    ​Nagavci kërkon bashkëpunim: Më mirë ta zgjedhim tani presidentin sesa më vonë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar bashkëpunim dhe konsensus për zgjedhjen e presidentit.

    Në seancën e sotme të Kuvendit, Nagavci tha se në këtë fazë ka nevojë për unitet dhe bashkëpunim për të dalë nga ngërçi aktual.

    Në deklarimet jashtë rendit të ditës, Nagavci tha se ata që punojnë për zgjedhje të reja duhet ta dinë se ato nuk ua heqin përgjegjësinë për të punuar sërish bashkë për të zgjedhur presidentin.

    Prandaj, sipas saj, më mirë është të zgjidhet presidenti në këto kushte sesa më vonë.

    “Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim. Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhja e presidentit të Republikës, ku nga secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Presidenti si figurë e unitetit të popullit thërret për proces që duhet të udhëhiqet nga fryma e bashkëpunimit. Përgjegjësia është e jona, prandaj qytetarët presin nga ne që të marrim vendime. Ata që mendojnë dhe punojnë për zgjedhje duhet ta dinë se ato nuk na heqin përgjegjësinë për të punuar për të njëjtat tema herët apo më vonë. Në këto kushte më mirë tani sesa më vonë”, tha ajo.

    Nagavci para deputetëve foli edhe për pasaktësitë e ekspozitës së fundit të Shkëlzen Gashit për masakrat në Kosovë në vitet 1998-1999.

    Sipas saj, qeveria nuk do të ndalet në asnjë rrethanë deri në kompletimin e dokumentimit të këtyre masakrave dhe vendosjen e drejtësisë për çdo masakër, krim lufte dhe gjenocidin e kryer nga Serbia, raporton kp.

    “Ky debat duhet të jetë i përgjegjshëm, i bazuar në fakte dhe zhvilluar me respekt të veçantë për të vërtetën. Mbi metoda shkencore dhe mbi të gjitha me një respekt të thellë për ndjenjat dhe vuajtjet e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë… Lufta jonë çlirimtare është një fakt historik dhe moral që nuk mund të relativizohet. Kjo nuk e përjashton nevojën për reflektim dhe diskutim, por e vendos atë në një kornizë të qartë të historisë… Nuk do të ndalemi në asnjë rrethanë deri në kompletimin e dokumentimit për çdo ngjarje të dhimbshme të vendit tonë, përfshirë vendosjen e drejtësisë për çdo masakër, krim lufte dhe gjenocidin e kryer nga Serbia”, tha ajo.

  • “Asnjë hatërmbetje”, Vengu reagon pas largimit nga Qeveria: Kam 13 vite që vetëm promovohem si shërbyes i shtetit

    “Asnjë hatërmbetje”, Vengu reagon pas largimit nga Qeveria: Kam 13 vite që vetëm promovohem si shërbyes i shtetit

    Pas largimit nga detyra e ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar publikisht duke theksuar se nuk ka asnjë hatërmbetje personale, ndërsa vuri theksin tek rëndësia e sfidave që përballet vendi.

    Në një deklaratë të tij, ai u shpreh se Shqipëria ka përpara çështje shumë më jetike sesa pakënaqësitë individuale. “Në këtë kontekst rajonal dhe ndërkombëtar, hatërmbetjet janë një luks që nuk e kemi”, theksoi ai, duke shtuar se “ky është një vit që kërkon pjekuri kombëtare përballë zhvillimeve globale”.

    Vengu nënvizoi se debatet e brendshme janë normale në politikë, por sipas tij, fokusi nuk duhet të zhvendoset tek çështje dytësore. Ai shmangu komentet për ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali e cila në mbledhjen e grupit parlamentar socialist u përplas me kryeministrin Edi Rama, duke e konsideruar qëndrimin e saj si një pikëpamje personale.

    Po ashtu, ai nuk komentoi as deklaratën e Erion Braçes lidhur me gatishmërinë e tij për të kandiduar për Tiranën, duke theksuar se është krejt normale që në politikë individët të shprehin ambicie për poste të caktuara.

    Në vijim, ai ngriti një pyetje për opinionin publik dhe median: “Çfarë është më e rëndësishme për qytetarët? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen realisht për ta?”

    Sipas tij, vëmendja duhet të përqendrohet tek problematikat konkrete si rritja e çmimeve, çmimi i naftës dhe ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme të qytetarëve, dhe jo tek çështje që ai i cilësoi si periferike.

    Në përfundim, Vengu e konsideroi të pavend fokusin mediatik tek detaje të tilla, duke bërë thirrje për një qasje më të përgjegjshme në raportimin dhe trajtimin e çështjeve me interes publik.

    Prononcimi i plotë i Vengut

    Shqipëria ka çështje shumë më jetike sesa hatërmbetja ime apo e dikujt tjetër. Ne kete kontekst rajonal dhe nderkombetar, hatermbetjet jane nje luks qe nuk e kemi. Ky është një vit sfidash ndërkombëtare dhe na duhet pjekuri kombëtare.

    Debatet e brendshme janë normale. Skam asnjë koment për znj. Spiropali, pasi e konsideroj një çështje të pikëpamjes së saj personale. Sikundër nuk kam asnjë koment për deklaratën e kolegut Braçe për t’u ofruar si kandidat për Tiranën. Nuk ka asgjë të pazakontë që dikush në politikë të jetë i gatshëm për të kandiduar.

    Në kontekstin e sfidave aktuale, çfarë është më e rëndësishme për publikun? Ku u ul dikush dhe çfarë tha, apo çfarë punësh po bëhen për qytetarët?

    Janë më të rendësishme rritja e çmimeve, nafta, ndikimi i zhvillimeve ndërkombëtare në jetën e përditshme, apo kush është ulur në karrigen e ministrit në mënyrë të përsëritur?

    Prandaj e konsideroj të pavend zhvendosjen e mbulimit mediatik tek detaje periferike.

  • VV s’pranoi të trajtohet si pikë e parë, PDK: Shmangie e përgjegjësisë institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike

    VV s’pranoi të trajtohet si pikë e parë, PDK: Shmangie e përgjegjësisë institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike

    Në seancën e sotme parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar rezolutë ‘’ për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave’’.

    PDK, ka kërkuar që kjo rezolutë të trajtohet në Kuvend, si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme, megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka pranuar një gjë të tillë. Për këtë, PDK ka tërhequr përkohësisht rezolutën dhe ka lëshuar sallën.

    Nga PDK, për këtë, kanë thënë se, ‘’ refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës’’.

    Komunikata:

    PDK: Refuzimi për t’i dhënë prioritet Rezolutës është shmangie e përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës

    Prishtinë, 2 prill 2026 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar sot një Rezolutë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave.

    PDK ka kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën që lidhet me zhvillimet e fundit dhe reagimin e drejtë institucional ndaj tyre.

    Fatkeqësisht, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë, duke refuzuar që Rezoluta të trajtohet me prioritetin që meriton.

    Në këto rrethana dhe për ta shmangur një votim të paracaktuar për dështim, PDK është detyruar ta tërheqë përkohësisht këtë Rezolutë nga procedura parlamentare dhe të lëshoi sallën e Kuvendit.

    PDK vlerëson se refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës.

    Rezoluta e propozuar nga PDK synon të dënojë çdo shtrembërim të fakteve historike, të kërkojë përgjegjësi për keqinformimin dhe të garantojë standarde të qarta institucionale në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës.

    Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur që këtë çështje ta rikthejë në Kuvend dhe të kërkojë mbështetje të gjerë politike dhe shoqërore për miratimin e saj.

    Mbrojtja e së vërtetës historike nuk është çështje e një partie, por detyrim ndaj shtetit, ndaj viktimave dhe ndaj brezave që vijnë.