ATV

Author: K.B.

  • Inspektorët e Gjilanit nisin aksion për largimin e reklamave pa leje

    Inspektorët e Gjilanit nisin aksion për largimin e reklamave pa leje

    Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka nisur një aksion për largimin e reklamave të vendosura pa leje në hapësirat publike, si pjesë e angazhimeve për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e rendit urban.

    Sipas Drejtoratit për Inspekcion, një reklamë e madhe është hequr në rrugën “Nëna Tereze”, pranë rrugës së Prishtinës në qendër të qytetit, ndërsa aksioni përfshin edhe largimin e reklamave të tjera që ndodhen në zona të ndryshme.

    “Inspektorët më 13 mars kishin vendosur shirita paralajmërues dhe njoftime në shtyllën e reklamës, duke informuar pronarin për pasojat e mundshme në rast mosveprimi. Reklama u hoq nga personat përgjegjës për vendosjen e saj,” njofton Drejtoria për Inspekcion.

    Sipas zyrës për informim të komunës, aksioni do të vazhdojë deri në largimin e të gjitha reklamave dhe gjësendeve të tjera të paligjshme në hapësirat publike.

  • Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani

    Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Gjermani

    Të premten, më 3 prill, në ora 20:15, do të mbahet finalja e madhe e spektaklit të njohur “The Voice Kids”, ku do të përcaktohet fituesi i këtij edicioni

    Në këtë natë vendimtare, secili talent do të performojë një këngë solo dhe më pas do të rikthehet në skenë për një performancë të përbashkët me trajnerin dhe ekipin e tij. Fituesi do të vendoset nga votat e publikut, të cilat mund të realizohen përmes aplikacionit Joyn, me telefon dhe përmes mesazheve.

    Në finale kanë arritur gjithsej 12 finalistë, të ndarë në katër grupe, ku secili grup përbëhet nga tre këngëtarë dhe udhëhiqet nga trajneri përkatës.

    Pjesë e finales është edhe Lionela Jakaj, 14-vjeçarja shqiptare që banon në Tulln të Austrisë dhe është me origjinë nga komuna e Gjakovës. Ajo është pjesë e grupit HE/RO dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut me paraqitjen e saj energjike dhe vetëbesimin në skenë,

    Lionela është prezantuar në spektakël me këngën “Easy” të Loredanës, ndërsa muzika rep mbetet stili që ajo e pëlqen më shumë. Sipas albinfo.at, Lionela tashmë mund të rivalizojë reperët e njohur për sa i përket vetëbesimit, duke u shprehur me moton e saj: “Nëse dua diçka, e arrij!”

    Sa i përket çmimit, talenti fitues i “The Voice Kids” do të shpërblehet me 20,000 euro fonde arsimore, si dhe me mundësinë për të prodhuar këngën e tij në bashkëpunim me “Embassy of Music”.

    Finalja pritet të sjellë emocione të mëdha, ndërsa Lionela Jakaj mbetet një nga emrat më të komentuar dhe shpresë e madhe për sukses në këtë garë prestigjioze./Albinfo

  • Nga sekonda në euro, pse koha e saktë ka rëndësi? Çfarë po ndodh me njehsorët e rrymës?

    Nga sekonda në euro, pse koha e saktë ka rëndësi? Çfarë po ndodh me njehsorët e rrymës?

    Debati disaditor se në Kosovë ka njehsorë elektrikë me orë tarifore të pasakta u kurorëzua më 1 prill, me tërheqjen e disa sosh prej funksionit nga një komision i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).

    Komisioni doli në terren pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale, publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në total – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

    Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë, shkruan Evropa e Lirë.

    Pse koha e saktë ka rëndësi?

    Sepse çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është ndryshe-ndryshe, varësisht se kur shpenzohet.

    Ekziston tarifa e lartë gjatë ditës, dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, në dimër aplikohet në periudhën kohore 22:00 – 07:00, ndërsa verës gjatë orëve 23:00 – 08:00.

    Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

    Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

    LDK-ja pretendon se qytetarët janë dëmtuar nga “një skemë e madhe mashtrimi”, meqë ata mund të kenë besuar se e kanë shpenzuar energjinë në orët kur zbatohet tarifa e ulët, por me dallimet në kohë ata kanë shpenzuar shumë më tepër.

    Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) tha në një konferencë për media, më 1 prill, se mospërputhjet janë çështje teknike dhe nuk përfaqësojnë manipulim. Sipas kompanisë, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë – por, në rast të identifikimit të pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”.

    “KEDS dhe KESCO [Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike] nuk mund të përfitojnë financiarisht nga kjo situatë. Një gjë të tillë nuk e lejon as korniza rregullative, e cila vendoset në bazë të parimit të të hyrave të lejuara maksimale”, thanë mes tjerash zyrtarë të kompanisë.

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) – e cila mbikëqyr KEDS-in dhe KESCO-n – është zotuar se do të marrë masa në rast të konstatimit të gabimeve në funksionimin e njehsorëve elektrikë, dhe ka rikujtuar se përgjegjës për kalibrimin e njehsorëve është Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, e cila funksionon në kuadër të MINTI-t.

    Pse po ndërrohen njehsorët?

    Një tjetër aspekt shumë i diskutuar në ditët e fundit ka të bëjë me ndërrimin e njehsorëve. Për KEDS-in, kjo procedurë është krejt normale dhe parashihet me rregulloret e punës.

    “U kemi dhënë përparësi njehsorëve me vjetërsi më të lartë. Kemi një sasi të vogël të njehsorëve mekanikë”, tha Flamur Kurtaj nga KEDS-i, duke përmendur se bëhet fjalë për pothuajse 10 për qind të njehsorëve të tillë në total, pasi rreth 70 për qind e njehsorëve janë digjitalë dhe 20 për qind janë inteligjentë – ku pasaktësitë në kohë janë të pamundshme.

    Kompania bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar janë instaluar 130 mijë njehsorë të rinj digjitalë në gjithë Kosovën.

    Por, Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP i tha Radios Evropa e Lirë se beson që ky veprim vetëm sa i rrit dyshimet që njehsorët nuk kanë qenë të saktë.

    “Fakti që këto ndryshime kanë nisur të bëhen në këtë moment tregon se kompania po tenton të fshehë gjurmë”.

    LDK-ja paralajmëroi që dosjen me mbi 500 dëshmi të qytetarëve për pasaktësitë në orët tarifore në njehsorë do ta dërgojë në Prokurori.

    “Ne i thërrasim organet kompetente që t’i hetojnë, edhe KEDS-in edhe Ministrinë, sepse këtu kemi të bëjmë me një skandal super serioz dhe super të madh. Nuk munden as KEDS-i dhe as Ministria të dalin dhe t’i tërheqin këta njehsorë, të pretendojnë që rastet janë të izoluara, pa pasur një hetim të plotë nga të gjitha organet e hetuesisë”.

    Gjithë këto diskutime bëhen pak kohë pas ankesave të qytetarëve për reduktime të rrymës.

    Ndonëse është vend që fle në thëngjill, Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë përmes dy termocentraleve të vjetra prej disa dekadash – Kosova A dhe Kosova B. Marrëveshjet për ndërtim të një termocentrali të ri kanë dështuar vite më parë.

    Kjo situatë e bën të pashmangshme blerjen e rrymës në vlera milionëshe në baza vjetore. Diçka e tillë reflektohet më pas në përcaktimin e tarifave vjetore të rrymës nga ana e ZRRE-së.

    Ky institucion shpall tarifat prej 1 prillit, të cilat vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues, mirëpo këtë vit vendimi është shtyrë për 1 maj.

    Disa operatorë energjetikë kanë kërkuar rritje të tarifave prej 20 për qind, por asgjë nuk është përcaktuar ende.

  • Spektakël “hapësinor”, pasagjerët në avion regjistrojnë nisjen e Artemis II nga lart

    Spektakël “hapësinor”, pasagjerët në avion regjistrojnë nisjen e Artemis II nga lart

    Disa nga pasagjerët e një fluturimi komercial patën privilegjin të shijonin një spektakël të jetës nga një perspektivë krejtësisht e ndryshme.

    Njëri prej tyre regjistroi, në një video disa sekondash, lëshimin e raketës Artemis II të NASA-s, në udhëtimin e parë të drejtuar nga njerëz në Hënë në më shumë se gjysmë shekulli.

    Mijëra njerëz nxituan drejt urave, parqeve dhe kodrave përreth Kepit Canaveral për të parë historinë.

    Tre astronautë amerikanë, Victor Glover, Christina Koch dhe Reed Wiseman, si dhe kolegu i tyre kanadez Jeremy Hansen, do të qëndrojnë në orbitën e Tokës për të kryer një sërë testesh, përpara se të lëvizin më vonë në drejtim të Hënës, rreth 384,000 kilometra larg Tokës ose një mijë herë më larg se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

  • Bebe Rexha dominon edhe në Shazam, kënga e saj e re “New Religion” është më e kërkuara nga fansat në këtë platformë

    Bebe Rexha dominon edhe në Shazam, kënga e saj e re “New Religion” është më e kërkuara nga fansat në këtë platformë

    Artistja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha ka ndarë së fundmi një tjetër sukses me fansat e saj, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare të muzikës.

    Kënga e saj më e fundit “New Religion”, në bashkëpunim me grupin Faithless, ka pasur një performancë të shkëlqyer në top-listat britanike dhe amerikane, madje duke arritur edhe vendin e parë në iTunes.

    Megjithatë, projekti muzikor po dominon edhe në një tjetër platformë të njohur globale, Shazam. Rexha ka ndarë me ndjekësit e saj në X (ish-Twitter) një fotografi që tregon se “New Religion” ndodhet aktualisht në krye të kërkimeve në Shazam.

    “Shazam nuk gënjen”, ka shkruar në X këngëtarja shqiptare me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

    Ky rezultat tregon se fansat e muzikës në mbarë botën po shprehin interes të madh për këngën, duke përdorur aplikacionin për të identifikuar titullin dhe artisten që e interpreton.

    “New Religion” konsiderohet një nga këngët më të suksesshme të albumit të saj të ri në ardhje, “Dirty Blonde”, i cili pritet të publikohet i plotë në qershor. Ky sukses i radhës forcon edhe më shumë pozicionin e Bebe Rexhës në tregun ndërkombëtar të muzikës dance dhe pop.

  • Zemaj- Kurtit: Pse e ki financu librin e Shkëlzen Gashit? Je në listë të zezë për ndërhyrje në pavarësinë mediave

    Zemaj- Kurtit: Pse e ki financu librin e Shkëlzen Gashit? Je në listë të zezë për ndërhyrje në pavarësinë mediave

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pas sulmeve që ky i fundit ia ka bërë mediave.

    Zemaj ka thënë se Kurti është futur ‘’në listën e zezë për ndërhyrje në pavarësinë e mediave’’.

    ‘‘Reporterët pa kufij, ambasadat, organizatat kredibile ndërkombëtare, të kanë vendos në listë të zezë për ndërhyrje në pavarësinë e mediave. Për çfarë po flasim sot? Për çfarë lirie dhe të drejtave të njeriut? Pse e ke financu Shkëlzen Gashin me botu libër me të pavërtetat e luftës? Jep llogari për ato para, që i ke shpërnda në krejt botën demokratike ato të pavërteta’’, ka thënë Zemaj.

  • ​Kadrijaj i thotë Hotit: Bëje një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, të takon

    ​Kadrijaj i thotë Hotit: Bëje një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, të takon

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj iu ka drejtuar ministrit për Punë, Familje dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hotit me një kërkesë në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës.

    Kadrijaj kërkoi nga Hoti të bëj një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, duke theksuar se i takon si djali i Ukshin Hotit.

    Kadrijaj kritikoi Qeverinë për vendosjen e rezolutës të propozuar nga PDK në rend të ditës, kundërshtimet nga ta se ku të vendoset, “më vjen keq çfarë derexhe ka ra kjo qeveri” tha ajo.

    “A kemi të drejtë ne si shtet t’i fyejmë këta viktima, ne po bëjmë padrejtësi, e po më vjen keq në çfarë derexhe ka ra kjo qeveri. Për një rezolutë e cila nuk është politike për me e mbrojt vlerat e luftës, kemi kundërshtime se ku të vendoset në rendin e ditës një rezolutë e tillë. Po e lus Andin Hotin si ministër, bëje një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, të takon, si djali i Ukshin Hotit, që nuk është gjetur”, tha Kadrijaj.

    Ajo kërkoi që të tërheqin edhe librin për masakra nga Shkëlzen Gashi, ku ka histori të pavërteta të popullit, e financuar nga ministria e Punëve të Jashtme, raporton kp.

    Ajo tha se është marre se vet shteti ka shpërnda librin në vende të ndryshme të Evropës.

    “Historia nuk ndryshohet, nuk mundeni me ndryshu me këto linçime e organizime që po i bëni, tërhiqeni edhe librin për masakra të Gashit që ka shkruar të pavërteta që është financuar nga ministria e punëve të jashtme e shpërnda nëpër vende të tjera. Vet shteti i Kosovës ka shpërnda libra me të pavërteta në vende të ndryshme të Evropës, marre”, shtoi ajo.

  • “Erdh mashtruesi, ke ushqy zagar …”, Albulena Haxhiu ia ndërpret fjalën Ramush Haradinajt

    “Erdh mashtruesi, ke ushqy zagar …”, Albulena Haxhiu ia ndërpret fjalën Ramush Haradinajt

    Albin Kurti ka paralajmëruar se projektligji për çmimet tavan do të rikthehet për votim në Kuvend, duke theksuar se synimi është mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi me çmimet e larta.

    Pas kësaj fjalën ka marrë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Ai hodhi akuza për keqmenaxhim në sektorin e energjisë, duke thënë se qeveria mban përgjegjësi për vjedhjet dhe faturat e larta, si dhe për, sipas tij, lidhje me kompani të afërta që përfitojnë nga tregu i energjisë.

    “Mashtrimi nuk është fyerje. Du me demasku këtë mashtrim. Që sa vjet në pushtet mban përgjegjësi për vjedhjet në energji për faturat, nuk mund të ikni. Nuk mund të fshihni pas çmimit tavan sepse oligark tu po shesin e po blejnë energji, po shtohen çdo ditë e më shumë kompanitë për njerëz të tu të afërt. E dyta po thotë po financohen mediat, ky më së shumti shpenzon pare duke ushqy zagar për me dy qytetarë.

    Pas këtyre deklaratave, Albulena Haxhiu, i tërhoqi vërejtjen për gjuhën e përdorur dhe më pas i ndërpreu fjalën, duke kërkuar respektim të rregullores së Kuvendit.

  • Bolton: Shqipëria ka rrezik për shkak të strehimit të opozitës iraniane

    Bolton: Shqipëria ka rrezik për shkak të strehimit të opozitës iraniane

    Ish-këshilltari sigurisë së SHBA-së, John Bolton në një intervistë për Euronews Albania, ka analizuar zhvillimet e fundit nga konflikti në Iran dhe pasojat.

    Bolton ka ngre pikëpyetje mbi objektivat e administratës së Donald Trump, ndërsa lufta ka hyrë në javën e pestë.

    Ai thekson se mungesa e një strategjie të qartë e bën situatën të paparashikueshme dhe rrit rrezikun e një konflikti të zgjatur.

    Sipas tij, ndryshimi i regjimit në Iran mbetet kyç për stabilitetin në Lindjen e Mesme, megjithëse një objektiv i vështirë për t’u arritur.

    Bolton paralajmëron gjithashtu për pasojat që kjo situatë mund të ketë për aleancat ndërkombëtare, përfshirë NATO.

    Në këtë kontekst, ai ndalet edhe te Shqipëria, duke theksuar se vendi përballet me rreziqe të mundshme për shkak të strehimit të opozitës iraniane, por njëkohësisht meriton mbështetje të veçantë nga aleatët për sigurinë e saj.

  • 10 ditë në hapësirë: Si shkatërrohet trupi njerëzor

    10 ditë në hapësirë: Si shkatërrohet trupi njerëzor

    Katër astronautë janë gati të nisen për një udhëtim 10-ditor drejt Hënës dhe mbrapsht – por çfarë do t’u bëjë 240 orë në hapësirë trupave të tyre?

    Ekspertët zbulojnë rreziqet shëndetësore, nga të përzierat e hapësirës deri tek “këmba e pulës” – humbja e muskujve dhe dobësimi i këmbëve.

    Edhe pse Artemis II konsiderohet një mision afatshkurtër, astronautët Reid Wiseman, Victor Glover, Jeremy Hansen dhe Christina Koch do të përballen me një sërë sfidash. Dr. Irene Di Giulio nga Qendra për Shkencat Njerëzore dhe Fizologjinë e Aplikuar në King’s College London shpjegon se rreziqet afatgjata janë “ndjeshëm më të ulëta” krahasuar me ata që qëndrojnë muaj të tërë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

    Megjithatë, ata do të ekspozohen ndaj niveleve të larta të rrezatimit, që mund të shkaktojnë nauze.

    “Trupi ka nevojë për disa ditë për t’u përshtatur, prandaj mund të përjetohet të përzierat e hapësirës. Lëvizja e lëngjeve nga pjesa e poshtme drejt kokës mund të shkaktojë siklet dhe ënjtje,” thotë ajo.

    Ndryshimet e papritura në ciklin dritë–errësirë dhe përdorimi i dritës artificiale mund të shkaktojnë shqetësime gjumi. Po ashtu, stresi mendor dhe izolimi, sidomos gjatë jetës në një hapësirë të mbyllur, mund të ndikojnë në performancë.

    Vitit të kaluar, imazhet para–dhe–pas treguan dëmet që 9 muaj në hapësirë shkaktuan tek astronautët Butch Wilmore dhe Suni Williams: humbje peshe, atrofi muskulore dhe dukje më e plakur.

    Astronautët e Artemis II nuk pritet të përjetojnë një rënie kaq të madhe të shëndetit të muskujve dhe kockave. “Efektet mbi muskujt dhe kockat nga misionet e gjata zakonisht shfaqen pas ekspozimeve të zgjatura ndaj gravitacionit të ndryshuar,” shpjegon Dr. Di Giulio. “Por humbja e kockave dhe dobësimi i muskujve mund të fillojë brenda disa ditësh, siç kanë treguar misionet e mëparshme të NASA-s.”

    Këto efekte nënvizojnë rëndësinë e ushtrimeve gjatë fluturimit për të mbrojtur kockat dhe muskujt. Aktivitetet para, gjatë dhe pas misionit ndihmojnë në reduktimin e këtyre ndikimeve. Të përzierat e hapësirës mund të reduktohen me trajnim dhe medikamente, dobësimi i muskujve me ushtrime në bord, ndërsa shqetësimet e gjumit me orar të strukturuar dhe dritë të kontrolluar.

    Gjatë misionit, ekuipazhi do të testojë çdo sistem të anijes Orion dhe do të mbledhë të dhëna biologjike për të kuptuar efektet e udhëtimit në hapësirën e thellë mbi trupin. Kjo do të ndihmojë në planifikimin e misioneve të ardhshme, përfshirë udhëtime të gjata drejt Marsit.

    Dr. Di Giulio shpjegon: “Artemis II është hapi i parë drejt uljes në Hënë dhe krijimit të një pranisë afatgjatë atje. Ka sfida të shumta për të minimizuar efektet e hapësirës mbi trupin njerëzor. Edhe pse misioni është i shkurtër, ai ofron të dhëna të vlefshme për misione më të gjata dhe praninë e qëndrueshme hënore.”

    NASA ka identifikuar pesë rreziqe kryesore të fluturimit njerëzor: rrezatimi hapësinor, izolimi dhe mbyllja, largësia nga Toka, gravitacioni dhe mjedise të mbyllura ose armiqësore. Misionet Apollo treguan edhe çështje shtesë në Hënë: pluhuri hënor dhe stabiliteti i lëvizjes.

    Nëse njerëzit ndonjëherë do të vendosin një bazë në Hënë, do të përballen me rrezatim që rrit rrezikun e kancerit, dëmtimit të organeve dhe ndikimit në sistemin nervor. Graviteti i Hënës është 1/6 i Tokës, duke shkaktuar dobësim të muskujve, humbje kockash dhe ndryshime kardiovaskulare që ndikojnë në tru dhe sy. Pluhuri hënor është i mprehtë dhe mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, lëkurën dhe sytë.

    Dr. Di Giulio thekson: “Për të krijuar një prani afatgjatë në Hënë, autonomia mjekësore është thelbësore. Habitatet duhet të kenë mjete diagnostikuese, furnizime mjekësore dhe ekuipazh të trajnuar për të trajtuar plagë apo sëmundje në mënyrë të pavarur.”

    Gjatë trajnimit për Artemis II, astronautët kanë mësuar emergjenca mjekësore në hapësirë, ndihmën e parë, CPR, kujdesin e plagëve dhe përdorimin e seteve mjekësore, duke praktikuar edhe në mjedise me mikrogravitet të simuluar, si nën ujë.