ATV

Author: K.B.

  • Çitaku: Kjo rezolutë nuk do të duhej të na ndante, por të na bashkonte

    Çitaku: Kjo rezolutë nuk do të duhej të na ndante, por të na bashkonte

    artia Demokratike e Kosovës (PDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesë vullneti në përkrahjen e rezolutës që synon mbrojtjen e viktimave të luftës.

    Meqë propozimi i tyre nuk u miratua që të vendoset si pikë e parë në rendin e ditës, përfaqësuesit e PDK-së braktisën seancën e Kuvendit. Më pas, deputetët Përparim Gruda dhe Vlora Çitaku dhanë deklarata për media në hollin e institucionit.

    Çitaku tha se kjo rezolutë do të duhej të bashkonte të gjitha partitë politike.

    Sipas saj, ky narrativ është pjesë e një qasjeje më të gjerë që e paraqet Kosovën si shtet të dështuar dhe luftën për pavarësi si të pasuksesshme, duke theksuar se një qasje e tillë reflektohet edhe në proceset që zhvillohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

    “Në thelb, kjo rezolutë nuk do të duhej të na ndante, por të na bashkonte. Ne kemi kërkuar një rezolutë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe viktimave të luftës në Kosovë. Ne kemi kërkuar që rezoluta në fjalë t’i obligojë institucionet që të mbrojnë luftën e drejtë dhe dinjitetin. Tekstin ua kemi shpërndarë grupeve parlamentare dhe e kemi protokolluar dje. I kemi marrë vërejtjet dhe propozimet nga LDK-ja, mirëpo VV-ja, ndonëse nuk ka dhënë asnjë propozim me shkrim, sot kërkoi që kjo çështje të trajtohet në fund si pikë e rendit të ditës. Ne si deputetë nuk kemi asnjë punë më të rëndësishme se miratimi i kësaj rezolute”.

    “Tash e një kohë të gjatë, ajo që kemi parë ditëve të fundit në sheshet e Prishtinës është shpërfaqje e një diskursi që tash e një kohë është impiantuar në shoqërinë tonë: relativizimi i luftës, relativizimi i krimit dhe përpjekja për të vendosur një balancë të paqenë mes agresorit dhe viktimës. Ky lloj narracioni hyn në kuadër të një narracioni më të gjerë, se Kosova është shkatërruar tash e 20 vite. Të gjitha këto janë pjesëza të të njëjtit mozaik që tentojnë ta paraqesin Kosovën si një dështim dhe luftën tonë për pavarësi si një përpjekje të pasuksesshme. Një narracion të ngjashëm kemi edhe në Gjykatën Speciale në Hagë. Janë mbi 20 vende evropiane që çështjen e viktimave të luftës e kanë trajtuar me ligj”.

    Ndërkaq, deputeti Përparim Gruda deklaroi se mosfutja e rezolutës në rend dite nuk është çështje procedurale, por vendim politik për të mos e mbështetur atë.

    “Refuzimi i kryetares së Kuvendit për ta futur si pikë të rendit të ditës nuk është teknik, është qëndrim për të mos e përkrahur rezolutën. Pra, është refuzim i rezolutës. Rezoluta ka vetëm një qëllim: të shprehë përkushtimin e Kuvendit dhe të marrë obligime për të ndërtuar të vërtetën e Kosovës”.

    Gruda shtoi se përmbajtja e kësaj rezolute është e ngjashme me praktikat e shteteve të tjera që kanë trajtuar çështje të tilla pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

  • Kuvendi i Kosovës miraton shtatë marrëveshje ndërkombëtare

    Kuvendi i Kosovës miraton shtatë marrëveshje ndërkombëtare

    Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë ditës së sotme ka miratuar një sërë marrëveshjes ndërkombëtare.

    Me 81 vota për u miratua Projektligji nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018”, dhe njëkohësisht u miratua edhe amendamenti nr-2 i këtij projektligji.

    Projektligji nr.10/L-0010 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017”, po ashtu kaloi me 81 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

    Deputetët votuan pro edhe për Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes së Kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.

    U miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.

    Të zgjedhurit e popullit votuan dhe e miratuan edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ‘Projekti me Shpejtësi të Lartë Prishtinë-Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.

    Edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë” kaloi me 81 vota për.

    Ndërsa u miratua edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.

  • “Shpërfilli” kuvendin e Mitrovicës së Veriut, Elshani: S’e kemi obligim ligjor të raportojmë

    “Shpërfilli” kuvendin e Mitrovicës së Veriut, Elshani: S’e kemi obligim ligjor të raportojmë

    Ishte ftuar të raportonte në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 27 mars 2026. Por, zëdhënësi i Drejtësisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut thotë se nuk iu përgjigj pozitivisht kësaj ftese meqë nuk e ka obligim ligjor.

    Elshani tregon për KosovaPress se obligimi ligjor i Policisë është që të raportojë vetëm në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), një organ që formohet nga kryetari i komunës dhe funksionon në bazë të udhëzimeve administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    “Fillimisht me thënë që ne nuk e kemi obligim me raportu para kuvendeve komunale kudo në Kosovë, nuk e kemi obligim ligjor. Obligim ligjor e kemi me raportu tek KKSB-ja, është një organ që formohet nga kryetari i komunës, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi. Aty, kur të formohet nga kryetari i komunës, që mundet me qenë një prift, një hoxhë, drejtori i shkollës, i fakultetit, dikush – nuk është me rëndësi – formohet një komision i caktuar aty që është i parapamë me udhëzime administrative të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty shkojmë dhe raportojmë, por jo para kuvendit komunal”, thotë ai.

    Ai thotë se ftesa të tilla kanë marrë edhe më parë.

    “Ne kemi pasur raste kur kemi një raportim vjetor, mirëpo ai raportim vjetor mund të mbahet në vendin ku mbahet seanca e kuvendit komunal, sepse është vendi më i mirë dhe më i hapur për njerëzit dhe mund të marrin pjesë të gjithë. Ne e ftojmë raportimin, ne e bëjmë raportimin, por nuk kemi obligim me shku edhe me raportu para kuvendit komunal. Kemi pasur ftesa nga Leposaviqi fillimisht, nga Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut, por ne nuk do të raportojmë me kërkesë të Kuvendit Komunal. Çdo herë kur kryetarët e komunave na thërrasin, komandantët e stacioneve shkojnë dhe flasin me ta tek KKSB-ja, ku e kemi obligim me raportu”, thotë Elshani.

    Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut i ka bërë ftesë komandantit të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, që të raportojë për situatën e sigurisë në këtë komunë, në mbledhjen e katërt të rregullt të mbajtur, më 27 mars 2026.

    Megjithatë, mosprezenca e tij në këtë seancë ka nxitur debat të ashpër mes përfaqësuesve politikë lokalë, të cilët kanë shprehur qëndrime të kundërta për obligimet ligjore dhe bashkëpunimin institucional.

  • “Paralajmërimi i ambasadës së SHBA s’është pa bazë”, Berisha thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë

    “Paralajmërimi i ambasadës së SHBA s’është pa bazë”, Berisha thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë

    Kryedemokrati Sali Berisha i bëri sot thirrje NATO-s që të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë, një ditë pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane për sulme të mundshme të Iranit në Shqipëri.

    “Paralajmërimi i ambasadës së SHBA nuk është pa bazë! I bëj thirrje NATO-s të forcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë”, tha Berisha për mediat.

    Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit, Berisha u shpreh: “Në pjesën e parë tha ashtu jemi, pastaj tha e kanë fuqitë e mëdha, shtetet. Edhe herën tjetër, mbaje mend këtu, do thotë ata imperialistët, gjithmonë e kanë pasur problemin me Shqipërinë”.

    Ambasada Amerikane në Tiranë dha dje alarmin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, në shënjestër mund të jenë edhe vende të zakonshme, si zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. /a2cnn/

  • Rrahmani: Rron Gjinovci e Shkëlzen Gashi janë forma e qeverisjes së Albin Kurtit – Sot Haxhiu dhe VV dolën në mbrojtje të ekspozitës

    Rrahmani: Rron Gjinovci e Shkëlzen Gashi janë forma e qeverisjes së Albin Kurtit – Sot Haxhiu dhe VV dolën në mbrojtje të ekspozitës

    Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani ka reaguar pasi në Kuvendin e Kosovës, nuk u lejua të diskutohet dhe të vendoset në pikë të parë të rendit të ditës draft-rezoluta për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

    Ai ka thënë se Rron Gjinovci dhe Shkëlzen Gashi janë fytyra, zëri, vepra dhe forma e qeverisjes së Albin Kurtit.

    “Agjenda që ka Lëvizja Vetëvendosje është materializuar në mënyrë konkrete te këta dy individë. Sot në Kuvend, financuesja e ekspozitës, Albulena Haxhiu, dhe Vetëvendosje dolën në mbrojtje të ekspozitës, duke mos lejuar debat në Kuvend për këtë çështje”, ka shkruar Rrahmani në Facebook.

  • Kusari-Lila: Janë parashtruar 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve

    Kusari-Lila: Janë parashtruar 206 kërkesa për verifikim të njehsorëve

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka folur mbi raportimet për keqllogaritje të kohës nga njehsorët elektrikë.

    Në seancën plenare të Kuvendit, Kusari-Lila bëri të ditur se në kuadër të ministrisë që ajo drejton, është themeluar komisioni për të mbikëqyrur këtë çështje.

    “Deri në momentin kur çështja është aktivizuar publikisht, nuk ka pasur asnjë kërkesë tek Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit. Ndërsa dje kanë qenë 73 kërkesa për verifikim të njehsorëve sot janë bërë 206 kërkesa”, tha ajo.

    Pos tjerash, ajo u deklarua edhe për fryrjen e çmimeve të naftës.

  • “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    “Pesë fytyrat e heshtjes” vjen si shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar më 4 prill

    Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 4 prill 2026, në orën 20:00, do të shfaqet pjesa mysafire “Pesë fytyrat e heshtjes”.

    Shfaqja vjen me regji të Ilir Bokshit dhe skenografi nga Divni Gushta, ndërsa asistent i regjisorit është Astrit Fani. Në skenë do të paraqiten aktorët Adrian Morina, Albulena Bokshi, Ina Morinaj, Uratë Shabani, Nikolin Ferketa dhe Fritz Selmani.

    Sipas njoftimit, publiku i interesuar mund të rezervojë biletat duke dërguar SMS me emrin, mbiemrin dhe numrin e biletave në numrin 044 430 693.

    Kjo shfaqje pritet të sjellë një tjetër mbrëmje artistike për dashamirët e teatrit në vend.

  • Irani: Në Hormuz do kalojnë anijet që nuk kanë lidhje me SHBA dhe Izrael

    Irani: Në Hormuz do kalojnë anijet që nuk kanë lidhje me SHBA dhe Izrael

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit thotë se po lejon anijet të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit rruga kryesore e transportit të naftës për sa kohë që “nuk i përkasin agresorit dhe nuk lidhen me ta”.

    Në një intervistë për kanalin televiziv Newzroom Afrika, Esmail Baghaei thotë se anijet do të lejohen të kalojnë përmes ngushticës “pas koordinimit të nevojshëm me autoritetet tona”.

    Duke iu referuar konfliktit më të gjerë, Baghaei thotë se Irani nuk do të tolerojë një “cikël të egër lufte, negociatash dhe armëpushimi”.

    Në qershor, një luftë 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit përfshiu SHBA-në që sulmoi disa nga objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit.

    “Thanë le të ndalim, kështu që ne ndaluam, dhe pas nëntë muajsh, ata filluan përsëri,” thotë Baghaei.

  • Tahiri: AAK do e votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, le t’na hetojë mua e Kurtin të partë, të këqyrim kush sa ka

    Tahiri: AAK do e votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, le t’na hetojë mua e Kurtin të partë, të këqyrim kush sa ka

    Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, duke thënë se ky i fundit po mundohet që ta bartë tek opozita përgjegjësinë për disa çështje.

    Tahiri, po ashtu, ka thënë se Kurti po synon zgjedhjet për çështjen e presidentit, duke theksuar se deri më tani nuk ka asnjë veprim për zgjidhjen e kryetarit të shtetit.

    Deputeti i AAK’së po ashtu ka deklaruar se AAK do ta votojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, duke thënë se kjo byro le ta hetojë atë dhe Kurtin së pari.

    ‘‘Kryeministri u mundu me na e bartë përgjegjësinë neve di deputetët të opozitës, për çështje që janë saktësisht të qarta. Kanë kalu 8 ditë, nuk ka asnjë veprim se don me na çu deri në moment të fundit me bllokadën e njëjtë, e me i thirre edhe njëherë 1 milion qytetarë me dalë me votu. Është përgjegjësia e kësaj partie me gjet zgjidhje e jo me bart fajin e me sjell një kandidat të vet. AAK do ta votojë byronë për konfiskimin e pasurisë. I tham kryeministrit le të jam unë i pari, e ky i dyti, le ta na hetohet pasuria. E të këqyrim qysh u artrit ajo pasuri, sa kam unë e sa ka ky për shembull’’, ka deklaruar Tahiri.

  • Moskompletimi i KQZ-së, Behrami thirrje Vjosa Osmanit: Mos e lër këtë në dorë të një militanteje si Albulena Haxhiu

    Moskompletimi i KQZ-së, Behrami thirrje Vjosa Osmanit: Mos e lër këtë në dorë të një militanteje si Albulena Haxhiu

    Deputeti i PDK-së Artan Behrami ka folur lidhur me mos emërimin e anëtarit të dhjetë në KQZ-së nga presidentja Osmani të cilës vetëm veç së po i përfundon afati.

    Behrami gjithashtu ka pasur një kërkesë drejtuar Osmanit, ”mos ia lë këtë në dorë një militanteje si Albulena Haxhiu”.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar edhe njëherë nga presidentja Osmani që të emërojë të dytin në KQZ nga partia Demokratike e Kosovës sidomos pas vendimit të gjykatës kushtetuese prandaj ne presim që urgjentisht ajo edhe në frymën e këtij vendimi por edhe në frymën e argumentit që ne i kemi dhënë si parti të vendos për lirinë e dytë qe PDK duhet ta ketë patjetër në KQZ”, tha ai ndër të tjera.