ATV

Author: K.B.

  • “Takim mjaft vëllazëror”, ambasadori Malaj deklarohet pas bisedës me Konjufcën

    “Takim mjaft vëllazëror”, ambasadori Malaj deklarohet pas bisedës me Konjufcën

    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, takimin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka përshkruar si “mjaft vëllazëror dhe produktiv”.

    Ambasadori Malaj tha se “gjatë bisedës, u ndalëm në mënyrat dhe mundësitë konkrete për të dinamizuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy ministrive tona të jashtme, si dhe për të forcuar më tej koordinimin dhe bashkëpunimin, në funksion të mbrojtjes sa më efektive të interesave të qytetarëve tanë”.

    Postimi i plotë:

  • ‘‘Thasë parash’’, Musliu: Prokuroria t’i ftojë për intervistim Kurtin e Nagavcin për deklaratat e tyre publike

    ‘‘Thasë parash’’, Musliu: Prokuroria t’i ftojë për intervistim Kurtin e Nagavcin për deklaratat e tyre publike

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj mediave nga ana e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se prokuroria duhet ta ftojë atë për intervistim.

    Musliu ka shtuar se, opinioni duhet ta dijë të vërtetën kur ‘’hidhen akuza për financim të mediave nga burime të ndryshme’’.

    ‘‘Kush janë këto media? Nga kush financohen? Cilat janë provat? Nëse ka fakte, ato duhet të dalin në dritë. Nëse jo, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për deklarata që cenojnë besimin në media dhe në institucionet e vendit’’, ka shtuar ajo mes tjerash.

    Postimi:

    Shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi deklarata të përgjithshme dhe me propagande, por ndërtohet mbi fakte dhe përgjegjësi.

    Prokuroria duhet të veprojë pa hezitim: të ftojë për intervistim Albin Kurtin dhe Arbërie Nagavcin për deklaratat e tyre publike.

    Kur hidhen akuza për financim të mediave nga burime të dyshimta, opinioni publik ka të drejtë dhe duhet ta të dijë të vërtetën.

    Kush janë këto media? Nga kush financohen? Cilat janë provat?

    Nëse ka fakte, ato duhet të dalin në dritë. Nëse jo, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për deklarata që cenojnë besimin në media dhe në institucionet e vendit.

    E vërteta nuk mund të mbetet peng i fjalëve, ajo duhet të mbështetet në prova.

  • Komunitetet fetare në Shqipëri përfitojnë 203 milionë lekë nga buxheti i shtetit sivjet

    Komunitetet fetare në Shqipëri përfitojnë 203 milionë lekë nga buxheti i shtetit sivjet

    Komunitetet fetare në Shqipëri do të përfitojnë këtë vit një fond prej 203 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, duke shënuar një rritje prej rreth 60 milionë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.

    Pjesa më e madhe e këtij fondi, mbi 57 milionë lekë, i është akorduar Komunitetit Mysliman. Ndërkohë, Kisha Ortodokse Autoqefale dhe Kisha Katolike do të përfitojnë secila nga 48.6 milionë lekë. Për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane është parashikuar një shumë prej 48.35 milionë lekësh.

    Këto fonde përdoren kryesisht për të mbuluar një pjesë të pagave të punonjësve të komuniteteve fetare. Përveç kësaj, për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane janë ndarë edhe 28 milionë lekë shtesë si kontribut për ndërtimin e Teqesë së Shtufit në Gjirokastër.

    Shpërndarja e fondeve bëhet në përpjesëtim me numrin e besimtarëve të secilit komunitet, bazuar në të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023. Sipas këtij censi, mbi 1.1 milionë qytetarë janë deklaruar myslimanë, rreth 202 mijë katolikë, afro 173 mijë ortodoksë dhe pak më pak se 116 mijë bektashinj.

    Ndërkohë, në buxhetin e këtij viti nuk është parashikuar ende një fond i veçantë për projektin e “Parkut të Besimit”. Ky projekt, i cili synon të promovojë bashkëjetesën fetare, mbetet për momentin i pezulluar.

    Parku është planifikuar të ndërtohet në një sipërfaqe prej 210 mijë metrash katrorë pranë luginës së Erzenit dhe pritet të mirëpresë deri në 30 mijë vizitorë në vit. Brenda tij do të ndërtohen ambiente për aktivitete të ndryshme, duke përfshirë edhe evente me kapacitet deri në 500 persona. Struktura e parkut do të pasqyrojë simbolet e besimeve të ndryshme fetare, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për komunitetet.

  • Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

    Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

    Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

    Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

    “Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

    “Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

    Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues.

  • Paralajmërimi i ShBA-së për sulme nga Irani, deklarohet Presidenca shqiptare

    Paralajmërimi i ShBA-së për sulme nga Irani, deklarohet Presidenca shqiptare

    Ambasadave e ShBA-së në Tiranë gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se Shqipëria mund të jetë cak i sulmeve nga Irani.

    Lidhur me këtë, mediat dhe opozita ka bërë thirrje që të mblidhet Këshilli i Sigurisë.

    E për këtë ka reaguar sot Presidenca e Shqipërisë, duke dhënë sqarim lidhur me funksionet e këtij organi.

    Zyra e Shtypit e Presidentit thekson se Këshilli i Sigurimit Kombëtar është një organ këshillimor në mbështetje të kreut të shtetit, i cili nuk merr vendime për çështjet që diskuton.

    Në vlerësimin e kreut të shtetit, të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe po ndjekin nga afër situatën. Po ashtu, theksohet se mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë, ndërsa bashkëpunimi mes institucioneve dhe me partnerët ndërkombëtarë konsiderohet në nivele shumë të larta.

    “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor në mbështetje të Presidentit të Republikës për ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të veta kushtetuese dhe ligjore. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime për çështjet që diskuton. Këshilli përbëhet nga drejtues të organeve të larta shtetërore dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Presidencës për mediat shkruan A2.

    “Presidenti i Republikës është në kontakt të përditshëm me institucionet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe informohet prej tyre për çdo situatë dhe skenar, si dhe për të gjtha masat që merren në kuadër të protokolleve të sigurisë. Presidenti i Republikës ka konstatuar se të gjitha institucionet relevante janë vigjilente dhe në ndjekje të plotë të situatës. Mekanizmat ekzekutivë të sigurisë janë aktivë dhe funksionalë. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka konstatuar se bashkëpunimi institucional dhe ai me partnerët e huaj e ndërkombëtarë është në nivele tejet të larta. Presidenti i Republikës vijon komunikimin me institucionet përgjegjëse për sigurinë publike dhe kombëtare, të cilat janë në koordinim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me partnerët tanë, si dhe në krye të detyrës për përmbushjen e detyrimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore”, vijon reagimi i Presidencës.

  • KFOR-i kryen stërvitje me helikopterë në Pejë

    KFOR-i kryen stërvitje me helikopterë në Pejë

    Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-Ë)të KFOR-it, zhvilluan stërvitje me helikopterë me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e koordinimit ndërmjet avionëve dhe trupave tokësore në Camp Villaggio Italia në Pejë.

    KFOR-i, përmes një postimi në Facebook, potencoi se këto aktivitete janë të fokusuara në transportin e personelit, evakuimin mjekësor dhe skenarët emergjent.

    “Personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situative, duke pasqyruar angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

  • Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Flamur Noka godet me shishe uji Taulant Ballën

    Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Flamur Noka godet me shishe uji Taulant Ballën

    Gjatë një seance të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Flamur Noka ka goditur me një shishe uji Taulant Ballën.

    Pas debateve të ashpra ku Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës Flamur Nokës dhe bllokimit të foltores nga deputetët e PD, seanca u ndërpre.

    Gjatë momentit kur u ndërpre senaca, Flamur Noka i rrethuar nga deputetët e tjerë është afruar tek Balla dhe ka goditur me një shishe uji Ballën./TCH

  • Musliu-Shoshi: Deklarata e Kurtit për mediat, presion politik i maskuar si shqetësim etik

    Musliu-Shoshi: Deklarata e Kurtit për mediat, presion politik i maskuar si shqetësim etik

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e ka cilësuar të rrezikshme deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me mediat duke i etiketuar si “argatë të brendshëm”

    Musliu-Shoshi tha se kjo është një përpjekje e Kurtit për të delegjitimuar fjalën e lirë dhe për të frikësuar zërat kritikë në vend.

    “Kur Kryeministri flet për “thasë parash”, për “argatë të brendshëm” dhe për “ndikime të fshehta”, pa ofruar asnjë fakt konkret dhe pa ndjekur rrugë institucionale, ai nuk po mbron demokracinë por ai po ndërton një narrativë të rrezikshme kundër mediave. Kjo nuk është transparencë. Ky është presion politik i maskuar si shqetësim etik. Në një demokraci funksionale, akuzat për financime të paligjshme nuk bëhen nga podiumet politike për konsum publik, por adresohen në institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ajo.

    Musliu-Shoshi ka shtuar se demokracia mbrohet duke i lënë mediat të lira edhe kur janë kritike ndaj pushtetit.

    “Si Kryetare e Komisionit për Media, e konsideroj këtë gjuhë të papranueshme dhe potencialisht të dëmshme për klimën demokratike në vend. Mediat nuk mund të vendosen nën hijen e dyshimeve të përgjithësuara, sepse kjo krijon një ambient frike dhe autocensure. Po, transparenca është e domosdoshme. Po, pavarësia duhet të mbrohet. Por ajo nuk mbrohet duke hedhur akuza të paargumentuara ndaj të gjithëve. Ajo mbrohet duke forcuar institucionet, duke respektuar lirinë editoriale dhe duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar narrativën publike”, ka shkruar ajo.

  • Meka po bëhet me aeroport, pelegrinët do të udhëtojnë më shpejt në Haxh

    Meka po bëhet me aeroport, pelegrinët do të udhëtojnë më shpejt në Haxh

    Një zyrtar saudit ka konfirmuar se Meka, qyteti më i shenjtë i Islamit, së shpejti do të ketë një aeroport.

    Në një intervistë me Harvard Business Review Arabia, Saleh Al-Rasheed, Drejtor Ekzekutiv i Komisionit Mbretëror për Qytetin e Mekës dhe Vendet e Shenjta (RCMC), tha se “udhëzimet strategjike, ekonomike dhe të investimeve për Aeroportin e Mekës janë miratuar”.

    Ai shtoi se si pjesë e këtij projekti, Komisioni Mbretëror, një entitet qeveritar i ngarkuar me zhvillimin, planifikimin dhe shërbimet në Mekë dhe vendet e shenjta përreth, do të punojë me sektorin privat për të zhvilluar një model të përshtatshëm për investimin e projektit.

    Meka aktualisht nuk ka aeroportin e vet ndërkombëtar funksional.

    Megjithatë, në vitin 2024, Mbretëria e Gjirit eksperimentoi me mjete ajrore autonome elektrike për të eksploruar potencialin për lehtësimin e udhëtimit në raste emergjence, si dhe për të shpërndarë pajisje mjekësore, raportoi Arab News.

    Në vend të kësaj, shumica e vizitorëve ndërkombëtarë zgjedhin të fluturojnë për në Aeroportin Ndërkombëtar të Mbretit Abdulaziz në Xheda, i cili është afërsisht 100 km larg qytetit të shenjtë, dhe të udhëtojnë pjesën tjetër të rrugës për në Mekë me rrugë tokësore.

    Raportohet se terreni malor i Mekës paraqet sfida për udhëtimin ajror, duke përfshirë turbulenca, qasje të vështira dhe probleme të mundshme me dukshmërinë dhe motin.

    Ndryshe, Vitin e kaluar, Arabia Saudite priti më shumë se 1.5 milion pelegrinë të huaj për Haxh , të cilët mbërritën nga jashtë vendit përmes pikave të ndryshme të hyrjes, sipas të dhënave nga Autoriteti i Përgjithshëm për Statistikat (GASTAT).

    Në total kishte më shumë se 1.6 milion pelegrinë.

  • I akuzuari për vrasjen në Hajvali: Vrasjen e kreu vëllai im i mitur, jam munduar ta marr përgjegjësinë për ta shpëtuar atë

    I akuzuari për vrasjen në Hajvali: Vrasjen e kreu vëllai im i mitur, jam munduar ta marr përgjegjësinë për ta shpëtuar atë

    Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Shkumbin Kryeziut, i cili ngarkohet për vrasjen e V.Xh., në dhjetor të 2021-ës në Hajvali, gjatë fjalës përfundimtare deklaroi se ai nuk e ka kryer vrasjen për të cilën ngarkohet por që kryerësi është vëllai i tij i mitur, për të cilin është munduar ta marrë përgjegjësinë.

    “Është e vërtetë që unë te vëllau jem jam mundu me marrë përgjegjësinë komplet, me qëllim me shpëtu vëllaun tem nga burgu. Por, këtë gjë e ka vërtetu gjykata- të trija shkallët te vëllau jem se deklarimet e mia kanë qenë jo të vërteta dhe se vrasjen e ka kryer vëllau jem i mitur. Unë nuk e kam kry këtë vrasje, këtë vepër, dhe sot ju kisha lut juve të mos më dënoni për diçka që nuk e kam ba unë dhe të mos ma shkatërroni jetë. Përveç keqardhjes, nuk kam çka me shtu tjetër”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kryeziu, avokati Florent Latifaj, deklaroi se duke u bazuar në fjalën e tij përfundimtare të dhënë në shqyrtimin gjyqësor paraprak, dëshmitë e dëshmitarëve, ekspertizën e rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe dëgjimin e të akuzuarit, propozon që i njëjti të lirohet nga akuza ngase nuk është kryerës i veprës penale.

    Gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, prokurori i rastit Arben Hoti kërkoi nga Gjykata që Kryeziu të dënohet për veprimet e tij dhe pasojën që shkaktoi e jo për atë që tentoi të thotë gjatë këtij gjykimi.

    Po ashtu, ai propozoi që Kryeziu të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore.

    Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Alban Krasniqi, tha se mbështet fjalën e prokurorit dhe kërkon që i akuzuari të shpallet fajtor, të kualifikohet vepra penale në “Vrasje të rëndë” dhe të dënojë të akuzuarin me dënim maksimal.

    Paraprakisht në këtë seancë, i akuzuari Kryeziu deklaroi se për veprën penale të armëmbajtjes pa leje e pranon fajësinë, ndërsa sa i përket mbrojtjes së tij, tha se është deklaruar njëherë në Prokurori dhe një herë e ka dhënë mbrojtjen e tij para një trupi tjetër gjykues, andaj nuk dëshiron të deklarohet përësi.

    “Nuk kisha pas dëshirë të deklarohem prapë, sepse mbrojtja jem do të mund të shkaktonte tension në sallë, por nëse ju keni ndonjë pyetje mund të përgjigjem”, deklaroi i akuzuari Kryeziu.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 25 korrik 2024, e kishte dënuar të akuzuarin Kryeziu me 20 vite burgim. Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me vendimin e përpiluar më 5 shkurt 2025, përmes të cilit thuhet se në rigjykim duhet të administrohen edhe një herë provat, të vlerësohet mendimi i ekspertit mjeko-ligjor nëse ftohet edhe një herë, të shihet nga Agjencia Kosovare e Forenzikës (AKF) ekzaminimi i mjetit të sekuestruar, e që nëse nuk është bërë ekzaminimi, të bëhet i njëjti.

    Ndryshe, për veprën penale “Mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve”, Kryeziu kishte pranuar fajësinë më 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar. Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, thuhet se më 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në aktakuzë thuhet se pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh., në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh. dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre, duke i rënë rrugës më të shkurtër në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku në oborrin e shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh. me fjalët “çka po më kqyr?”.

    Ndërsa tani i ndjeri V.Xh. thuhet se ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metrash, dhe në të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh. “ik se ka thikë”. Në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë, së bashku me të miturin A.K., e kanë ndjekur tani të ndjerin V., me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli. Ky i fundit është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V., të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.Xh., me dashje që ta privojnë nga jeta, i pandehuri Shkumbin dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V.

    Ata kanë vazhduar ta ndjekin dhe, derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh., i pandehuri dhe i mituri i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim, duke i thënë: “Ik se ta bajna ma zi se atina.”

    Sipas aktakuzës, dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V., i cili në ato momente ishte ende duke ikur, kur përnjëherë ishte rrëzuar për tokë dhe ka qenë i tëri i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën”, e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë, ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

    Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet se në bashkëkryerje me të miturin A.K. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Sipas dispozitivit të dytë, në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrimin “Leatherman Sidekick”, të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si në dispozitivin I të aktakuzës dhe të cilën policia e ka gjetur dhe sekuestruar nga i pandehuri Kryeziu gjatë arrestimit të tij.

    Me këtë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par. 1 të KPRK-së.