ATV

Author: K.B.

  • OKB paralajmëron: Çmimet e ushqimeve rrezikojnë krizë për 5 milionë njerëz në vendet arabe

    OKB paralajmëron: Çmimet e ushqimeve rrezikojnë krizë për 5 milionë njerëz në vendet arabe

    Një rritje prej 20% e çmimeve globale të ushqimeve mund të çojë në krizë ushqimore për rreth 5 milionë persona nga shtresat e mesme dhe të varfra në vendet arabe, njoftoi sot Komisioni Ekonomik dhe Social i OKB-së për Azinë Perëndimore (ESCWA).

    Raporti i fundit i OKB-së nënvizon se situata është e brishtë dhe mund të përkeqësohet, veçanërisht në vendet më të varfra ose të përfshira në konflikte, që varen shumë nga importet e ushqimit dhe nuk kanë kapacitet për të përballuar goditjet ekonomike.

    Eksportet e naftës nga Gjiri kanë rënë 75–90% që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael, ndërsa çmimi i naftës ka shkuar mbi 112 dollarë për fuçi. Kjo ka rritur koston e transportit dhe ka përkeqësuar deficitin buxhetor.

    Rreth 40 milionë njerëz në rajon varen nga uji i përpunuar nga Gjiri, duke i bërë ata shumë të ndjeshëm ndaj dëmtimeve të infrastrukturës ose ndotjes. Për më tepër, vendet arabe importojnë shumicën e grurit dhe kanë rezervat vetëm për disa muaj, gjë që e bën sistemin ushqimor jashtëzakonisht të dobët.

    ESCWA bën thirrje për veprime urgjente, duke përfshirë krijimin e rezervave strategjike, diversifikimin e rrugëve të tregtisë dhe investime në infrastrukturë më të qëndrueshme. Pa ndërhyrje të menjëhershme, konflikti mund të rrisë varfërinë, tensionet sociale dhe të dëmtojë zhvillimin ekonomik.

    Sipas një raporti të mëparshëm, humbjet për ekonomitë arabe mund të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë brenda vetëm një muaji.

  • Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, shqyrtohen masat për produktet bazë

    Kurti mbledh sot kabinetin qeveritar, shqyrtohen masat për produktet bazë

    Qeveria e Kosovës do të mbajë mbledhje të premten, rreth një orë e gjysmë para se të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit.

    Pikërisht, në këtë mbledhje, ekzekutivi pritet të shqyrtojë projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

    Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Si pasojë e situatës në Lindjen e Mesme, që nga shkurti edhe në Kosovë ka nisur shtrenjtimi i naftës dhe i disa produkteve tjera.

    Në rend dite, në mbledhjen e Qeverisë janë edhe disa pika të tjera.

    Ndërkohë, sa i përket rritjes së çmimit të naftës, të premten, edhe Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, e thirur nga LDK-ja, por e mbështetur edhe nga PDK-ja dhe AAK-ja.

  • Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për naftën

    Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për naftën

    Qeveria e Kosovës pritet të shqyrtojë sot projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg sot në mbledhjen e planifikuar për në orën 9:30.

    Sipas agjendës, mbledhja pritet t’i ketë 16 pika. Ndër to është edhe ajo e çështjes së çmimeve në kohë kur tregu është jostabil. Një ligj i tillë në mandatin e shkuar, ai për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

    Në Kosovë ka nisur një valë e re inflacioni, qëkur më 28 shkurt si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite mbi Iran nisi shtrenjtimi i naftës në nivel bote.

    Për të ndikuar në uljen e çmimit të derivateve, partitë opozitare kanë rekomanduar uljen e akcizës ose të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Megjithatë, Qeveria ka refuzuar.

    Sot pritet të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, pikërisht mbi këto kërkesa të opozitës.

    Kjo është kërkuar nga LDK-ja, me mbështetjen edhe të deputetëve të partive të tjera opozitare, PDK dhe AAK.

    Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i një rezolute “për rritjen e çmimeve të naftës, mungesës së ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në koston e jetës, si dhe stabilitetin ekonomik të vendit”.

    Seanca do të mbahet me fillim prej orës 11:00.

    Shefja e deputetëve të LDK-ë, Jehona Lushaku Sadriu ka thënë se është urgjente ndërhyrja e ekzekutivit për rastin e rritjes së çmimeve.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahje edhe të deputetëve të PDK-së dhe AAK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Nafta po shtrenjtohet çdo ditë. Çmimet po rriten. Derisa, qytetarët po varfërohen. E Qeveria? Spektatore. Kërkojmë veprime të menjëhershme. Transparencë. Masa konkrete. Qytetarët nuk janë bankomat i Qeverisë!” ka shkruar shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku.

    Në rend dite në mbledhjen e Qeverisë janë edhe shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, ai për shtetësinë e Kosovës, ai për lëndët plasëse e ai për Maturën Shtetërore.

    Po ashtu priten shqyrtime edhe të disa projektligjeve të tjera si dhe nisma për një marrëveshje për bashkëpunim ushtarako-financiar me Turqinë.

  • Gjukanoviq para drejtësisë, sot vazhdon gjykimi për rastin e spiunazhit

    Gjukanoviq para drejtësisë, sot vazhdon gjykimi për rastin e spiunazhit

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e radhës ndaj të akuzuarës Jelena Gjukanoviq, e akuzuar për spiunazh.

    Seanca gjyqësore nis në orën 09:00.

    Serbja Jellena Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua më 28 shkurt të vitit 2025 në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

    Gjukanoviq dyshohet për spiunazh në bashkëpunim me një tjetër person, i cili po ashtu është nën hetime.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe, në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimum pesë vjet burg.

    Gjukanoviq dyshohet të ketë bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA).

  • Parashikimi i motit për të premten

    Parashikimi i motit për të premten

    Të premten parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu.

    Era do të fryjë nga veriu, me shpejtësi prej 10-37 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 9°C.

  • Aleatët përfshirë Kosovën paralajmërojnë sanksione ndaj Iranit në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit

    Aleatët përfshirë Kosovën paralajmërojnë sanksione ndaj Iranit në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit

    Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ka udhëhequr një samit virtual me më shumë se 40 vende, duke diskutuar situatën e tensionuar në Ngushticën e Hormuzit.

    Takimi u mbajt pas shqetësimeve se Irani po tenton të ndalojë lundrimin e lirë dhe të ndikojë në ekonominë globale.

    Në deklaratën përfundimtare, kryesuesja e takimit theksoi se “Irani po përpiqet ta mbajë peng ekonominë globale në Ngushticën e Hormuzit. Ata nuk duhet të triumfojnë.”

    Vendet pjesëmarrëse ranë dakord për nevojën e një përgjigjeje të koordinuar për të siguruar rihapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të rrugës ujore dhe respektimin e parimeve themelore të lirisë së lundrimit dhe ligjit të detit.

    Mes fushave të veprimit të mundshme të propozuara janë:

    Rritja e presionit diplomatik ndërkombëtar, përfshirë edhe përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara;

    Shqyrtimi i masave ekonomike dhe politike të koordinuara, përfshirë sanksionet, në rast se ngushtica mbetet e bllokuar;

    Bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare Detare për lirimin e mijëra anijeve dhe marinarëve të bllokuar;

    Marrëveshje për mbështetjen e besimit në treg dhe në operacionet detare.

    Samiti konfirmoi vendosmërinë e aleatëve për të mos lejuar që bllokimi i këtij një prej kanaleve më të rëndësishme të transportit detar në botë të ndikojë në tregjet globale, raporton Skynews.

  • Arrestohet i dyshuari për mashtrim me prona në Ferizaj, dëmi rreth 3 milionë euro

    Arrestohet i dyshuari për mashtrim me prona në Ferizaj, dëmi rreth 3 milionë euro

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të hetimeve për një rast të mëhershëm, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë intervistuar sot një person në cilësinë e të dyshuarit për disa vepra penale që lidhen me tjetërsimin e kundërligjshëm të një prone në Ferizaj.

    Sipas policisë, bëhet fjalë për personin me inicialet B.L., i lindur në vitin 1990, i cili dyshohet se në bashkëveprim me persona të tjerë ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

    “Sot më datën 02.04.2026 është intervistuar personi B.L., (1990) në cilësinë e të dyshuarit, pasi që dyshohet që në bashkëveprim edhe me persona të tjerë kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’.”

    Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të përvetësuar një pronë me vlerë të konsiderueshme.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme pronën e tij me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në vlerë të përafërt të tregut rreth tre (3) milion euro, e cila gjendet në komunën e Ferizajt.”

    Sipas njoftimit, prona më pas është parcelizuar dhe shitur te persona të tretë.

    “Të njëjtën më pas e kanë parcelizuar dhe shitur personave të tretë.”

    Në kuadër të hetimeve, policia ka realizuar edhe një bastisje në një lokacion të dyshuar.

    “Në bazë të urdhrit për kontroll, është kryer bastisje në një lokacion, ku janë gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.”

    Pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar me urdhër të prokurorit.

    “Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë.”

    Policia rikujton se ky nuk është rasti i vetëm i lidhur me këtë hetim, pasi më herët janë arrestuar edhe persona të tjerë.

    “Lidhur me këtë rast, me datën 19 shkurt 2026 Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje edhe katër persona tjerë të cilët në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprat e lartcekura.”

  • Izraeli njofton për vrasjen e komandantit iranian të Drejtorisë së Naftës

    Izraeli njofton për vrasjen e komandantit iranian të Drejtorisë së Naftës

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) goditën dhe vranë Jamshid Eshaqim, komandantin e Drejtorisë së Naftës të Forcave të Armatosura të Iranit.

    “Drejtoria e Naftës përbën një pjesë thelbësore të forcave të armatosura të regjimit, duke mundësuar vazhdimin e aktiviteteve të tyre dhe rritjen ushtarake përmes fitimeve nga shitja e naftës”, njoftoi IDF.

    Goditja që vrau Eshaqin ndodhi më herët gjatë javës, tha ushtria, duke shtuar se ishte kryer pas informacionit të marrë nga Drejtoria e Inteligjencës e IDF.

    ‘ Eshaqi udhëhoqi krahun financiar të forcave të regjimit, si dhe industrinë ushtarake përgjegjëse për prodhimin e raketave balistike dhe mekanizmat e shtypjes së regjimit. Përveç kësaj, Eshaqi punoi për të alokuar fonde për financimin e përfaqësuesve terroristë të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme, më së shumti organizatën terroriste Hezbollah dhe Houthit”, shkruan më tutje ushtria izraelite

    Ushtria shtoi se, për vite me radhë, Gardat Revolucionare Islamike të Iranit dhe forcat e tjera ushtarake janë financuar nga të ardhura të mëdha nga shitja e naftës që shmangin sanksionet ndërkombëtare.

    Për të menaxhuar këto të ardhura, Irani krijoi drejtori të dedikuara, duke bërë që të ardhurat nga nafta të jenë një burim kyç për forcimin e fuqisë së Republikës Islamike dhe për financimin e aktivitetit terrorist në mbarë botën.

  • AVONET: MAPL konfirmon se përbërja e KPF-së në Ferizaj është e kundërligjshme; u shkel parimi i përfaqësimit proporcional

    AVONET: MAPL konfirmon se përbërja e KPF-së në Ferizaj është e kundërligjshme; u shkel parimi i përfaqësimit proporcional

    Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET reagon lidhur me vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila ka konstatuar se përbërja e Komitetit për Politikë dhe Financa në Kuvendin e Komunës së Ferizajt është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

    AVONET thekson se kjo shkelje ka qenë e paralajmëruar paraprakisht nga ana jonë, përmes reagimeve dhe kërkesave zyrtare për rishqyrtim të vendimit, ku kemi bërë të qartë se përbërja e KPF-së nuk respekton parimin e përfaqësimit proporcional. Në mënyrë të veçantë, kemi theksuar se subjektit politik AAK i takon një ulëse në këtë komitet, ndërsa subjekti politik PDK ka përfituar përfaqësim përtej kuotës që i takon.

    Pavarësisht këtyre paralajmërimeve dhe argumenteve të bazuara në ligj dhe në interpretimet zyrtare, rekomandimet e AVONET nuk janë marrë parasysh nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt, duke rezultuar në miratimin e një vendimi që tashmë është vlerësuar si i kundërligjshëm nga MAPL.

    Ky zhvillim konfirmon edhe një herë rëndësinë e respektimit të ligjshmërisë dhe të interpretimit korrekt të dispozitave që rregullojnë përbërjen e organeve institucionale. Roli i Kryesuesit të Kuvendit si kryesues i KPF-së është funksional (ex-officio) dhe nuk duhet të ndikojë në llogaritjen e përfaqësimit proporcional të subjekteve politike.

    AVONET i bën thirrje Kuvendit të Komunës së Ferizajt që të veprojë pa vonesë në përputhje me vendimin e MAPL-së, duke korrigjuar përbërjen e KPF-së dhe duke i garantuar secilit subjekt politik përfaqësimin që i takon sipas ligjit.

    Mosrespektimi i rekomandimeve ligjore dhe institucionale jo vetëm që prodhon vendime të kundërligjshme, por dëmton edhe besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe në procesin demokratik.

  • “Ata do të sëmuren”: Dalin biseda mes të akuzuarave për spiunazh, Jelena Gjukanoviq dhe Aleksander Vllajiqit

    “Ata do të sëmuren”: Dalin biseda mes të akuzuarave për spiunazh, Jelena Gjukanoviq dhe Aleksander Vllajiqit

    KosovaPress ka siguruar transkripta të komunikimeve mes të akuzuarve për spiunazh për BIA-n serbe, Jelena Gjukanoviq dhe Aleksander Vllajiq, të cilët hetohen për veprën penale të spiunazhit.

    Sipas këtyre materialeve, komunikimet e zhvilluara më 7 dhjetor 2022 hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit dhe shkëmbimit të informatave që dyshohet se lidhen me BIA.

    Nga biseda mes këtyrë të dyve konfirmohet se Gjukanoviq dhe Vlajiqi shin bashkëpunëtorë në veprën penale të spiunazhit.

    Komunikimi që ka siguruar KosovaPress, mes këtyre të dyve, ku flasin për BIA-n, i takon datës 7 dhjetor 2022.

    Në një nga bisedat, Vlajiq shprehet në mënyrë pozitive për raportimet që Gjukanoviq i kishte përgatitur për BIA-n serbe.

    “(Qesh). Super.”

    Ndërsa Gjukanoviq shton:

    “Ata do të sëmuren duke e lexuar”

    Sipas burimit të KosovëPress, me këtë ajo i referohet strukturave të inteligjencës serbe.

    Në vijim të komunikimit, ata përdorin termin “firmë e madhe”, duke iu referuar BIA-s, ndërkohë që flasin për “të dhënat” që i kanë përcjell shërbimit serb.

    Ata flasin edhe për “cilësinë” e materialeve që Gjukanoviq, sic konfirmon burimi, ka përgatitur për BIA-n.

    “…mund të ishte shumë më mirë, por përmbajtja është e saktë”, thuhet mes tjerash në komunikimin e tyre, që vërteton bashkëpunimin e tyre me shërbimin serb (BIA).

    Ndërkaq, nga ajo që i kthen Vlajiq, se “Të gjitha janë të qarta. Ata i kanë të gjitha ato dhe ka kush merret me to”, sipas burimeve brenda Prokurorisë, konsiderohet si indikacion se materialet e përgatitura janë përcjell më tej.

    Ndryshe, të dy të dyshuarit, Gjukanoviq dhe Vlajiq, janë përfshirë në hetime për veprën penale të spiunazhit, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi provat e tjera në këtë rast.

    KosovaPress pati raportuar për arrestimin e Jelena Gjukanoviqit, më 28 shkurt 2025, derisa ishte e punësuar në OSBE, nën dyshimin se kishte përcjell informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Republikës së Kosovës te Aleksandar Vllajiq, i identifikuar si agjent rezident i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

    Ndaj të tyre ka raste të hapura, ndërsa nesër Gjukanoviq do të dalë sërish para Gjykatës.

    A. Vlajic: (Qesh). Super.

    7 dhjetor 2022 16:11:59 (UTC+1)

    J. Djukanovic: Ata do të sëmuren duke e lexuar (Edhe këtu, Jelena i referohet BIA-s, për të cilët kinse thotë se do të lodhen duke lexuar raportimet e saj).

    7 dhjetor 2022 16:12:06 (UTC+1)

    A. Vlajic: Jo more. Është një firmë e madhe me shumë mendimtarë/njerëz të mençur (Vlajic me termin firmë/kompani i referohet BIA-s).

    7 dhjetor 2022 16:12:31 (UTC+1)

    J. Djukanovic: Atë e besoj.

    7 dhjetor 2022 16:12:54 (UTC+1)

    J. Djukanovic: Ata kanë nga A deri në S se çfarë ka thënë dikush (Me këtë, Jelena lartëson punën e BIA-s, duke i portretizuar se kinse ata dinë gjithçka).

    7 dhjetor 2022 16:13:36 (UTC+1)

    J. Djukanovic: Zot, as me stilin e të shkruarit nuk munda të merresha, mund të ishte shumë më mirë, por përmbajtja është e saktë.

    7 dhjetor 2022 16:14:16 (UTC+1)

    Vlajic: Pusho. Të gjitha janë të qarta. Ata i kanë të gjitha ato dhe ka kush merret me to (Vlajic e konfirmon se materialet e pranuara nga Jelena, i ka dërguar tek BIA).