ATV

Author: K.B.

  • “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    “Zyra e Presidentes së 6-të”, ndërron emri i faqes së Presidencës në Facebook pasi Osmani ia dorëzoi detyrën Haxhiut

    Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën e Presidentes, Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut, gjatë një ceremonie sot gjatë ditës.

    Me ta dorëzuar postin, ndërrimi i parë që u pa pas kësaj ishte ndryshimi i emrit të faqes zyrtare të Presidencës në Facebook.

    Nga “Presidenca e Kosovës” faqja ndërroi në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”. Osmani është Presidentja e gjashtë e Kosovës. Para saj, këtë pozitë e kanë mbajtur Ibrahim Rugova( para shpalljes së pavarësisë), Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, ndërsa si ushtrues detyre edhe Jakup Krasniqi e Glauk Konjufca.

  • Ish-Presidentja Osmani: Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra

    Ish-Presidentja Osmani: Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra

    Ish-presidentja Vjosa Osmani i ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët.

    “Për shumë mot Pashkët, të dashur vëllezër e motra! 🐣💐”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

    Osmani publikoi gjithashtu një fotografi të saj duke mbajtur në dorë një shportë të vogël të mbushur me vezë të ngjyrosura, simbol tradicional i Pashkëve.

  • Haradinaj kujton masakrat në Rrezallë, Llovcë e Llapqevë: Plagë e hapur e Kosovës

    Haradinaj kujton masakrat në Rrezallë, Llovcë e Llapqevë: Plagë e hapur e Kosovës

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimat e masakrave të datës 5 prill.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj tha se 5 prilli sjell kujtimin për bashkëluftëtarët e tij të rënë, duke përmendur Naser Brahimaj, Qazim Shala, Asllan Batusha dhe Arsim Rama.

    Ai po ashtu kujtoi viktimat e masakrave në Rrezallë të Drenicës, Llovcë të Gjilanit dhe Llapqevë të Malishevës.

    “Sot kujtojmë po ashtu, jetët e pafajshme që barbarët i rrëmbyen në Rrezallë të Drenicës, në Llovcë të Gjilanit dhe Llapqevë të Malishevës. Këto masakra, nga të cilat ende shumë të pagjetur, janë plagë e hapur e Kosovës dhe i japin zë, thirrjes sonë për drejtësi.Sot gjithashtu, u mbushën 7 vjet pa zërin e UÇK-së, bashkëluftëtaren time Fetnete Ramosaj. Përjetësisht përulemi para sakrificës së atyre që dhanë nga jeta e tyre për lirinë tonë! Respekti për ta forcon themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës!”, shkroi i pari i AAK-së.

  • Abdixhiku: Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve

    Abdixhiku: Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e festës së Pashkëve.

    Në urimin e tij, përmes faqes zyrtare të LDK-së në Facebook, Abdixhiku theksoi se kjo festë shënon ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e besimit në vlerat më të larta njerëzore.

    “Pashkët janë simbol i ringjalljes së shpresës, solidaritetit dhe dashurisë mes njerëzve. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju uroj përzemërsisht festën e Pashkëve. Le të shërbejë kjo ditë si frymëzim për më shumë mirëkuptim, bashkim dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit, me besimin se së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë.Gëzuar Pashkët!”, thuhet në urim.

  • Lushtaku nga Rezalla: Institucionet s’janë sot këtu, e dhimbshme dhe e prapranueshme

    Lushtaku nga Rezalla: Institucionet s’janë sot këtu, e dhimbshme dhe e prapranueshme

    Komuna e Skenderajt ka organizuar homazhe dhe tubim përkujtimor me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Rezallës.

    Të pranishëm kanë qenë kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Lushaku ka thënë se këta muaj janë më të vështirët për komunën që ai udhëheq, pasi sipas tij, ka shumë masakra, vrasje, dhunë, e shkatërrime të shtëpive.

    “Masakra në Rezallë nuk ka ndodh rastësisht. Secila shtëpi ka qenë shtab i UÇK-së, kuzhinë e luftës së UÇK-së. Rezalla ka dhënë gjithçka që i është dashur UÇK-së. E di që kemi prit që institucionet të jenë sot këtu dhe dje në Izbicë, por që fatkeqësisht ata se dinë rëndësinë e gjakut dhe atyre që kanë dhënë më të dashurit e tyre. Është e dhimbshme dhe papranushme.”, ka thënë Lushtaku.

    Ai ka folur edhe për gjuhën ndaj ushtarëve dhe familjeve të dëshmorëve, duke shtuar se nuk duhet lejuar që të fyhen vlerat e luftës.

    “Kur në këto ditë përkujtojme kemi bashkëluftëtarët në Hagë. Dhe njerëzit nëpër institucione i fyejnë dhe ne nuk duhet të lejojmë që të shahen e fyhen ushtarë e familje të dëshmorëve.”, ka thënë Lushtaku.

  • Brenda mega operacionit për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran, ç’dihet deri tani

    Brenda mega operacionit për shpëtimin e pilotit amerikan në Iran, ç’dihet deri tani

    Shtetet e Bashkuara kanë arritur të shpëtojnë anëtarin e fundit të zhdukur të ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i cili u rrëzua të premten në jug të Iranit.

    Lajmi u konfirmua nga presidenti Donald Trump, i cili tha se ushtria amerikane realizoi“një nga operacionet më të guximshme të kërkim-shpëtimit në historinë e saj”. Sipas tij, oficeri është tashmë “i sigurt dhe në gjendje të mirë”.

    Në avion ndodheshin dy anëtarë ekuipazhi dhe të dy ishin hedhur me katapultë para rrëzimit. Njëri prej tyre ishte shpëtuar më herët. Nga ana e tij, Irani pretendon se avioni u rrëzua nga sistemi i tij i mbrojtjes ajrore.

    Si u zhvillua operacioni?

    Sipas raportimeve, SHBA dhe Irani hynë në një garë për të gjetur ushtarakun e zhdukur. Një burim i njohur me operacionin e përshkroi atë si një mision të madh kërkim-shpëtimi luftarak në jug të Iranit.

    BBC raporton se gjatë operacionit ka pasur përplasje mes forcave amerikane dhe atyre iraniane, ndërsa ushtaraku mund të jetë plagosur që në momentin kur u hodh nga avioni.

    Trump tha se vendndodhja e tij monitorohej vazhdimisht dhe se në operacion u përfshinë dhjetëra avionë amerikanë. Ai shtoi se nuk pati asnjë amerikan të vrarë apo të plagosur gjatë shpëtimit.

    Nga ana tjetër, media iraniane raportoi se Garda Revolucionare rrëzoi një dron amerikan që po merrte pjesë në kërkimet për ushtarakun e zhdukur.

    Ekspertët theksojnë se anëtarët e ekuipazheve të avionëve luftarakë janë të trajnuar posaçërisht për situata të tilla: të largohen shpejt nga vendi i rrëzimit, të fshihen dhe të mbijetojnë për sa më gjatë.

    Ku u rrëzua avioni?

    Vendndodhja e saktë nuk është konfirmuar plotësisht, por mediat iraniane përmendin provincat Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmadose Khuzestan në jug të Iranit.

    Mediat amerikane raportojnë se edhe gjatë operacionit të parë të shpëtimit pati rrezik: një helikopter që po transportonte pilotin e shpëtuar u godit nga armë të lehta, duke plagosur disa pjesëtarë të ekuipazhit, por arriti të ulej i sigurt.

    Ndërkohë, Garda Revolucionare thotë se fise nomade lokale qëlluan mbi dy helikopterë Black Hawk amerikanë.

    Çfarë dihet për misionin e F-15?

    F-15E është një avion i projektuar si për sulme ajrore, ashtu edhe për goditje ndaj objektivave tokësore. Në luftën me Iranin, ai besohet se po përdorej kryesisht për të goditur dronë dhe raketa iraniane, por edhe për sulme precize me armë të drejtuara me lazer ose GPS.

    Avioni ka dy anëtarë ekuipazhi: pilotin dhe oficerin e sistemeve të armëve. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë e rrëzoi avionin, por nëse është goditur nga iranianët, arsyeja më e mundshme mbetet një raketë tokë-ajër.

  • Itali: Po ecte në një çati prej xhami, bie në shkallë dhe vdes 12-vjeçari shqiptar

    Itali: Po ecte në një çati prej xhami, bie në shkallë dhe vdes 12-vjeçari shqiptar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Via Piave, Bologna, ku një djalë 12-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën pasi ra nga dritarja i një çatie ndërtese.

    Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 19:00.

    Sipas raportimeve, xhami ku po ecte djali nuk e mbante dot peshën e tij dhe u thye, me 12-vjeçarin që ra dhe u përplas te shkallët. Përpjekjet e shokëve që e shoqëronin për ta shpëtuar ishin të pasuksesshme, ndërsa djali vdiq menjëherë.

    Në vendngjarje mbërritën shërbimet e urgjencës mjekësore dhe policia, të cilët nisën hetimet për rrethanat e ngjarjes.

    Hetimet mjeko-ligjore po përqendrohen te oborri i ndërtesës, i cili ka disa shkallë, si dhe tek shkallët ku ndodhi rënia tragjike./TCh/

  • Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Kanosja e familjes Haradinaj, ndaj të dyshuarit kërkohet paraburgim për persona me ç’rregullime mendore

    Është kërkuar paraburgim për Korab Bajgorën, i dyshuar për kërcënim e sharje të kreut të AAK’së, Ramush Haradinajn dhe familjes së tij.

    Lajmin e konfirmoi Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.

    “Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për persona me ç’rregullime mendore”, tha Nikçi.

    Ndryshe, në shtëpinë e të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri pistoleta, ku njëra ka qenë me 4 copë fishekë.

  • Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ditën e parë si ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e nis me homazhe

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ditën e parë të punës do ta nisë me një vizitë në rajonin e Drenicës.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës së Kosovës, homazhet nisin në orën 10:00.

    “Në orën 10:00, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bën homazhe në Rezallë”, thuhet në njoftim.

    Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Rezallës së Skenderajt, ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të shtunën ka pranuar detyrën nga presidentja, Vjosa Osmani, e cila e ka përfunduar mandantin e saj në krye të shtetit.

    Haxhiu do të ushtrojë detyrën e presidentes, derisa të zgjidhjet një president i ri, por që ky process aktualisht po përballet me mungesë kompromisi ndërmjet subjekteve politike.

  • Hamza me rastin e Pashkës, uron bashkëpunim për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë

    Hamza me rastin e Pashkës, uron bashkëpunim për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ua ka uruar Pashkët besimtarëve katolikë.

    Në urimin e tij, Hamza shprehet se së “bashku po i forcojmë vlerat, respektin dhe bashkëpunimin për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë”.

    Postimi i tij:

    Në këtë të diel të Pashkëve katolike, ua uroj festën të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë.

    Së bashku po i forcojmë vlerat, respektin dhe bashkëpunimin për një shoqëri të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë.

    Paqe, mirësi, qetësi shpirtërore dhe shumë gëzime në çdo familje!