ATV

Author: K.B.

  • A do t’i kthejë Gjermania rreth 800 mijë refugjatë sirianë – Ky është propozimi i Kancelarit Merz

    A do t’i kthejë Gjermania rreth 800 mijë refugjatë sirianë – Ky është propozimi i Kancelarit Merz

    Kancelari Friedrich Merz deklaroi pas takimit me Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa se “në perspektivën e tri viteve të ardhshme rreth 80% e sirianëve që qëndrojnë aktualisht në Gjermani duhet të kthehen në atdheun e tyre”. Ai u shpreh pra pro përshpejtimit të riatdhesimit të mbi 950.000 sirianëve, që kanë ardhur kryesisht me krizën e refugjatëve 2015-2016.

    Përparësi kanë personat pa leje qëndrimi të vlefshme dhe “grupi problematik i sirianëve me rekorde kriminale”. Gjermania do të investojë këtë vit mbi 200 milionë euro për rindërtimin e Sirisë. Por të martën, Merz-i e sqaroi deklaratën e kthimit të 80% të sirianëve. Tha se shifra e kishte burimin tek Presidenti sirian.

    A realizohet dot, nga ana ligjore dhe praktike, riatdhesimi i kaq shumë njerëzve brenda pak kohe? Për tre vjet, çdo ditë do të duhej të ktheheshin 730 vetë. 250.000 sirianë kanë tani nënshtetësi gjermane, 70.000 me leje qëndrimi të pakufizuar. Vullnetarisht, për 1 vit, megjithë financimin nga Gjermania, janë kthyer rreth 3.600 sirianë.

    Al-Sharaaja shprehu “mirënjohje të thellë” ndaj “qeverisë gjermane e popullit gjerman, që u hapën dyert më shumë se një milion sirianëve, që u mundësuan atyre këtu siguri – dhe që të rindërtojnë, jetët e tyre të shkatërruara”. Ai shprehu shpresën që kompanitë gjermane të sjellin ekspertizë në Siri. Kërkoi investime e partneritet.

    Reagimet për deklaratën e kthimit, qenë të përziera: SPD paralajmëroi se pritshmëritë e kthimit nuk përmbushen, E Majta, parti e ekstremit të majtë, tha se kjo “ushqen fantazitë e AfD-së për deportim masiv”, ndërsa AfD-ja, partia populiste e djathtë e kritikoi shifrën si “të vonuar”.

    Përfaqësues të komunitetit mjekësor gjerman paralajmëruan mungesa në kujdesin shëndetësor: sirianët janë grupi më i madh i mjekëve të huaj në spitalet gjermane: me mbi 5.700 mjekë.

    Avokatia siriane Nahla Osman i tha DW se deklarata ngjall dëshpërim dhe zemërim, dhe duket “më shumë si sinjal politik i brendshëm, në kontekstin e rritjes së AfD-së, sesa strategji e zbatueshme”. /DW Shqip

  • Islami: Alarmi për eksploziv pranë gazsjellësit, spektakël politik i Vuçiqit dhe Orbanit

    Islami: Alarmi për eksploziv pranë gazsjellësit, spektakël politik i Vuçiqit dhe Orbanit

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” gjatë një hetimi rreth kërcënimeve ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë.

    Eksperti i sigurisë, Avni Islami, këtë e ka cilësuar si një spektakël politik të radhës nga Vuçiq, duke thënë se po përdor narrativin e frikës dhe pasigurisë për të krijuar panik në publik.

    “Politikat destruktive të Vuçiqit në raport me Ballkanin Perëndimor janë të njohura, sidomos ndaj Kosovës”.

    Ai thekson se kryeministri hungarez, Viktor Orban, si aleat i tij, e ka përforcuar mesazhin, duke deklaruar se autoritetet serbe kanë gjetur eksplozivë shkatërrues pranë infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë.

    “Ish-ministri i propagandës dhe informacionit të Millosheviqit ka ndryshuar vetëm formën, por jo përmbajtjen e agresionit politik në rajon,” tha Islami, duke theksuar se njoftimi për shpërthimin është pjesë e një strategjie për të nxitur panik dhe tension në rajon.

    Po ashtu, gazetarë investigativë në Hungari kanë ngritur dyshime se rasti i pretenduar i zbulimit të eksplozivëve mund të jetë pjesë e një operacioni të inskenuar politik, në prag të zgjedhjeve parlamentare më 12 prill.

    Balas Kaufman publikoi një mesazh që thotë se e ka marrë më 25 shkurt nga një burim brenda qeverisë hungareze, sipas të cilit një “sulm” ndaj interesave hungareze në Serbi mund të përdorej për të justifikuar masa të jashtëzakonshme.

    “Serbia, serbët ose rusët do të nisin një ‘sulm’ ndaj interesave hungareze në tre javët e ardhshme… Qëllimi i Orban-it është të vendosë një gjendje të jashtëzakonshme,” thuhet në mesazhin e publikuar nga Kaufman.

    Informacione të ngjashme ka bërë publike edhe gazetari Szabolcs Panyi nga redaksia investigative Direkt36.

    Ndërkaq, lideri i opozitës hungareze, Peter Magyar, i cili konsiderohet favorit në zgjedhjet hungareze të planifikuara për javën e ardhshme, tha se ngjarjet në Serbi me eksplozivët e dyshuar të gjetur përfaqësojnë një “operacion me flamur të rremë”.

    Lidhur me këto zhvillime, ka reaguar edhe eurodeputeti austriak Helmut Brandstätter.

    Në rrjetin social X, ai shkroi se inskenimi i Orbanit për eksploziv në gazsjellës, është “histori idiote”.

    “Pra, nuk mund të kishit shpikur një histori më idiote se kjo”, shkroi Brandstätter.

    Ekspertët e konsiderojnë se bashkëpunimi midis Serbisë dhe Hungarisë përshtatet me strategjinë më të gjerë të Fidesz në Ballkan, duke u mbështetur në marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin.

    “Këto lidhje shpesh i vendosin Beogradin dhe Budapestin në konflikt me Brukselin dhe, sipas ekspertëve, shërbejnë si mjet për zgjerimin e ndikimit rus në Evropë, duke synuar gjithashtu mbajtjen e Orbanit në pushtet”.

  • Masakra e Rezallës, Çitaku: Edhe pas 27 vitesh, plagët mbeten po aq të thella

    Masakra e Rezallës, Çitaku: Edhe pas 27 vitesh, plagët mbeten po aq të thella

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka shkruar për Masakrën e Rezallës, duke thënë se edhe pas 27 vitesh, plagët mbeten po aq të thella.

    Ai u shpreh se kjo është një dhimbje që nuk zbehet dhe siç tha, një kujtim që bartet brez pas brezi.

    “Sot në Rezallë, homazhe dhe përkujtim për 98 të rënët në masakrën e Izbicës. Edhe pas 27 vitesh, plagët mbeten po aq të thella. Një dhimbje që nuk zbehet, një kujtim që bartet brez pas brezi”.

    “Nëna Havë, së cilës ia vranë burrin në Rezallë, e që përkundër moshës e gjeja gjithmonë aty, ka ndërruar jetë. Në vend të saj, qëndronin djemtë, mbesat dhe nipërit. Sepse kjo dhimbje nuk harrohet. Nuk është kujtim që shuhet”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

  • Sapo ishte liruar nga burgu, humb jetën 50-vjeçari shqiptar në një stacion treni në Itali

    Sapo ishte liruar nga burgu, humb jetën 50-vjeçari shqiptar në një stacion treni në Itali

    Një 50-vjeçar shqiptar u gjet i pajetë para dy ditësh në një stacion treni në Itali.

    Shqiptari ka humbur jetën në rrethana të paqartë, ndërsa detaji që ka ngritur dyshime për shkakun e vdekjes është fakti se ai sapo ishte liruar nga burgu.

    Autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e vrasjes, ndërsa policia italiane po kryen hetime të mëtejshme për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

    Në vendngjarje kanë ndërhyrë policia lokale dhe njësitë e specializuara të policisë shkencore, pasi ndalesa e tramvajit u pezullua përkohësisht.

  • KEK me njoftim: Sonte nga ora 00:00 ndalet njësia A4, në mënyrë të “kontrolluar”, probleme me kondenzator

    KEK me njoftim: Sonte nga ora 00:00 ndalet njësia A4, në mënyrë të “kontrolluar”, probleme me kondenzator

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 në Termocentralin Kosova A do të ndalet sonte rreth orës 00:00 për shkak të problemeve të konstatuara në kondenzator.

    Sipas vlerësimeve profesionale sipas KEK vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha, ndaj ndalja e kontrolluar shihet si një masë parandaluese për të ruajtur integritetin e njësisë dhe për të shmangur defekte serioze. Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar paraprakisht për këtë zhvillim, tregon KEK.

    Aktualisht, KEK operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, që sipas njoftimit siguron furnizim të qëndrueshëm të energjisë në përputhje me kapacitetet e disponueshme.

    Njoftimi i plotë:

    KEK: Ndalje e kontrolluar e njësisë A4 dhe investimet për të ardhmen e sektorit energjetik

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia A4 në TC Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondenzator.

    Pas vlerësimeve profesionale, është konstatuar se vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha.

    Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze.

    Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim.

    Aktualisht, KEK është duke operuar me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B si dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion.

    Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve.

    Në kuadër të këtyre investimeve:

    • Njësia B1 është në proces modernizimi (turbina dhe elektrofiltra);

    • Njësia A5 ndodhet në remont kapital;

    • ndërhyrje të tilla kërkojnë në raste të caktuara ndalje të përkohshme, si pjesë e një procesi të domosdoshëm për përmirësim afatgjatë.

    KEK fton opinionin publik dhe mediat që të informohen përmes njoftimeve zyrtare të publikuara nga kanalet e komunikimit të Korporatës, si burimi i vetëm i saktë dhe i verifikuar i informacionit. Informacionet e pasakta apo të pabazuara në burime zyrtare nuk kontribuojnë në informim të drejtë të opinionit publik.

    KEK mbetet i përkushtuar për furnizim të qëndrueshëm me energji, duke ndërmarrë njëkohësisht investime strategjike që garantojnë siguri dhe efikasitet më të lartë për të ardhmen energjetike të vendit.

  • “The Sun”: 5 shqiptarë burgosen çdo ditë në Britani

    “The Sun”: 5 shqiptarë burgosen çdo ditë në Britani

    Pesë shqiptarë burgosen çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një investigimi të tabloidit britanik “Sun on Sunday”.

    Shifrat e Ministrisë britanike të Drejtësisë tregojnë se 1,865 persona nga ky vend ballkanik u dërguan në burg nga janari deri në shtator të vitit të kaluar.

    Në total, ishin 75,289 persona të të gjitha kombësive, përfshirë të të paraburgosurit dhe kriminelë të dënuar, u futën në qeli deri në shtator 2025 sipas statistikave të Ministrisë së Drejtësisë.

    Shtetasit shqiptarë përbëjnë vazhdimisht përqindjen më të lartë të shtetasve të huaj në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar – rreth 9% të të gjithë kriminelëve të huaj të burgosur.

    Një analizë e “The Sun on Sunday” tregon se në 3 muajt e parë të këtij viti, 58 shqiptarëve u janë dhënë dënime me të paktën 1 vit burg për krime që variojnë nga veprat penale të drogës deri te kontrabanda e njerëzve.

    Shkelësit e ligjit me shtetësi të huaj që marrin dënime prej 12 muajsh ose më shumë u dorëzohen automatikisht urdhra dëbimi pasi burgosen.

    Ligjet e reja që do të miratohen nga Partia Laburiste do të bëjnë që disa të burgosur të deportohen që pasi të kenë kaluar një të tretën e dënimit të tyre, nga gjysma e dënimit që është aktualisht.

    Që nga zgjedhjet e vitit 2024, Partia Laburiste thotë se më shumë se 58,500 migrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj janë larguar ose deportuar nga vendi.

    Mbretëria e Bashkuar ka një marrëveshje transferimi të të burgosurve me Shqipërinë, që do të thotë se çdo shqiptar i dënuar me 4 vjet ose më shumë dënim nga një gjykatë e Mbretërisë së Bashkuar do të dërgohet përsëri në vendin e tij të origjinës për të vuajtur dënimin.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë u shpreh: “Kjo qeveri ka rritur deportimin e shkelësve të huaj me më shumë se 8,700 të larguar që nga korriku 2024 – një rritje prej 32% krahasuar me 19 muajt e mëparshëm. Për më tepër, ne po ndryshojmë ligjin në mënyrë që të burgosurit e huaj të mund të deportohen më herët se kurrë më parë.”

  • Çështja e presidentit, Kurti e Abdixhiku takohen nesër

    Çështja e presidentit, Kurti e Abdixhiku takohen nesër

    Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen nesër për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi të premten mbrëma në një emision televiziv se Abdixhiku do të takohet me Kurtin të hënën, por nuk tregoi kohën e mbajtjes së takimit.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda LDK-së kanë treguar se takimi mes Kurtit e Abdixhikut do të mbahet të hënën në ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.

    Kreu i ekzekutivit tha të premten se nga e hëna do të nisë takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

    Kujtojmë se të shtunën Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes, dhe ia dorëzoi mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes kryetares të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka të drejtë të mbajë këtë pozitë më së shumti gjashtë muaj.

    Haxhiu pas marrjes së detyrës ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese.

    Kurse, Osmani pasi dorëzoi mandatin tha se shpreson që Kuvendi sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedh presidentin e ri në mënyrë që të ketë stabilitet institucional, në një kohë kur bota po përballet me kriza të mëdha.

    Kujtojmë se pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese me datën 25 mars, doli me një vendim ku u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri.

  • Kurti: Serbia ende fsheh varreza masive të luftës në Kosovë

    Kurti: Serbia ende fsheh varreza masive të luftës në Kosovë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Masakrën e Rezallës, duke theksuar se dëshmitë e gjenocidit të kryer nga Serbia mbeten ende të freskëta në gjithë vendin.

    Ai në një postim në Facebook, rikujtoi se më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem në këtë masakër, ndërsa trupat e tyre u zhdukën nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur krimin.

    Një pjesë e tyre është gjetur më vonë në varreza masive në Serbi, përfshirë Rudnicën dhe Kizhevakun.

    Kurti theksoi se Serbia ende fsheh informacione për varreza të tjera masive dhe bëri thirrje për angazhim ndërkombëtar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    Postimi i tij i plotë:

    Dëshmitë e gjenocidit të Serbisë janë të freskëta gjithandej në Kosovë. Të njoma janë plagët e familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, ku më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem.

    Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë.

    Ende Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Mbi 950 civilë të paarmatosur u masakruan në Kosovë, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Ende Serbia i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj.

    U bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e qytetarëve tanë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve. Institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të veprojnë pa vonesë, që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë.

    Nuk mund të lejojmë që harresa të mbulojë mizoritë e luftës në Kosovë, siç nuk mund të mbulojë dheu i varrezave masive të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia.

    Duke nderuar të kaluarën dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë dhe të sigurt.

    Në këtë datë që është dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës së popullit tonë, nderojmë të vrarët në Rezallë. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit!

  • Bekim Jashari përkujton 98 civilët e vrarë në Masakrën e Rezallës

    Bekim Jashari përkujton 98 civilët e vrarë në Masakrën e Rezallës

    Pjesëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Rezallës.

    Ai ka bërë homazhe në vendin ku 27 vjet më pare kriminelët serbë kanë ekzekutuar 98 civilë nga Rezalla dhe fshatrat përreth.

    “Sot me nder e krenari kujtojmë e nderojmë sakrificën e tyre për vendin dhe Lirinë që sot po e gëzojmë. Masakra e Rezallës bashkë me masakrat tjera janë dëshmi e krimeve dhe gjenocidit që Serbia bëri në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Këto masakra dhe këto komplekse memoriale janë arkivat që argumentojnë vazhdimisht dhe në çdo kohë se kush ishin kriminelët dhe vrasësit, në këtë luftë të pabarabartë dhe të imponuar.”, ka shkruar Jashari.

    Ai ka thënë se të gjithë të rënët u bënë themeli i lirisë.

    “Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë e punojnë falë gjakut të derdhur të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të cilët i dolën zot atdheut dhe me gjakun e tyre u bënë themel i lirisë dhe Pavarësisë që sot e gëzojmë.”, ka shkruar turje, Jashari.

  • Trump: Falënderimi i takon Allahut, e marta “ditë ferri” për Iranin

    Trump: Falënderimi i takon Allahut, e marta “ditë ferri” për Iranin

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar rëndë regjimin në Iran.

    Në një postim në Truth Social të dielën, Trump ka përdorur gjuhë të ashpër për t’i bërë thirrje Iranit që të lejojë anijet të kalojnë Ngushticën e Hormuzit.

    Në postim, ai po ashtu ka kërcënuar të sulmojë më tej infrastrukturën energjetike dhe të transportit iranian.

    Për këtë, ai thotë se e ka caktuar ditën e martë.

    “E marta do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të përfshira në një, në Iran. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticën e mallkuar, ju kopilë të çmendur, ose do të jetoni në Ferr – Vetëm shikoni! Falënderimi i takon Allahut”, ka shkruar Trump.