ATV

Author: K.B.

  • Persona të panjohur i marrin një qytetari mijëra euro në Prishtinë

    Persona të panjohur i marrin një qytetari mijëra euro në Prishtinë

    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në kryeqytet.

    Sipas informacioneve fillestare, rreth orës 05:13 të së dielës, persona të panjohur dyshohet se i kanë vjedhur një qytetari kosovar një shumë të konsiderueshme parash të gatshme.

    Viktima kishte deklaruar se paratë i mbante në çantën e tij në momentin e incidentit.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se lidhur me rastin janë intervistuar gjashtë dëshmitarë, katër femra dhe dy meshkuj, të gjithë shtetas të huaj, të cilët ndodheshin në shoqërinë e ankuesit në kohën kur dyshohet se ka ndodhur vjedhja.

    Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë. Rasti është ende në procedurë hetimore.

  • Tragjedi në Gjermani: Rrëzohet pema gjatë aktivitetit të Pashkëve, tre të vdekur

    Tragjedi në Gjermani: Rrëzohet pema gjatë aktivitetit të Pashkëve, tre të vdekur

    Një vajzë 10-muajshe ka vdekur bashkë me dy persona të tjerë pasi një pemë u rrëzua gjatë një aktiviteti për kërkimin e vezëve të Pashkëve në veri të Gjermanisë.

    Sipas Sky News, pema rreth 30 metra e lartë ra mbi katër persona që po merrnin pjesë në aktivitet të dielën në mëngjes, në një pyll pranë qytetit Satrupholm.

    Vajza e vogël vdiq në spital, ndërsa nëna e saj 21-vjeçare humbi jetën në vendngjarje gjatë trajtimit nga ekipet emergjente, ashtu si edhe një vajzë tjetër 16-vjeçare.

    Një 18-vjeçare pësoi lëndime të rënda dhe u transportua me helikopter në spital.

    Ngjarja ndodhi ndërsa rreth 50 persona nga një qendër banimi për nëna të reja, gra shtatzëna dhe fëmijë po merrnin pjesë në aktivitet, në një zonë që ishte nën paralajmërim për erëra të forta nga shërbimi meteorologjik gjerman.

    Këshilltarë për përballimin e traumave u dërguan në vendngjarje, ndërsa fotografitë e publikuara nga media gjermane tregojnë vezë të Pashkëve të shpërndara në tokë.

    Qendra që organizoi aktivitetin është pjesë e sistemit shtetëror të mirëqenies për fëmijët dhe ofron mbështetje për gratë shtatzëna dhe nënat e reja që kanë nevojë për ndihmë.

  • Zgjedhja e Presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Zgjedhja e Presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nga sot do t’i nisë takimet me liderët e opozitës lidhur me çështjen e Presidentit.

    Me fillim nga ora 11:00 do të zhvillojë një takim me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun.

    Takimi do të ndodhë në hapësirat e Kuvendit.

  • Çmimi i naftës rritet sërish pas kërcënimeve të fundit të Trumpit

    Çmimi i naftës rritet sërish pas kërcënimeve të fundit të Trumpit

    Çmimet e naftës arritën në 110 dollarë (83.38 paund) për fuçi pas kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit në mediat sociale.

    Çmimi i naftës Brent u rrit fillimisht me 1.6% në 110.85 dollarë, përpara se të tërhiqej pak gjatë tregtisë së mëngjesit në Azi.

    Nafta e papërpunuar e tregtuar në ShBA u rrit pak me 0.3% në 111.80 dollarë, shkruan BBC.

    Ky kërcim fillestar erdhi pasi Trump ushtroi më shumë presion mbi Teheranin duke kërcënuar se do të godiste urat dhe termocentralet e Iranit nëse Irani nuk tërhiqej nga kërcënimi i tij kundër anijeve që përpiqen të kalojnë Ngushticën e Hormuzit, rrugën ujore tregtare kritike.

    Tregjet kryesore të aksioneve aziatike gjithashtu shënuan rritje. Bursa Nikkei 225 e Japonisë u rrit me 1.6%, ndërsa indeksi Kospi i Koresë së Jugut fitoi me 0.9%.

  • Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

    Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup, kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe

    Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot në Shkup për të drejtën e provimit në gjuhën shqipe.

    Mevlan Ademi, organizator i protestës së studentëve shqiptarë në Shkup mbrëmë në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova tha se ata kërkojnë zbatimin e Gjuhës Shqipe.

    Ai u bëri thirrje partive politike duke u thënë se nëse mbështesin kauzën, të bashkohen me studentët.

    “Kemi organizuar një protestë paqësore. U bëj thirrje partive politike në çfarëdo lloj mënyre të mos tentojnë të etiketojnë, nëse janë me ne, le të vijnë atë ditë aty dhe le të ngrejnë zërin bashkë me ne, me studentët. Ne nuk jemi me ata, ne jemi për zbatimin e Gjuhës Shqipe”, tha ai.

  • Marina e Iranit refuzon kërkesën e Trump për të hapur Ngushticën e Hormuzit

    Marina e Iranit refuzon kërkesën e Trump për të hapur Ngushticën e Hormuzit

    Duket se Irani ka hedhur poshtë kategorikisht kërkesat e Donald Trump për të hapur Ngushticën e Hormuzit, pasi presidenti amerikan lëshoi një kërcënim të mbushur me fjalë të ashpra për përshkallëzimin e sulmeve.

    Një llogari që i atribuohet marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), tha në një postim në X: “Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet kurrë në gjendjen e saj të mëparshme, veçanërisht për Amerikën dhe Izraelin”.

    “Marina e IRGC është në proces të përfundimit të përgatitjeve operacionale për Planin e Shpallur të zyrtarëve të Iranit për rendin e ri në Gjirin Persik”.

    Deklarata duket se i referohet një plani të miratuar nga parlamenti i Iranit për të ngarkuar disa anije – së bashku me ndalimin e anijeve amerikane dhe izraelite – nga kalimi nëpër ngushticë, sipas raporteve të mediave lokale.

    Lloyd’s List Intelligence tha se Irani tashmë po operonte atë që e quajti një regjim ‘kabinash pagese’, duke shtuar se disa firma transporti kishin bërë tashmë pagesa në monedhën kineze.

    Analistët kanë sugjeruar gjithashtu se Irani nuk ka gjasa ta hapë ngushticën së shpejti, sepse është e vetmja levë e vërtetë që ka mbi SHBA-në.

    Irani ka ‘armë për telashe masive’

    Ali Vaez, drejtor i Projektit të Iranit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë për parandalimin e konflikteve, i tha Reuters se Irani e kupton që bllokimi në ngushticë “është shumë më i fuqishëm se edhe një armë bërthamore”.

    “Në përpjekje për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i një arme shkatërrimi masiv, SHBA-të i dhanë Iranit një armë për telashe masive”, shtoi ai.

    Ekspertët i kanë thënë Reuters se çdo operacion ushtarak për të rihapur rrugën ujore, e cila ndan Iranin dhe Omanin, përfshin rreziqe të konsiderueshme.

    Ngushtica është 21 milje (33 km) e gjerë në pikën e saj më të ngushtë, por vetë korsia e transportit detar është vetëm 2 milje (3 km) e gjerë për anijet që udhëtojnë në të dy drejtimet, duke i bërë anijet dhe trupat objektiva të lehtë.

  • Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet me kushte të qëndrueshme meteorologjike.

    Sipas njoftimit të këtij institucioni, të martën dhe të enjten paraqiten kushte që në disa zona të ketë riga shiu.

    Njoftimi i plotë:

    E hënë

    Mot me diell dhe vranesira të shpërndara.

    Temperaturat minimale: 1-4°C

    Temperaturat maksimale: 18-23°C

    Era: Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimit me shpejtësi 1-3m/s

    E martë

    Mot me diell dhe vranesira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale: 3 – 6°C

    Temperaturat maksimale: 16-19°C

    Era: nga veriperendimi me shpejtësi 1-6m/s

    E mërkurë

    Moti me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale: 4-7°C

    Temperaturat maksimale: 12-15°C

    Era: kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.

    E enjte

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale: -1-2°C

    Temperaturat maksimale: 9-12°C

    Era: nga veriperendimi 1-4m/s.

    E premte

    Mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen në relievin malor.

    Temperaturat mimale: -2 deri 1°C

    Tmperaturat maksimale: 8- 11°C

    Era: nga drejtimi i veriperendimi me shpejtësi 1-5m/s.

  • Komuniteti shqiptar në Zvicër planifikon ndërtimin e xhamisë prej 15 milionë frangash në St. Gallen

    Komuniteti shqiptar në Zvicër planifikon ndërtimin e xhamisë prej 15 milionë frangash në St. Gallen

    Një shoqatë islamike shqiptare ka nisur planifikimet për ndërtimin e një xhamie të madhe në qytetin e St. Gallen, një projekt që pritet të kushtojë deri në 15 milionë franga zvicerane.

    Në fund të qershorit 2025, rreth 30 shqiptarë u mblodhën në Fürstenlandstrasse për të diskutuar planet e ndërtimit dhe procesin e lejeve.

    Pas takimit, ata postuan në Facebook: “Allahu na ndihmoftë që ndërtimi i xhamisë sonë të re të jetë sa më i lehtë.” Nismëtarët ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për ndërtim dhe nuk kanë dhënë detaje shtesë për projektin.

    Planet vizualizojnë një ndërtesë prej 1000 metrash katrorë me kupolë qelqi, e projektuar nga arkitekti shqiptar nga Schlieren, Cyrih, i cili ka dizajnuar edhe xhaminë shqiptare në Winterthur-Töss.

    Salla e lutjeve do të ofrojë hapësirë për qindra besimtarë dhe do të përfshijë gjithashtu hapësira tregtare dhe një kafene të hapur edhe për jo-muslimanët, raporton Blick.

    Shoqata pritet të financojë projektin kryesisht përmes donacioneve.

    Një aktivitet në Gossau në shkurt 2025 mblodhi mbi tre milionë franga, ndërsa një donacion i madh thuhet se erdhi nga ish-presidenti i Bashkësisë Islame të Boshnjakëve në Zvicër, që dhuroi 50,000 franga.

    Xhamia e re do të drejtohet nga Bashkësia Islame El-Hidaje, e cila menaxhon prej dekadash një xhami të vogël në periferi të St. Gallen.

    Imami Mehas Alija, që udhëheq xhaminë ekzistuese prej 15 vitesh, ka theksuar më parë se radikalizmi dhe ekstremizmi nuk kanë vend midis shqiptarëve.

    Ai ka deklaruar gjithashtu se vendimi i grave myslimane për të mbajtur shami është zgjedhje personale dhe se kjo nuk duhet parë si detyrim.

    Xhamia El-Hidaje ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare në vitin 2014, kur një burrë shqiptar vrau një bashkëkombës të tij brenda xhamisë për shkak të një mosmarrëveshjeje që dyshohet të ketë qenë motivuar nga “nderi”.

    Projekti i ri synon të sjellë një hapësirë moderne dhe të përbashkët për komunitetin shqiptar në St. Gallen, duke respektuar traditën islame dhe duke ofruar hapësira edhe për pjesëtarë të komuniteteve të tjera.

  • Franca rifillon shërbimin ushtarak vullnetar

    Franca rifillon shërbimin ushtarak vullnetar

    Franca ka nisur rekrutimin për një program të ri të shërbimit vullnetar kombëtar. Rreth 3,000 të rinj pritet të fillojnë shërbimin në vjeshtën e ardhshme.

    Shërbimi zgjat dhjetë muaj dhe paguhet me rreth 800 euro në muaj. Interesimi është i lartë: brenda një muaji janë regjistruar 3,500 aplikime, transmeton albinfo.ch.

    Autoritetet franceze theksojnë se konteksti ndërkombëtar, përfshirë luftën në Ukrainë, po ndikon në rritjen e interesit për angazhim ushtarak.

    Një nga kandidatët, Tilio, 18 vjeç, shprehet: “Kjo situatë i frikëson të gjithë. E dua vendin tim dhe, nëse duhet ta mbroj Francën, do ta bëj.”

    Qëllimi i Ministrisë së Forcave të Armatosura është të arrijë në 10,000 vullnetarë deri në vitin 2030, rreth 30 vjet pas pezullimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Francë.

  • Shtrenjtohen e lirohen dhjetëra barna, Vitia thotë se ka gabime teknike

    Shtrenjtohen e lirohen dhjetëra barna, Vitia thotë se ka gabime teknike

    Pas përditësimit të listës me çmime të barnave disa nga to, specifikisht ato që përdorën për hipertension janë shtrenjtuar për 13 euro, disa tjera janë liruar. Për krejt këto për Dukagjinin ka folur vet ministri Arben Vitia, që ka thënë se komisioni bëri disa gabime teknike.

    Për dy muaj çmimi i ndryshoi për 13 euro e 1 cent.

    Nga 21 euro e 72 cent sa ishte paraprakisht, ilaçi për hipertension “Sevikare” u bë 34 euro e 73 cent.

    Për të njëjtën sëmundje po bari “Lopril” u lirua nga 3 euro e 50 cent në 1 euro e 44 cent.

    Krejt këto ndryshime u bën në janar të këtij viti kur u përditësua lista e çmimeve të barnave.

    Për ndryshimet me dhjetëra euro më shumë për pacientët që përdorimin e këtyre barnave e kanë të detyrueshëm, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pati një sqarim.

    “ Kërkoj shumë ndjesë unë kam pas një takim me anëtarët e komisionit ku më janë paraqit disa prej këtyre barnave disa i kam paraqit unë e disa edhe sinjalizuesit dhe për shumicën e tyre e ka pa komisioni që janë disa gabime teknike që po shohim që menjëherë në përditësimin e ardhshëm me i anashkalu këto procedura”, ka thënë Vitia.

    Vitia tha se ligji për nivelizimin e barnave do ta stabilizojë tregun.

    “Unë kërkoj edhe mirëkuptimin edhe kërkoj falje nga qytetarët sepse këtë vit ka pasur një tronditje të tregut mirëpo ashtu siç po e shohim tash ka qenë një veprim i duhur që kemi qenë stoik që nuk jemi lëkundur pavarësisht edhe kërcënimeve”, ka shtuar Vitia.

    Që çmimet do të ndryshojnë në çdo përditësim për shkak të marzhës, e thotë nënkryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha.

    “Është normale që do të kemi ulje apo ngritje të çmimeve mirëpo kjo ndodh për shkak të procesit, çmimet e tyre nuk shkojnë sipas dëshirës por bazohen edhe në shtetet e rajonit”, ka thënë Haxhijaha.

    Ligji për nivelizimin e çmimit të barnave u miratua në vitin 2023 dhe barnatoret detyrohen që produktet t’i shesin me çmimin e njëjtë./Tv Dukagjini