ATV

Author: K.B.

  • Rrahje mes 5 personave në Obiliq, marrin trajtim mjekësor e dërgohen në mbajtje

    Rrahje mes 5 personave në Obiliq, marrin trajtim mjekësor e dërgohen në mbajtje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në qytetin e Obiliqit ka ndodhur një rrahje në mes të pesë personave, prej të cilëve një i mitur.

    Deri tek konflikti ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje.

    Personat e përfshirë në konflikt kanë pranuar trajtim mjekësor dhe të njëjtit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

    “LËNDIM I LEHTË TRUPOR&ASGJËSIM APO DËMTIMI I PASURISË.Rr. Tropoja, Obiliq 06.04.2026, 19:00. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovarë- njëri prej tyre i mitur, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas tretmanit mjekësor të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia

  • Vidhen 300 euro në një xhami në Kamenicë

    Vidhen 300 euro në një xhami në Kamenicë

    Një shumë prej 300 eurosh në monedha metali është vjedhur nga kasaforta e një xhamie në fshatin Shipashnicë e Poshtme në Kamenicë, në disa raste që po hetohen nga policia.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë,, ankuesi ka njoftuar se përmes kamerave të sigurisë ka vërejtur një person të panjohur duke hyrë në objektin e xhamisë, ku më pas me forcë ka thyer kasafortën dhe ka marrë paratë e gatshme.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe hetimet janë në zhvillim.

    “ Me 06.04.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se përmes kamerave, ka vërejtur një person që kishte hyrë në objektin e xhamisë dhe me forcë e ka thyer kasafortën ku nga aty ka vjedhur 300€ kesh para (monedha metali)”, thuhet në njoftim.

    Rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ngrohtë pranveror, me diell dhe vranësira të cilat do të vijnë duke u shtuar dhe ka potencial për disa riga ose ndonjë rrebesh të izoluar shiu.

    Temperaturat do të jenë pranverore. Minimalja pritet të zbres deri në 5 gradë Celsius, kurse maksimalja deri në 24 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale. Temperaturat do të jenë të larta pranverore. Në përgjithësi pritet ditë me diell, por vranësira mund të ketë përreth viseve malore më të theksuara në Mal të Zi.

    Të mërkurën po ashtu pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme për shkak të arritjes së një mase të ftohtë ajrore direkt nga verilindja e Kontinentit. Mëngjesi pritet të ketë vranësira më të theksuara me mundësi për ndonjë reshje të izoluar. Fatkeqësisht natën në të enjten në disa rajone mund të ketë ngrica, por të shpresojmë që dëmet të jenë të pakta.

    Ndjeshëm më ftohtë do të jetë edhe të enjten dhe të premten kur pritet të kemi intervale kohore me diell, por edhe vranësira të shpeshta me mundësi për reshje lokale shiu, shqote e bore. Reshjet do të jenë të pakta dhe kryesisht afatshkurtra, kurse gjatë netëve në disa rajone fatkeqësisht mund të ketë ngrica nëse nata do të jetë e plotësisht e kthjellët./MeteoBallkan

  • LDK-ja nesër dorëzon dëshmitë në polici për njehsorët elektrikë

    LDK-ja nesër dorëzon dëshmitë në polici për njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës do t’u drejtohet organeve të sigurisë e hetuesisë lidhur me dyshimet për manipulime në njehsorët elektrikë.

    Ky subjekt politik ka njoftuar se dëshmitë e siguruara do t’i dorëzohen Policisë së Kosovës.

    “Nesër (e martë), më datë 7 prill, në orën 09:00, anëtari i LDK-së, Visar Azemi i dorëzon në Polici të gjitha dëshmitë lidhur me skandalin me njehsorët elektrikë.”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Kjo parti politike tash e disa ditë ka ngritur shqetësimet për çështjen e njehsorëve elektrikë, me ç’rast ka kërkuar hetime rreth dyshimeve për manipulime.

  • “M’kanë kapë tap-tap”: I akuzuari për 4.4 kg kokainë pranon fajësinë, dyshon se u tradhtua nga miqtë

    “M’kanë kapë tap-tap”: I akuzuari për 4.4 kg kokainë pranon fajësinë, dyshon se u tradhtua nga miqtë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për posedim të 4.4 kilogramëve kokainë ndaj tre të pandehurve.

    Një nga të akuzuarit tashmë e ka pranuar fajësinë në prokurori. I akuzuari Hëvzi Krabaj ua ka shprehur habinë të afërmve se si është kapur me drogë, meqë shitjen e narkotikëve, sipas tij, e bënte te pak njerëz

    “M’kanë kapë tap-tap”. Kështu e ka përshkruar arrestimin e njëri prej të akuzuarve, e që e ka pranuar fajin për posedimin e 4.4 kilogramë kokainë.

    Shtetasi Hëvzi Krabaj, i dënuar edhe më herët për posedim të narkotikëve, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, është shprehur i befasuar se si është kapur me sasi të madhe droge. Ai dyshon se këtë ia bërë ndonjë mik i tij.

    “Nga këto transkripta vërtetohet fakti se si i pandehuri Hëvzi Krabaj është marrë me shitblerjen e substancave narkotike, i cili gjatë bisedës me familjarët e tij, të njëjtëve i drejtohet duke i thënë ‘ama kurrë s’ma ka marrë menja, se naj herë ta nin zemra që bie, ama m’kanë kap tap-tap. Po dyshoj që dikush më ka qit (tradhtuar v.j.), ndonjë shok i imi’. ‘O tash u rujsha shumë se s’jam kanë t’u punu hiç, jam kanë t’u punu me 2 veta, 3 veta, o ti a din sa jam qetësu, po k’tu me ka qitë dikush’”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
    Për këtë rast jenë të dyshuar tre persona, por dy janë të arrestuar.

    Policia e Kosovës që nga gushti i 2025-ës është në kërkim të shtetasit të Maqedonisë së Veriut dhe të Belgjikës, Fidan Husmani, që në bazë të aktakuzës është partner i të akuzuarës Elmedina Rexhepi.

    Rexhepi, e cila nuk e ka pranuar fajësinë, ka thënë se nuk ka pasur dijeni për tregtim të narkotikëve.

    “Ndër të tjera e pandehura deklaron se nuk ka qenë në dijeni se i pandehuri Fidan Husmani, natën kritike kur është takuar me të pandehurin Hëvzi Krabaj, të ketë poseduar substancë narkotike. E pandehura vërteton faktin se me të pandehurin Fidan Husmani për herë të fundit janë takuar ditën kur ishin nisur në Shkup”, thuhet në aktakuzë.

    Në bazë të aktakuzës, Fidan Husmaini dhe Elmedina Rexhepi kanë hyrë në garazhin e një objekti banesor në Prizren, ku u takuan me Hëvzi Krabajn dhe i këmbyen tri ‘tulla’ kokainë me peshë 3.3 kilogramë.

    E në banesën e Krabajt në Prizren u gjetën rreth 4 kg e 437 gramë kokainë të cilat sipas Prokurorisë ishin të destinuara për shitje.

    Krabaj e Rexhepi pritet të dalin së shpejti para gjykatës për seancën ku do të deklarohen mbi fajësinë, meqë ata janë në paraburgim. E të dyshuarit Fidan Husmani prokuroria nuk ka mundur t’i marrë as deklaratë në procedurë paraprake meqë është në arrati.

    Në bazë të raportit të punës së Policisë për vitin 2025, në Kosovë janë zënë 24.4 kilogram kokainë, që vjen e dyta si sasi konfiskuar. Kjo lloj substance tejkalohet vetëm nga marihuana me 1 ton e 315 kilogramë të sekuestruar.

  • PDK mbështetë protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Institucionet t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat

    PDK mbështetë protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut: Institucionet t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat

    Partia Demokratike e Kosovës u ka dalë në mbështetje studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë protestuar sot për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset arsimore dhe profesionale, përkatësisht për provimin e jurisprudencës.

    Në reagimin e PDK’së thuhet se cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar.

    “E drejta për arsimim dhe vlerësim në gjuhën amtare është e garantuar me kornizën ligjore dhe kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Cenimi i kësaj të drejte përbën shkelje të parimeve të barazisë, si dhe është goditje ndaj dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar shqiptar. Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse atje që t’i trajtojnë me seriozitet kërkesat e studentëve shqiptarë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e plotë të të drejtave të garantuara me ligj. PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë”, thuhet në reagim.

  • IKSHPK: Rriten sëmundjet jongjitëse në Kosovë, kryeson hipertensioni

    IKSHPK: Rriten sëmundjet jongjitëse në Kosovë, kryeson hipertensioni

    Sëmundjet kronike jo-ngjitëse sikurse hipertensioni dhe diabeti, po prekin gjithnjë më shumë njerëz në Kosovë.

    Mbi 21 mijë raste të hipertensionit arterial janë shënuar në vitin 2024, që përbën një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin paraprak.

    Këto shifra, që dolën pas një analize të Institutit të Shëndetit Publik, vënë në pah se sëmundjet kronike jo-ngjitëse përbëjnë shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend. E hipertensioni arterial mbetet diagnoza më e shpeshtë.

    “Nuk ka ndonjë sëmundje të njohur në botë që ka medikamente më shumë se sa Hipertensioni atreial, prandaj është shumë keq të neglizhohet një sëmundje e vrasëse kur trajtimi është në dorën e pacientit, vetë trajtimi bëhet prej ndryshimit të stilit të jetës siç është zvogëlimi i përdorimit të kripës së kuzhinës, ndërprerja e duhanpirjës, rritja e aktivitetit fizik, zvogëlimi i sasisë së ushqimit që përmban kalori të tepruara dhe krip, dhe në qoftë se këto nuk janë të mjaftueshme dhe tensioni arterial prapë është mbi vlerat referente të rekomanduara pastaj janë barnat të cilat janë disa grupe..”, ka thënë Artan Ahmeti, internist – kardiolog.

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njofton se ka rritje të rasteve të diabetit tip 2.

    Problem i shëndetit publik edhe më tej mbesin sëmundjet malinje. Të dhënat e Institutit nënvizojnë se kanceri i gjirit mbetet ndër më të shpeshtit te femrat, ndërsa te meshkujt dominojnë kanceri i lëkurës dhe ai i zorrës së trashë.

    Ndërkohë nga Klinika e Onkologjisë thonë se trendi i paraqitjes së sëmundjeve malinjë në Kosovë mbetet relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit. /RTK

  • KRU Prishtina: Deri nesër “Dardania” mbetet pa ujë, tregohet shkaku

    KRU Prishtina: Deri nesër “Dardania” mbetet pa ujë, tregohet shkaku

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a, ka njoftuar se lagjja “Dardania” e Prishtinës do të mbetet sonte pa ujë.

    Kjo për shkak të një rrjedhje të madhe dhe pamundësisë për intervenim.

    “Për shkak të një rrjedhjeje të madhe dhe pamundësisë për intervenim sonte, furnizimi me ujë do të ndërpritet deri nesër kur do të bëhet ndërhyrja. Pa ujë do të mbetet zona e Dardanisë”, thuhet në njoftim.

  • Mesazhi që astronauti i Apollo 13 la para vdekjes për ekuipazhin e Artemis II

    Mesazhi që astronauti i Apollo 13 la para vdekjes për ekuipazhin e Artemis II

    Ekuipazhi i Artemis II mori një mesazh të veçantë sot nga Jim Lovell, një nga vetëm tre personat që kanë udhëtuar dy herë në Hënë.

    Një video në llogarinë në X të NASA-s përmban një mesazh të pararegjistruar nga piloti i Apollo 8, i cili ishte gjithashtu një nga anëtarët e ekuipazhit të Apollo 13.

    Ai i thotë ekuipazhit “mirë se vini në lagjen time të vjetër”, përpara se të shtojë “mos harroni të shijoni pamjen”.

    NASA tha se mesazhi u regjistrua vitin e kaluar. Lovell vdiq gushtin e kaluar, në moshën 97 vjeç.

    Ai ishte një nga astronautët e NASA-s që udhëtoi më shumë.

    Lovell ishte pjesë e Gemini 7, Gemini 8, Apollo 8 dhe Apollo 13.

    Në një postim në X në atë kohë, agjencia hapësinore tha: “Jeta dhe puna e Lovell frymëzuan miliona njerëz. Guximi i tij nën presion ndihmoi në hapjen e rrugës sonë drejt Hënës dhe më tej – një udhëtim që vazhdon edhe sot”.

  • Raporti i BERZH, Shqipëria ka humbur 40 për qind të popullsisë që pas viteve 1990

    Raporti i BERZH, Shqipëria ka humbur 40 për qind të popullsisë që pas viteve 1990

    Shqipëria ka humbur 40 për qind të popullsisë në tre dekada e gjysmë tranzicioni.

    Raporti i Tranzicionit 2025–2026 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), “Një botë e vjetër, por më e guximshme”, e vë fokusin te emigracioni, i cili është bërë mjaft shqetësues dhe nuk duket se po ndalet.

    “Në shumicën e ekonomive postkomuniste, fertiliteti i ulët dhe emigracioni neto i lartë kanë qenë shkaqet kryesore të rënies së popullsisë. Në rastin e Shqipërisë, e cila përfitoi nga rritja e peshës së popullsisë në moshë pune deri në vitin 2023, kostoja e plakjes vlerësohet në 0.28 pikë përqindje, çka përkthehet në një rënie prej 0.53 pikë përqindje krahasuar me dividendin mesatar demografik të përfituar gjatë periudhës 2000–2023.”

    Raporti nxjerr në pah se ky boshllëk i madh demografik po përkthehet në një frenim të ndjeshëm ekonomik për Shqipërinë.

    “Për periudhën 2024–2050, ndikimi pritet të thellohet në –0.3 deri –0.4 pikë përqindje në vit, duke e bërë Shqipërinë një nga ekonomitë më të ekspozuara në gjithë rajonin e BERZH. Edhe në horizontin 2050–2100, sinjali mbetet negativ, çka tregon se plakja e popullsisë dhe pakësimi i forcës së punës do të vijojnë të shoqërojnë ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.”

    Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po e vendosin ekonominë nën presion të vazhdueshëm.

    “Në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada.”

    Përllogaritjet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e tranzicionit tregojnë se rreth 23 për qind e të arsimuarve nga vendi tashmë kanë emigruar.