ATV

Author: K.B.

  • Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Haxhiu merr rolin e përkohshëm të Presidentes, pritet me lule nga stafi

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka nisur sot detyrën e re si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës.

    Ajo falënderoi stafin e Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën pozitive gjatë mëngjesit të sotëm.

    “Faleminderit stafit të Presidencës për pritjen e ngrohtë dhe atmosferën e këndshme në mëngjesin e sotëm,” shkroi Haxhiu në rrjetet sociale.

    Kujtojmë se Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit.

    Në një ceremoni zyrtare në Presidencë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes.

    Haxhiu do të jetë ushtruese e detyrës së të parës së vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

  • Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ky është çmimi i derivateve për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se sot një litër naftë mund të shitet maksimumi për 1.88 euro, derisa benzina 1.46 euro.

    Derisa sipas MINTI-it çmimi i gazit për litër është 0.74 euro.

    “MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë me përpikëri vendimin e ri të nënshkruar nga ministrja Rozeta Hajdari Kusari-Lila, me synimin për të garantuar një treg funksional dhe të qëndrueshëm, në shërbim të konsumatorëve. Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes i jep afat për çarmatosje Hamasit

    Bordi i Paqes në Gaza i ka dhënë Hamasit afat deri në fund të javës për të pranuar një propozim për çarmatim, ndërsa organi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-të është i vendosur të çojë përpara rindërtimin e enklavës palestineze, thanë tre burime të njohura me çështjen për The Times of Israel.

    Përfaqësuesi i Lartë i Bordit të Paqes për Gazën, Nickolay Mladenov, u takua të premten në Kajro me një delegacion të po zyrtarëve të lartë të Hamasit dhe grupi terrorist është informuar se bordi mbikëqyrës i Gazës dëshiron që një marrëveshje për çarmatim të finalizohet deri në fund të javës.

    Burimet sqaruan se ndryshimet e vogla në propozimin për çarmatim do të vazhdonin të shqyrtoheshin, ndërsa kërkesat për ndryshime themelore nga Hamasi nuk do të pranoheshin.

    Mladenov është i bindur se është e mundur të ecet përpara me fazën e dytë të planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, tha një nga diplomatët arabë, ndërsa pranoi se vendet ndërmjetësuese të Lindjes së Mesme, Egjipti, Katari dhe Turqia, nuk janë aq optimiste.

    Ndërmjetësit po e bindin Hamasin që ta pranojë propozimin e çarmatimit të mbështetur nga SHBA-të, por grupi terrorist “nuk ka gjasa të thotë ‘po’ pa ndonjë kusht të rëndësishëm”, tha diplomati arab, i cili është nga një prej vendeve ndërmjetësuese.

  • Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Izraeli paralajmëron qytetarët në Iran: Mos udhëtoni me tren sot

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar njerëzit në Iran që të mos përdorin trenin sot, raporton BBC.

    Në një postim të shpërndarë në llogarinë e ushtrisë në rrjetet sociale u thuhet njerëzve në Iran që për hir të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin “deri në orën 21:00 sipas kohës së Iranit”.

    Në atë postim thuhet se “prania në trena dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.

    Kjo thirrje vjen ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në të gjithë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit deri në orën 20:00 EDT të së martës (01:00 BST të së mërkurës).

    Në përditësimet e publikuara gjatë natës, ushtria izraelite gjithashtu tha se kishte përfunduar një valë sulmesh ajrore që synonin “infrastrukturën në Teheran” të lidhur me regjimin, dhe kishte vrarë persona që i cilësoi si anëtarë të Hezbollahut

  • LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    LDK-ja i çon në polici dëshmitë për skandalin e KEDS-it me njehsorët elektrikë

    Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar në Polici dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë.

    Dorëzimi është bërë nga deputeti Visar Azemi.

    Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.

    Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave. Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.

    Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.

    Pas dyshimeve të ngritura, Ministria ka formuar Komision për verifikim.

    Pas nisjes së verifikimit, disa njëhsorë janë tërhequr nga funksioni për pasaktësi.

  • Artemis II përfundon udhëtimin rekord rreth Hënës – dhe tani po kthehen në Tokë

    Artemis II përfundon udhëtimin rekord rreth Hënës – dhe tani po kthehen në Tokë

    Astronautët e Artemis II janë nisur drejt Tokës pasi kryen një fluturim historik pranë Hënës dhe dëshmuan një eklips total diellor nga anija e tyre kozmike.

    Komandanti Reid Wiseman thotë se ekuipazhi i anijes Orion “pa pamje që asnjë njeri nuk i ka parë ndonjëherë”, ndërsa piloti Victor Glover u shpreh se nuk ka fjalë për të përshkruar atë që vëzhguan.

    Anija arriti distancën e saj maksimale nga Toka – 252,756 milje (406,771 km) – gjatë fluturimit pranë Hënës. Ekuipazhi kishte thyer tashmë rekordin e mëparshëm për distancën më të largët që njerëzit kanë udhëtuar në hapësirë.

    Astronautët humbën lidhjen me NASA-n ndërsa ndodheshin pas Hënës – ndërprerja ishte e pritshme dhe zgjati rreth 40 minuta.

    “Është shumë mirë të dëgjojmë sërish nga Toka,” tha specialistja e misionit Christina Koch teksa theu heshtjen nga anija kozmike.

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tha astronautëve se ata kanë bërë histori dhe e kanë bërë gjithë Amerikën shumë krenare dhe i ftoi në Shtëpinë e Bardhë.

    Astronautët pritet të zbresin në Oqeanin Paqësor, në brigjet perëndimore të SHBA-së, në orën 20:07 sipas kohës lindore të SHBA-së të premten.

  • Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Policia gjen municion dhe pajisje ushtarake në Zubin Potok

    Gjatë një patrullimi rutinë në një shtëpi të pabanuar në Zubin Potok, policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi municioni dhe pajisjesh ushtarake.

    Policia ka gjetur: 15 fishekë të mbushur dhe 11 të zbrazur për pushkë gjuetie, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola, dhe një pjesë uniforme ushtarake.

    Në këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia ka njoftuar prokurorin dhe rasti është në procedurë hetimore për armëmbajtje pa leje.

    “ Policia gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe konfiskuar municion të pushkës së gjuetisë: 15 copë fishekë të mbushur, 11 fishekë të zbrazur, një makinë për mbushjen e fishekëve, një sasi baruti, diabola dhe një pjesë uniforme ushtarake. Nuk ka të dyshuar, rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Haradinaj: Kurti nuk e ka pasur prioritet zgjedhjen e presidentit, po përfundojmë në zgjedhje

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për të që nga fillimi i mandatit qeverisës.

    Në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet zgjedhjen e presidentit.

    “Duke u nis nga ajo çka ka ndodh deri tani, shihet që pra Kurti nuk e ka pasur me rëndësi zgjedhjen e presidentit. Për shkak se këto marrëveshjet politike për president, sikur ta kishte pas me rëndësi, do t’i kishte bërë kur e ka bërë qeverinë. Do t’i ftonte ne koalicion qeverisës, palët e interesuara për bashkëqeverisje, ku do ta përfshinte edhe çështjen e presidentit… mundem me them që nuk e shoh të internuar, nuk e ka pas me interes të madh zgjedhjen e presidentit. Kësisoj përfundojmë në zgjedhje”, ka thënë Haradinaj.

  • Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Për 24 orë në Kosovë: Një i vdekur e 27 të lënduar në aksidente trafiku

    Një person ka humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në dhjetëra aksidente që kanë ndodhur brenda 24 orëve në Kosovë.

    Sipas raportit policor, poashtu janë shënuar edhe 29 raste të aksidenteve me dëme materiale.

    Derisa, 13 persona janë arrestuar, katër janë dërguar në mbajtje, kurse një në vuajtje të dënimit.

    Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar edhe 2291 gjoba trafiku.

  • “Të martën, në orën tetë pasdite”, Shtëpia e Bardhë rikthen ultimatumin e Trump për kthimin e Iranit në “kohën e gurit”

    “Të martën, në orën tetë pasdite”, Shtëpia e Bardhë rikthen ultimatumin e Trump për kthimin e Iranit në “kohën e gurit”

    Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë ultimatum Iranit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit deri të martën në orën tetë të pasdites.

    Trump ka thënë se nëse nuk do të ndodh një gjë e tillë, Irani s’do të ketë as ura, as infrastrukturë energjetike dhe do t’i kthejë në “kohën e gurit”.

    Ndonëse ka pasur raportime për shtyrje të një afati të tillë, “Shtëpia e Bardhë” ka rikthyer me një postim deklaratën e Trump i cili cakton të martën dhe orën tetë të pasdites si afat për Iranin.

    Pritet të shihet nëse sot gjatë ditës do të ketë ndonjë marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, apo nëse do të ketë ndonjë valë të re sulmesh nga SHBA, siç ka paralajmëruar Trump.