ATV

Author: K.B.

  • Çfarë hanë astronautët e Artemis II gjatë misionit rreth Hënës

    Çfarë hanë astronautët e Artemis II gjatë misionit rreth Hënës

    Fluturimi i parë me ekuipazh i Artemis i NASA-s ka nisur. Katër astronautët e Artemis II po fluturojnë me anijen kozmike Orion rreth Hënës, për të testuar se si funksionojnë sistemet e saj në hapësirën e thellë.

    Astronautët e NASA-s, Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, së bashku me astronautin kanadez të Agjencia Hapësinore Kanadeze, Jeremy Hansen, u nisën në orën 18:35 më 1 prill nga platforma 39B në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.

    Krahas shumë pyetjeve kryesore, ku shumë prej tyre përgjigjen mund ta gjejnë tek faqja zyrtare e NASA, aty flitet edhe për pjesën e ushqimit.

    Çfarë hanë astronautët gjatë këtij misioni?

    Ekuipazhi i Artemis II ka në dispozicion 189 artikuj të ndryshëm ushqimi gjatë misionit, përfshirë 10 lloje të ndryshme pijesh si kafe dhe smoothie.

    Ushqimet më të zakonshme përfshijnë tortilja, arra, brisket viçi me BBQ, lulelakër, makarona me djathë, kungull të ëmbël, biskota dhe çokollatë.

    “Ushqimi që kanë ekuipazhi është i bërë për të mbështetur shëndetin dhe performancën e tyre gjatë misionit rreth Hënës. Përzgjedhjet e menusë janë zhvilluar bashkë me ekspertë të ushqimit hapësinor dhe ekuipazhin për të balancuar nevojat për kalori, hidratim dhe marrjen e nutrientëve, duke marrë parasysh edhe preferencat individuale”, thuhet në faqen zyrtare të NASA-s.

  • Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Soda e bukës dhe barnat: Kombinimi që mund të bëhet i rrezikshëm pa e ditur

    Përdoret shpesh për urthin dhe duket e padëmshme, por soda e bukës mund të ndërveprojë me barna të rëndësishme dhe të prishë ekuilibrin në organizëm. Ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që shpesh neglizhohen

    Soda e bukës (natrium-bikarbonat) përdoret shpesh për lehtësimin e urthit dhe aciditetit në stomak, por kjo përdorim nuk është pa rreziqe. Edhe pse soda medicinale është e disponueshme pa recetë, te disa persona mund të shkaktojë ose përkeqësojë probleme ekzistuese shëndetësore. Sipas Mayo Clinic, përdorimi i pakontrolluar i antacideve që përmbajnë natrium mund të ndikojë në ekuilibrin elektrolitik dhe në funksionin kardiovaskular.

    Soda e bukës: Disa persona kanë rrezik të shtuar nga përdorimi

    Përdorimi i sodës së bukës kërkon kujdes të veçantë te disa grupe pacientësh. Natrium-bikarbonati përmban sasi të konsiderueshme natriumi, gjë që mund të jetë problem për personat që kanë kufizim të marrjes së kripës, sidomos te hipertensioni ose sëmundjet kardiovaskulare (persona në dietë me natrium të kufizuar). Sipas American Heart Association, marrja e lartë e natriumit lidhet drejtpërdrejt me rritjen e presionit të gjakut dhe rrezikun për komplikime kardiake.

    Tabletët ose pluhuri duhet të treten plotësisht në ujë para përdorimit. Përndryshe, mund të shkaktojnë irritim ose dëmtim të mukozës së stomakut. Gjithashtu, nuk rekomandohet marrja me stomak të mbushur, pasi kjo mund të rrisë rrezikun e parehatisë dhe dhimbjes, sidomos te personat me stomak të ndjeshëm.

    Masat paraprake para fillimit të përdorimit

    Para se të filloni përdorimin e natrium-bikarbonatit, është e rëndësishme të informoni mjekun për alergjitë e mundshme ndaj barnave, të paraqisni listën e të gjitha barnave që përdorni (përfshirë suplementet dhe preparatet bimore) dhe të jepni historinë e plotë mjekësore. Sipas U.S. Food and Drug Administration, ndërveprimet mes barnave dhe substancave të zakonshme pa recetë janë shpesh të nënvlerësuara dhe mund të kenë pasoja serioze.

    Ky preparat mund të mos jetë i përshtatshëm për personat me:

    • tension të lartë të gjakut
    • gjakderdhje në traktin tretës
    • insuficiencë kardiake
    • sëmundje të veshkave

    Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji duhet të konsultohen me profesionist shëndetësor para përdorimi.

    Në çfarë duhet kushtuar vëmendje gjatë përdorimit?

    Nëse përdorni sodë buke për urth dhe simptomat zgjasin më shumë se dy javë, duhet të paraqiteni te mjeku. Përdorimi i zgjatur pa mbikëqyrje mund të maskojë sëmundje më serioze të sistemit tretës, siç theksohet edhe nga National Institute of Diabetes and Digestive and Kidney Diseases.

    Ndërveprimet me barna të tjera

    Natrium-bikarbonati mund të ndikojë në veprimin e shumë barnave, duke rritur rrezikun e efekteve anësore ose duke ulur efikasitetin e tyre. Kjo ndodh sepse ai ndryshon pH-në e stomakut dhe urinës, duke ndikuar në përthithjen dhe eliminimin e barnave. Kujdes i veçantë kërkohet nëse përdorni:

    • antacide të tjera
    • barna si Aspirin dhe preparate të ngjashme
    • benzodiazepina (barna kundër ankthit)
    • antiaritmikë
    • antimikotikë si Ketoconazole
    • barna psikiatrike si Lithium
    • antibiotikë të caktuar, përfshirë Tetracycline
    • barna për artritin reumatoid si Methotrexate
    • suplemente hekuri dhe vitamina

    Çfarë thotë shkenca: Si ndodh alkaloza metabolike?

    Një nga faktet e rëndësishme, por më pak të njohura, është se përdorimi i tepërt i sodës së bukës mund të çojë në alkalozë metabolike, gjendje në të cilën prishet ekuilibri acido-bazik në organizëm. Sipas Cleveland Clinic, kjo gjendje shfaqet kur rritet niveli i bikarbonatit në gjak dhe mund të shkaktojë simptoma si nauze, dridhje muskulore, konfuzion dhe çrregullime të ritmit të zemrës.

    Në rastet më të rënda, alkaloza metabolike mund të jetë gjendje serioze dhe potencialisht e rrezikshme që kërkon mbikëqyrje mjekësore.

    Në përfundim, edhe pse natrium-bikarbonati duket si zgjidhje e thjeshtë dhe e arritshme për urthin, përdorimi i tij kërkon kujdes. Përdorimi i gabuar ose afatgjatë mund të çojë në komplikime, sidomos te personat me sëmundje kronike ose ata që përdorin barna të tjera.

    Prandaj, rregulli më i rëndësishëm është që para fillimit të përdorimit të rregullt të konsultoheni me profesionist shëndetësor dhe ta përdorni këtë preparat natyral në mënyrë të përgjegjshme.

  • Zbulohen detajet e para për Honor 600 Pro

    Zbulohen detajet e para për Honor 600 Pro

    Seria e re e smartfonëve nga Honor po tërheq vëmendje edhe para lansimit zyrtar.

    Pamjet e rrjedhura të modelit Honor 600 Pro konfirmojnë një dizajn krejtësisht të ri, me një modul kamerash më të madh dhe tre sensorë në pjesën e pasme.

    Një detaj interesant është se dizajni i kamerës dhe ngjyra portokalli duket se janë frymëzuar nga iPhone 17 Pro.

    Në pjesën e përparme, telefoni pritet të ketë korniza shumë të holla dhe një vrimë të vogël për kamerën selfie.

    Sipas informatave, pajisja do të vijë me ekran OLED 6.57 inç, rezolucion 1.5K dhe refresh rate 120Hz.

    Brenda tij pritet një procesor i fuqishëm nga seria Snapdragon 8, së bashku me një kamerë kryesore 200MP me stabilizim optik (OIS).

    Një tjetër veçori që bie në sy është bateria masive prej 9,000 mAh, që mund ta bëjë këtë model një nga më të fuqishmit.

    Honor ka nisur tashmë paralajmërimet për serinë 600, e cila pritet të dalë edhe në tregun global, jo vetëm në Kinë.

  • Dua Lipa dhe Callum Turner vendosin të martohen këtë verë, kush janë disa nga të ftuarit e famshëm?

    Dua Lipa dhe Callum Turner vendosin të martohen këtë verë, kush janë disa nga të ftuarit e famshëm?

    Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa po përgatitet për një dasmë përrallore me aktorin Callum Turner këtë verë, por ceremonia do të jetë shumë private, duke bërë që shumë nga miqtë e saj të famshëm të mos jenë të pranishëm.

    Burime të afërta me çiftin tregojnë për “The Sun” se ata kanë vendosur datën, por duan që dita e tyre e madhe të jetë vetëm për më të afërmit.

    Elton John, Olivia Dean, Mark Ronson, Rose dhe Donatella Versace janë disa nga miqtë e saj, si edhe Charli XCX, në dasmën e së cilës Dua mori pjesë në Siçili vitin e kaluar.

    Megjithatë, Dua mund të kthehet përsëri në Itali, me burime që zbulojnë se çifti ka vizituar prona atje dhe në Mbretërinë e Bashkuar verën e kaluar, si destinacione të mundshme për ditën e tyre të madhe.

    “Planet për dasmën e Dua dhe Callum janë në zhvillim të plotë, por gjithçka po mbahet sekret”, thonë burimet për “The Sun”.

    Kjo do të ndodhë këtë verë ajo do të jetë grua e martuar para se të mbushë 31 vjeç në gusht. Ata duan ta mbajnë të rrethuar vetëm me më të afërmit, kështu që nuk do të jetë një ngjarje e madhe dhe spektakolare.

    Dua e bëri publike lidhjen me aktorin Callum Turner në fillim të vitit 2024, vetëm pak javë pas ndarjes nga regjisori francez Romain Gavras, i cili tashmë ka nisur një roamncë me Emily Ratajkowski. Në dhjetor të atij viti, “The Sun” zbuloj ekskluzivisht se si Callum kishte bërë propozimin në gjunjë.

    Duke konfirmuar lajmin për British Vogue verën e kaluar, Dua tha: “Po, jemi të fejuar.

    “Është shumë emocionuese. Ky vendim për të mos u ndarë dhe për të ndarë një jetë së bashku, dhe thjesht, nuk e di, për të qenë shokë më të mirë përgjithmonë – është një ndjenjë shumë e veçantë”, tha ajo asokohe.

    Në një intervistë tjetër verën e kaluar, këngëtarja tha: “Jam më e lumtur se kurrë. Unë e dua dashurinë. Është një gjë e bukur. Një gjë shumë frymëzuese. Gjithmonë e gjen veten duke u dashuruar kaq fuqishëm në mënyrën më të bukur të mundshme. Ai lloj ndjeshmërie është i frikshëm, por ndihem kaq me fat që mund ta përjetoj.”

    Edhe Callum tregoi vitin e kaluar se si ata u takuan në një festë ditëlindjeje të një shoku të përbashkët dhe lidhën miqësi duke zbuluar se po lexonin të njëjtin libër dhe më pas bisedat zgjatën më tej.

  • “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    “Mjerët ne kush po na udhëheq”, Bajrami e LDK-së i reagon Kurtit për numrin e votave për president

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij për numrin e votave që kërkohen për zgjidhjen e presidentit.

    Pas takimit që ka pasur sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kreu i ekzekutivit ka thënë se 80 ose 81 vota nuk mjaftojnë për këtë proces, pasi sipas tij, nevojiten të paktën 84 ose 85 vota.

    Për këtë, deputetja Bajrami ka kritikuar këtë qasje të Kurtit.

    “Në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifinuese dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president.”, ka thënë Bajrami.

    Ajo ka shtuar se me këtë qasje rrezikohet të shkohet në bllokada të reja.

    “Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë.”, ka thënë Bajrami.

  • Artemis II do të përdorë manovrën që shpëtoi Apollo 13 për kthimin në Tokë

    Artemis II do të përdorë manovrën që shpëtoi Apollo 13 për kthimin në Tokë

    Artemis II po përdor të njëjtën manovër të ekzekutuar nga misioni i famshëm Apollo 13, pas mesazhit historik “Houston, we have a problem”.

    Një shpërthim i bombolës së oksigjenit në misionin e 13-të Apollo zhduku çdo shpresë për një ulje në Hënë në prill të vitit 1970, me mbijetesën e ekuipazhit të përjetësuar në filmin e vitit 1995, me protagonist Tom Hanks.

    Shumë njerëz e dinë, si rezultat i filmit, se Apollo 13 përdori manovrën e quajtur “slingshot” për t’u kthyer në Tokë – pavarësisht dëmit të shkaktuar nga shpërthimi.

    E njohur si trajektore hënore me kthim të lirë, kjo rrugë pa ndalesa për në Tokë shfrytëzon gravitetin e Tokës dhe të Hënës, duke zvogëluar nevojën për karburant.

    Këtë herë, për Artemis II, është një pjesë e planifikuar e misionit.

    Është një manovër qiellore që do t’i vendosë astronautët në rrugën e duhur për në shtëpi, sapo të dalin nga pas Hënës sonte.

    Ndryshe, misioni Apollo 13 raportoi shpërthimin e tij ndërsa anija kozmike ishte 321,868 larg Tokës.

    Komandanti Jim Lovell dhe dy astronautët e tjerë në bord – Fred Haise dhe Jack Swigert – mezi mbijetuan.

  • Hapet GoFundMe për Stenaldon për t’u bërë me shtëpi

    Hapet GoFundMe për Stenaldon për t’u bërë me shtëpi

    Është hapur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbështetur Stenaldo Mëhillin, ish-banorin e Big Brother VIP Albania, i cili po përballet me vështirësi ekonomike.

    Pas përfundimit të eksperiencës së tij në spektakël, Mehilli bëri një apel publik gjatë një emisioni live, ku tregoi situatën e tij dhe kërkoi ndihmë për të siguruar një shtëpi.

    Ai theksoi se jeton vetëm me nënën e tij në Tiranë dhe se dëshiron t’i ofrojë asaj kushte më të mira jetese, qoftë përmes blerjes apo ndërtimit të një banese.

    Kjo ka ka prekur shumë ndjekës dhe publikun, duke nxitur reagime dhe mbështetje të menjëhershme.

    Si rezultat, është iniciuar fushata në GoFundMe, me qëllim mbledhjen e fondeve nga qytetarë dhe dashamirës që duan ta ndihmojnë në realizimin e këtij qëllimi.

    Kjo nismë vjen si një përpjekje për të përmirësuar jetesën e tij, ndërsa mbetet për t’u parë se sa mbështetje do të arrijë të grumbullojë fushata në vijim.

    Stenaldo është banori i parë i verbër që është bërë pjesë e një spektakli si Big Brother, duke e kryer këtë sfidë me sukses.

  • Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Policia propozon sanksione ndaj tri kompanive private, aprovohen nga OSHP-ja

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka aprovuar propozimin e Policisë së Kosovës për sanksionimin e tri kompanive private nën dyshimin për mashtrim në prokurimin publik.

    Tre operatorë ekonomikë dyshohet se mashtruan Policinë e Kosovës në ofertat për tenderin e shpallur nga Policia e Kosovës për “furnizim me uniforma operacionale”, raporton Paparaci.

    Tre operatorët, BE NEW L.L.C, Sabit Makiqi B.I. dhe Exim Jatex Sh.P.K., sipas Policisë së Kosovës, kishin ofruar ose paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara në garën për tenderin që parashihte furnizimin me uniforma operacionale të policisë.

    Në tri vendime të ndara, Organi Shqyrtues i Prokurimit aprovoi propozimet e Zyrës së Prokurimit të Policisë së Kosovës dhe vendosi në Listën e Zezë tri kompanitë private.

    Lista e Zezë e Gjykatës së Tenderëve është një proces i cili u ndalon kompanive pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit publik për periudha të caktuara, raporton Paparaci.

    Sipas vendimit të OShP-së, tri kompanitë: BE NEW L.L.C. dhe Sabit Makiqi B.I., me bazë në Prishtinë, si dhe ndërmarrja private Exim Jatex Sh.P.K. me bazë në Gjakovë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik për nëntë muajt e ardhshëm.

    Vendimet e OSHP-së kanë konstatuar se tri kompanitë private kanë “paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara” në tenderin e Policisë së Kosovës.

    Vendimet janë nxjerrë nga Gjykata e Tenderëve më 13 tetor të këtij viti. Ato mund të anulohen nga OSHP-ja në rast se Policia e Kosovës vërteton se tri kompanitë nuk kanë tentuar mashtrimin e institucionit policor në aktivitetet e prokurimit publik.

  • Aksident mes veturës dhe kamionit në Drenas, vdes një person

    Aksident mes veturës dhe kamionit në Drenas, vdes një person

    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur të hënën në fshatin Baincë të Drenasit.

    Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë.

    “Sot rreth orës 09:40 kemi pranuar informatën se në Baincë të Drenasit ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një kamion dhe një veturë. Si pasojë e aksidentit një person ka mbetur i vdekur. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka thënë Ahmeti.

  • Përballë shtrenjtimit të naftës, a janë veturat elektrike opsion për qytetarët?

    Përballë shtrenjtimit të naftës, a janë veturat elektrike opsion për qytetarët?

    Së fundi, çmimet e naftës në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur deri në rreth 1.8 euro për litër.

    Me një konsum mesatar prej rreth 6 deri në 7 litra për 100 kilometra, një veturë me naftë mund të shpenzojë rreth 10 deri në 12 euro karburante për ta kaluar këtë distancë.

    Por, a mund të jetë një veturë elektrike zgjidhja për qytetarët e shqetësuar nga rritja e çmimeve të karburanteve?

    Përgjigjja është e thjeshtë për Fidan Hallaqin, pronar i kompanive E-Charge dhe E-Taxi, dhe Zeqir Smajlin, pronar i kompanisë DGI Kosova.

    “Sot mund t’ua rekomandojmë qytetarëve në Kosovë të blejnë veturë elektrike, veçanërisht nëse jetojnë ose punojnë në qytetet kryesore dhe kanë qasje në mbushje të rregullt”, thotë Hallaqi për REL-in.

    “Infrastruktura aktuale nuk është perfekte, por është e mjaftueshme për përdorim praktik të përditshëm”, shton ai.

    E, si ndikon rritja e çmimit të energjisë elektrike në vitet e fundit në Kosovë?

    Smajli shpjegon se kostoja e përdorimit të veturave elektrike mbetet dukshëm më e ulët sesa ajo e derivateve.

    Veturat elektrike konsumojnë mesatarisht 15 deri në 20 kWh për 100 kilometra.

    Kjo përkthehet në kosto dukshëm më të ulët: më pak se 1 euro për 100 kilometra nëse mbushja bëhet në shtëpi gjatë tarifës së ulët, ose deri në 3 apo 4 euro në pika publike.

    E-Taxi është një kompani e taksive që operon vetëm me vetura elektrike, ndërsa E-Charge është rrjeti i parë publik i mbushjes për vetura elektrike në Kosovë.

    Kurse, kompania e Smajlit, që ka dy vjet që funksionon në treg, bën importimin e këtyre veturave në Kosovë.

    Smajli thotë se, në Kosovë, interesimi për vetura elektrike është rritur gradualisht, fillimisht nga bizneset me shpenzime të mëdha për karburante, e më pas edhe nga qytetarët.

    “Sidomos në këto periudha të shtrenjtimit të derivateve është rritur edhe më shumë interesimi dhe shitja”, thotë ai.

    Shumica e veturave elektrike që janë importuar në vitet e fundit në Kosovë, janë të reja.

    Kjo për shkak se, ndryshe nga veturat e reja, ato të përdorura ngarkohen me akcizë shtesë në bazë të vjetërsisë – çka rrit çmimin përfundimtar dhe i bën më pak tërheqëse për importuesit.

    Megjithatë, sipas Smajlit, edhe çmimi i blerjes së veturave të reja mbetet pengesë.

    Nëse në Kosovë, një veturë elektrike mund të kushtojë rreth 24 deri në 25 mijë euro, në disa vende të tjera të Evropës, si Shqipëria, e njëjta mund të blihet për 19 deri në 20 mijë euro, thotë ai, për shkak të lehtësirave fiskale.

    “Dogana dhe TVSH-ja te ne arrijnë diku rreth 28 për qind… dhe qytetarët detyrohen t’i paguajnë ato”, thotë Smajli.

    Edhe pse në të kaluarën është diskutuar për heqjen e taksës së regjistrimit për veturat elektrike, aktualisht nuk ka lehtësira konkrete as për import, as për regjistrim.

    Këtë e konfirmon për REL-in pronari i një kompanie që merret me regjistrimin e veturave.

    Ndërsa, pyetjet drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor lidhur me strategjinë, subvencionet dhe planet për zhvillimin e infrastrukturës për veturat elektrike, kanë mbetur pa përgjigje.

    Shumë vende të tjera po stimulojnë qytetarët drejt veturave elektrike për shkak të lidhjes edhe me përfitimet mjedisore.

    Veturat elektrike nuk prodhojnë emetime direkte gjatë përdorimit, çka mund të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit, që në disa qytete të Kosovës tejkalon kufijtë e lejuar, sidomos gjatë dimrit.

    Megjithatë, në Kosovë, ku prodhimi i energjisë mbështetet kryesisht në qymyr, efekti i veturave elektrike në reduktimin e ndotjes mbetet i kufizuar.

    Të dy bashkëbiseduesit, Hallaqi dhe Smajli, përmendin mungesën e mbështetjes institucionale si një ndër problemet kryesore.

    Hallaqi thotë se politikat aktuale nuk janë në favor të veturave elektrike.

    “Tranzicioni drejt elektromobilitetit kërkon qasje afatgjatë, stabilitet rregullator dhe koordinim të fortë ndërmjet sektorit publik dhe privat.

    Pa këtë, zhvillimi do të ndodhë, por me ritëm më të ngadaltë se potenciali real i tregut”, thotë Hallaqi.

    Ai e përmend Shqipërinë si rrëfim suksesi sa u përket politikave favorizuese ndaj veturave elektrike, përdorimi i të cilave ka tejkaluar mesataren e BE-së.

    E pikërisht në këtë pikë, thotë ai, Kosova ka pasur ngecje.

    Ai shpjegon se veturat me motor me djegie të brendshme nga Bashkimi Evropian mund të përfitojnë lehtësira në import në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila parasheh heqje graduale të tarifave doganore për produktet me origjinë nga BE-ja.

    Megjithatë, veturat elektrike shpesh nuk i gëzojnë këto lehtësira për shkak të rregullave të origjinës, pasi komponentët e tyre prodhohen jashtë BE-së, duke i bërë ato subjekt të tarifës doganore prej rreth 10 për qind.

    Në disa raste, edhe për veturat hibride aplikohen norma më të favorshme të akcizës si masë për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa veturat plotësisht elektrike nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë në kuadër të legjislacionit aktual për akcizën.

    Smajli thotë se kjo lidhet me faktin se korniza ligjore dhe udhëzimet administrative përkatëse janë hartuar para se veturat elektrike të ishin të pranishme në tregun vendor, duke lënë boshllëqe në trajtimin e tyre.

    Strategjia e Energjisë 2022-2031 parasheh që numri i veturave elektrike në Kosovë të arrijë në rreth 15 mijë deri në vitin 2031.

    Por, edhe në këtë skenar, ato do të përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të flotës së përgjithshme të automjeteve prej mbi 400 mijë veturash që qarkullonin në vend deri në vitin 2024.

    Një tjetër shqetësim i konsumatorëve për përdorim praktik të veturave elektrike mbetet i lidhur ngushtë me infrastrukturën.

    Hallaqi thotë se, në Kosovë, edhe zhvillimi i këtij sektori po ecën më ngadalë krahasuar me vendet e rajonit.

    Ai tregon se ende ka zona ku mungon qasja në pika të mbushjes, sidomos jashtë qendrave urbane dhe në disa korridore rrugore.

    Megjithatë, sipas tij, rreziku për të mbetur pa bateri është i ulët.

    “Me disiplinë operative dhe planifikim të duhur, rreziku që një veturë të mbetet pa energji gjatë punës është minimal”, thotë ai.

    Kompania e tij operon 32 pika të mbushjes në rajonin e Prishtinës, në aksin Prishtinë-Tiranë dhe në Shqipëri.

    “Qasja jonë ka qenë të ndërtojmë një rrjet praktik dhe të përdorshëm për përdoruesit e përditshëm, duke siguruar që mbushja të jetë e disponueshme aty ku ka kërkesë reale”, thotë ai.

    Në anën tjetër, Smajli thekson se autonomia e veturave elektrike – pra distanca që mund të përshkojnë pa pasur nevojë për rimbushje – është e mjaftueshme për distancat në Kosovë dhe se infrastruktura nuk duhet të jetë pengesë për qytetarët.

    “Për qytetarët e thjeshtë, [vetura elektrike] është zgjedhje jashtëzakonisht e mirë, sepse ka autonomi të mjaftueshme.

    Minimumi është rreth 400 km autonomi. Nëse i llogarisim qytetet e Kosovës, qyteti më i largët prej Prishtinës është rreth 100 kilometra”, thotë Smajli.

    Ngjashëm vlerëson edhe Hallaqi.

    “Në terma praktikë, vendimi për të kaluar në veturë elektrike sot është më shumë çështje zgjedhjeje dhe planifikimi, sesa kufizim teknik”, përfundon ai.