ATV

Author: K.B.

  • Deputetja e AAK’së zbulon ‘zënkën’ me Abdixhikun: S’na u përgjigj për nënshkrimet, s’kemi arsye me iu përgjigjë as ne

    Deputetja e AAK’së zbulon ‘zënkën’ me Abdixhikun: S’na u përgjigj për nënshkrimet, s’kemi arsye me iu përgjigjë as ne

    Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, duke folur takimin e mundshëm mes kreut LDK-së, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, tha se nuk ka arsyje për t’iu përgjigjur ftesës së Abdixhikut.

    Bytyqi thotë se Abdixhiku nuk iu kishte përgjigjur pozitivisht kur ia kishin kërkuar nënshkrimet për Haradinajn president.

    “Lumir Abdixhiku, kur ne i kemi kërkuar mbështetje, kryetarit të LDK-së për nënshkrimet e kryetarit Haradinaj për president, nuk na është përgjigjur me ftesë pozitive dhe ne nuk kemi arsyje për ti përgjigjur ftesës”, tha ajo për RTV21.

    Deputetja e AAK-së, shtoi se kryeministri, Kurti duhet të thirr liderët e partive të opozitës në një takim të përbashkët, jo ndamas.

    “Zoti Kurti, duhet të thirrë të gjithë liderët e partite opozitare në takim, në një takim të përbashkët, sepse nuk ka efekt pozitiv nëse thirren veç a veç.”, ka deklaruar ajo.

  • Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Isa Mustafa paralajmëron krizë nëse VV-ja merr edhe Presidentin

    Gjatë ditës së djeshme janë riaktivizuar diskutimet politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit, në një kohë kur ende mungon një konsensus ndërmjet pozitës dhe opozitës.

    Lidhur me këtë çështje ish- kryetari i LDK-së, Isa Mustafa fillimisht ka sqaruar se cilat opsione nuk i konsideron si zgjidhje të pranueshme për situatën aktuale.

    “Së pari po shprehem se çfarë nuk është zgjidhje. Zgjidhje nuk do të ishte që VV, duke e pasur shumicën në Kuvend, Kryeparlamentarin dhe Qeverinë, të ketë edhe Presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak.”, ka thënë ai për Indeksonline.

    Ai paralajmëron për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një subjekt të vetëm politik, duke e parë këtë si cenim të balancës demokratike.

    Mustafa thekson se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke përfshirë edhe mundësinë e një kandidature jashtë shumicës:

    “Do të ishte zgjidhje që partia që ka shumicën të tregojë vullnet për një president nga opozita ose për një personalitet për të cilin pajtohen pozita dhe opozita.”, vlerësoi ai.

    Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e balancave institucionale dhe politike në vend.

    Duke folur për karakteristikat që duhet të ketë një kandidat i mundshëm, Mustafa pranon vështirësinë e arritjes së një figure ideale, por nënvizon disa parime bazë.

    “Këtë figurë është vështirë ta gdhendim si skulptor, por të pajtohemi se nuk ka të përkryer. Të jetë një njeri që siguron balancë të brendshme, mbrojtje të kushtetutës dhe përfaqësim jashtë në interes të vendit.”, tha tutje Mustafa.

    Në mungesë të vullnetit politik për kompromis, Mustafa sugjeron që vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

    “Nëse nuk gjendet ky vullnet, do të ishte më mirë të përfundohet ky cikël i amullisë dhe të shkohet në zgjedhje.”

    Në fund, ai e vendos situatën politike edhe në një kontekst më të gjerë global, duke theksuar mungesën e orientimit strategjik.

    “Ndryshimet gjeopolitike dhe ato gjeoekonomike kërkojnë nga çdo vend t’i definojë interesat e veta. Duket se ne nuk jemi në këtë rrugë!”

    Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja më 25 mars u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill.

    Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

  • Deliu: Pa marrëveshje, PDK nuk propozon emra për president – Nuk ka ftesë të re nga VV’ja

    Deliu: Pa marrëveshje, PDK nuk propozon emra për president – Nuk ka ftesë të re nga VV’ja

    Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar një ftesë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosje për takim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kërkon që çdo ftesë të konkretizohet në formë zyrtare dhe më pas të trajtohet në organet e parties.

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se partia e saj ka marrë pjesë në të gjitha takimet deri më tani me qëllim që të dëshmojë vullnet politik dhe të mos jetë bllokuese në proces.

    “Fakti që Partia Demokratike e Kosovës ka qenë pjesë e të gjitha takimeve deri tani me të gjitha partitë politike, në këtë rast edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, pikërisht për të bërë përpjekjet tona për të dëshmuar vullnetin tonë politik që të mos jemi bllokues në situatën kur vendi do të rrëshqasë drejt zgjedhjeve të reja. Prandaj duke e parë që këto takime nuk kanë pasur ndonjë efekt edhe që tashmë kemi një cikël të ri të takimeve të ftuara nga zoti Kurti pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi kërkuar që ta konkretizojë ftesën dhe ne pastaj ta trajtojmë këtë ftesë në organet e partisë, në Këshillin Drejtues që është institucioni më i lartë brenda partisë dhe në Kryesinë e partisë për të marrë dhe qëndrimin përfundimtar lidhur me këtë çështje. Në të kundërtën, po e them këto takime të cilat nuk prodhojnë asgjë, është vështirë të thuhet që do të kenë efektin e tyre pa u konkretizuar tashmë sepse nuk po ndodhin për herë të parë”, tha ajo.

    Deliu-Kodra theksoi se, sipas informatave që ajo ka, nuk ekziston ndonjë ftesë e re nga VV-ja, duke përsëritur qëndrimin se pa një ftesë të qartë dhe zyrtare, nuk mund të ketë përgjigje institucionale nga PDK.

    “Jo, nuk po e them nuk kemi pranuar, aq sa unë kam informata nuk ka ndonjë ftesë të re dhe qëndrimin edhe për ftesën e kemi sqaruar tash e sa kohë që pa një konkretizim të qartë të ftesës e cila duhet të vijë në letër zyrtarisht, të trajtohet institucionalisht ashtu siç e meriton të kemi përgjigje institucionale si subjekt politik, unë jam e bindur që takimet të cilat kanë ndodhur tash e sa kohë nuk është që kanë prodhuar diçka. Në të kundërtën Kosova sot, po të kishte vullnet politik të zotit Kurti, Kosova do ta kishte presidentin ose presidenten e saj”, tha ajo.

    Ajo shtoi se PDK-ja nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike paraprake, duke theksuar se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit mbetet te kryeministri.

    “Ne kemi thënë tash e sa kohë që nuk mund të propozohen emra pa një marrëveshje politike dhe fakti që s’kemi arritur që të kemi marrëveshje politike që propozimi t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që ne nuk kemi propozuar emra. Pra, zoti Kurti e thashë e ka të gjithë mundësinë, e ka pasur tash e sa kohë që ta zgjedhë presidentin dhe është komplet në vullnetin e tij politik nëse Kosovës do t’i japë një president ose presidente, ose vendi do të rrëshqasë në zgjedhje të reja”, tha ajo.

    Duke folur për situatën aktuale në vend, ajo kritikoi qeverinë për mungesë fokusimi në çështjet ekonomike dhe sociale.

    “Në të kundërtën një pushtet kaq i madh, mos harro tash e sa kohë që ta ketë prioritet qeverisjen, projektet, zhvillimin e Kosovës në kohën kur gjithçka në jetën e qytetarëve të Kosovës është rënduar, çmimet janë tepër të larta, çmimi i naftës është diçka që e ka rënduar edhe më shumë qytetarin shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike, gjendjen e rëndë që sot e ka sektori privat, natyrisht pagat e ulëta, të gjitha këto janë sfida të cilat kanë nevojë për adresim dhe Kosovës i duhen sa më parë që t’i ketë institucionet e veta. Nëse Albin Kurti ka vullnet politik që të ketë president, Kosova do të ketë institucionet e saj. Në të kundërtën kjo qasje e tij e papërfillshme ndaj partive të tjera nuk do ta çojë Kosovën askund”, tha ajo. /eo

  • A është çdo çokollatë e mirë për shëndetin? Ja çfarë thotë shkenca

    A është çdo çokollatë e mirë për shëndetin? Ja çfarë thotë shkenca

    Kakaoja është lidhur me përfitime të shumta, nga një zemër më e shëndetshme, plakje më e ngadaltë dhe kujtesë më e mprehtë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ajo vjen me disa paralajmërime.

    Studime të shumta e kanë lidhur kakaon me rezultate pozitive shëndetësore, të nxitura kryesisht nga flavanolet – një përbërës i fuqishëm bioaktiv me bazë bimore dhe antioksidant – dhe teobromina, një stimulues natyror me shije të hidhur që gjendet në bimët e kakaos dhe çokollatën.

    Megjithatë, të hash një çokollatë me qumësht nuk është e njëjtë me të konsumosh kokrrat e pastra të kakaos, dhe rreziqet dhe përfitimet mund të ndryshojnë.

    Si mund të jetë i dobishëm kakaoja?

    Kakao është i pasur me flavanolë, një klasë përbërësish që gjenden edhe në bimë dhe perime të ndryshme, të cilat janë shoqëruar me një sërë përfitimesh shëndetësore, duke vepruar si antioksidantë, antikancerogjenë dhe anti-inflamatorë.

    Ndërkohë, teobromina mund të depërtojë në barrierën hemato-tru, duke vepruar si një antagonist i receptorit të adenozinës për të ndikuar në neurofaktorët dhe për të përmirësuar funksionin njohës, sipas një studimi të vitit 2024. Kjo potencialisht siguron neurombrojtje kundër dëmtimeve njohëse të lidhura me moshën, sëmundjes së Alzheimerit dhe sëmundjes së Parkinsonit.

    Ndikime pozitive në shëndetin e zemrës

    Kakaoja është shoqëruar gjithashtu me një rrezik më të ulët të vdekjes nga një shkak i lidhur me zemrën.

    Një meta-analizë e vitit 2025 e botuar në European Journal of Preventive Cardiology zbuloi se ushqimet e pasura me flavanole mund të ulin presionin e gjakut dhe të përmirësojnë shëndetin kardiovaskular në popullatat klinikisht të rëndësishme me presion të lartë të gjakut, hipertension dhe rrezik të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare.

    Studiuesit vunë në dukje se këto përfitime ka të ngjarë të arrihen duke konsumuar afërsisht një deri në dy racione çokollate të zezë, ose dy deri në tre lugë gjelle pluhur kakaoje në ditë.

    Studimi mbi Rezultatet e Shtesave të Kakaos dhe Multivitaminave (COSMOS), një nga studimet më të mëdha dhe më të gjata të kontrolluara të rastësishme që shqyrtojnë marrëdhënien midis konsumit të çokollatës dhe shëndetit, ndoqi mbi 21,000 njerëz për një mesatare prej tre vjetësh.

    Disa nga pjesëmarrësit morën një suplement dy herë në ditë që përmbante 500 miligramë flavanol kakaoje, ndërsa të tjerë morën një placebo.

    Ndërsa të gjithë pjesëmarrësit patën rezultate të ngjashme në testet e shëndetit kognitiv dhe shkallën e diabetit të tipit 2, ata që morën suplementin kishin 27 përqind më pak gjasa të vdisnin nga shkaqe që lidhen me zemrën.

    Megjithatë, hetuesit paralajmërojnë se COSMOS nuk ishte një provë për të vlerësuar nëse ngrënia e çokollatës është e mirë.

    “Në vend të kësaj, pyet: ‘A ka diçka në lidhje me kokrrën e kakaos dhe përbërësit bioaktivë në të që mund të jetë e dobishme për shëndetin?’”, tha Howard Sesso, bashkë-hulumtues kryesor.

    Çokollata mund të ngadalësojë plakjen

    Studiuesit në King’s College London e lidhën së fundmi këtë teobrominë me plakjen më të ngadaltë.

    Ekipi shqyrtoi të dhënat nga mbi 1,600 pjesëmarrës në studim dhe zbuloi se ata me nivele më të larta të teobrominës në gjak kishin një moshë biologjike më të ulët se mosha e tyre kronologjike.

    “Çokollata, madje edhe çokollata e zezë, është një kënaqësi dhe jo një ushqim i shëndetshëm”, tha Dimitrios Koutoukidis, profesor i asociuar i dietës, obezitetit dhe shkencave të sjelljes, dhe dietolog në Universitetin e Oksfordit, në reagim ndaj studimit.

    Por nëse njerëzve u pëlqen çokollata, ata duhet ta shijojnë atë rrallë dhe në sasi të vogla, shtoi ai.

    A janë të gjitha çokollatat njësoj?

    Megjithatë, ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se çokollata komerciale zakonisht përmban nivele shumë më të ulëta të këtyre përbërësve sesa produktet e kakaos të përdorura në studimet shkencore.

    Ndër varietetet më të njohura, çokollatat më të errëta kanë tendencë të përmbajnë përqendrimet më të larta të flavanoleve, së bashku me më pak sheqer dhe më pak yndyrna të shtuara.

    Çokollata e bardhë është varieteti më pak i dobishëm ushqyes, pasi përmban gjalpë kakaoje, por jo lëndë të ngurta kakaoje, dhe është e pasur si me yndyrë ashtu edhe me sheqer.

    Mbetet e paqartë se sa çokollatë do të duhej të konsumohej për të marrë përfitime shëndetësore ose nëse përbërës të tjerë të shtuar gjatë përpunimit, siç janë sheqeri, qumështi dhe gjalpi i kakaos, do t’i anulonin ato.

  • A e dini pse përdoren uniforma blu dhe jeshile në sallat e operacionit

    A e dini pse përdoren uniforma blu dhe jeshile në sallat e operacionit

    Në fillim të shekullit të 20-të, në sallat e operacionit u vendosën veshjet dhe përparëset jeshile, ndërsa shumë më vonë, në vitet 1960, filluan të përdoren uniformat blu.

    Sipas një botimi në revistën mjekësore Today’s Surgical Nurse, zgjedhja e këtyre ngjyrave nuk u bë për arsye estetike, por thjesht praktike.

    E gjelbra, dhe përkatësisht bluja, i ndihmon mjekët të ruajnë performancë më të mirë vizuale për dy arsye kryesore.

    Eksperimentet kanë treguar se kur syri përqendrohet në nuancat e të gjelbrës ose të kaltërt, ai e rikuperon ndjeshmërinë e tij më shpejt pas ekspozimit intensiv ndaj të kuqes, siç janë gjaku dhe indet gjatë një operacioni.

    Thënë thjesht, këto ngjyra e ‘pushojnë’ shikimin dhe lejojnë përshtatje më të shpejtë.

    Në të njëjtën kohë, përqendrimi i vazhdueshëm te e kuqja mund t’i lodhë sytë dhe të krijojë shtrembërime vizuale. E gjelbra vepron si një agjent balancues, duke i ndihmuar kirurgët të ruajnë perceptimin vizual të qartë dhe të qëndrueshëm gjatë operacioneve.

  • Ballokumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

    Ballokumja e Elbasanit shpallet trashëgimi kulturore jomateriale

    Riti tradicional i përgatitjes së ballakumes, ëmbëlsirës ikonë të trevës së Elbasanit, është shpallur pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale. Kjo njohje vlerëson rëndësinë e saj si një simbol autentik i identitetit dhe traditës kulinare shqiptare, i lidhur ngushtë me festën e Ditës së Verës.

    Familjet elbasanase kanë ruajtur me përkushtim recetën origjinale dhe pajisjet tradicionale qindravjeçare të gatimit, duke ruajtur kështu një trashëgimi që mbartet brez pas brezi. “E kemi ruajtur siç e kanë lënë të parët tanë, me enët tradicionale si kusia, luga druri dhe sofra. Kusia ime është 250 vjeçare dhe e ruaj me fanatizëm si trashëgimi nga stërgjyshja ime,” rrëfen Kreshnik Kaliqi, mjeshtër i ballakumes që e gatuan prej gati 40 vitesh.

    Vendimi i Ministrisë së Kulturës konsiderohet një vlerësim për stërgjyshet që e kanë trashëguar këtë traditë mbi 400 vjet. “Ky është një nder për të parët tanë, të cilët me dashuri e përkushtim e kanë ruajtur këtë recetë, dhe ne do ta lëmë të gjallë për fëmijët tanë,” shton Kaliqi.

    Ballokumja e Elbasanit është e vetmja ëmbëlsirë që gatuhet sipas recetës së paprekur për mbi 540 vjet, duke përdorur miell misri, gjalpë dhe vezë fshati. Për banorët e zonës, dita e Verës nuk mund të imagjinohet pa këtë ëmbëlsirë tradicionale, që vazhdon të simbolizojë trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë autentike të Elbasanit.

  • Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, policia nis hetimet

    Vdekje e dyshimtë në Prishtinë, policia nis hetimet

    Një person është gjetur pa shenja jete në një shtëpi në rrugën “Obria” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Plana.

    Sipas tij, rreth orës 11:30 policia ka pranuar informatën për një person pa shenja jete, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull.

    Policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, ka nisur hetim lidhur me rastin dhe po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve të nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Nis takimi i Sindikatës së sektorit privat, diskutohet për paga dhe protestën e 1 Majit

    Nis takimi i Sindikatës së sektorit privat, diskutohet për paga dhe protestën e 1 Majit

    Ka nisur takimi i Sindikatës së sektorit privat me kryetarët e shoqatave sindikale, ku në fokus janë disa çështje kyçe për punëtorët.

    Në këtë takim pritet të diskutohet për rritjen e pagave, mundësinë e pagesës së pagës së 13-të, si dhe organizimin e protestës për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

    Takimi është i mbyllur për media.

  • Haxhiu garanton mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Haxhiu garanton mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të martën ka pritur në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se e ka siguruar Rushitin për mbështetjen e plotë të institucioneve në çdo përpjekje për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së të mbijetuarve.

    “E falënderova Rushitin për angazhimin e saj të palodhshëm dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, një mision me rëndësi të veçantë, jo vetëm për të mbijetuarit dhe shoqërinë tonë, por edhe për forcimin e drejtësisë dhe dinjitetit në shtetin tonë. Me këtë rast, e sigurova Rushitin se do të ketë mbështetjen time të plotë dhe të institucioneve në çdo përpjekje për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe mirëqenies së të mbijetuarve”, ka shkruar Haxhiu .

  • “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    “Reporting House” sjell në Mynih kujtesën e luftës në Kosovë

    Ekspozita është pjesë e iniciativës ndërkombëtare “Antifascism: Now.” (2026–2028), e cila përfshin 14 shtete dhe trajton kujtesën historike përmes artit dhe kërkimit.

    Punimet nga “Reporting House” në Prishtinë janë prezantuar zyrtarisht në qytetin e Mynihut, duke u bërë pjesë e projektit ndërkombëtar “Antifascism: Now.” (2026–2028), një iniciativë arti dhe kërkimi që përfshin 14 shtete dhe synon të sjellë në vëmendje rëndësinë e kujtesës historike dhe rolin e artit në përballje me sfidat aktuale shoqërore.

    E hapur në hapësirën Lothringer 13 Halle, ekspozita sjell një përmbledhje të materialeve dokumentare dhe gazetareske nga vitet ’90, duke përfshirë rrëfime dhe dëshmi nga periudha e luftës në Kosovë, si dhe histori të rezistencës së popullit të Kosovës.

    Në këtë ekspozitë prezantohen edhe intervista të rëndësishme, përfshirë dëshmi nga figura të njohura të rezistencës si Fehmi Lladrovci, si dhe dokumentime të realizuara nga autorë të tjerë mbi protestat e grave “Bukë” dhe “Divorc paqësor” të vitit 1998, që konsiderohen ndër momentet më domethënëse të aktivizmit qytetar në Kosovë.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 korrik 2026, në adresën Lothringer 13 Halle (Lothringer Straße 13, 81667 München), duke ofruar një mundësi të veçantë për audiencën gjermane dhe ndërkombëtare që të njihet më nga afër me historinë e Kosovës përmes materialeve autentike dhe qasjes dokumentare.

    Ngjarja është përcjellë edhe nga institucione përfaqësuese të Kosovës në Gjermani, përfshirë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Mynih./Albinfo.ch