ATV

Author: K.B.

  • “Po punë e madhe kush e ka Facebook-un”, Çitaku i reagon Haxhiut dhe Osmanit

    “Po punë e madhe kush e ka Facebook-un”, Çitaku i reagon Haxhiut dhe Osmanit

    Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi në Facebook duke kritikuar ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun dhe ish-presidenten Vjosa Osmanit, për fokusin te debatet në rrjete sociale, ndërkohë që qytetarët përballen me probleme reale si çmime të papërballueshme, mafia energjetike, rroga të ulëta dhe pensione poshtëruese.

    “Po punë e madhe kush e ka Facebook-un. Punë vërtetë e madhe janë çmimet e papërballueshme të gjërave më bazike. Punë vërtetë e madhe është mafia energjetike”, shkroi ndër tjerash Osmani.

  • Moti për ditën e nesërme

    Moti për ditën e nesërme

    Nesër, moti do të jetë i ndryshueshëm, me periudha me diell dhe vranësira të shpërndara në të gjithë territorin.

    Sipas IHMK, temperaturat minimale do të shënojnë vlera nga 4°C deri në 7°C, ndërsa temperatura maksimale do të arrijë në 12°C deri 15°C, duke sjellë një ditë të ngrohtë në mesditë.

  • Osmani: Garancë e betonuar nga Trump që nuk preket integriteti territorial dhe sovraniteti

    Osmani: Garancë e betonuar nga Trump që nuk preket integriteti territorial dhe sovraniteti

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se në letrën e urimit për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të pranuar nga presidenti Donald Trump, theksohet se ShBA mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

    Aty askund nuk është as “dialogu me Serbinë, as Asociacioni”, “këtë e kemi arritë me shumë punë”, shtoi Osmani.

    “Kjo na duhet ne, të ecim përpara me Amerikën”, theksoi Osmani në T7.

    “Garancë e shkruar, e betonuar nga Presidenti Trump që nuk preket integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se ky qëndrim nuk ka qenë kurrë më i fuqishëm.

  • Drejtori i AVONET ngre alarmin: Standarde të dyfishta dhe vendime kontradiktore në OSHP

    Drejtori i AVONET ngre alarmin: Standarde të dyfishta dhe vendime kontradiktore në OSHP

    Një analizë e bërë nga drejtori i OJQ-së AVONET, Kenan Gashi, nxjerr në pah një sërë vendimesh kontradiktore nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit. Sipas tij, rastet me numra 0006/2025, 1012/2025 dhe 0093/2026 dëshmojnë për një praktikë të paqëndrueshme dhe trajtim selektiv, ku për raste të ngjashme merren vendime të ndryshme, pa një standard të qartë juridik.

    Gashi thekson se në një rast pranohet se ka pasur hapësirë për interpretim, por vendimi nuk korrigjohet, ndërsa në një tjetër rast, edhe pse mungojnë kriteret bazë, çështja kthehet në rivlerësim. Sipas tij, kjo tregon për një devijim të rrezikshëm nga parimet e barazisë dhe transparencës, duke dëmtuar besimin në sistemin e prokurimit publik dhe duke ngritur pikëpyetje për ndikime të mundshme në vendimmarrje.

    Ai bën thirrje që institucionet përgjegjëse, përfshirë Kuvendin e Kosovës, Qeverinë dhe Prokurorinë e Shtetit, të trajtojnë këtë çështje me prioritet, duke theksuar se heshtja përballë këtyre praktikave rrezikon të kthejë abuzimin në normë.

    Postimi i plotë:

  • Zbardhet biseda telefonike, Orban i ofron ndihmë Putinit: Do të bëhem si ‘miu e luani’ për Rusinë

    Zbardhet biseda telefonike, Orban i ofron ndihmë Putinit: Do të bëhem si ‘miu e luani’ për Rusinë

    Viktor Orban e përshkroi veten si “miun” e Kremlinit dhe premtoi se do të bënte gjithçka për të ndihmuar Rusinë.

    Të martën, Bloomberg News raportoi se kishte siguruar një transkript të qeverisë hungareze të një telefonate midis Orban dhe Putinit më 17 tetor. Sipas tij, lideri hungarez krahasoi marrëdhënien e tyre me atë të një “miu” të gatshëm të ndihmojë “luanin” rus sipas nevojës.

    “Dje miqësia jonë arriti një nivel kaq të lartë sa mund të ndihmoj në çdo mënyrë”, thuhet se i tha Orban, Putinit gjatë bisedës, duke shtuar se “në çdo çështje ku mund të jem i dobishëm, jam në shërbimin tuaj.

    ”Për ta thjeshtuar këtë ide, Orban i bëri një referencë një fabule të Ezopit, ku një mi që më parë kishte marrë mëshirë nga një luan më pas e çliron të njëjtin luan kur ai ngec në rrjetin e gjuetarëve. Telefonata i shkaktoi të qeshura nga Putini, sugjeron transkripti.

    Orban, populisti i djathtë që ka synuar ta kthejë Hungarinë në atë që e quan “demokraci jo-liberale”, është lideri më miqësor ndaj Moskës në Bashkimin Evropian, gjë që ka bërë që disa kritikë ta quajnë “kalin e Trojës të Putinit”.

    Zbulimi më i fundit ka rritur pyetjet që kanë qarkulluar javët e fundit mbi përpjekjet e SHBA-së dhe Rusisë për të mbështetur Orban, ndërsa ai mbetet prapa në sondazhe. Agjencitë ruse të inteligjencës, së bashku me rrjete dezinformimi të lidhura me Rusinë, dyshohet se po përpiqen të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve.

    Ndërsa hungarezët përgatiten të votojnë këtë fundjavë, shumica e sondazheve tregojnë se Orban po përballet me një sfidë të paprecedent nga Peter Magyar, ish-anëtar i lartë i partisë Fidesz së Orbanit, duke rritur mundësinë që ai të largohet nga pushteti pas 16 vitesh.

    Kjo perspektivë ka mobilizuar udhëheqës të djathtë në mbarë botën, duke bërë që zgjedhjet në këtë vend të Evropës Qendrore, me rreth 9.5 milionë banorë, të jenë një çështje me jehonë globale. Zgjedhjet po ndiqen me vëmendje edhe në Bashkimin Evropian.

    Zëvendëspresidenti amerikan sulmon Brukselin dhe zotohet të ndihmojë Orbánin përpara votimit hungarez

    Javën e kaluar, disa udhëheqës shprehën zemërim pas një audioje të rrjedhur, e cila duket se kapte ministrin e jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, duke i thënë homologut të tij rus, Sergei Lavrov, se do të punonte për të ndryshuar listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian sipas dëshirës së Hungarisë.

    Në telefonatën që u zbulua të martën, thuhet se Putini lavdëroi qëndrimin “të pavarur dhe fleksibël” të Hungarisë ndaj luftës së tij në Ukrainë.

    “Na duket e paimagjinueshme që një pozicion kaq i balancuar, mesatar, prodhon vetëm kundërar-gumente”, tha presidenti rus, sipas transkriptit.

    Telefonata përfundoi me dy liderët që pyetën për shëndetin e njëri-tjetrit. “Unë bëj ushtrime, edhe skijoj. E di që ti luan futboll,” tha presidenti rus. “Përpiqem,” u përgjigj Orbán, duke shkaktuar të qeshura nga të dy burrat.

    Më pas, Orban thuhet se e falënderoi Putinin për telefonatën dhe i tha lamtumirë në gjuhën ruse.

  • Presidenca do të njoftojë në profile të reja për aktivitetet e Haxhiut, Osmani i mori të vetat pasi e kreu mandatin

    Presidenca do të njoftojë në profile të reja për aktivitetet e Haxhiut, Osmani i mori të vetat pasi e kreu mandatin

    Presidenca e Kosovës ka njoftuar se ka hapur profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, duke synuar siç thuhet në njoftim të sigurojë vazhdimësinë e komunikimit me qytetarët.

    Ky vendim vjen pasi profilet ekzistuese sipas njoftimit janë marrë në administrim nga zyra e presidentes së mëparshme Vjosa Osmani dhe, sipas njoftimit, nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të institucionit.

    Sipas Presidencës, profilet e reja do të menaxhohen drejtpërdrejt nga institucioni dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar.

    Në njoftim theksohet se komunikimi institucional nuk duhet të lidhet me mandate individuale, ndërsa profilet në rrjetet sociale konsiderohen pronë e Presidencës dhe do të mbeten në përdorim të saj pavarësisht ndryshimeve në krye të institucionit. /Gazeta Exprerss

    Më poshtë komunikata e plotë:

    Presidenca e Republikës së Kosovës njofton se ka krijuar profile të reja zyrtare në rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së komunikimit me qytetarët

    Pas përfundimit të mandatit të Presidentes së mëparshme, profilet ekzistuese janë marrë në administrim nga zyra e saj dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të Presidencës. Institucionet publike nuk janë të lidhura me mandate individuale, ato duhet të kenë komunikim të qëndrueshëm, të qartë dhe me vijimësi, në shërbim të qytetarëve.

    Për këtë arsye, profilet e reja zyrtare do të administrohen drejtpërdrejt nga institucioni i Presidencës dhe do të shërbejnë si burimi i vetëm i informacionit zyrtar nga ky institucion.

    Ky hap siguron që komunikimi zyrtar të mbetet i lidhur me institucionin, duke ruajtur dhe garantuar vazhdimësinë institucionale në funksion të informimit të qytetarëve.

    Profilet në rrjetet sociale janë pronë e Presidencës dhe do të mbeten në përdorim të institucionit më të lartë të shtetit, pavarësisht se kush ushtron funksionin e Presidentit/es.

  • Humolli nga zyra e OBSh-së në Kosovë: Bota po përgatitet për një pandemi të ardhshme

    Humolli nga zyra e OBSh-së në Kosovë: Bota po përgatitet për një pandemi të ardhshme

    Drejtoresha e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Isme Humolli ka lëshuar një paralajmërim për një pandemi të radhës që mund të vijë sërish.

    Një deklaratë të tillë, ajo e ka dhënë në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të së martës për Ditën Botërore të Shëndetit.

    Humolli ka thënë se tashmë bota vetëm është duke u përgatitur për një pandemi të ardhshme.

    “Bota veç është duke u përgatitur për pandeminë e ardhshme e cila kur do të ndodhë nuk dihet. Mirëpo, qëllimin e ka për të zhvilluar strategji të përbashkëta, të cilat vlejnë për të gjitha shtetet”, ka thënë Isme Humolli, nga zyra e OBSh-së në Kosovë.

  • Alarm në sektorin e qumështit, rënia e çmimeve dhe rritja e importeve godasin fermerët

    Alarm në sektorin e qumështit, rënia e çmimeve dhe rritja e importeve godasin fermerët

    Sektori i qumështit në Kosovë po përballet me një situatë alarmante, e cila po rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë ekonomike të fermerëve vendor.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në treg duke theksuar se teprica e qumështit të freskët ka sjellë ulje të çmimit të grumbullimit dhe rrjedhimisht goditje direkte në të ardhurat e prodhuesve.

    Sipas tij, kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga rritja e vazhdueshme e kostove të prodhimit, veçanërisht çmimit të naftës dhe ushqimit për kafshë duke krijuar një presion të dyfishtë mbi fermerët.

    Të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të importeve në tregun vendor.

    Vetëm gjatë vitit 2025, importet e produkteve të qumështit kanë arritur në 89.8 milionë euro, ndërsa çdo vit importohen rreth 28 milionë litra qumësht i freskët.

    Po ashtu, mbi 1 milion kilogramë qumësht pluhur përdoret nga industria, si alternativë më e lirë duke kufizuar edhe më tej plasimin e prodhimit vendor.

    Bajraktari ka paralajmëruar se përveç konkurrencës së lartë, sektori po përballet edhe me praktika të padrejta, përfshirë përdorimin e zëvendësuesve si qumështi pluhur dhe yndyrat bimore, të cilat mund të ndikojnë edhe në sigurinë ushqimore.

    Në këtë situatë, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit i është drejtuar Ministrisë së Industrisë, të Ndërmarrësisë dhe të Tregtisë me kërkesë për ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për stabilizimin e tregut.

    Shoqata ka theksuar se mbështetja e fermerëve vendor mbetet thelbësore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural në Kosovë.

  • Policia jep detaje për rastin në Llaushë të Skenderajt, viktimë është një 39-vjeçar

    Policia jep detaje për rastin në Llaushë të Skenderajt, viktimë është një 39-vjeçar

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin ku një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Llaushë të Skenderajt.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë se viktima është i moshës 39-vjeçare.

    “Sot, rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Llaushe të Skenderajt, nga familjarët është gjetur pa shenja jete viktima i gjinisë mashkullore, rreth 39-vjeçar. Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.”, ka thënë ai.

    Sipas tij, me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Kurse, rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes” dhe hetimet janë duke vazhduar.

  • “E urrej atë”, çka deklaroi në polici kosovari që vrau brutalisht ish-gruan në Austri

    “E urrej atë”, çka deklaroi në polici kosovari që vrau brutalisht ish-gruan në Austri

    Detaje tronditëse kanë dalë në dritë për vrasjen brutale të Z.O në Austri, nga ish-bashkëshorti i saj, 47 vjeçar nga Kosova.

    Sipas oe24.at, 39-vjeçarja u gjet e vdekur në kopshtin e saj rreth orës 18:30 pasditen e së dielës në Austrinë e Poshtme me plagë nga thika, arma e zjarrit dhe një kaçavidë. Sipas gjetjeve fillestare, arma përgjegjëse për plagët

    47-vjeçari u identifikua dhe u arrestua shpejt. Ai u dërgua në burgun e Wiener Neustadt. I dyshuari është marrë tashmë në pyetje nga policia. Fillimisht, ai e mohoi krimin. Por më vonë po atë ditë, ai më në fund e ka pranuar. Kështu ka konfirmuar edhe Prokuroria e Vjenës.

    “E urrej”, thuhet se ka deklaruar 47-vjeçari gjatë marrjes në pyetje. Sipas zyrës së prokurorit publik, është paraqitur tashmë një kërkesë për paraburgim. Çifti thuhet se ka katër fëmijë së bashku.

    Ish-çifti thuhet se kishte pasur debate të vazhdueshme. Nëna e katër fëmijëve, me origjinë nga Kosova, raportohet se jetonte veçmas nga burri i saj, prandaj sipas mediave austriake, vrasësi dyshohet se nuk mundi ta përballonte këtë.

    Se si vdiq Z.O, nëse u godit me thikë apo u qëllua me armë, është ende nën hetim. Është urdhëruar autopsi dhe i dyshuari gjithashtu do të ekzaminohet.

    Për këtë rast të rënë, Prokuroria e Vjenës për Klankosova konfirmoi se i dyshuari 47-vjeçar është po ashtu nga Kosova, dhe se ndonëse motivi nuk dihet ende, dyshohet se ndodhi për shkak të konflikteve familjare.