ATV

Author: K.B.

  • Bajqinovci e akuzon Osmanin se ishte në një linjë me Lajçakun

    Bajqinovci e akuzon Osmanin se ishte në një linjë me Lajçakun

    Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, e ka akuzuar ish-presidenten, Vjosa Osmanin se ishte në linje me emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci ja ka kujtuar Osmanit kohën kur pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”.

    “Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!”, ka shkruar Bajqinovci.

    Postimi i plotë:

    Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu.

    Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante “bixhoz”.

    Ky është kontributi i saj në lidhje me masat!

  • Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” thërrasin protestë në Pejë pas fyerjeve ndaj Ramush Haradinajt

    Studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” thërrasin protestë në Pejë pas fyerjeve ndaj Ramush Haradinajt

    Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë thirrje për protestë paqësore të premten, më 10 prill, në orën 12:00, në Sheshin e Qytetit të Pejës, si reagim ndaj gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve të fundit ndaj ish-komandantit të UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj.

    Në njoftimin e tyre, studentët theksojnë se rastet e fundit të deformimit të historisë së Republikës së Kosovës dhe sulmet verbale ndaj figurave të luftës çlirimtare janë të papranueshme dhe cenojnë kujtesën kolektive dhe dinjitetin e shoqërisë.

    Ata u bëjnë thirrje qytetarëve, studentëve, profesorëve dhe të rinjve që t’i bashkohen protestës paqësore për të mbrojtur të vërtetën historike, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe për të reaguar ndaj çdo përpjekjeje për shtrembërimin e historisë së Kosovës.

    Protesta do të mbahet më 10 prill, në orën 12:00, në qendër të Pejës.

  • “Ghost Murmur”: Teknologjia sekrete e CIA‑s që zbuloi pilotin e rrëzuar në Iran

    “Ghost Murmur”: Teknologjia sekrete e CIA‑s që zbuloi pilotin e rrëzuar në Iran

    Në një nga operacionet më të pazakonta të kërkim-shpëtimit në historinë e fundit ushtarake amerikane, një teknologji e panjohur më parë e CIA-s e quajtur “Ghost Murmur”, luajti një rol vendimtar në gjetjen e një piloti amerikan të rrëzuar në jug të Iranit.

    Sipas burimeve të afërta me operacionin të publikuara nga New York Post, kjo teknologji përdor një kombinim të magnetometrisë kuantike me Inteligjencën Artificiale për të identifikuar “gjurmën elektromagnetike” të rrahjeve të zemrës së njeriut, duke e dalluar atë nga zhurma e ambientit përreth.

    Në kushte optimale, sistemi mund të lokalizojë një person të gjallë edhe në distanca të konsiderueshme. “Është si të dëgjosh një zë në një stadium të mbushur, por stadiumi është një shkretëtirë prej mijëra kilometrash katrorë”, tha një burim. “Nëse zemra jote rreh, ne mund të të gjejmë”.

    Ky ishte përdorimi i parë në terren i “Ghost Murmur”, një teknologji e zhvilluar nga divizioni sekret i zhvillimit të avancuar i Lockheed Martin, i njohur si Skunk Works.

    Operacioni i shpëtimit Piloti amerikan, i identifikuar vetëm si “Dude 44 Bravo”, mbeti i fshehur për dy ditë në një çarje shkëmbore pasi avioni i tij F-15 fighter jet u rrëzua në territorin iranian.

    Ndërkohë, forcat iraniane kërkonin intensivisht në zonë, madje duke vendosur edhe një shpërblim për kapjen e tij. Terreni i izoluar dhe mungesa e ndërhyrjeve elektromagnetike krijuan kushte ideale për testimin e teknologjisë.

    Sipas burimeve, kontrasti termik gjatë natës mes trupit të njeriut dhe tokës së shkretëtirës ndihmoi në konfirmimin e të dhënave të mbledhura. Edhe pse piloti kishte aktivizuar një sinjal emergjence të prodhuar nga Boeing, vendndodhja e tij e saktë mbeti e paqartë deri në momentin kur “Ghost Murmur” arriti ta lokalizojë.

    “Sinjali ndihmoi për të përcaktuar zonën, por teknologjia ishte ajo që e konfirmoi vendndodhjen”, tha një burim tjetër. Një teknologji e re me potencial të madh Në thelb të kësaj teknologjie qëndron përdorimi i sensorëve të ndërtuar mbi defekte mikroskopike në diamante sintetike, të cilët janë në gjendje të matin sinjale jashtëzakonisht të dobëta elektromagnetike – sinjale që zakonisht mund të detektohen vetëm në ambiente spitalore.

    Megjithatë, burimet theksojnë se teknologjia nuk është “e gjithëdijshme”. Ajo funksionon më mirë në zona të largëta, me pak ndërhyrje dhe kërkon kohë të konsiderueshme për përpunimin e të dhënave.

    Roli i CIA-s dhe sinjalet nga Shtëpia e Bardhë Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, konfirmoi gjatë një deklarate se agjencia arriti të identifikonte pilotin “të gjallë dhe të fshehur”, duke e bërë të mundur kalimin e operacionit në fazën e ekzekutimit.

    Ndërkohë, presidenti Donald Trump deklaroi se piloti ishte zbuluar nga një distancë prej rreth 40 miljesh, duke e krahasuar operacionin me “gjetjen e një gjilpëre në kashtë”.

    Operacioni i shpëtimit përfshiu qindra trupa amerikane dhe disa avionë, ndërsa dy prej tyre u detyruan të braktiseshin dhe të shkatërroheshin në terren për arsye operacionale.

  • “Abdixhiku ka kërku Presidentin dhe tri ministri”, Zogaj i reagon Rexhajt: Shpifje, tentim me mashtru opinionin

    “Abdixhiku ka kërku Presidentin dhe tri ministri”, Zogaj i reagon Rexhajt: Shpifje, tentim me mashtru opinionin

    Alban Zogaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj njohësit të çështjeve politike, Albatros Rexhajt, pasi që ky i fundit ka thënë se kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në takimin që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar pozitën e presidentit dhe tri ministri.

    Zogaj, ka thënë se kjo është ‘’shpifje, dezinformim dhe manipulim’’.

    ‘’Deklaratat e tilla, pa fakte dhe pa përgjegjësi, janë tentativë për me e mashtru opinionin dhe për me kriju narrativë të rreme’’, ka shkruar ai.

    Postimi:

    Shpifja e qëllimshme nuk është analizë, por dezinformim dhe manipulim.

    Deklaratat e tilla, pa fakte dhe pa përgjegjësi, janë tentativë për me e mashtru opinionin dhe për me kriju narrativë të rreme.

    LDK ka qenë e qartë dhe konsistente: Presidenti duhet të jetë konsensual, ose duhet të dalë nga një marrëveshje politike. Por, nuk jemi aty ende! #LDK

  • U rrëmbye disa ditë më parë në Bagdad, lirohet gazetarja amerikane e luftës

    U rrëmbye disa ditë më parë në Bagdad, lirohet gazetarja amerikane e luftës

    Grupi irakian Kataib Hezbollah ka liruar gazetaren amerikane Shelly Kittleson, e cila ishte rrëmbyer një javë më parë në Bagdad, raporton New York Times, duke cituar dy zyrtarë irakianë të sigurisë dhe vetë grupin.

    Kataib Hezbollah deklaroi se lirimi i Kittleson u bë “si shenjë vlerësimi për qëndrimet patriotike” të kryeministrit irakian dhe theksoi se gazetari duhet të largohet menjëherë nga Iraku.

    Sipas zyrtarëve, 49-vjeçarja u lirua në këmbim të disa prej të burgosurve të grupit. Një zyrtar sigurie nga grupi, i mbështetur nga Irani, shtoi se “kjo iniciativë nuk do të përsëritet në të ardhmen”.

    Shelly Kittleson, me origjinë nga Wisconsin, është një gazetare e pavarur që bashkëpunon me media ndërkombëtare dhe italiane, përfshirë Il Foglio dhe Ansa.

    Për 15 vjet ajo ka mbuluar konfliktet në Lindjen e Mesme, duke raportuar nga zonat e luftës në Irak, Siri dhe Afganistan.

  • Zemaj për koalicion e mundshëm LDK-VV: Nuk ka pritshmëri të madhe, por ka pasur bisedime individuale

    Zemaj për koalicion e mundshëm LDK-VV: Nuk ka pritshmëri të madhe, por ka pasur bisedime individuale

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se nuk ka pritshmëri të madhe për një koalicion me Vetëvendosjen, megjithatë, ka shtuar se “ka pasur bisedime individuale” lidhur me këtë situatë.

    “Ka pasur bisedime individuale mbi situatën. Nuk është pritshmëri e madhe që të ketë koalicion, apo të qëndrojmë detyrimisht në opozitë”, ka thënë Zemaj.

    Ai ka theksuar se brenda subjektit ka pasur edhe diskutime lidhur me mundësinë e përfshirjes në qeveri, por jo në mënyrë të përsëritur apo pa kushte të qarta.

    “Jo në mënyrë recidive të bëhemi pjesë e qeverisë, por ka pasur edhe mendime që, nëse kërkojmë diçka si kërkesë, cili është favori i LDK-së, por mbi të gjitha cili është favori i qytetarëve”, është shprehur ai në Klan Kosova.

    Zemaj shtoi se ekziston një nivel skepticizmi brenda partisë lidhur me mundësinë e një koalicioni të tillë.

    “Ka një lloj skepticizmi për këtë koalicion”, ka deklaruar ai.

  • Deputeti i LVV-së: Të gatshëm për zgjedhje, nuk e kemi në plan të lëshojmë pe

    Deputeti i LVV-së: Të gatshëm për zgjedhje, nuk e kemi në plan të lëshojmë pe

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka deklaruar se subjekti i tij është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar se nuk do të bëjnë kompromise me partitë opozitare.

    Në një reagim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se zgjedhjet nuk janë problem për ta, pavarësisht sa herë mund të mbahen.

    “Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje në qershor, pastaj prapë në dhjetor, pastaj prapë qershor, dhjetor, qershor, dhjetor, sa herë të duan”, ka shkruar Ramadani.

    Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk planifikon të bëjë lëshime ndaj partive që, sipas tij, nuk e pranojnë rezultatin zgjedhor dhe nuk tregojnë konstruktivitet.

    “Nuk e kemi në plan të lëshojmë pe përballë partive që nuk e pranojnë realitetin e fitores 51% dhe nuk janë të gatshme për zgjidhje me konstruktivitet për demokracinë dhe shtetin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

  • Telefonata e papritur nga Trump ndërpret fjalimin e JD Vance në Hungari: Zoti President

    Telefonata e papritur nga Trump ndërpret fjalimin e JD Vance në Hungari: Zoti President

    Një episod i pazakontë është regjistruar këtë të martë gjatë një aktiviteti publik në Hungari, ku zv/presidenti amerikan JD Vance u ndërpre papritur nga një telefonatë direkte e Presidentit Donald Trump.

    Gjatë fjalimit të tij para një turme të madhe mbështetësish, telefoni i Vance ra në mënyrë të papritur, duke krijuar një moment surprizë për të pranishmit. Zv/presidenti iu përgjigj menjëherë telefonatës, duke e vendosur atë në altoparlant, çka bëri që e gjithë turma të dëgjonte bisedën live.

    Trump, në anën tjetër të linjës, shprehu vlerësime të forta për kryeministrin hungarez Viktor Orbán, duke e cilësuar atë si “një njeri fantastik” dhe duke lavdëruar politikat e tij për mbrojtjen e vendit.

    “Unë e dua Hungarinë dhe e dua Viktorin. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, deklaroi Trump, ndërsa theksoi se Orbán ka arritur të mbajë vendin “të fortë” dhe të shmangë problemet që, sipas tij, kanë prekur vende të tjera.

    Në një moment që u shoqërua me brohoritje nga turma, Trump pyeti të pranishmit nëse Vance kishte mbajtur një fjalim të mirë, duke marrë një përgjigje pozitive në kor.

    Ai përfundoi mesazhin e tij duke shprehur mbështetje të plotë për liderin hungarez dhe duke përshëndetur qytetarët:

    “Jam një fans i madh i Viktorit. Shtetet e Bashkuara janë me të plotësisht”.

    Ngjarja, e pazakontë për protokollin diplomatik, u prit me entuziazëm nga pjesëmarrësit dhe u shndërrua në një moment viral në rrjetet sociale.

  • Osmani: Ata që punojnë në institucione e dinë kë e kemi thirrur në tre të mëngjesit pas Banjskës

    Osmani: Ata që punojnë në institucione e dinë kë e kemi thirrur në tre të mëngjesit pas Banjskës

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme për të ndihmuar vendin në çdo situatë.

    Ajo ka treguar prapaskenat pas sulmit në Banjskë, duke thënë se Shtëpia e Bardhë u është përgjigjur menjëherë duke ndërhyrë.

    Madje, sipas saj, janë parandaluar edhe plane më të rënda.

    “Kemi fqinjët e njëjtë, të cilët edhe sot, edhe pas 200 vitesh, do të tentojnë ta sulmojnë Kosovën. Ju e dini se në vitin 1999 kush e ka udhëhequr intervenimin e NATO-s për të na shpëtuar.

    Edhe sot ju garantoj një gjë: si në luftën diplomatike, ashtu edhe në çdo lloj lufte tjetër të nevojshme, e kemi një shtet në krah — dhe ajo është Amerika.Kjo është dëshmuar edhe në ditën e Banjskës. Të gjithë ata që punojnë në institucione e dinë shumë mirë për çfarë po flas. Është dëshmuar edhe kur është sulmuar Ibër-Lepenci. Të gjitha institucionet e dinë mirë kë kemi thirrur në telefon në 3 të mëngjesit dhe kush na është përgjigjur. E dinë se kujt i është drejtuar Presidentja — Shtëpisë së Bardhë — për të parandaluar plane shumë më ogurzeza. Ka qenë real rreziku nga ajo që po planifikonte Serbia më pas. E kemi thirrur Shtëpinë e Bardhë, së bashku me ambasadorin amerikan, dhe kemi ndalur plane shumë më të rrezikshme. Pas Banjskës ka pasur një rrezik shumë më të madh për Kosovën. Kemi dërguar mesazhe përmes rrugëve diplomatike, mirëpo kanë ekzistuar plane shumë më ogurzeza dhe të rrezikshme, për të cilat ka folur edhe Shtëpia e Bardhë. Janë dy gjëra të ndryshme: ajo që ndodhi menjëherë në Banjskë dhe zhvillimet në ditët pas saj, kur ka pasur plane shumë më të rënda”, ka thënë Osmani.

  • Kina dhe Rusia i vënë veto rezolutës së OKB-së për Ngushticën e Hormuzit

    Kina dhe Rusia i vënë veto rezolutës së OKB-së për Ngushticën e Hormuzit

    11 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan pro një rezolute që synonte të hapte Ngushticën e Hormuzit për lundrim të sigurt, ndërsa dy vende, Pakistani dhe Kolumbia, abstenuan.

    Megjithatë, Rusia dhe Kina, si dy nga anëtarët e përhershëm të këshillit, përdorën të drejtën e vetos, duke e rrëzuar në thelb rezolutën, raporton BBC.

    Versioni fillestar i dokumentit përfshinte nenin 7, i cili do t’u jepte shteteve autorizimin për të përdorur forcën për të hapur Ngushticën e Hormuzit.

    Rusia dhe Kina ishin fuqimisht kundër kësaj, gjë që shkaktoi muaj negociatash dhe ndryshime të gjuhës së dokumentit.

    Në fund, versioni që u hodh në votim ishte një dokument që inkurajonte fuqishëm shtetet e interesuara të koordinojnë përpjekjet mbrojtëse për lundrimin e sigurt në Ngushticë, një qasje shumë më ndryshe nga përdorimi i forcës.

    Bahreini, që propozoi rezolutën, shpresonte se kjo do të mjaftonte që Rusia dhe Kina të abstenonin dhe ta lejonin kalimin e dokumentit.

    Rezultati tregoi një ndarje të thellë në Këshill, me Rusinë dhe Kinën që konfirmuan aleancën e tyre të fortë me Iranin, duke përdorur veton për ta mbrojtur atë. Sipas tyre, rezoluta ishte shumë e ashpër në dënimin e Iranit.