ATV

Author: K.B.

  • Gjykata Kushtetuese hap sot dyert për qytetarët

    Gjykata Kushtetuese hap sot dyert për qytetarët

    Në shënim të Ditës së Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese do të hapë sot dyert për qytetarët.

    Më 8 prill do të organizojë aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, ku të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.

    “Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë (45) minuta. Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë). Gjatë vizitës, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë foto vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës”, thuhet në njoftim.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, caktohet rendi i seancës së ardhshme

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, caktohet rendi i seancës së ardhshme

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohen një sërë çështjesh procedurale dhe të përcaktohet rendi i ditës për seancën plenare të ardhshme.

    Në fillim të mbledhjes, anëtarët e Kryesisë do të shqyrtojnë dhe miratojnë procesverbalin nga mbledhja e mëparshme.Në kuadër të pikës kryesore të rendit të ditës, do të diskutohet propozimi për rendin e ditës së seancës plenare, e cila pritet të përfshijë disa pika të rëndësishme legjislative dhe politike.Seanca plenare, sipas propozimit, do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

    Në vijim, deputetët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë, përfshirë ato me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe KfW, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, energjinë, klimën si dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

    Po ashtu, në rend dite është paraparë votimi i një propozim-rezolute lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend.Kuvendi do të shqyrtojë edhe zgjedhjen e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe një propozim-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.Në fund, pritet të trajtohet edhe propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për emërimin e deputetes Duda Balje në komisione parlamentare.

  • Ndalohen dy punonjës të Postës së Serbisë, kapen duke shpërndarë dërgesa në veri të Kosovës

    Ndalohen dy punonjës të Postës së Serbisë, kapen duke shpërndarë dërgesa në veri të Kosovës

    Dy persona janë ndaluar në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin se si punonjës të Postës së Serbisë shpërndanë dërgesa postare paligjshëm.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se dy të dyshuarit janë kapur duke shpërndarë dokumente të ndryshme në shërbim të postës së Serbisë.

    Policia bën të ditur se gjatë kontrollit në banesat e tyre si prova materiale janë sekuestruar: dokumente të ndryshme që shërbejnë si dëshmi që të njëjtit ushtrojnë veprimtarinë si postier të postës së Serbisë në Republikën e Kosovës.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    KEQPËRDORIMI AUTORIZIMEVE EKONOMIKE

    Mitrovicë Veri 07.04.2026 – 10:00. Janë arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit janë hasur duke shpërndarë dokumente të ndryshme në shërbim të postës së Serbisë. Gjatë kontrollit në banesat e tyre si prova materiale janë sekuestruar: dokumente të ndryshme që shërbejnë si dëshmi që të njëjtit ushtrojnë veprimtarinë si postier të postës së Serbisë në Republikën e Kosovës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.

  • Afër 2300 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për rreth 60 aksidente e 20 persona të arrestuar

    Afër 2300 gjoba trafiku për 24 orë, policia njofton për rreth 60 aksidente e 20 persona të arrestuar

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, janë shqiptuar 2289 gjoba trafiku.

    Gjatë kësaj kohe, shton policia, kanë ndodhur 57 aksidente trafiku, ku, 33 janë me dëme materiale e 24 me të lënduar.

    Po ashtu, bën të ditur policia, janë arrestuar 20 persona ku 12 janë dërguar në mbajtje.

  • Protestë para KEDS’it në Ferizaj, policia: Pjesëmarrësit u shpërndanë qetë

    Protestë para KEDS’it në Ferizaj, policia: Pjesëmarrësit u shpërndanë qetë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se ditën e djeshme në Ferizaj është zhvilluar një protestë para KEDS’it.

    Në raportin e Policisë bëhet e ditur se protesta ka përfunduar e qetë.

    ‘’Rr. Dëshmorët e Kombit, Ferizaj 07.04.2026 – 10:00. Rreth 30 qytetarë kanë zhvilluar një protestë të paralajmëruar para selisë e KEDS-it. Rreth orës 10:40 protesta ka përfunduar dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë të qetë’’, njofton Policia.

  • Irani hap Ngushticën e Hormuzit, nisin lëvizjet e para të transportit detar

    Irani hap Ngushticën e Hormuzit, nisin lëvizjet e para të transportit detar

    Kur kanë kaluar disa orë nga marrëveshja SHBA-Iran për një armëpushim dyjavor, kanë filluar lëvizjet e transportit detar nëpër Ngushticën e Hormuzit.

    Por, të dhënat kanë treaguar numër të vogël të lëvizjeve në këto orët e para.

    Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë në një deklaratë se Teherani do të pushojë kundërsulmet dhe do të sigurojë kalim të sigurt përmes rrugës ujore në Ngushticën e Hormuzit, nëse ndalojnë sulmet kundër tij.

    Të mërkurën në mëngjes, ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se “kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit”.

    Kurse, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit e ka përshkruar marrëveshjen si një fitore ndaj SHBA-së, duke pretenduar se Trumpi kishte pranuar kushtet e Iranit për t’i dhënë fund armiqësive.

    Ndërkaq, Trumpi i ka thënë agjencisë franceze të lajmeve AFP se ishte një “fitore totale dhe e plotë”.

  • Bien çmimet e naftës, aksionet rriten pas njoftimit për armëpushim nga Trumpi

    Bien çmimet e naftës, aksionet rriten pas njoftimit për armëpushim nga Trumpi

    Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm të martën pasi presidenti amerikan Donald Trump ra dakord për një armëpushim dyjavor me Iranin, duke nxitur shpresat se më shumë cisterna nafte do të mund të kalojnë së shpejti nëpër Ngushticën kyçe të Hormuzit.

    Megjithatë, analistët paralajmëruan se mbeten ende pyetje, përfshirë se çfarë do të ndryshojë për bllokadën efektive të ngushticës, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës botërore, dhe nëse armëpushimi do të çojë në një përfundim afatgjatë të luftës, raporton CNN.

    Kontratat e ardhshme të naftës amerikane ranë me më shumë se 15% pas orarit të tregtimit në më pak se 95 dollarë për fuçi – një rënie e konsiderueshme, por ende shumë mbi 67.02 dollarët e regjistruar më 27 shkurt, përpara fillimit të luftës. Kontratat e naftës Brent, standardi global, ranë me 13.75% në 94.68 dollarë.

    Ndërkohë, kontratat e ardhshme të aksioneve në SHBA dhe tregjet aziatike u rritën ndjeshëm. Kontratat e Dow u rritën me më shumë se 1,000 pikë, ose rreth 2.2%, S&P 500 u rrit me 2.4%, ndërsa Nasdaq u rrit me rreth 3% në tregtimin pas orarit.

    Të mërkurën në mëngjes, indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 4.9% deri në orën 10:41 sipas kohës lokale, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 5.7%. Indeksi Hang Seng i Hong Kongut u rrit me 2.8%.

    “Tregu ka qenë i etur për lajme të mira, por mbetet për t’u parë nëse Ngushtica e Hormuzit do të hapet plotësisht,” tha Bob McNally, themelues dhe president i Rapidan Energy Group, për CNN. “Kjo është thelbi i çështjes dhe deri tani Uashingtoni dhe Teherani duket se po flasin pa u kuptuar për këtë.”

    Ndërsa Trump festoi në rrjetet sociale, Irani theksoi se armëpushimi ishte vetëm i përkohshëm. “Kjo nuk është fundi i luftës, por të gjitha degët ushtarake duhet të ndjekin urdhrin e Udhëheqësit Suprem dhe të ndalin zjarrin,” thuhej në një deklaratë të lexuar në kanalin shtetëror IRIB.

    Megjithatë, rritja e aksioneve dhe rënia e çmimeve të naftës dërguan një mesazh “jashtëzakonisht të qartë”, tha Art Hogan, strateg kryesor i tregut në B. Riley Financial, për CNN: “Investitorët duan që Ngushtica e Hormuzit të hapet dhe ky konflikt të mbetet pas.”

    Trump ra dakord për armëpushimin më pak se dy orë përpara afatit të tij në orën 20:00 (ET) për të shkatërruar një “civilizim të tërë”. Ai tha se marrëveshja varej nga rihapja e Ngushticës së Hormuzit.

    “Ne morëm një propozim me 10 pika nga Irani dhe besojmë se është një bazë e zbatueshme për negociata,” shkroi Trump në Truth Social të martën në mbrëmje.

    Lufta në Lindjen e Mesme – dhe mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit – ka shkaktuar goditjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori, duke prekur rreth 12 deri në 15 milionë fuçi nafte në ditë. Si tregjet e kontratave të ardhshme ashtu edhe ato fizike të naftës kishin sinjalizuar paralajmërime serioze.

    Por nëse ngushtica mund të rikthehet thjesht në funksionim normal, mbetet e pasigurt. Irani gjithashtu shpalli fitore dhe tha se ushtria e tij do të rregullojë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, gjë që do t’i jepte Iranit një “pozicion unik ekonomik dhe gjeopolitik”, sipas një deklarate nga Sekretariati i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare.

    Armëpushimi “nuk ka sqaruar realisht asgjë sa i përket Ngushticës,” tha Patrick De Haan, drejtues i analizës së naftës në GasBuddy, në X të martën.

    Dhe efektet afatgjata do të kërkojnë kohë për t’u kuptuar.

    “Përtej afatit të shkurtër, regjimi në pushtet në Iran (me gjasë) ka forcuar kontrollin e tij politik dhe ka demonstruar aftësinë për t’i çuar tregjet globale të naftës dhe gazit në gjunjë…,” shkroi Karl Schamotta nga Corpay Currency Research në një shënim të martën në mbrëmje.

  • Studim i ri: Një në pesë fëmijë në botë viktimë e dhunës seksuale

    Studim i ri: Një në pesë fëmijë në botë viktimë e dhunës seksuale

    Një studim i ri tregon se dhuna seksuale në fëmijëri është e përhapur globalisht dhe ka pasoja serioze që vazhdojnë deri në moshën e rritur.

    Sipas një analize globale, 20.1% e grave dhe 16.8% e burrave kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë fëmijërisë. Studimi mbuloi të dhëna nga 1,412 hulumtime në 147 vende, duke përfshirë mbi shtatë milionë persona, dhe tregon se mbi 130 milionë fëmijë ishin të prekur nga dhuna seksuale vetëm në vitin 2024, transmeton albinfo.ch.

    Në Evropë dhe Amerikën e Veriut, përqindja e viktimave është 25.6% për gratë dhe 15.8% për burrat. Në Zvicër, sipas të dhënave të Child Protection Switzerland, rreth një në shtatë fëmijë ka përjetuar dhunë seksuale që përfshin kontakt fizik.

    Dhuna ndaj fëmijëve shpesh mbetet e pazbuluar

    Shumë raste nuk raportohet kurrë. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se turpi, frika, varësia ose mungesa e fjalëve shpesh pengojnë viktimat të flasin. Ekspertët paralajmërojnë se shifrat e regjistruara janë vetëm maja e ajsbergut, dhe shumë raste mbeten të fshehura, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë të vegjël.

    Pasojat mund të jenë të rënda dhe afatgjata

    Studimet tregojnë se pasojat e dhunës seksuale shkojnë përtej fëmijërisë. Viktimat kanë rrezik më të lartë për depresion, ankth, çrregullime post-traumatike, varësi ose sëmundje fizike.

    Në të njëjtën kohë, problematika po zhvendoset gjithnjë e më shumë në botën digjitale. Child Protection Switzerland paralajmëron se krimet seksuale në internet po rriten dhe kryesisht prekin të rinjtë.

  • Aliu ngre dyshime për tregun e energjisë: Pse s’ka çmime tavan dhe sa fitojnë kompanitë?

    Aliu ngre dyshime për tregun e energjisë: Pse s’ka çmime tavan dhe sa fitojnë kompanitë?

    Nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, ka ngritur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës dhe ndërhyrjes shtetërore në tregun e energjisë elektrike në Kosovë.

    Përmes një reagimi publik, Aliu ka pyetur nëse qytetarët janë të informuar për përfitimet që realizojnë kompanitë që operojnë në këtë sektor, duke theksuar se kjo çështje mbetet e paqartë.

    “ A e di ndokush sa për qind e kanë përfitimin kompanitë e energjisë elektrike?”, ka pyetur ai, duke shtuar se vetë nuk ka informacion mbi këtë.

    Ai ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për mungesën e politikave rregullatore nga ana e institucioneve shtetërore, konkretisht për mungesën e vendosjes së çmimeve tavan për energjinë elektrike.

    “ A ju ka shku ndërmend ndonjëherë me pyet pse Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka vendosë çmime tavan për energjinë elektrike? As që është diskutuar ndonjëherë kjo çështje”, ka deklaruar Aliu.

    Në reagimin e tij, ai ka vënë në dyshim edhe narrativën për krizën energjetike, duke sugjeruar se mungesa e debatit të brendshëm mund të lë të kuptohet se kriza po trajtohet vetëm si fenomen ndërkombëtar.

    “ Ndoshta Kosova nuk ka krizë energjetike… ndoshta kriza duhet me qenë vetëm krizë ndërkombëtare për me e konsideru se edhe Kosova është në krizë”, ka shtuar ai.

    Deklaratat e Aliut vijnë në një kohë kur çështja e çmimeve të energjisë dhe roli i shtetit në rregullimin e tregut vazhdojnë të mbeten tema të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset në vend.

  • Trump: Fitore e plotë për Amerikën, ditë e madhe për paqen botërore

    Trump: Fitore e plotë për Amerikën, ditë e madhe për paqen botërore

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalli një “fitore të plotë dhe totale” për Shtetet e Bashkuara, pasi ra dakord për një armëpushim dyjavor me Irani . Në një intervistë të shkurtër telefonike me AFP të martën, kur u pyet nëse e konsideronte armëpushimin një fitore, Trump u përgjigj: “Një fitore e plotë dhe totale. Njëqind për qind. Pa dyshim.”

    Trump njoftoi gjithashtu në rrjetin e tij social Truth Social. Ai lëshoi ​​një mesazh optimist për Lindjen e Mesme, duke pretenduar se një “epokë e artë” ishte në horizont për rajonin. Sipas tij, Irani është gati për paqe dhe SHBA-të do të ndihmojnë në zgjidhjen e bllokimeve të trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit.

    “Një ditë e madhe për paqen botërore! Irani e dëshiron, i ka ardhur në majë të hundës! Dhe kështu bëjnë edhe të gjithë të tjerët! Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë me trafikun në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të ketë shumë para për të fituar. Irani mund të fillojë rindërtimin. Ne do të pajisemi me të gjitha furnizimet që mundemi dhe thjesht do të qëndrojmë pranë për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Jam i sigurt se do të shkojë mirë. Ashtu si ajo që po ndodh këtu në SHBA, kjo mund të jetë epoka e artë e Lindjes së Mesme!!!”

    Kujtojmë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ishte dakord për një pezullim dyjavor të sulmeve ndaj Iranit, me kusht që Teherani të hapte menjëherë dhe plotësisht Ngushticën e Hormuzit, thelbësore për furnizimet globale me naftë. Irani dhe Izraeli më pas konfirmuan se pranonin një armëpushim të përkohshëm, dhe ushtria amerikane ndaloi sulmet, ndërsa Shtëpia e Bardhë thekson se kjo është baza për negociata të mëtejshme.