ATV

Author: K.B.

  • I sheh mesazhet dhe harron të përgjigjesh? Pse të ndodh më shpesh nga sa mendon

    I sheh mesazhet dhe harron të përgjigjesh? Pse të ndodh më shpesh nga sa mendon

    Të ka ndodhur ndonjëherë të lexosh një mesazh dhe të mos përgjigjesh për orë apo edhe ditë? Nëse po, nuk je vetëm. Ky fenomen është shumë më i zakonshëm nga sa mendojmë dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht mungesë interesi apo sjellje e pahijshme.

    Sipas Shrejal Bansal, e cila studion psikologjinë e sjelljes njerëzore, prapa kësaj sjelljeje fshihen shpesh arsye psikologjike dhe të përditshme që nuk kanë lidhje me refuzimin.

    Ja disa nga arsyet më të zakonshme:

    Jo të gjithë përgjigjen menjëherë

    Disa njerëz thjesht nuk funksionojnë me ritmin e përgjigjeve të menjëhershme. Ata mund ta lexojnë mesazhin, por preferojnë të përgjigjen kur kanë kohë dhe vëmendjen e duhur. Për ta, komunikimi nuk ka të bëjë me shpejtësinë, por me cilësinë.

    Multitasking dhe përditshmëria e ngarkuar

    Shumë njerëz përpiqen të menaxhojnë gjithçka njëkohësisht: punën, jetën sociale dhe detyrimet e përditshme. Një mesazh mund të shihet, por të mos marrë përgjigje menjëherë sepse nuk është prioritet në atë moment.

    Nevoja për shkëputje

    Në një botë plot me njoftime dhe zhurmë digjitale, disa zgjedhin me vetëdije të bëjnë një pushim. Ky “detoks digjital” i ndihmon të fokusohen më shumë në jetën reale. Në këtë rast, vonesa në përgjigje është një formë kujdesi për veten.

    Mendojnë shumë para se të përgjigjen

    Ka edhe nga ata që nuk duan të japin një përgjigje të shpejtë, por një përgjigje të menduar mirë. Kjo shpesh çon në shtyrje dhe, pa e kuptuar, në vonesa më të gjata se sa ishte planifikuar.

    Shmangin bisedat e vështira

    Ndonjëherë arsyeja është më emocionale. Nëse mesazhi përmban një temë të ndjeshme, presion apo tension, personi mund të mos jetë gati ta përballojë menjëherë dhe zgjedh ta shtyjë përgjigjen.

    Në përfundim, çfarë do të thotë kjo?

    E vërteta është se “seen” nuk ka vetëm një kuptim. Mund të nënkuptojë shumë gjëra, nga mungesa e kohës deri te nevoja për hapësirë personale.

    Specialistët theksojnë se nuk duhet të nxitojmë në përfundime. Në komunikimin digjital, ajo që nuk thuhet shpesh keqinterpretohet.

    Ndoshta herën tjetër që dikush nuk ju kthen përgjigje menjëherë, mos e merrni aq seriozisht.

  • Dështon seanca e Apelit ndaj policit të akuzuar për aksidentin ku vdiq 26-vjeçarja

    Dështon seanca e Apelit ndaj policit të akuzuar për aksidentin ku vdiq 26-vjeçarja

    Për arsye se mbrojtësja e të akuzuarit- zyrtarit policor Argjend Kastrati, avokatja Majlinda Sadikaj ishte e angazhuar me seanca të tjera gjyqësore të paracaktuara, dështoi të mbahet të mërkurën seanca e kolegjit të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, ku pritej të elaborohen ankesat e palëve në rastin ku Kastrati është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 4 vjet burgim për aksidentin ku humbi jetën Z.Gj.

    Kolegji i gjyqtarëve që pritet të shqyrtojë pretendimet ankimore të të gjitha palëve në këtë rast ka këtë përbërje: Mehmet Ndrecaj- kreytar i kolegjit, Abdullah Ahmeti- gjyqtar referues, si dhe anëtare- Ivana Milenkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas gjykatësit Ahmeti, avokatja Sadikaj ka njoftuar Gjykatën se është e angazhuar në gjykime të tjera të paracaktuara, ndërkaq vetë i akuzuari Kastrati gjendet jashtë vendit për shkaqe familjare.

    Në këto rrethana, seanca e sotme dëshoi, kurse e radhës u caktua për në muajin maj.

    Prezent në gjykim ishte pala e dëmtuar me avokatin Milot Neziraj.

    Kujtojmë se Kastrati më 1 korrik 2025 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, duke e gjykuar me 4 vjet burgim dhe dënim plotësues- “Marrja e lejes së vozitjes” për katër vjet.

    Kastrati e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar për veprën penale që i vihej në barrë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, thuhet se më 1 prill 2025, i akuzuari Argjend Kastrati, nga pakujdesia shkel Ligjin mbi trafikun publik dhe shkakton vdekjen e viktimës Z.Gj. Aktakuza thotë se gjersa i pandehuri ishte duke qarkulluar me automjetin e tij në rrugën brenda vendbanimit ku kufizimi i shpejtësisë është 60 km/h, me të arritur tek vendkalimi për këmbësorë, ku kishte qenë duke e kaluar rrugën viktima nga ana e majtë e drejtimit të lëvizjes së automjetit për në anën e djathtë, me një shpejtësi lëvizjeje prej 89.31 km/h, nuk i kushton kujdes të veçantë viktimës dhe nuk i jep përparësi, por e godet me pjesën e përparme të anës së djathtë të veturës, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të cilave viktima nuk ka mundur t’u mbijetojë.

    Në aktakuzë thuhet se si pasojë e lëndimeve, viktima Z.Gj., ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Me këto veprime, Kastrati akuzohej se ka kryer veprën penale ““Rrezikim i trafikut publik” nga neni 370, par. 9 lidhur me par. 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Ibrahim Tatlises dërgohet me urgjencë në spital

    Ibrahim Tatlises dërgohet me urgjencë në spital

    Këngëtari i njohur Ibrahim Tatlises, 74 vjeç, është transportuar me urgjencë në spital në Stamboll pas një shqetësimi shëndetësor në shtëpi, menjëherë pas koncerteve jashtë vendit.

    Ai u paraqit me tension të ulët të gjakut, dhe pas kontrollit fillestar mjekët identifikuan një infeksion bakterial, duke vendosur për siguri vendosjen e tij në njësinë e kujdesit intensiv.

    Drejtori i spitalit, Dr. Engin Çakmakçi, bëri të ditur se Tatlises ka vetëdije të plotë, funksionet e zemrës dhe mushkërive janë normale, dhe gjendja e tij e përgjithshme është e qëndrueshme.

    Trajtimi për infeksionin vazhdon sipas protokolleve mjekësore.

    Familjarët e tij, përfshirë fëmijët Ahmet dhe Dilan Çitak, shkuan menjëherë në spital për ta vizituar.

    Vajza e tij, Melek Zubeyde, konfirmoi se infeksioni mendohet të ketë origjinën nga tëmthi dhe se ekziston mundësia e një operacioni, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.

    Fansat dhe mediat janë alarmuar nga lajmi, por mjekët theksojnë se Tatlises është nën kujdes të plotë dhe gjendja e tij është stabile.

  • Papa Leo përshëndet armëpushimin pasi kritikoi kërcënimin e Trump ndaj Iranit

    Papa Leo përshëndet armëpushimin pasi kritikoi kërcënimin e Trump ndaj Iranit

    Papa Leo të mërkurën përshëndeti armëpushimin dyjavor, disa orë pasi e kishte quajtur kërcënimin e Trump ndaj popullsisë së Iranit “të papranueshëm”.

    Papa, i cili është shfaqur si një kritik i zëshëm i luftës, bëri thirrje për vazhdimin e negociatave për të sjellë një fund të plotë të konfliktit rajonal.

    “Në dritën e këtyre orëve të fundit të tensionit të madh për Lindjen e Mesme dhe për të gjithë botën, e mirëpres me kënaqësi… njoftimin për një armëpushim të menjëhershëm dyjavor,” tha ai.

  • Zemaj kërkon sqarime nga Hoti për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Zemaj kërkon sqarime nga Hoti për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, për të cilën ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave.

    Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.

    “Për rëndësinë e kësaj ekspozite, e cila për pjesët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe deklaratat që kanë dalë nga protagonistët e këtyre ngjarjeve nuk rezultojnë me të vërtetën historike. Është një devijim që konsiderohet i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, por që duhet të vërtetohet në aspektin institucional edhe kjo pjesë e përgjegjësisë ju takon edhe juve si kategori e re institucionale për mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare. Shohim cili ka qenë financimi i shtetit edhe për këtë ekspozitë ose librat të cilat tash përfolen, ndër librat që ekziston pjesa faktike financimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku është shpërndarë, kush i ka shpërndarë, cili ka qenë qëllimi, a ka pasoja nga këto devijime historike të cilat janë të dëmshme, të cilat kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike të luftës, ku flitet për masakra, evidentimin e numrit të njerëzve, familjarëve edhe diçka që lidhet që është temë edhe sensitive, por është në fund të fundit është çmimi që ka paguar populli shqiptar për liri dhe pavarësi, sidomos në fundit e fundit”, pyeti ai.

    Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.

    “Ajo çka ka ndodhë, dy javët e fundit, dhe në veçanti ajo ngjarje në Prishtinë, padasht me hi në debat politik këtu, krijimi i një opinioni publik se qenka ministria që unë udhëheq, pavarësisht emërtimit që e ka, dhe tash po ua shpjegoj pse, ëh, ka një lloj përgjegjësie në raport me atë çka ka ndodhë në ekspozitën në shesh. Më leni me ju tregu që në Republikën e Kosovës mekanizmat, institucionet janë të ndara në fushëveprimtarinë e tyre. Rrjedhimisht, mekanizmi ose institucioni, instituti, që bën përmbledhjen e historisë nuk jam unë, është Instituti i Historisë. Institucioni që bën verifikimin e fakteve është Instituti për Krimet e Luftës, IKKl-ja, që është themelu para dy-tre vjetësh. Ministria e ka për mandat reagimin, mbrojtjen e vlerave, reagimin. Dhe çka kam bo unë është, nuk po thom që jam i pari, e ndër të parët që kam reagu për këto, për ekspozitën çka qe në shesh”, tha ai.

    Pas kësaj, deputeti Armend Zemaj reagoi sërish duke kërkuar sqarime shtesë, ndërsa kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e akuzoi atë për politizim të çështjes.

    Ndërkohë, ministri Andin Hoti shtoi se iniciatori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, nuk është kryeministri Albin Kurti, por bëhet fjalë për një iniciativë individuale të vetë autorit. /eo

  • Të pasurit lënë Dubai-n, Milano bëhet destinacioni i ri luksoz

    Të pasurit lënë Dubai-n, Milano bëhet destinacioni i ri luksoz

    Pas sulmeve me raketa iraniane që goditën Emiratet e Bashkuara Arabe, reputacioni i Dubait si parajsë për elitën botërore ka filluar të zbehet. Super të pasurit tani po shikojnë përsëri nga Evropa, dhe Milano, qendra financiare italiane, është ngritur në krye të listës së destinacioneve më të dëshirueshme, raporton The Guardian.

    “Italia ofron kushtet më të mira, taksa të sheshta dhe një cilësi të lartë jetese,” thotë Armand Arton, konsulent që ndihmon multimilionerët dhe miliarderët të zhvendosen përmes programeve të shtetësisë për investitorët.

    “Njerëzit që largohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe mund ta imagjinojnë lehtësisht veten duke jetuar në Romë ose Milano, qendra të mëdha ndërkombëtare dhe urbane.”

    Milano është tashmë shtëpia e disa prej bankierëve, avokatëve dhe investitorëve më të pasur të Evropës, duke e bërë qytetin një destinacion tërheqës për të pasurit që kërkojnë cilësi të lartë jetese dhe përfitime fiskale. Sipas sistemit të taksave me normë të sheshtë të Italisë, banorët e huaj mund të paguajnë 300,000 euro në vit për të gjitha të ardhurat e huaja, një shumë e papërfillshme për multimilionerët dhe miliarderët.

  • Drejtësia flet për Hande Erçel, dalin rezultatet e analizave për substanca të ndaluara

    Drejtësia flet për Hande Erçel, dalin rezultatet e analizave për substanca të ndaluara

    Pas një periudhe spekulimesh në kuadër të një hetimi të gjerë për narkotikët në Stamboll, e vërteta mbi përfshirjen e aktores së mirënjohur Hande Erçel është zbardhur. Raporti zyrtar i mjekësisë ligjore ka konfirmuar se në trupin e aktores nuk është gjetur asnjë gjurmë e substancave të ndaluara.

    Hetimi, i udhëhequr nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit, kishte në shënjestër disa figura publike të botës së artit dhe medias. Si pjesë e procedurave ligjore, të gjithë personave të përfshirë u janë marrë mostra të gjakut dhe flokëve për ekzaminime të detajuara laboratorike në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Sapo mori njoftimin se emri i saj ishte përmendur në dosje, Erçel u rikthye menjëherë në Turqi për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë. Gjatë dëshmisë së dhënë në prokurori, aktorja mohoi në mënyrë kategorike akuzat, duke deklaruar se nuk ka përdorur kurrë në jetën e saj asnjë lloj droge apo stimuluesi.

    Rezultatet e analizave kanë vërtetuar fjalët e aktores, duke dalë plotësisht negative. Ky raport zyrtar rrëzon çdo pretendim të mëparshëm dhe pastron figurën e saj publike. Erçel u shpreh e lënduar nga mënyra se si këto pretendime qarkulluan në media, duke prekur integritetin e saj përpara se të dilnin provat shkencore.

    Ndërkohë që për Hande Erçel çështja konsiderohet e mbyllur sa i përket konsumit të lëndëve narkotike, autoritetet bëjnë me dije se hetimet për personat e tjerë të dyshuar në këtë operacion janë ende në vijim e sipër.

  • Komisioni për Legjislacion të martën dhe të mërkurën interviston 23 kandidatët për KGjK

    Komisioni për Legjislacion të martën dhe të mërkurën interviston 23 kandidatët për KGjK

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se të martën dhe të mërkurën e javës së ardhshme do të intervistohen 23 kandidatë për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

    Tahiri e bëri të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në vend.

    “Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë,” shkruan mes tjerash Tahiri.

    Postimi i plotë:

    Sot, Komisioni për Legjislacion, pas shqyrtimit të aplikimeve, ka caktuar intervistimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Të martën dhe të mërkurën do të intervistohen gjithsej 23 kandidatë.

    Ky proces intervistimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, pasi bëhet fjalë për një institucion shumë serioz dhe me rol kyç në garantimin e sundimit të ligjit në vend.

  • Vdiq dje si pasojë e një zjarri, sot varroset Jeton Babaj nga Llausha e Skenderajt

    Vdiq dje si pasojë e një zjarri, sot varroset Jeton Babaj nga Llausha e Skenderajt

    Sot do të varroset Jeton Babaj që dje humbi jetën dje tragjikisht në Llaushë të Skenderajt.

    Varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 15:00.

    ‘’Njoftim Mortor

    Ju njoftojmë se Jeton Babaj, i cili ndërroi jetë dje në mënyrë tragjike, varroset sot, më 8 prill 2026, në ora 15:00, në Llaushë, në varrezat e lagjes Babaj.

    Ngushëllime familjes’’, thuhet në njoftim.

  • Ministria e Sportit dhe federatat nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 6.5 milionë euro

    Ministria e Sportit dhe federatat nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 6.5 milionë euro

    Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me 39 federata sportive për vitin 2026. Ky aktivitet ka shënuar formalizimin e mbështetjes institucionale për zhvillimin e sportit në vend.

    Ministri Blerim Gashani ka theksuar se federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe mbartin rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit.

    Ai ka nënvizuar se Ministria do të vazhdojë të jetë në përkrahje të tyre, duke kërkuar standarde të larta profesionalizmi, përkushtimi dhe arritje konkrete në secilin sport.

    Sipas tij, përmes këtyre memorandumeve po konkretizohet mbështetja financiare në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro, në bazë të kategorizimeve të sporteve. Ai ka shtuar se kjo mbështetje synon të forcojë qeverisjen në sport, të rrisë performancën e sportistëve dhe të promovojë një shoqëri më aktive dhe të shëndetshme.

    Gashani ka theksuar gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, duke vlerësuar se besimi i qytetarëve ndërtohet përmes punës së ndershme dhe raportimit të hapur, si standard i përbashkët për të gjitha federatat.