ATV

Author: K.B.

  • KQZ: Mund ta ndërroni qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore

    KQZ: Mund ta ndërroni qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar qytetarët se tani mund ta verifikojnë dhe nëse duan ta ndërrojnë qendrën e votimit brenda komunës edhe në periudhën jozgjedhore.

    Verifikimi dhe ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhen përmes:

    • Platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org/sq/, ose

    • Zyrës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve

    Adresat: https://kqz-ks.org/adresat-e-zyrtareve-komunal/

    Ndërrimi i qendrës së votimit nga një komunë në tjetrën

    Nëse dëshironi të ndërroni qendrën e votimit nga një komunë në tjetrën, fillimisht duhet të përditësoni adresën tuaj zyrtare të vendbanimit.

    Këtë mund të bëni përmes:

    • Platformës eKosova (Adresa → Deklarimi i adresës zyrtare të vendbanimit), ose

    • Zyrës së Gjendjes Civile

    Pas përditësimit të adresës në Regjistrin Civil, qendra juaj e re e votimit do të reflektohet edhe në platformën e KQZ-së.

    Adresa juaj zyrtare në eKosova përcakton komunën dhe qendrën tuaj të votimit.

    Kjo ju mundëson të votoni sa më afër vendbanimit tuaj.

    Për informata shtesë:

    Viber / WhatsApp: +383 46 130 013

    Pa pagesë: 0800 55 555

  • Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera: Qeveria e Kosovës të ndalë erozionin e lirisë së mediave, Vetëvendosje i dobësoi disa standarde

    Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera: Qeveria e Kosovës të ndalë erozionin e lirisë së mediave, Vetëvendosje i dobësoi disa standarde

    Reporterët pa Kufij bashkë me një numër të madh të organizatave ndërkombëtare të cilat mbrojnë lirinë e medias dhe gazetarëve kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, që të ndalojë gërryerjen e mëtejshme të lirisë së mediave.

    Në një reagim të përbashkët, Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera kujtojnë faktin se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias për shkak të presionit politik mbi median publike, zhvillimet shqetësuese legjislative dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.

    “Reporterët pa Kufij (RSF) dhe partnerët e saj i kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës të krijojë një grup pune për të adresuar çështjet e lirisë së shtypit dhe për t’u përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), ndërsa vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE)”, potencon reagimi.

    Në reagim thuhet se ndonëse Kosova ka peisazh të larmishëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike, disa standarde janë dobësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet.

    “Pas takimeve me dhjetëra gazetarë dhe media në Kosovë më 24 mars, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve – përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) – diskutuan gjendjen e lirisë së shtypit me Kryeministrin Albin Kurti dhe këshilltarët e tij. Ndërsa Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, një nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”, thuhet në reagim.

    “ Na duhet një sinjal i fortë nga qeveria në mbështetje të një peizazhi mediatik të lirë, të pavarur dhe të larmishëm. Ngritja e një grupi pune të dedikuar i përbërë nga palë të interesuara lokale dhe duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare do të ishte një hap i parë. Rregullorja Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), të cilën Kosova do të duhet ta zbatojë si shtet kandidat për në BE, adreson problemet kryesore të vendit: mungesën e pavarësisë për transmetuesin publik, mbrojtjet e dobëta për burimet gazetareske dhe transparencën e pamjaftueshme në lidhje me pronësinë dhe financimin e medias. Kjo është një thirrje për veprim të menjëhershëm.”, ka deklaruar Pavol Salzai i RFE.

  • Ndahet nga jeta gazetarja e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla

    Ndahet nga jeta gazetarja e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla

    Është ndarë nga jeta gazetarja shumëvjeçare e RTK-së, Shukran Nobërdali-Qyqalla.

    E ndjera ndërroi jetë sot, duke lënë pas një kontribut të çmuar në gazetarinë kosovare dhe në transmetuesin publik.

    Shukran Nobërdali-Qyqalla ishte pjesë e RTK-së që nga themelimi i saj në vitin 1999, ku për vite me radhë ishte e angazhuar në redaksinë informative si gazetare. Ajo njihej gjithashtu si autore dhe udhëheqëse e emisionit shëndetësor “Medika”, të cilin e realizoi me përkushtim për më shumë se dy dekada.

    Kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj e vlerësojnë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e vazhdueshëm në informimin publik.

    RTK i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nobërdali-Qyqalla, si dhe gjithë kolegëve dhe miqve të të ndjerës.

    Varrimi i saj bëhet nesër (e enjte) në orën 13:00 në varrezat e qytetit në Dragodan në Prishtinë./RTK/

  • Kurti pret në Qeveri zyrtaren e lartë të NATO-s, flasin për dërgimin e ushtrisë në Gaza

    Kurti pret në Qeveri zyrtaren e lartë të NATO-s, flasin për dërgimin e ushtrisë në Gaza

    Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, të cilën e ka falendëruar për angazhimin e NATO-s për paqe, siguri e stabilitet.

    Në këtë takim, Kurti ka folur edhe për mundësinë që pjesëtarët e FSK-së të kenë mundësinë të ndjekin trajnimet ushtarake edukuese të NATO-s dhe poashtu për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e Aleancës.

    Temë e diskutimit ka qenë edhe përgatitja e FSK-së për misionin në Gaza në kuadër të Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare.

    “Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, njofton ZKM.

    Kurti tutje ka thënë se Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.

    Derisa, drejtorja e NATO-s për Operacione, Hallengren, ka vlerësuar lartë vendimin për angazhimin e FSK-së në misionin stabilizues në Gaza.

  • Ekstradohen dy persona që kishin ‘karton të kuq’  nga Interpol, njëri për në Kosovë dhe tjetri nga Kosova për në Shqipëri

    Ekstradohen dy persona që kishin ‘karton të kuq’ nga Interpol, njëri për në Kosovë dhe tjetri nga Kosova për në Shqipëri

    Policia e Kosovës tha se kanë realizuar me sukses dy ekstradime të personave të kërkuar nga drejtësia, të shpallur në kërkim ndërkombëtar me karton të kuq (red notice) në INTERPOL.

    “Dje, më 07.04.2026, është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi kosovar me inicialet I. A., pasi që i njëjti kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Sot, më 08.04.2026 është ekstraduar nga Kosova për në Shqipëri, shtetasi kosovar me inicialet N.C., pasi që i njëjti kërkohej nga institucionet e drejtësisë shqiptare”.

    Ky i fundit i është dorëzuar autoriteteve policore shqiptare në PKK Vërmicë.

  • Një rrugëtim drejt emocioneve: Interex dhe Yll Limani sjellin një eksperiencë të paharrueshme

    Një rrugëtim drejt emocioneve: Interex dhe Yll Limani sjellin një eksperiencë të paharrueshme

    Interex, në bashkëpunim me Yll Limanin, sjell një koncept që rrallë shihet. Një eksperiencë e ndërtuar si një rrugëtim i plotë, pjesë e lojës shpërblyese “Viti i ëndrrave të mëdha”, ku fituesit nuk fitojnë vetëm një natë koncerti, por një përjetim të tërë që përfshin udhëtimin, akomodimin dhe një eksperiencë VIP rreth koncertit.

    Ka përvoja që nuk janë thjesht evente, janë rrugëtime të kuruara në çdo detaj. Nga momenti i nisjes, te atmosfera e një nate të veçantë, deri te kulmi i emocioneve që vetëm muzika live mund ta sjellë.

    Kjo nuk është vetëm një mundësi për të ndjekur një koncert, por një eksperiencë e menduar në çdo hap për një përjetim maksimal, më afër muzikës dhe energjisë që krijohet në skenë.

    Në qendër të kësaj eksperience qëndron një qasje më e afërt dhe më autentike me botën e muzikës, një dimension që zakonisht mbetet i rezervuar, ku çdo moment ndjehet më personal dhe çdo detaj merr kuptim tjetër.

    E konceptuar dhe organizuar nga Interex, kjo iniciativë vendos një standard të ri për mënyrën se si përjetohen giveaway-t. Duke bashkuar udhëtimin, luksin dhe emocionin e muzikës live, Interex sjell një eksperiencë që nuk përkufizohet vetëm si shpërblim, por si një kujtim i rrallë.
    Në një kohë kur përvojat kanë më shumë vlerë se gjithçka tjetër, Interex vazhdon të krijojë momente që tejkalojnë pritshmëritë dhe e vendosin publikun në qendër të një historie që ia vlen të jetohet.

    Klikoni në link për ti pare rregullat e lojës:
    https://www.instagram.com/reel/DWy9WF-Au8C/?igsh=OWlsMWlnOXNnbjYy

  • Hoti: Besoj në lirimin e shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Hoti: Besoj në lirimin e shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti është shprehur optimist për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së të cilët për më shumë se pesë vjet janë duke u gjykuar në Hagë.

    Këtë deklaratë, Hoti e bëri në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione .

    Ai theksoi se çka do që është në kompetencë të Ministrisë që drejton, do të jetë në dispozicion.

    “Ata që janë padrejtësisht në Hagë do të dalin të lirë shumë shpejt dhe unë besoj këtë ditë. Çka do që është në kompetencë të ministrisë time, natyrisht do të jenë në dispozicion. Por departamenti që merret me Dhomat e Specializuara është në Ministrinë e Drejtësisë, megjithatë në kompetencë timen, në bashkëpunim me çdo departament natyrisht që do të jemi të gatshëm”, deklaroi ministri Hoti.

  • PDK i dërgon letër Haxhiut, kërkon emërimin e anëtarit të dytë në KQZ: Veproni siç thotë Kushtetuta

    PDK i dërgon letër Haxhiut, kërkon emërimin e anëtarit të dytë në KQZ: Veproni siç thotë Kushtetuta

    Partia Demokratike e Kosovës, i ka dërguar letër zyrtare Albulena Haxhiut për anëtarin e dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku asaj i kërkohet për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në KQZ.

    Nga PDK, thuhet se, çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.

    ‘’ Në letrën e PDK-së gjithashtu theksohet rëndësia e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, sipas së cilës PDK ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ, si dhe ruajtja e parimeve të barazisë dhe balancës mes subjekteve politike’’, thuhet mes tjerash në komunikatën e PDK’së.

    Komunikata:

    (Dokument) PDK i dërgon letër zyrtare Albulena Haxhiut për anëtarin e dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

    Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar edhe Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Në kërkesë theksohet se çështja e përbërjes së KQZ-së ka mbetur e papërfunduar gjatë mandatit të ish-Presidentes Vjosa Osmani dhe se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në këtë institucion nuk është çështje interpretimi politik, por një e drejtë që rrjedh nga dispozitat kushtetuese.

    Në letrën e PDK-së gjithashtu theksohet rëndësia e respektimit të praktikës së deritanishme institucionale, sipas së cilës PDK ka qenë e përfaqësuar me dy anëtarë në KQZ, si dhe ruajtja e parimeve të barazisë dhe balancës mes subjekteve politike.

    Duke iu referuar nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Kosovës, PDK argumenton se shpërndarja e vendeve në KQZ duhet të bazohet në përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Në kushtet aktuale me katër grupe parlamentare, PDK-ja konsideron se secili grup duhet të ketë nga një përfaqësues në raundin e parë, ndërsa vendet e mbetura duhet të ndahen sipas madhësisë së grupeve, duke siguruar kështu përfaqësim proporcional.

    Kjo është kërkesa e plotë e PDK-së drejtuar U.D. presidentes Albulena Haxhiu:

  • Specialja anulon dy seancat në rastin e Thaçit për administrim të drejtësisë, s’tregon arsyet pse

    Specialja anulon dy seancat në rastin e Thaçit për administrim të drejtësisë, s’tregon arsyet pse

    Specialja ka njoftuar se janë anuluar seanca e planifikuar për javën e ardhshme në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi për administrim të drejtësisë.

    Në njoftim theksohet se seancat ishin paraparë për datat 14 dhe 17 prill.

    ‘‘Thaçi dhe të tjerët (administrimi i drejtësisë): anulohen seancat e planifikuara për javën e ardhshme

    Ju njoftojmë se seancat e planifikuara për datat 14-17 prill 2026 në çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve në lidhje me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, janë anuluar. Informacione të mëtejshme do të jepen sapo të jenë të disponueshme’, ka njoftuar Specialja.

  • Tahiri: Dy seanca, 7 ditë dhe 32 milionë euro dëm për Prishtinën, skandal juridik dhe vendim i papranueshëm

    Tahiri: Dy seanca, 7 ditë dhe 32 milionë euro dëm për Prishtinën, skandal juridik dhe vendim i papranueshëm

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj një vendimi të fundit gjyqësor që obligon Ndërmarrjen Publike Banesore të paguajë mbi 32 milionë euro në emër të “fitimit të humbur”, duke e cilësuar atë si një “rast të paprecedentë dhe tejet të dëmshëm për buxhetin e Prishtinës”.

    Sipas Tahirit, i gjithë procesi gjyqësor ka zgjatur vetëm shtatë ditë dhe është zhvilluar në vetëm dy seanca, për të përfunduar me një vendim që favorizon një konsorcium kompanish private mbi bazën e një kontrate të kundërligjshme, e cila më herët ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit.

    Ai thotë se pasi dështuan ta përvetësojnë pronën publike në qendër të Prishtinës “grupet në fjalë tani po tentojnë të përfitojnë mbi 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve përmes një vendimi që, sipas tij, sfidon çdo logjikë juridike dhe ekonomike”.

    “Është hera e parë në Kosovë që një projekt që nuk ka nisur kurrë, ku nuk është vendosur asnjë tullë dhe nuk ka pasur zbatim real, shpërblehet me ‘fitim të humbur’ në këtë nivel”, ka deklaruar Tahiri.

    Ai rikujton se bëhet fjalë për një kontratë të vitit 2021, të lidhur gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje ndërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore dhe kompanive private, e cila kishte qenë e bllokuar për vite për shkak të paligjshmërive dhe ishte pezulluar edhe nga gjykata penale.

    Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Komerciale përbën një “aktgjykim skandaloz”, që rrezikon të gllabërojë gati një të katërtën e buxhetit të kryeqytetit, i cili kap vlerën rreth 150 milionë euro.

    Tahiri ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke përmendur një urgjencë të pashpjegueshme dhe një ekspertizë joprofesionale, ndërsa barra financiare i është lënë NPB-së, pavarësisht se ajo kishte detyrim të respektonte vendimet e mëhershme gjyqësore.

    Ai kërkoi që ky vendim të rrëzohet nga Gjykata e Apelit, duke theksuar se çështja nuk është vetëm juridike, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e parasë publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës.

    Në reagimin e tij, Tahiri akuzoi gjithashtu për ndikime të grupeve të interesit brenda Gjykatës Komerciale, të lidhura, sipas tij, me “oligarkë të pushtetit”, por shtoi se beson se në këtë institucion ka edhe gjyqtarë të ndershëm që do të mbrojnë drejtësinë.

    Në fund, ai bëri të ditur se vendimi tashmë është kundërshtuar me ankesë nga zyra e avokatit Faton Fetahu, i cili ka punuar pro bono gjatë gjithë procesit, duke paralajmëruar se beteja ligjore do të vazhdojë deri në rikthimin e ligjshmërisë.