ATV

Author: K.B.

  • “Pacientët po presin korridoreve” – Kadrijaj kritikon gjendjen në shëndetësi

    “Pacientët po presin korridoreve” – Kadrijaj kritikon gjendjen në shëndetësi

    Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka folur në seancën e Kuvendit lidhur me gjendjen në sektorin e shëndetësisë.

    Ajo tha se pacientët përballen me lista të gjata pritjeje për trajtim, ndërsa situata bëhet edhe më e rënduar në repartet emergjente.

    “Sot po dua të ngre shqetësime pikërisht për shëndetësinë. Listat për pacientë janë të gjata dhe po presin për trajtime. Nëse shkojmë në urgjencë, aty mblidhen pacientë nga e gjithë Kosova dhe kemi vetëm katër krevate”.

    “Mos të flasim për intensivën qendrore… gjithmonë duke e vlerësuar punën e madhe të personelit shëndetësor, por ka aq pak krevate sa pacientët presin nëpër korridore, edhe kur janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha mes tjerash ajo.

  • Murati i përgjigjet Tahirit për rrogën e 13-të: Është në vullnetin e punëdhënësve

    Murati i përgjigjet Tahirit për rrogën e 13-të: Është në vullnetin e punëdhënësve

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, lidhur me pyetjen e tij në Kuvend për sektorin privat dhe mundësinë e përfitimit të pagës së 13-të.

    Murati tha se paga e 13-të është dhënë në sektorin publik, pasi Qeveria është punëdhënëse në këtë sektor, ndërsa për sektorin privat kjo mbetet në vullnetin e vetë punëdhënësve.

    “Ne e kemi dhënë në sektorin publik sepse jemi punëdhënës në këtë sektor. Pra, i takon punëdhënësit ta japë pagën e 13-të. Nëse konsideroni se edhe sektori privat duhet ta bëjë një gjë të tillë, atëherë mund të mandatohet me ligj, siç e kanë disa shtete evropiane”, tha mes tjerash ai.

  • Blerta Deliu kërkon nga Haxhiu të kompletojë përbërjen e KQZ-së sipas Kushtetutës

    Blerta Deliu kërkon nga Haxhiu të kompletojë përbërjen e KQZ-së sipas Kushtetutës

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, i ka bërë u.d presidentes, Albulena Haxhiu, që të kompletojë përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor sipas parimeve të Kushtetutës, duke siguruar që vendimmarrja të jetë e paanshme.

    Ajo theksoi se, pas shënimit të Ditës së Kushtetutës, është e nevojshme të flasim edhe për përgjegjësinë e institucioneve që nuk e kanë respektuar aktin themeltar të Kosovës.

    Ajo shtoi se PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, një fakt që është konfirmuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile.

    “Kosova dje ka shënuar ditën e Kushtetutës, dhe krahas urimeve duhet të flasim për përgjegjësinë e munguar të institucioneve që ta respektojnë aktin themeltar të Kosovës

    “Dua të them që dje është përmbyllur afati 60 ditor të KQZ-së, afat që nuk është respektuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani. Përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor e reflekton vetëm numrin e grupeve parlamentare pavarësisht numrin e deputetëve”.

    “PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ, këtë e kanë konfirmuar edhe organizatat e Shoqërisë Civile. PDK me këtë rast kërkon nga U.D e presidentes që ta kompletojë përbërjen e KQZ ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Kërkojmë që të jetë e paanshme në vendimmarrje”, tha Deliu.

  • Partitë pajtohen që rezoluta e PDK’së për luftën të votohet si pikë e parë e rendit të ditës

    Partitë pajtohen që rezoluta e PDK’së për luftën të votohet si pikë e parë e rendit të ditës

    Partitë politike janë pajtuar që Propozim-Rezoluta e PDK’së për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, të renditet si pikë e parë e rendit të ditës për seancën e sotme.

    Pro këtij ndryshimi kanë votuar 86 deputetë, ashtu që rezoluta vendoset si pikë pas pyetjeve parlamentare, e para marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Votimi erdhi pas një konsulte të shefave të grupeve parlamentare me kryetaren e Kuvendit.

    Ndërkohë, Rezoluta e LDK’së për rritjen e çmimeve të naftë, nga pika e nëntë u zhvendos në pikën e gjashtë.

    Rendi i ditës u vota me 91 vota për.

  • Certifikohen 36 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë

    Certifikohen 36 rekrutë të FSK-së nga radhët e komuniteteve jo shumicë

    Në një ceremoni solemne të organizuar sot në ambientet e kazermës “Skënderbeu” në Ferizaj, janë certifikuar 36 rekrutë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, të cilët nga sot i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës si ushtarë të saj.

    Në këtë ceremoni u certifikuan rekrutë nga komunitetet turk, ashkali, boshnjak, rom dhe egjiptas, duke dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ndërtimin e një force gjithëpërfshirëse, profesionale dhe shumëetnike.

    Gjatë trajnimit të tyre, rekrutët kanë përfituar njohuri dhe aftësi themelore ushtarake, duke u përgatitur për të kontribuar në realizimin e misionit të FSK-së në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Në ceremoni, përveç udhëheqësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, të pranishëm ishin edhe familjarë të rekrutëve, si dhe mysafirë të ftuar, të cilët ndanë këtë moment të rëndësishëm me të diplomuarit.

    Certifikimi i këtyre rekrutëve përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre profesional dhe njëkohësisht kontribuon në forcimin e kapaciteteve të FSK-së si një institucion modern, gjithëpërfshirës dhe në shërbim të vendit.

  • Partitë s’merren vesh për rendin e ditës – Haxhiu i fton për konsultë shefat e grupeve parlamentare

    Partitë s’merren vesh për rendin e ditës – Haxhiu i fton për konsultë shefat e grupeve parlamentare

    Disa projektligje, siç u konsideruan të rëndësishme nga shumica parlamentare e LVV-së, nuk u përfshinë në rendin e ditës në seancën e sotme plenare. Mes projektligjeve të cilat nuk morën votat e dy të tretave të deputetëve për shmangie procedurale ishin edhe Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e destabilizimit dhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Shqyrtimin e këtyre projektligjeve me procedurë të përshpejtuar nuk e mbështetën partitë opozitare.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, duke kërkuar shqyrtimin e këtyre projektligjeve, tha se të njëjtat janë në interes të qytetarëve.

    “Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, projektligjin për shërbimet e pagesave, projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm, projektligjin për shtetësinë”, tha ajo.

    Por shqyrtimi i këtyre projektligjeve në këtë formë, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, është vetëm një tendencë e qeverisë për të ndërtuar agjendë të fushatës zgjedhore në rast të moszgjedhjes së presidentit.

    “Këto propozime nuk janë asnjë prej tyre urgjente dhe si të tilla nuk i mbështes që të mundësohet të trajtohen jashtë procedurave të rregullta. Kjo është një tendencë e qeverisë që të ndërtojë agjendë të fushatës zgjedhore dhe jo të trajtojë me seriozitet tema të rëndësishme”, tha ai.

    Kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve në seancën e sotme u shpreh edhe Jehona Lushaku e LDK-së.

    “Projektligje të cilat kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vijnë për t’u miratuar në procedurë të përshpejtuar në seancë. Temat që këto projektligje trajtojnë janë të rëndësishme për qytetarët, por jo për periudhën në të cilën duhet të shqyrtohen. Prandaj kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, deklaroi ajo.

    Po ashtu edhe Besnik Tahiri u shpreh kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve gjatë seancës së sotme.

    “Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës i institucionit që duhet të jetë më i disiplinuar. Ne nuk e mbështesim, por kërkoj prej kryetares që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare”, shtoi ai.

    E opozitarëve iu kundërpërgjigj kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, e cila tha se partitë nuk duhet të harrojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili është deri më 28 prill.

    Sipas saj, pa paragjykuar situatën, duhet të trajtohen çështjet që adresojnë interesat e qytetarëve.

    “Në rrethanat që jemi, ku kemi një afat kushtetues për të zgjedhur presidentin, nuk duhet të sillemi sikurse asgjë po ndodh dhe nuk varemi nga një afat kushtetues. Duke qenë se kemi 27 prillin për të zgjedhur presidentin dhe uroj që të arrijmë ta bëjmë këtë, por detyrohemi që çështjet t’i adresojmë që janë me interes për qytetarët”, theksoi ajo. /kp/

  • Arbert Lubeniqi nis sfidën 5200 kilometra me biçikletë për bamirësi

    Arbert Lubeniqi nis sfidën 5200 kilometra me biçikletë për bamirësi

    Me moton “1 euro për kilometër”, humanisti shqiptar ndërmerr një tjetër rrugëtim të jashtëzakonshëm në Australi, në mbështetje të fëmijëve dhe të moshuarve me aftësi të kufizuara

    Ka njerëz që e matin rrugën me distancë dhe ka të tjerë që e matin me zemër. Lubeniqi i përket padyshim grupit të dytë.

    Nga një cep i largët i botës, përgjatë brigjeve lindore të oqeanit Paqësor, ai ka nisur një sfidë që shkon përtej kufijve fizikë dhe merr një dimension thellësisht njerëzor. Në kontinentin australian, ai ka filluar sot udhëtimin prej 5200 kilometrash, duke u nisur nga Wellington Point (Brisbane), për të përshkuar një itinerar sa sfidues, aq edhe mbresëlënës.

    Ky është misioni i tij i katërt, i ndërtuar mbi një ide të thjeshtë, por me ndikim të madh: për çdo kilometër që ai përshkon me biçikletë, një euro do të shndërrohet në ndihmë konkrete. Ky akt solidariteti kapërcen kufijtë gjeografikë, duke u ardhur në ndihmë kategorive më të ndjeshme të shoqërisë sonë.

    Çdo hap i kaluar bart një mesazh humanizmi. Një nismë që në pamje të parë duket simbolike, por që në thelb është një thirrje për bashkëndarje dhe përgjegjësi shoqërore.

    Kjo nuk është hera e parë që ai vendos forcën dhe kohën e tij në shërbim të të tjerëve. Prej vitesh, Arberti ka shërbyer si një “urë e gjallë” ndihme, duke siguruar pajisje mjekësore nga vende të ndryshme të Evropës për ata që kanë më së shumti nevojë në Kosovë. Përmes shoqatës “Bamirësia”, ai e ka strukturuar këtë angazhim, duke e bërë kontributin e tij më të qëndrueshëm dhe më të prekshëm.

    Në këtë udhëtim, mbështetja e njerëzve është po aq e rëndësishme sa edhe vetë qëllimi. Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, mund të lidhen drejtpërdrejt me humanistin për t’u bërë pjesë e kësaj nisme dhe për të ndihmuar në përmbushjen e këtij misioni fisnik.

    Ajo që e bën këtë rrëfim të veçantë nuk është vetëm distanca e përshkuar, por forca e bindjes se secili prej nesh mund të bëjë diçka për tjetrin. Shembuj të tillë dëshmojnë se largësia nuk e zbeh lidhjen me vendlindjen dhe se dëshira për të dhënë nuk njeh kufij.

    Historia e Arbert Lubeniqit është një thirrje e heshtur që na fton të shohim përreth, të ndihmojmë dhe të besojmë se edhe veprimet individuale mund të sjellin ndryshime të mëdha shoqërore.

  • Komuna e Kamenicës hap thirrjen për mbështetje të bizneseve

    Komuna e Kamenicës hap thirrjen për mbështetje të bizneseve

    Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj ka njoftuar hapjen e thirrjes për mbështetje financiare për bizneset lokale, në vlerë totale prej 140 mijë eurosh.

    Përmes një postimi në Facebook, Rahimaj ka bërë të ditur se kjo thirrje përfshin si bizneset Start-Up ashtu edhe ato ekzistuese.

    “Edhe kësaj radhe, kemi hapur thirrjen për mbështetjen e bizneseve Start-Up dhe bizneseve ekzistuese”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, fondi i dedikuar për këtë masë mbështetëse arrin në 140 mijë euro dhe synon zhvillimin e sektorit privat në komunë.

    “Janë gjithsej 140,000 euro të planifikuara për t’u ndarë për bizeset tona”, ka deklaruar Rahimaj.

    Ai ka sqaruar se bizneset e reja mund të përfitojnë deri në 3 mijë euro, ndërsa bizneset ekzistuese deri në 5 mijë euro mbështetje financiare.

    “Deri në 3,000 euro mbështetje për bizneset e reja, deri në 5,000 euro mbështetje për bizneset ekzistuese”, ka theksuar ai.

    Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se detajet e plota të thirrjes janë të publikuara në faqen zyrtare të komunës.

  • Ibrahim Tatlises ka një njoftim për fansat, nga spitali

    Ibrahim Tatlises ka një njoftim për fansat, nga spitali

    Artisti i famshëm turk, İbrahim Tatlıses u shtrua në spital dhe u vendos në kujdes intensiv me një diagnozë paraprake infeksioni pasi u sëmur në shtëpinë e tij në Stamboll disa ditë më parë.

    “Jam në kujdes intensiv, por jam shumë mirë, njoftojini fansat e mi” ishte porosia e këngëtarit turk nga spitali.

    Tatlıses, i cili shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij në lidhje me çështjet financiare, deklaroi se i kishte dhënë shumë mbështetje të birit në të kaluarën, duke thënë: “I dhashë Ahmetit 7 dyqane dhe ai i shkatërroi të gjitha”.

    Artisti gjithashtu pretendoi se të ardhurat nga shitjet e shtëpive nuk i arritën atij.

  • VV-ja dështon t’i fusë në rend të ditës për seancën e sotme Projektligjin për çmimet tavan dhe atë për sigurimet shëndetësore

    VV-ja dështon t’i fusë në rend të ditës për seancën e sotme Projektligjin për çmimet tavan dhe atë për sigurimet shëndetësore

    Në Kuvendi i Kosovës janë rikthyer sot në procedurë votimi tri projektligje të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë masat e përkohshme për produktet themelore, sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe projektligjin për shtetësinë.

    Grupi parlamentar i VV-së kërkoi që këto nisma të futen menjëherë në rend dite dhe të votohen në seancën e sotme, vetëm një javë pas miratimit të tyre në qeveri. Megjithatë, kërkesa për shmangie procedurale nuk mori mbështetjen e nevojshme, duke bërë që futja e tyre urgjente në rend dite të dështojë.

    Kundër këtij propozimi u deklaruan paraprakisht edhe partitë opozitare, të cilat kundërshtuan përfshirjen e projektligjeve në seancën e sotme.

    Projektligji për çmimet tavan, i njohur si masë e përkohshme për produktet bazë në raste të destabilizimit të tregut, më herët ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2023. E njëjta situatë kishte ndodhur edhe me Projektligjin për sigurimet shëndetësore, i cili ishte rrëzuar po ashtu në të kaluarën.