ATV

Author: K.B.

  • Kalimi në Hormuz me pagesë në kriptovaluta, plani i ri i Iranit

    Kalimi në Hormuz me pagesë në kriptovaluta, plani i ri i Iranit

    Irani dëshiron të tarifojë kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit me kriptovaluta.

    Teherani planifikon t’u ngarkojë cisternave rreth 1 dollar për fuçi për tranzitin nëpër Ngushticën e Hormuzit – por me një ndryshim: pagesat nuk do të bëhen në dollarë, por në kriptovaluta.

    Anijet bosh do të lejohen të kalojnë falas. Logjika është e thjeshtë – të anashkalohen sanksionet.

    Pagesat nuk mund të kalojnë përmes bankave apo sistemit SWIFT, dollari kontrollohet nga SHBA-ja dhe riali nuk ka kërkesë në treg. Kriptovalutat janë pothuajse e vetmja mënyrë për të marrë miliona pa bllokime apo mbikëqyrje.

    Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Është gjithashtu një përpjekje për të sfiduar dollarin si monedha kryesore e tregtisë globale.

    Nëse një sistem i tillë funksionon realisht, ai mund të krijojë një precedent të rrezikshëm: një nga rrugët kryesore të naftës në botë që operon jashtë sistemit tradicional financiar.

  • Instagram prezantoi mundësinë për të modifikuar komentet, por brenda 15 minutash

    Instagram prezantoi mundësinë për të modifikuar komentet, por brenda 15 minutash

    Meta u jep përdoruesve mundësinë të redaktojnë komentet në Instagram që i lënë në postime, por vetëm brenda 15 minutave pas publikimit.

    Kjo është e ngjashme me mënyrën se si aplikacioni i rrjeteve sociale trajton redaktimin e mesazheve, një opsion që u prezantua në vitin 2024, 11 vjet pasi u mundësua dërgimi i mesazheve direkte në Instagram (në vitin 2013).

    Përdoruesit tani mund të redaktojnë vetëm komentet që kanë lënë nga llogaria e tyre, dhe procesi është i thjeshtë.

    Mjafton të preket butoni “Edit” nën komentin e vet për t’u hapur një kuti teksti, ku mund të ndryshohet, rishkruhet ose editohet ajo që është shkruar, dhe më pas të shtypet shenja blu e “tik”-ut për të ruajtur ndryshimet.

    Nga Meta thonë se komentet mund të redaktohen sa herë të dëshirohet brenda atij afati 15-minutësh, kështu që nëse nevojiten më shumë ndryshime, opsioni ekziston.

    Komentet mund të shfaqen në mënyra të ndryshme në Instagram, përfshirë edhe në Stories që nga viti 2024, prandaj kjo mundësi për redaktim është një shtesë e mirëpritur.

    Opsioni i ri është vetëm i fundit në një seri ndryshimesh që Meta ka sjellë në aplikacionin e saj social gjatë muajit të fundit.

    Më herët në mars, kompania njoftoi se po heq enkriptimin “end-to-end” nga mesazhet direkte në Instagram. Në fund të muajit, Meta gjithashtu filloi testimin e Instagram Plus, një shërbim abonimi që zhbllokon mundësi të reja për funksionin Stories në aplikacion.

  • PDK: Rezoluta për viktimat e luftës dëshmon unitet institucional dhe mbrojtje të së vërtetës historike

    PDK: Rezoluta për viktimat e luftës dëshmon unitet institucional dhe mbrojtje të së vërtetës historike

    Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin unanim në Kuvendin e Kosovës të rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave të luftës.

    Në reagimin e saj, PDK ka vlerësuar se mbështetja nga të gjitha grupet parlamentare për këtë rezolutë dëshmon se për çështje që lidhen me historinë dhe sakrificën kombëtare duhet të ekzistojë unitet i plotë institucional.

    Sipas kësaj partie, miratimi i rezolutës përbën një moment të rëndësishëm reflektimi dhe përgjegjësie politike, ku Kuvendi është ngritur mbi dallimet partiake për të nderuar viktimat e luftës dhe familjet e tyre.

    PDK ka theksuar se ky vendim dëshmon se institucionet mund të veprojnë të bashkuara kur ekziston vullnet politik, sidomos në mbrojtje të vlerave themelore të shtetit.

    “Mbrojtja e së vërtetës për luftën çlirimtare dhe respekti për viktimat nuk janë çështje e debatit politik, por obligim i përhershëm institucional dhe moral”, thuhet në reagimin e PDK-së.

    Tutje, kjo parti është zotuar se do të angazhohet për zbatimin në praktikë të vendimeve të tilla dhe për mbrojtjen e së vërtetës historike nga çdo përpjekje për shtrembërim apo relativizim.

    Në fund, PDK ka falënderuar të gjithë deputetët që mbështetën rezolutën, duke e cilësuar votimin si dëshmi të përgjegjësisë dhe respektit ndaj viktimave të luftës.

  • ​Protesta në Pejë: E turpshme ta mbrojmë UÇK-në nga shqiptarët

    ​Protesta në Pejë: E turpshme ta mbrojmë UÇK-në nga shqiptarët

    Sheshi i Pejës sot u mbush me studentë dhe qytetarë për të kundërshtuar fyerjen dhe gjuhën e urrejtjes ndaj ish-komandantit të zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, pas disa akuzave ndaj tij. Këtë protestë e organizuan studentët e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” të cilët thanë se nuk do të heshtin karshi shtrembërimit të historisë.

    Mes parullave “Unë studioj shqip fal UÇK-së”, “Për UÇK-në, me UÇK-në” e “Larg duart nga UÇK-ja”, studentët synuan të dëgjohet zëri i tyre.

    Përfaqësuesi i studentëve, Ardit Bobi e quan të turpshëm faktin që studentët sot po mbrojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga shqiptarët.

    Por, ai shtoi se historia e Kosovës nuk shtrembërohet dhe dinjiteti i vendit nuk preket.

    “Është e turpshme të mendojmë se nga kush po e mbrojmë, nuk po e mbrojmë nga serbët por po e mbrojmë nga shqiptarët. Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm në një shesh qytetit sot jemi mbledhur në një moment ku ndërgjegjja e një shoqërie vihet në provë sepse ka raste në histori kur një popull duhet të vendos a duhet të hesht përballë shtrembërimit, apo duhet të ngritët në mbrojtje të së vërtetës. Ne sot kemi zgjedhur të mos heshtim sepse historia nuk është vetëm kujtim historia është themeli mbi të cilin qëndron një shtet dhe kur ai themel fillon të lëkundet nga pasaktësi e harresa atëherë nuk rrezikohet vetëm e kaluara por gjithë e ardhmja. Nuk jemi këtu për të krijuar zhurmë, por jemi këtu sepse ndërgjegjja nuk na lejon të qëndrojmë të heshtur… Historia e Kosovës nuk shtrembërohet dhe e vërteta nuk relativiziohet kujtesa nuk përdhoset dinjiteti i Kosovës nuk preket”, tha ai.

    Para studentëve e qytetarëve fjalën e mori edhe rektori i universitetit “Haxhi Zeka”, Armand Krasniqi, i cili këtë protestë e quajti reagim jo të zakonshme dhe sinjal që ky universitet po formon individ që nuk janë indiferente karshi zhvillimeve shoqërore.

    Sipas tij institucionet legjislative e ka për obligim të krijojë korniza ligjore që mbron identitetin shoqëror.

    “Kjo nuk është një ngjarje e zakonshme është sinjal që duhet kuptuar është dëshmi se universiteti po përmbush një nga funksionet e tij më thelbësore të formoj individ që nuk janë indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore, por që reflektojnë dhe veprojnë me përgjegjësi . Ajo që po ndodh sot këtu nuk është një reagim i zakonshëm publik është një moment që kërkon një qasje të balancuar dhe të matur një qasje që kërkon lirin e shprehjes, por njëkohësisht e vendos atë liri përballë përgjegjësisë që ajo bart , një qasje që pranon debat po nuk pranon deformim të vlerave themelore mbi të cilat qëndron shoqëria jonë… Në këtë kuptim roli i institucioneve legjislative bëhet i domosdoshëm sepse ato kanë detyrimin për krijimin e një kornize që mbron dinjitetin shoqëror pa cenuar parimet demokratike”, tha ai.

    Si veprim i duhur këtë aktivitet e cilësoi dhe studenti Armend Mustafaj i cili për KosovaPress tha se historia duhet të mbrohet.

    Para dy ditëve, një person është arretsuar pikërisht në Pejë, pasi kërcënoi dhe ofendoi familjen Haradinaj. /kp/

  • Shembja e rrugës në Prishtinë, Përparim Rama njofton për 30 mijë euro gjobë investitorit

    Shembja e rrugës në Prishtinë, Përparim Rama njofton për 30 mijë euro gjobë investitorit

    Komuna e Prishtinës ka vendosur t’i shqiptojë gjobë investitorit dhe përfaqësuesit ligjor në rastin e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.

    Kreu Përparim Rama tha se investitori nuk ka respektuar vendimin për mbushjen e gropës në Llamellat 4 dhe 5, prandaj është iniciuar procedurë kundërvajtëse, duke u shqiptuar gjobë prej 30,000 € për kompaninë dhe 3,000 € për përfaqësuesin ligjor.

    “Deri më sot nuk janë prezantuar vendimet e inxhinierëve mbikëqyrës, prandaj kërkojmë nga Oda e Inxhinierëve të Republikë së Kosovës, inicimin e procedurave për tërheqjen e licencave të inxhinjerëve mbikqyrës!”

  • Kurti në Londër takohet me Ministrin e Shtetit për Mbrojtje, diskutohet bashkëpunimi ushtarak

    Kurti në Londër takohet me Ministrin e Shtetit për Mbrojtje, diskutohet bashkëpunimi ushtarak

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, mbrëmë u prit në darkë nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në “Naval and Military Club”, në Londër.

    Gjatë darkës, si֛ç ka njoftuar ZKM-ja, Kurti e falënderoi Lordin Coaker për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke përmendur në veçanti, ndihmën ndaj refugjatëve, rolin e Gjeneralit Michael Jackson në çlirim, si dhe pas luftës në shtet-ndërtim, zhvillim dhe integrim.

    “Kryeministri Kurti theksoi se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë ushtarak dhe të mbrojtjes, në drejtim të vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Në këtë kontekst, ai përmendi bashkëpunimin në fusha specifike, si bashkëzbarkimet, trajnimet dhe zhvillimin e kapaciteteve”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit për media.

  • Time Kadriaj për Donika Gërvallën: Mos ta faltë Zoti evladin e keq, se mundet me ta fëlliqë edhe emrin e familjes

    Time Kadriaj për Donika Gërvallën: Mos ta faltë Zoti evladin e keq, se mundet me ta fëlliqë edhe emrin e familjes

    Deputetja e AAK’së, Time Kadriaj, ka thënë se arsyeja pse nuk iu kundërpërgjigjën Ministres Donika Gërvalla, lidhur me fjalët me të cilat iu drejtua Kreut të kësaj partie, Ramush Haradinajt, në seancën e kaluar, ishte meqë e respektojnë për shkak të Jusuf Gërvallës.

    Duke folur për Gërvallën, Kadriaj tregoi edhe një bisedë që kishte pasur me një ish-ushtar të UÇK’së i cili e kishte pyetur se pse nuk iu kundërpërgjigj Gërvallës, teksa përdori edhe një fjalë të urtë popullore.

    “E respektojmë për shkak të Jusuf Gërvallës. Një mesazh për Donikën: Mjaftë, çka është mjaftë dhe boll me këto fyerje. Po ka thanë edhe një fjalë e urtë popullore: Mos ta faltë Zoti evladin e keq, se mundet me ta fëlliqë edhe emrin e familjes”, tha Kadriaj.

    Pas fjalës së saj, në Kuvend u dëgjuan disa duartrokitje.

    Në seancën e para dy javësh në Kuvend, Gërvalla i kërkoi Haradinajt që të ulet në vendin e tij, meqë ai po kritikonte kryeministrin Albin Kurti.

  • Kuvendi miraton Rezolutën për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave të luftës

    Kuvendi miraton Rezolutën për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave të luftës

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për të vërtetën dhe dinjitetin e viktimave të luftës.

    Rezoluta u miratua me 90 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

    Kjo rezolutë u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës pas ekspozitës me pasaktësi mbi masakrat në Kosovë të Shkëlzen Gashit në sheshin e Prishtinës, e cila u hoq më pas nga Komuna e Prishtinës.

  • Kuvendi s’e miraton rezolutën e propozuar nga LDK, s’merr mbështetje nga VV

    Kuvendi s’e miraton rezolutën e propozuar nga LDK, s’merr mbështetje nga VV

    Kuvendi i Kosovës s’ka miratuar Propozim-Rezolutën për rritjen e çmimeve të naftës, mungesa e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në koston e jetesës si dhe stabiliteti ekonomik i vendit.

    Kjo rezolutë u propozua nga LDK-ja dhe s’mori mbështetjen e deputetëve të Vetëvendosjes.

    Për të votuan 49 deputetë kundër, 34 për dhe shtatë abstenime.

    Rezoluta mori mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare, PDK dhe AAK.

  • Deputeti i VV-së e ngatërron Haxhiun me Osmanin, dikush nga deputetët: “Kanë me të mytë që ke gabu”

    Deputeti i VV-së e ngatërron Haxhiun me Osmanin, dikush nga deputetët: “Kanë me të mytë që ke gabu”

    Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Haliti, kur mori fjalën e tij në Kuvend, tentoi që ta përshëndeste kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, edhe me funksionin e saj të ushtrueses së detyrës së presidentes, por i ngatërrua.

    Në vend të emrit të saj, ai tha Vjosa Osmani, presidentja e Kosovës, e cila e përfundoi mandantin e saj së fundmi.

    “E nderuara kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes, zonja Vjosa Osmani, Vjosa… Albulena Haxhiu”.

    Ky gabim ingjalli të qeshura dhe reagime në Kuvend, e madje dikush nga deputetët opozitarë u dëgjua duke i thënë: “O kanë me të mytë që ke gabu”.

    Duke qeshur, ai më pas tha “Ish-presidente”.