ATV

Author: K.B.

  • Deputetët miratojnë në parim Projektligjin për sigurimet shëndetësore

    Deputetët miratojnë në parim Projektligjin për sigurimet shëndetësore

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, teksa partitë opozitare kërkuan më shumë informacione nga Qeveria lidhur me pagesat dhe pakot që do të ofrohen.

    Projektligji u miratua me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Shqyrtimi i dytë i projektligjit do të bëhet më 23 prill.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.

    “Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Vitia.

    Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.

    “Me këtë ligj themelohet Fondi i kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor të Kosovës”, tha ai.

    Sipas ministrit, projektligji parasheh të prezantojë disa metoda të pagesës për shërbimet e kujdesit shëndetësor që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me pakot që do të ofrohen apo tarifat që do të jenë për to.

    “Skema e mbulimit të barnave jashtëspitalore është identifikuar si alternativa më e mirë për këtë shërbim shtesë dhe vlerë të shtuar”, tha Vitia.

    Sipas tij, projektligji bazohet në parimin e barazisë dhe nuk do të ketë dallim në qasjen e shërbimeve shëndetësore mes personave që përmes kontributeve kanë sigurim shëndetësor, apo familjarëve të tyre që varen nga ky shërbim, apo pjesës së popullsisë që sigurimin shëndetësor ia mbulon shteti, duke shtuar se grupet e cenueshme do të përjashtohen nga kontributet.

    Gjatë debatit, deputetët nga partitë opozitare vunë në pah se ka shumë paqartësi lidhur me këtë ligj.

    Nga LDK-ja thanë se ligji parasheh që punëdhënësi të paguajë 3.5 për qind, ndërkaq 3.5 për qind do të paguhen nga punëtori. Hykmete Bajrami tha se edhe pensionistët do të paguajnë nga pensionet e tyre 3.5 për qind kontribute.

    LDK-ja, sikurse edhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahën në parim ligjin, duke thënë se kontributet e tyre për këtë ligj do t’i japin ndërmjet dy leximeve.

    Artan Behrami nga PDK tha se ligji është jetik për qytetarët.

    “Në parim jemi për këtë ligj dhe mes dy leximeve, ne do të sjellim një kontribut për ta bërë ligjin më të mirë dhe më lehtë të zbatueshëm”, tha ai.

    Armend Zemaj nga LDK tha se ligji parashihet të hyjë në fuqi pesë vjet nga miratimi, duke argumentuar se qytetarët veçse kanë humbur vite të tëra nga mungesa e sigurimeve shëndetësore.

    Ndërkaq, deputeti Daut Haradinaj, tha se e përkrahin ligjin, por pret nga Vitja që të qartësojë se kush dhe sa do të paguajë, a do të përjashtohen nga pagesa kategoritë e dala nga lufta, të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe kategori të cenueshme.

    Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

    Gjykata tha në vendimin e janarit se Kuvendi e miratoi atë më 5 dhjetor 2024 duke bërë shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

    Kjo është një përpjekje 10-vjeçare për sjelljen e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në vend.

    Mungesa e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor besohet se i ka dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos shtresat e varfra të shoqërisë dhe grupet e cenueshme, si pensionistët dhe rastet sociale.

    Aktualisht, shërbimet në institucionet publike shëndetësore në Kosovë ofrohen pa pagesë vetëm për kategori të caktuara, si fëmijët, pensionistët apo rastet sociale, ndërsa për të tjerët vlen bashkëpagesa për kujdes shëndetësor.

    Shuma e saj varion – nga 1 deri në qindra euro – varësisht nga shërbimi që merr pacienti.

    Për ato trajtime që nuk realizohen në institucionet publike, përgjegjësinë e mbulimit të kostove e ka Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë. Por procedurat burokratike, derisa pacientët t’i marrin mjetet e nevojshme, zgjasin me javë të tëra, e nganjëherë edhe muaj.

    Prandaj, shumë qytetarë detyrohen t’i përballojnë vetë shpenzimet – qoftë në spitale private, qoftë jashtë shtetit.

    Sigurime shëndetësore kanë vetëm ata që i marrin nga kompanitë private.

  • Thaçi për vdekjen e babait: Fakti që s’mora pjesë në varrim më ka lënduar thellë

    Thaçi për vdekjen e babait: Fakti që s’mora pjesë në varrim më ka lënduar thellë

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për vdekjen e babait të tij.

    Ai në një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ tha se fakti që nuk mori pjesë në varrim, e ka lënduar thellë.

    “I vlerësoj shumë fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj gjithë jetën”, ka thënë ai për FAZ.

  • Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut bëhet me pasaportë shqiptare

    Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut bëhet me pasaportë shqiptare

    Eric Adams, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut është pajisur me pasaportë shqiptare.

    Vendimi për t’i dhënë pasaportën shqiptare është miratuar me një dekret të veçantë nga Presidenti Bajram Begaj ditën e sotme.

    Në dekret thuhet se bazuar në ligjin 113/2020, Eric Adams i jepet shtetësia shqiptare dhe ky dekret hyn menjëherë në fuqi dhe botohet në Fletoren Zyrtare dhe shtohet se Adams u pajis me pasaportë shqiptare me kërkesë të tij vetë.

    Ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut ishte më parë për një vizitë në Shqipëri, në tetor të 2025 ku u takua dhe me kryeministrin Rama./TCh

  • Krasniqi Goodman dhe Tahiri emërohen të deleguara për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Krasniqi Goodman dhe Tahiri emërohen të deleguara për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka takuar sot Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyhrete Tahirin, të cilat janë emëruar të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Gjatë takimit u vlerësua guximi dhe qëndrueshmëria e tyre, si dhe roli i rëndësishëm që kanë luajtur në thyerjen e heshtjes dhe në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën nga presidenca.

    “U theksua se zëri i tyre ka ndihmuar që kjo çështje të trajtohet me dinjitet dhe seriozitet, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe se angazhimi i tyre tashmë ka edhe dimension institucional”.

    Në takim po ashtu u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet dhe për avancimin e të drejtave të tyre.

  • ZRRE propozon që të mos ketë shtrenjtim të rrymës për 2026

    ZRRE propozon që të mos ketë shtrenjtim të rrymës për 2026

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që për këtë vit të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

    Në një komunikatë për media, ZRRE-ja ka bërë të ditur se këtë vit pritet më shumë import dhe më pak prodhim brenda, por për të shmangur ndikimin e menjëhershëm është propozuar një mekanizëm që të ketë shpërndarje të kostove të rritura në më shumë periudha tarifore.

    “Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në komunikatën për media kur u bë publikimi i raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe furnizuesit.

    ZRRE-ja po ashtu ka bërë të ditur se gjatë analizës së aplikacioneve të pranuara nga ndërmarrjet energjetike, është vënë re se më 2026 do të ketë prodhim vendor më të ulët për shkak të remonteve në Termocentralet Kosova A dhe B. Kjo nënkupton se do të ketë më shumë import.

    Tani konsumatorët, ndërmarrjet dhe palët tjera kanë mundësi të dërgojnë komente deri më 24 prill. Pas kësaj pritet që të merret vendimi i Bordit të ZRRE-së.

    Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00 deri në 22:00 gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars, kurse prej orës 08 deri në 23:00 gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator. Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat. E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.

    Rritja e çmimit të rrymës u kërkua nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS). KESCO kërkoi rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

    Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

    Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

    Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.

  • Thaçi: Pa rezistencën e popullit dhe pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte sot

    Thaçi: Pa rezistencën e popullit dhe pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte sot

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për FAZ, ka thënë pa rezistencën e popullsisë kosovare, dhe, pa ndërhyrjen e NATO’s, Kosova nuk do të ekzistonte më.

    ‘’Pa rezistencën e popullsisë kosovare dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot. Kosovarët shqiptarë nuk do të ekzistonin. Populli i Kosovës bëri atë që çdo popullsi e shtypur gjatë historisë ka bërë — dhe do të bënte — kur u përball me një kërcënim ekzistencial nga diktatorë si Slobodan Millosheviq’’, ka thënë ai për FAZ

  • Ish-presidenti Thaçi: Jetën politike s’e shoh pas vetës, si qytetar i lirë do vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit

    Ish-presidenti Thaçi: Jetën politike s’e shoh pas vetës, si qytetar i lirë do vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit

    Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ.

    Ish-presidenti, është pyetur se nëse ‘’ka mbaruar jeta e politikanit’’ për të, ku është përgjigjur se, garën politike e sheh pas vetes, por jo edhe jetën e tij politike.

    ‘’Ju pyetni nëse jeta ime politike ka mbaruar. Unë e shoh garën politike pas meje, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit në të ardhmen. I përulem popullit të Kosovës që më ka treguar besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik për dy dekada. Gjithashtu shpreh mirënjohjen time të thellë për partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë punuar ngushtë me mua për të realizuar vullnetin e popullit për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike’’, ka thënë ai për FAZ.

  • Besnik Tahiri: Kjo Qeveri mbiemrin e ka krizë, e ka bllokuar Kosovën

    Besnik Tahiri: Kjo Qeveri mbiemrin e ka krizë, e ka bllokuar Kosovën

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke vlerësuar se ajo po e fut vendin në kriza të njëpasnjëshme dhe se nuk ka drejtim të qartë politik.

    Tahiri theksoi se nesër bëhen dy muaj nga votimi i qeverisë, ndërsa akuzoi kabinetin qeverisës se ende nuk ka paraqitur program politik dhe program qeverisës.

    “Kjo Qeveri e ka bllokuar Kosovën me kriza të njëpasnjëshme”.

    Ai ngriti shqetësimin se vendi po bllokohet, ndërkohë që Kuvendit i kanë mbetur vetëm 17 ditë deri në shpërndarje dhe nuk ka marrëveshje për presidentin.

    “Në vend të zgjidhjeve konkrete, qytetarëve po u ofrohet vetëm performancë publike për konsum politik”, tha ai, duke shtuar se krizat janë shndërruar në mënyrë qeverisjeje.

    “Kjo Qeveri mbiemrin e ka krizë”, tha ai në foltoren e Kuvendit.

    Tahiri kritikoi gjithashtu edhe politikën ekonomike të qeverisë, duke përmendur pagesën e pagës së trembëdhjetë që, sipas tij, i ka kushtuar buxhetit rreth 65 milionë euro.

    Ai tha se kjo nuk shoqërohet me politika zhvillimore për sektorin privat, ndërtimtarinë, bujqësinë dhe ndërmarrjet e vogla.

    Tahiri ngriti pyetjen nëse punëtorët e sektorit privat janë lënë “jetim”, duke theksuar se nuk ka masa konkrete për gratë punëtore, bizneset e vogla dhe qytetarët që mbajnë ekonominë.

  • Fifi para koncertit: Kush m’ka bo magji?

    Fifi para koncertit: Kush m’ka bo magji?

    Fifi ka ndarë me ndjekësit një moment plot humor në TikTok, duke pyetur me shaka: “Kush m’ka bo magji, kush m’ka fry?”.

    Këngëtarja po përjeton emocionet dhe përgatitjet intensive për koncertin e saj të madh, i cili do të mbahet më 25 prill në Pallati i Kongreseve, ku pritet të mbledhë mijëra fansa.

    @fifi.fr

    Kush ???

    ♬ оригинальный звук – Ekaterina Karpova

  • Komisioni “ad-hoc” dështon të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media

    Komisioni “ad-hoc” dështon të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media

    Të premten, Komisioni “ad-hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) nuk shqyrtoi listën e kandidatëve, pasi nuk u finalizua një listë e administratës për ata që i plotësojnë kushtet dhe ata që nuk i plotësojnë.

    Anëtarë të pranishëm të këtij komisioni ishin deputetët Alban Bajrami (kryetar i komisionit), Ariana Musliu-Shoshi (zëvendëskryetare e parë), Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Egzon Azemi, Fitim Haziri, Nezir Kraki, Fridon Lala dhe Time Kadrijaj.

    Fillimisht, kryetari i këtij komisioni Bajrami, tha se për sot kanë pritur që administrata të paraqesë një listë me kandidatët që i plotësojnë kushtet, e kush jo, raporton Betimi për Drejtësi.

    “Sot kemi pritë që administrata me e dhanë një lloj liste e cila e përshkrun cilët kandidat i lotësjnë kushtet cilët jo. Po këtu, ata e kanë bo përshkrimin, na mbetët neve me vendos se cilët kandidatë. Unë po them kështu, deri të martën për secilin dokumentacion që nuk e kanë sjellë ende, me ju dhanë kandidatëve mundësi me i sjellë edhe na të martën, tash masi i kem listat gjithësecili, këto lista i trajtojmë, ata të cilët i pliotësojnë kushtet dhe i kanë sjellë dokumentet, futen në garë në listë, të mërkurën ose eventualisht të enjten, cilëndo ditë që e caktojmë si të favorshme”.

    Në anën tjetër deputetet Musliu-Shoshi dhe Kadrijaj thanë që listën e kandidatëve që i plotësojnë kushtet, duhet ta pranojnë nga ana e Departamentit Ligjor.

    “Është praktikë që Departamenti ligjor i trajton, nuk është punë e deputetit me i trajtu se kush i plotëson kushtet me kalu në fazën e intervistimit, e kush jo … Ata duhet me na e sjellë listën finale”, tha deputetja Kadrijaj.

    Sidoqoftë, në fund pas diskutimeve, kryetari Bajrami tha se nuk do të kërkojnë nga administrata që të bëjnë listën, por tha se do ta trajtojnë në takimin e së martës.

    “Këtë listë e trajtojmë të martën për shkak se sot është e pamundur, na vjen keq. Gjatë takimit e trajtojmë një nga një. Tashmë nga administrata nuk po kërkojmë që kkëta ta trajtojnë kkëtë listë, ne do të vendosim për gjithsecilin një nga një a i plotësojnë kushtet apo jo, për shkak se është ndoshta e padrejtë edhe prej neve me kërku që administrata me përcaktu … Është e padrejtë për shkak se po më njoftojnë se certifikata e lindjes nuk ka qenë kriter … kështu që të martën pasdite e caktojmë takimin edhe mbledhemi të gjithë se bashku”, tha Bajrami.