ATV

Author: K.B.

  • Shqipëria i hap rrugën prodhimit të dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese

    Shqipëria i hap rrugën prodhimit të dronëve luftarakë dhe mjeteve lundruese

    Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur vendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat lidhen me autorizimin e shoqërisë “KAYO” për të negociuar dhe lidhur marrëveshje me dy kompani, me synim ndërtimin e mjeteve lundruese dhe dronëve.

    Ai theksoi se këto vendime janë domethënëse, duke shtuar se për herë të parë krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruese në Shqipëri, gjë që sipas tij përbën një hap të rëndësishëm për industrinë dhe punësimin.

    “Janë dy VKM që janë miratuar për autorizimin e shoqërisë “Kayo” për të negociuar për të lidhur marrëveshje me dy kompani për krijimin e mjeteve lundruese në Shqipëri dhe mjeteve fluturuese pa pilot, pra dronët luftarakë. Këto dy vendimet të Këshillit të Ministrave janë domethënëse. Është hera e parë që në Shqipëri pas kaq kohësh po krijohet mundësia për prodhimin e mjeteve lundruse. Kjo na bën krenarë. Po ashtu sot miratuam katër akte që lidhen me ministrinë e Mbrojtjes, dy prej tyre lidhen specifikisht me forcat e armatosura dhe pjesëmarrjen e tyre në misione ushtarake ndërkombëtare. Pjesëmarrja e forcave tona në këto misione tregon jo vetëm përgatitjen që kanë efektivët tanë si nga ana ushtarake edhe nga ana civile, por gjithashtu tregon edhe faktin që ne jemi aktorë aktivë në të gjithë ndërmarrjet e përbashkëta në misionet e huaja dhe tregon që kjo pjesëmarrje kthehet në Republikë duke sjellë njohuritë e përfituara nga kryerja e operacioneve komplekse dhe në shkallë botërore”, tha ai.

    I pyetur në lidhje me konfliktin SHBA–Iran dhe nëse Shqipëria do të ishte e gatshme të lejonte përdorimin e bazës së Kuçovë nga SHBA, ministri i Mbrojtjes u shpreh se një vendim i tillë mbetet për t’u vlerësuar në varësi të zhvillimeve.

    Ai theksoi se Shqipëria gëzon një marrëdhënie strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shtoi se mbetet për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të paraqitet nga pala amerikane.

    “Mbetet për tu vlerësuar nëse një kërkesë e tillë do të vijë. Shqipëria ka një marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u parë nëse një kërkesë e tillë do të vijë zyrtarisht nga pala amerikane. Baza e Kuçovës është bazë e NATO-s dhe e gjithë vendimarrja që lidhet me këtë pyetje lidhet me angazhimin e Shqipërisë në aleancë”, tha ai.

  • LDK: Rezoluta për derivatet e naftës të trajtohet para marrëveshjeve ndërkombëtare

    LDK: Rezoluta për derivatet e naftës të trajtohet para marrëveshjeve ndërkombëtare

    Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar që rezoluta e propozuar herën e kaluar për uljen e çmimeve të naftës të rikthehet për shqyrtim në Kuvend.

    “Me 3 prill para një jave për 9 orë kemi diskutuar me shqetësim për rritjen e çmimeve të naftës dhe rritjen zinxhirore që prek secilin qytetar të Kosovës, dhe për këtë mendojmë se rezoluta që e kemi propozuar dhe masat janë të rëndësishme që të trajtohen para marrëveshjes ndërkombëtare”, tha ajo.

  • SHBA i bën thirrje Irakut t’i parandalojë sulmet nga grupet e lidhura me Iranin

    SHBA i bën thirrje Irakut t’i parandalojë sulmet nga grupet e lidhura me Iranin

    Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se e thirri në takim të enjten ambasadorin e Irakut për t’i dënuar “sulmet e rënda terroriste” nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane në Irak.

    Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë sulme ndaj interesave të tyre dhe presin që Qeveria irakiane t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për t’i shpërbërë grupet e milicive të lidhura me Iranin në Irak”, tha zëdhënësi Tommy Pigott në një deklaratë.

    Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, e thirri ambasadorin irakian, Nazar Al-Khirullah, dhe para tij shprehu “dënimin e fortë” të Qeverisë amerikane për sulmet, “përfshirë një pritë më 8 prill ndaj diplomatëve amerikanë në Bagdad”, tha Pigott.

    Ai nuk dha hollësi të tjera mbi rreth pritës së supozuar.

    Iraku u përfshi në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, pasi kishte sulme të vazhdueshme ndaj interesave amerikane, veçanërisht në Ambasadën amerikane në Bagdad.

    Grupet e armatosura proiraniane njoftuan të mërkurën se do t’i pezullonin sulmet e tyre për dy javë, pas shpalljes së armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

    “Derisa i njohu përpjekjet e forcave të sigurisë irakiane për t’iu përgjigjur këtyre sulmeve terroriste, zëvendëssekretari theksoi dështimin e Qeverisë irakiane për t’i parandaluar ato”, tha Pigott.

    Ai shtoi se marrëdhëniet SHBA-Irak janë ndikuar negativisht nga fakti se “disa elementë të lidhur me Qeverinë irakiane vazhdojnë të ofrojnë mbulim politik, financiar dhe operacional për milicitë”./REL/

  • Çitaku kërkon trajtimin e Rezolutës për Viktimat e Luftës si pikë kryesore në Kuvendin e Kosovës

    Çitaku kërkon trajtimin e Rezolutës për Viktimat e Luftës si pikë kryesore në Kuvendin e Kosovës

    Vlora Çitaku, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar rëndësinë rezolutës për mbrojtjen e viktimave të luftës, duke e vendosur atë pas pyetjeve parlamentare.

    Ajo falënderoi grupet parlamentare për kontributin e dhënë në hartimin e kësaj rezolute.

    Çitaku shtoi se, megjithatë, duhet të trajtohet si një pikë e parë.

    Ajo e lidhi këtë kërkesë me kulturën politike që është duke mbizotëruar në vend gjatë këtyre viteve.

    “PDK falënderon të gjitha grupet parlamentare për kontributin që kanë dhënë për hartimin e një rezolute e cila do të ishte një reflektim i yni si kuvend dhe një deklarim publik rreth të vërtetës historike rreth luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999. Me aq sa kuptova tashmë është arritur dakordim, mirëpo ne insistojmë që kjo të trajtohet si pikë e parë. Nuk besoj se ky kuvend ka diçka më të rëndësishme për të trajtuar se kjo pikë. Kjo flet shumë edhe për kulturën politike që është duke mbizotëruar tash e disa vite.

    “Për herë të parë ky kuvend ky kuvend ka seancë pa rend të ditës.

  • Presidenti koreano-jugor publikon videon ku ushtarët izraelitë hedhin nga ndërtesa një person

    Presidenti koreano-jugor publikon videon ku ushtarët izraelitë hedhin nga ndërtesa një person

    Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, ka shpërndarë në platformën sociale X një video që dyshohet se daton nga viti 2024, ku një ushtarë izraelitë shihet duke hedhur një trup nga çatia e një ndërtese në Bregun Perëndimor.

    Ai ka deklaruar se “e drejta humanitare duhet të respektohet në çdo rrethanë”.

    Lee nuk ka dhënë komente të drejtpërdrejta për konfliktin në Lindjen e Mesme apo për operacionet ushtarake aktuale të Izraelit, por ka theksuar se “mësimet e lëna nga plagët e dhimbshme të së kaluarës nuk duhet të përsëriten si tragjedi të reja”.

    Sipas tij, videoja e shpërndarë nga një tjetër llogari lidhet me një incident “tronditës” të shtatorit 2024, i cili po hetohet nga autoritetet izraelite.

    Ndërkohë, qeveria e Koresë së Jugut ka njoftuar të premten se po dërgon diplomatin Chung Byung-ha si të dërguar special në Iran, për të diskutuar sigurinë e qytetarëve dhe situatën e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.

    Ndryshe, Izraeli ka vazhduar me operacionet në Rripin e Gazës si dhe Libanit.

  • Kriza humanitare në Liban: Mbi 1 milionë të zhvendosur kërkojnë ndihmë

    Kriza humanitare në Liban: Mbi 1 milionë të zhvendosur kërkojnë ndihmë

    Fotografi të publikuara nga Associated Press tregojnë familje të zhvendosura në Bejrut duke pritur me dëshpërim për ushqim të dhuruar, pasi janë detyruar të largohen nga sulmet izraelite në jug të Libanit.

    Pamjet shfaqin njerëz që zgjasin duart pranë tendave ku janë strehuar, ndërsa situata humanitare në vend po përkeqësohet. Të mërkurën, Libani përjetoi një nga valët më të rënda të sulmeve që nga fillimi i konfliktit, përfshirë edhe kryeqytetin, Bejrutin. Shpërthime të fuqishme dhe re tymi u panë në disa zona, ndërsa banorët raportuan se nuk ka më vende të sigurta, raporton CNN.

    Sipas autoriteteve izraelite, objektiv i sulmeve kanë qenë pozicionet e Hezbollahut në të gjithë vendin.

    Që nga fillimi i përleshjeve, mbi 1 milion persona janë zhvendosur në Liban. Ministria e Shëndetësisë njofton se të paktën 1,888 persona janë vrarë dhe mbi 6,000 të tjerë janë plagosur.

    Ndërkohë, sulmet e fundit rrezikojnë të prishin armëpushimin e brishtë mes SHBA-së dhe Iranit. Mosmarrëveshjet mbi përfshirjen e Libanit në këtë marrëveshje mbeten një pikë kyçe tensioni.

    Në të njëjtën kohë, SHBA dhe Irani pritet të nisin bisedime të rëndësishme në Islamabad, të cilat sipas Shtëpisë së Bardhë mund të fillojnë të shtunën.

  • Jeni beqar? Zbuloni qytetet më të mira për të jetuar dhe punuar

    Jeni beqar? Zbuloni qytetet më të mira për të jetuar dhe punuar

    Kur je i ri dhe i lirë, të udhëtosh nëpër botë është një nga aventurat më emocionuese që mund të bësh. Por cilat janë qytetet më të mira për të jetuar dhe punuar si i ri dhe beqar?

    Një sondazh i ri nga ‘Compare the Market Australia’ zbulon destinacionet më të mira, duke analizuar koston e takimeve sipas qytetit, vendet e punës në dispozicion dhe çmimet e qirave në mbarë botën.

    Hulumtimi i ri shqyrtoi 7 faktorë specifikë dhe renditi 50 qytetet më të mira në botë bazuar në rezultatin e tyre të përgjithshëm. Nga 50 qytetet e ekzaminuara, Tokio kryeson listën, me Bangkok dhe Budapest që përfundojnë tre të parat.

    Athina renditet e 22-ta në Europë dhe e 37-ta në mbarë botën. Dhjetë të parat plotësohen me radhë nga Praga, Seuli, Nju Delhi , Lisbona, Sofja, Varshava dhe Kuala Lumpuri.

    Në Stamboll kostoja e një takimi është 36,62 €. Në Bratislavë, respektivisht, një takim do të kushtojë 69,58 €, në Berlin 87,68 €, në Riga 72,89 €, në Amsterdam 115,08 € dhe në Paris 96,71 €. Kur bëhet fjalë për të punuar nga shtëpia jashtë vendit, shpejtësia e shpejtë e internetit është thelbësore për produktivitet optimal.

    Për ata që e bëjnë teknologjinë një komponent kyç të punës së tyre, Kopenhaga në Danimarkë ka shpejtësinë më të shpejtë në 123.96 Mbps, e ndjekur nga Cyrihu dhe Stokholmi. Nëse doni të jetoni diku ku qiraja është e përballueshme, Sofja, Bullgari i përshtatet në mënyrë të përkryer këtij përshkrimi, me një qira mesatare mujore prej vetëm 310 dollarë.

    Sipas një studimi tjetër nga ‘Compare the market Australia’, Islanda është shpallur vendi më i mirë për beqaret të seksit femër. Si një nga vendet më të sigurta në listë, Islanda ka një indeks sigurie prej 76.59 nga 100. Kostoja mesatare e një apartamenti në Islandë është një nga më të lartat në listë, me 1642 dollarë. Sidoqoftë, potenciali i fitimit është po aq i lartë, me pagën mesatare në Islandë që qëndron në 84,636 dollarë në vit.

  • LDK nuk mbështet projektligjet e LVV-së, Lushaku: Urgjencë e paarsyeshme

    LDK nuk mbështet projektligjet e LVV-së, Lushaku: Urgjencë e paarsyeshme

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu tha se partia e saj nuk do të mbështesë projektligjet e propozuara nga LVV.

    Lushaku tha se projektligjet duhet kohë për t’u analizuar dhe sipas saj këto projektligje erdhën tek deputetët në më pak se një javë.

    “Ne sot po tentojmë të miratojmë rendin e ditës të propozuar në kryesi i cili fatkeqësisht për shkak të mungesës së konsensusit nga grupi më i madh parlamentar nuk arriti të miratohet, ne kemi një draft aty dhe sot po kërkohet që kjo të plotësohet me një numër shtesë të projektligjeve, projektligje të cilat kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vijnë për t’u miratuar në mënyrë të përshpejtuar në seancën e Kuvendit. Në fakt të gjitha temat projektligje trajtojnë janë të rëndësishme për qytetarët, por jo për periudhën për të cilën duhet të shqyrtohen. Projektligjet kërkohet që të analizohet dhe këto kanë ardhë më pak se një javë tek deputetët”, tha fillimisht Lushaku.

    Tutje, ajo tha se kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të ketë përkrahjen e deputetëve të LDK-së, pa kohën e mjaftueshme për analizimin e tyre.

    “Kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne, për aq kohë sa ne nuk kemi kohë të mjaftueshme për analizimin e këtyre ligjeve”, tha ajo.

  • “S’ka logjikë me fillu me vonesë”, Tahiri kërkon respektim të orarit të seancave

    “S’ka logjikë me fillu me vonesë”, Tahiri kërkon respektim të orarit të seancave

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës së Kuvendit i është drejtuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kërkesë për respektim të orarit të fillimit të seancave.

    Tahiri theksoi se seancat duhet të nisin në kohën e përcaktuar dhe jo me vonesë.

    “E kam një kërkesë për ju si udhëheqëse e këtij institucioni, që kur të thirret seanca në ora 10:00, të fillojë në ora 10:00. Të vjen kush të vjen, kryetarja duhet të jetë këtu, sepse s’ka logjikë ora është tash 11:00 dhe seanca ka pas me nis në ora 10:00. Me fillu një orë me vonesë nuk ka logjikë, nuk ka kuptim”, tha Tahiri.

  • Salih Zyba e Fitore Pacolli në Kuvend, dështon të mbahet seanca për gazin lotsjellës

    Salih Zyba e Fitore Pacolli në Kuvend, dështon të mbahet seanca për gazin lotsjellës

    Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin e gazit lotjsellës në Kuvendin e Kosovës.

    Në këtë rast të akuzuar janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla; ish-deputetja Drita Millaku; deputeti Salih Zyba dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për “hedhje të gazit lotsjellës” në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018, raporton Kallxo.com.

    Gjykata ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në seancën e datës 16.01.2026, kishte marrë vendim për të veçuar procedurën.

    Me të filluar seanca e datës 10.04.2026, gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se të pandehurit Salih Zyba dhe Fitore Pacolli e kanë njoftuar Gjykatën se të njejtit kanë pranuar ftesë për seancë në Kuvendin e Kosovës, andaj nuk mund të prezentojnë në gjykatore.

    Ndërsa për të pandehurën Drita Millaku gjyqtari njoftoi se të njëjtës ftesa i është dorëzuar në adresën e specifikuar por që nga fletëkthesa rezulton se e njëjta nuk ka qenë prezent kur është dorëzuar ftesa.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj njoftoi të pranishmit në sallë se ndaj të pandehurve do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

    Prezent në seancë nga radhët e Prokurorisë ishte prokurori Avni Namani.

    Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, seanca e sotme u shty dhe e radhës u caktua për në muajin prill 2026.

    Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 i akuzuari Salih Zyba, në fjalën hyrëse kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi, duke thënë se i njëjti është djali i sekretarit të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.

    E si rrjedhojë e kësaj kërkese, seanca e datës 16.01.2026 ishte ndërprerë.

    Në po këtë seancë i pranishëm nuk kishte qenë ministri Xhelal Sveçla. Gjykata kishte marrë vendim që ndaj Xhelal Sveçlës të veçohet procedura.

    Ndërsa kërkesën e Zybës për përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi e kishte refuzuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Kjo çështje penale po trajtohet në Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës së Prishtinës me gjyqtarin e vetëm gjykues Sabit Sadikaj.

    Kujtojmë se më 26.03.2024 është mbajtur shqyrtimi fillestar. Në këtë seancë gjyqtari Sabit Sadikaj kishte bërë të ditur se vepra penale “pengim i personit zyrtar” është vjetërsuar dhe gjykimi vazhdon vetëm për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” të gjithë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

    Edhe seancat e kaluara, më 16.01.2024 dhe më 06.02.2024, kishin dështuar të mbaheshin për shkak të mos-prezencës së deputeteve, Fitore Pacolli dhe Drita Millaku. Po ashtu, edhe më 28.02.2024 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Fitore Pacollit. Ndërsa, më 01.03.2024 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Drita Millakut.

    Kurse, më 07.04.2025 kishte dështuar për shkak të mungesës së ministrit Sveçla dhe Fitore Pacollit. Ndërsa, më 17.04.2025 dhe më 02.07.2025 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së Fitore Pacollit.

    Më datë 22.07.2025 kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit, Valdrin Krasniqi.

    Aktakuza ndaj Sveçlës, Pacollit, Zybës e Millakut është ngritur më 26.07.2019 nga prokurori Eset Rama.

    Sipas Prokurorisë, hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.

    Me këto veprime ata akuzohen edhe për “pengim të personit zyrtar”, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Në mesin e provave që Prokuroria i mbështet akuzat e saj janë: incizime nga salla e Kuvendit, raporte policore, foto-dokumentacion, vendimi i Kryesisë së Kuvendit për ndërprerjen e seancës atë ditë dhe shkresa të tjera të lëndës.

    Sipas Dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në Polici.

    Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike.

    Aktakuza është ngritur nga prokurori Eset Rama, kurse gjyqtari i rastit është Sabit Sadikaj.