ATV

Author: K.B.

  • Nesër zgjedhjet në Hungari- Sondazhet tregojnë garë të ashpër mes Orban e Magyar: ‘‘Moment kyç për vendin, BE’në e kontinentin evropian’’

    Nesër zgjedhjet në Hungari- Sondazhet tregojnë garë të ashpër mes Orban e Magyar: ‘‘Moment kyç për vendin, BE’në e kontinentin evropian’’

    Më 12 prill zhvillohen në Hungari zgjedhjet parlamentare më të rëndësishme që nga largimi vullnetar i komunistëve nga pushteti në vitet 1989/90.

    Pyetja është nëse kryeministri Viktor Orbán dhe sistemi i tij i qeverisjes mund të mposhten në kutitë e votimit. Për herë të parë që prej vitit 2010, ekziston një shans real për ndryshim pushteti: opozita ka gjasa të fitojë, me në krye partinë konservatore Tisza dhe liderin e saj, rivalin e Orbánit, Péter Magyar.

    Në Hungari, këto zgjedhje konsiderohen si një moment kyç në historinë moderne të vendit. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër më të rëndësishmet për Evropën gjatë viteve të fundit. Rezultati mund të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe në nivelin e ndikimit rus në kontinent, por edhe në fatin e mëtejshëm të së djathtës populiste dhe ekstreme në Evropë. Me rastin e këtyre zgjedhjeve, Deutsche Welle u jep përgjigje pyetjeve më të rëndësishme.

    A është Orbani një Diktator?

    Që nga mesi i viteve 1990, Viktor Orbán e ka shndërruar partinë e tij Fidesz – dikur me emrin e plotë “Lidhja e Demokratëve të Rinj”, sot “Unioni Qytetar Hungarez” – në një parti të disiplinuar rreptësisht sipas modelit të liderit, ku asgjë nuk ndodh kundër vullnetit të tij dhe ku parimi themelor është besnikëria personale ndaj tij. Pas ardhjes në pushtet të Fidesz-it në vitin 2010, e njëjta logjikë u shtri edhe në nivel shtetëror.

    Sot, Viktor Orbán ndërhyn deri në detaje të imëta të qeverisjes në vend. Qoftë për rinovimin e një ndërtese, rritjen e pensioneve apo çështje gjeopolitike – kur flet për aktivitetet e qeverisë, Orbán zakonisht përdor vetën e parë njëjës: “Unë bëj një ligj”, “unë e rris pensionin”, “unë bie dakord me presidentin”. Orbán nuk i plotëson të gjitha kriteret klasike të një diktatori – Hungaria vazhdon formalisht të jetë një demokraci parlamentare me zgjedhje të lira – por ai është pa dyshim një autokrat.

    Sa herë e ka reformuar Orbani Hungarinë?

    Pas fitores së tij të parë zgjedhore me shumicë dy të tretash në pranverën e vitit 2010, Viktor Orbán shpalli të ashtuquajturin “Rend i Bashkëpunimit Kombëtar” (NER). Në aparatin shtetëror, administrativ dhe gjyqësor, si edhe në shërbimin publik, ai ndërmori një ndërrim elitash, duke vendosur besnikë të tij në pozicione kyçe. Hungaria u riorganizua si një shtet tejet i centralizuar.

    Në tërësi, Orbán e dobësoi sistemin e kontrollit dhe balancës së pushteteve, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë për krijimin e kundërpushtetit.Pjesa më e madhe e mediave të shkruara dhe audiovizive u vu – drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë përmes kompanive dhe fondacioneve pranë Fidesz-it – nën kontrollin e qeverisë; autonomia e universiteteve u shfuqizua dhe një pjesë e konsiderueshme e pasurive shtetërore dhe publike u vendos nën kontrollin e fondacioneve të afërta me Orbánin. Ekspertët e përshkruajnë Hungarinë si një “sistem hibrid” midis demokracisë dhe diktaturës.

    Përse shumë hungarezë duan ndryshim pushteti?

    Politika ekonomike dhe tatimore e Orbánit favorizon kryesisht klientelën e tij nga shtresa e lartë e klasës së mesme. Gjendja materiale e shumë hungarezëve të tjerë, megjithatë, është përkeqësuar vitet e fundit. Kësaj i shtohet gjendja e dobët e infrastrukturës publike, e sistemit shëndetësor dhe e arsimit, si edhe një pakënaqësi e gjerë për shkak të korrupsionit dhe rasteve të rënda të vetëpasurimit të paligjshëm.

    Në të njëjtën kohë, shumë qytetarë në Hungari janë të lodhur nga atmosfera e përhershme e “luftës civile verbale” që krijon Orbáni – për shembull nga paraqitja absurde e Ukrainës si personifikim i së keqes ose nga shpifjet e vazhdueshme ndaj të gjithë kritikëve, të cilët etiketohen si armiq dhe tradhtarë të atdheut.

    Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për Europën?

    Qëllimi i shpallur i Viktor Orbánit është “pushtimi i Brukselit” dhe shndërrimi i Bashkimit Evropian në një union shtetesh kombëtare politikisht sovrane, të lidhura kryesisht nga interesa të përbashkëta ekonomike. Kryeministri hungarez prej vitesh nxit kundër Bashkimit Evropian dhe, përmes vetove të tij dhe refuzimit për të mbështetur vendime të rëndësishme evropiane dhe të politikës së jashtme, e bllokon aftësinë vepruese të BE‑së. Një fitore zgjedhore e Orbánit do të çonte në një dobësim të mëtejshëm të Bashkimit Evropian; një ndryshim pushteti në Budapest, përkundrazi, do ta forconte sërish BE‑në.

    Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për populistët?

    Viktor Orbán konsiderohet modeli më i suksesshëm brenda kampit të populistëve konservatorë të djathtë dhe të ekstremit të djathtë në Evropë – dhe njëkohësisht organizatori i tyre më i rëndësishëm. Askush tjetër nga ky spektër nuk ka arritur ndonjëherë një fitore zgjedhore me shumicë dy të tretash dhe nuk ka qeverisur kaq gjatë sa kryeministri hungarez. Po ashtu, askush tjetër nuk ka investuar kaq shumë energji për ta bashkuar dhe forcuar këtë kamp politik në nivel evropian. Për këtë arsye, rezultati i zgjedhjeve në Hungari është edhe një vendim për të ardhmen e populizmit në Evropë.

    Përse këto zgjedhje janë të rëndësishme për Rusinë?

    Asnjë shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian nuk është i lidhur kaq ngushtë me Rusinë sa Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbánit. Edhe pse Orbán ka miratuar shumicën e sanksioneve të BE‑së kundër Rusisë që nga viti 2014, ai kërkon vazhdimisht heqjen e tyre, imponon përjashtime dhe që nga viti 2022 ka bllokuar, sa herë që ka qenë e mundur, mbështetjen për Ukrainën. Në këtë mënyrë, ai e dobëson dhe e përçan Bashkimin Evropian – një qëllim i shpallur i përbashkët i Orbánit dhe Rusisë. Për Moskën, rrëzimi i Orbánit nga pushteti do të përbënte një humbje të rëndë.

    A është e mundur të mposhtet me vota regjimi i Orbanit?

    Pas fitores zgjedhore të vitit 2010, partia Fidesz realizoi reforma të thella në sistemin zgjedhor, duke forcuar dukshëm parimin e shumicës – ndryshime që i sigurojnë partisë avantazhe strukturore deri më sot. Nga gjithsej 199 deputetë të parlamentit, 106 zgjidhen në zona elektorale me votim të drejtpërdrejtë dhe me shumicë të thjeshtë. Zonat elektorale besnike ndaj Fidesz-it janë më të vogla, çka do të thotë se aty nevojiten më pak vota për të fituar një mandat parlamentar.

    Si pasojë, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2022, partia e Orbánit mori rreth 53 për qind të votave, por fitoi dukshëm më shumë zona elektorale dhe arriti të sigurojë rreth 68 për qind të vendeve në parlament – pra një shumicë absolute.

    Hungarezët etnikë nga vendet fqinje të Hungarisë, të cilët zotërojnë shtetësinë hungareze, kanë të drejtë të votojnë për listat partiake dhe të marrin pjesë në zgjedhje përmes votimit me postë. Ndërkohë, emigrantët hungarezë të punës që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore – të cilët priren të jenë më kritikë ndaj Orbánit – mund të votojnë vetëm personalisht, në ambasada dhe në një numër të kufizuar konsullatash, por jo me postë. Ekspertët hungarezë të zgjedhjeve e kritikojnë këtë rregullim si të padrejtë. Si pasojë, një ndryshim pushteti është dukshëm më i vështirë për t’u arritur – por jo i pamundur.

    A mund t’i manipulojë zgjedhjet qeveria e Orbanit?

    Ekspertët zgjedhorë në Hungari presin që manipulimi i drejtpërdrejtë i votave të mos ndodhë, pasi partia opozitare Tisza ka organizuar një numërim paralel të votave. Megjithatë, në votimin me postë të hungarezëve nga pakicat në vendet fqinje ekzistojnë mundësi manipulimi. Këto vota mund t’i sigurojnë Orbánit një deri në dy mandate shtesë. Po ashtu, blerja masive e votave në rajone të varfra të Hungarisë është aktualisht një temë gjerësisht e debatuar, pasi një film dokumentar e bëri publike këtë praktikë.

    Çfarë thonë sondazhet dhe sa të besueshme janë ato?

    Studiuesit hungarezë të zgjedhjeve janë të bindur se një shumicë absolute e votuesve në Hungari dëshiron një ndryshim pushteti. Institutet e pavarura të sondazheve parashikojnë prej më shumë se një viti një avantazh – në disa raste të qartë – të partisë Tisza ndaj Fidesz-it të Orbánit. Megjithatë, këto të dhëna pasqyrojnë vetëm në mënyrë të kufizuar shanset reale të kandidatëve në zonat elektorale individuale. Për më tepër, elektorati i Fidesz-it – kryesisht të moshuar dhe pensionistë në qytete të vogla dhe zona rurale – nuk kapet plotësisht nga sondazhet. Për këtë arsye, parashikimet mund të rezultojnë të pasakta. Megjithatë, shumica e studiuesve të zgjedhjeve presin më tepër një largim të Orbánit nga pushteti.

    Çfarë do të bëjë Peter Magyar nëse ndryshon pushteti?

    Synimet dhe projektet kryesore të Peter Magyarit dhe partisë së tij Tisza janë një distancim i Hungarisë nga Rusia dhe rikthimi i vendit si një aleat i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe i NATO‑s. Megjithatë, jo pa kushte. Në politikën e migracionit dhe atë ndaj Ukrainës, Magyar synon të vazhdojë pjesërisht ose edhe plotësisht linjën e deritanishme hungareze – por pa përballje të hapur dhe të vazhdueshme me BE‑në.

    Në politikën e brendshme, Magyar paralajmëron një përballje të ashpër me korrupsionin dhe shpall një “ndryshim sistemi”. Me këtë ai nënkupton, ndër të tjera, një sistem zgjedhor më të drejtë, kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy cikle zgjedhore dhe miratimin e një kushtetute të re. Orbáni dhe politikanë të tjerë të lartë nga rrethi i tij do të duhej të përballeshin me akuza për korrupsion dhe tradhëti ndaj atdheut.

    A do ta pranojë Orbani një humbje të zgjedhjeve?

    Viktor Orbán nuk është shprehur deri tani drejtpërdrejt për këtë çështje. Ai është kufizuar duke thënë se gjatë karrierës së tij politike ka fituar dhe ka humbur zgjedhje dhe se Hungaria është një demokraci.

    A mund të krijohen trazira të dhunshme pas zgjedhjeve?

    Nëse Viktor Orbán do ta shpallë veten fitues të zgjedhjeve, janë të mundshme protesta masive dhe nuk përjashtohen as përplasje të dhunshme, pasi zemërimi dhe urrejtja ndaj regjimit të Orbánit janë tashmë të përhapura në shoqëri. Në rast se Orbáni humb, do të varet nga qëndrimi i tij dhe nga fjala e tij si lider nëse mbështetësit e tij do të dalin apo jo në masë në rrugë./DW/

  • Rama i kërkon Ujësjellësit që të mos intervenojë në rrugë pa e njoftuar Komunën

    Rama i kërkon Ujësjellësit që të mos intervenojë në rrugë pa e njoftuar Komunën

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me ndërhyrjet e realizuara nga ujësjellësi në rrugët e kryeqytetit, pas dëmtimit të asfaltit në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

    Rama përmes një postimi në Facebook, shkroi se ujësjellësi është i obliguar që të njoftojë Komunën për çdo intervenim që përfshin prerjen e asfaltit dhe trotuareve.

    “Ujësjellësi është i obliguar që të njoftojë Komunën për çdo intervenim që realizon në rrugë, duke përfshirë prerjen e asfaltit dhe trotuareve. Për këtë qëllim, ne i jemi drejtuar me një shkresë zyrtare, përmes së cilës kemi sugjeruar që, përveç rasteve emergjente ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, këto punime të mos realizohen gjatë orareve të pikut të trafikut”, shkroi ai.

    Njëherësh, Rama ka bërë të ditur se është kërkuar që të njoftohet edhe Drejtoria e Investimeve Kapitale, në mënyrë që të ndërhyhet menjëherë për sanimin dhe asfaltimin e sipërfaqeve të dëmtuara.

    “Dhe të njoftohet Drejtoria e Investimeve Kapitale, në mënyrë që të intervenohet menjëherë për sanimin dhe asfaltimin e sipërfaqeve që po i dëmtojnë. Këtu është intervenimi në rrugën “Ahmet Krasniqi”, ku prerja e asfaltit kishte mbetur e pasanuar, duke u bërë pengesë për trafikun dhe rrezik për sigurinë publike”, thuhet në postimin e tij.

  • Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Abdixhiku: Haradinaj e keqkuptoi mirësinë time, nëse s’do me u taku, punë e madhe

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se ka pasë takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e Presidentit.

    Por, Abdixhiku ka thënë se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin me të.

    “Po jam takuar me zotin Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zoti Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zoti Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, punë e madhe”, tha ai.

    Kujtojmë se ditë më parë Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk është i interesuar ta takojë Abdixhikun.

    “Së pari, nëse Lumiri dëshiron me marrë rolin e zmadhuesit të Albinit le ta marr nëse i pëlqen. Unë s’mundem me shku me taku Lumirin me fol për çka ka fol ai me Albinin. S’është ka më intereson. S’është pjesë e imja. Le t’i grah ai tjetërkah. Ose Bedrinë, se Bedria e Lumiri kanë shkruar disa herë në takime…”, ka thënë Haradinaj në emisionin ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini.

    Haradinaj ka deklaruar se kanë mundur t’i kërkojnë takime para se të takohen me Albin Kurtin për ta pyetur e konsultuar.

  • Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Visar Azemi : ZRRE nuk e rriti çmimin e rrymës pas skandalit me njehsorët, nuk do të ndalemi

    Anëtari i LDK’së, Visar Azemi, ka thënë se vendimi i ZRRE-së për të mos i rritur tarifat e energjisë elektrike vjen pas ekspozimit të problemit me orët e rrymës. Sipas Azemit, pa u zbardhur e vërteta me çështjen e orëve elektrike nuk do të ketë lëvizje të çmimit të rrymës.

    “Pas skandalit të madh me njehsorët elektrikë dhe pas kërkesës sonë të qartë që të mos merret asnjë vendim për ngritje të çmimit të energjisë elektrike pa u zbardhur e gjithë e vërteta, ZRRE ka njoftuar për mos-ngritje të tarifave të energjisë elektrike.”, ka shkruae Azemi.

    Ai ka thënë se kjo është një fitore për qytetarët dhe një dëshmi se kur ngrihet zëri dhe kur kërkohet drejtësi, rezultatet vijnë.

    “Por beteja nuk mbaron këtu.Nuk do të ndalemi deri sa ky skandal të zbardhet plotësisht, përgjegjësit të dënohen dhe qytetarëve t’u kthehen paratë e vjedhura.”, ka shkruar Azemi.

  • Nait Hasani e “lanson” Xhavit Halitin si figurë unifikuese për President: Mund të marrë edhe votat e VV’së

    Nait Hasani e “lanson” Xhavit Halitin si figurë unifikuese për President: Mund të marrë edhe votat e VV’së

    Deputet i PDK-së, Nait Hasani ë ka thënë se Kosovës aktualisht i nevojitet një kandidat unifikues për postin e presidentit.

    Ai tha se anëtari i kësaj partie, Xhavit Haliti, mund të jetë një nga këto figura, që sipas tij do t’i merrte edhe votat e LVV-së.

    “Mendoj që nga ata që mundet më përballu dhe me qenë unifikues është Xhavit Haliti, besoj që mund të marrë edhe votat e VV-, sepse ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka qenë deputet, nuk ka ngatërresa nga subjektet e tjera, e shoh si një figure politike e angazhuar e hershme”, ka thënë Nait Hasani në Klan Kosova.

    Ai tha gjithashtu se ky është propozimi tij, ndërsa jo i PDK.

  • Inflacioni në Kosovë arrin në 6.7%, rriten çmimet e konsumit dhe transportit

    Inflacioni në Kosovë arrin në 6.7%, rriten çmimet e konsumit dhe transportit

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars 2026.

    Në publikimin e ASK’së, thuhet se çmimet e konsumit kanë pasur një shkallë të rritjes për 6,7 % vjetore dhe 1,5 % mujore

    Aty shtohet se, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin mars 2026, krahasuar me muajin mars 2025, dhe se, inflacioni mujor ishte 1,5 % në muajin mars 2026, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Mars 2026 / Mars 2025 6,7 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,7 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Mars 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (38,4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (31,9%), energjia elektrike (17,4%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (17,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (15,6%), pushime të organizuara (13,2%), pemët (13,1%), mishi (12,4%), kafja, çaji dhe kakao (7,8%), shërbimet hoteliere (6,9%), prodhimet ushqimore (6,8%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,7%), shërbimet ambulantore (5,6%), kujdesi personal (5,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,1%), perimet (4,9%), gjërat personale (4,4%), buka dhe drithërat (4,1%), duhani (4,1%), pijet alkoolike (3,9%), produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9%), mobilje dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,8%), veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopsht (3,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (3,4%), qumështi, djathi dhe vezët (3,4%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (2,7%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (2,3%), veshje (2,2%) dhe ndryshimet e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve te disa nëngrupe me nje ndikim te vogel në IHÇK me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,7 për qind në IHÇK-it..’’, thuhet nga ASK.

    Tutje, në publikimin e ASK’së, shtohet edhe se, rritje ka pasur edhe krahasuar me muajin e kaluar për 1.5%.

    ‘’Mars 2026 / Shkurt 2026 1,5 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,5 % në muajin Mars 2026 krahasuar me muajin Shkurt 2026.Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (25,8%), perimet (3,7%), pemët (1,5%) dhe mishi (0,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupi i COICOP-it: energjia elektrike (-3,7%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-2,2%) me një ndikim prej -0,2 për qind në IHÇK-it’’, thuhet nga ASK.

  • Drejtori i AVONET ngre dyshime për ndërtuesit në Ferizaj: Kemi pranuar ankesa për mashtrim e vepra penale

    Drejtori i AVONET ngre dyshime për ndërtuesit në Ferizaj: Kemi pranuar ankesa për mashtrim e vepra penale

    Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, nëpërmjet një reagimi publik ka deklaruar se kanë pranuar dhjetëra ankesa nga banorët e Komunës së Ferizajt, të cilët kanë dhënë pronat dhe shtëpitë e tyre për ndërtim, si dhe nga qytetarë që kanë investuar në blerjen e banesave.

    Sipas Gashit, në ankesat e cekura janë mbledhur dëshmi se një numër i konsiderueshëm i kompanive ndërtimore nuk po i përmbushin obligimet kontraktuale, duke tejkaluar afatet e përcaktuara dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe pasiguri juridike për qytetarët.

    “Këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të marrëdhënieve kontraktuale dhe bien ndesh me dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat e palëve kontraktuese. Për më tepër, në raste të caktuara ekzistojnë elemente të dyshimit për vepra penale, përfshirë: mashtrimin, keqpërdorimin e besimit dhe dëmtimin e kreditorëve, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi.

    Tutje ai ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin veprime urgjente për hetimin e këtyre rasteve dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

  • Ambasada e Kosovës në Washington: Trashëgimia e Engel do të mbetet e paharruar, ishte zë i fuqishëm për Kosovën

    Ambasada e Kosovës në Washington: Trashëgimia e Engel do të mbetet e paharruar, ishte zë i fuqishëm për Kosovën

    Ambasada e Kosovës në Washington ka shprehur pikëllim të thellë për vdekjen e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel.

    Në një postim, ambasada ka theksuar se Engel ka qëndruar pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i dalluar i Kongresit amerikan, por si një mik i vërtetë i vendit, i cili ka treguar kujdes të vazhdueshëm për popullin dhe të ardhmen e Kosovës.

    Në postimin e ambasadës u tha se mbështetja dhe zëri i tij kanë qenë të rëndësishëm në momente vendimtare për Kosovën dhe do të mbeten të paharruara.

    Në fund të reagimit theksohet se trashëgimia e tij do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme.

    Postimi i plotë:

    Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel.

    Ai qëndroi pranë Kosovës jo vetëm si një anëtar i dalluar i Kongresit, por si një mik i vërtetë që kujdesej për popullin tonë dhe të ardhmen tonë. Zëri dhe mbështetja e tij erdhën në momente kur ishin më të nevojshme dhe do të kujtohen gjithmonë.

    I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes së tij, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur.

    Trashëgimia e tij do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme.

  • Rama për Eliot Engel: Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë e tij, qëndroi në krahun tonë kur kishim nevojë më së shumti

    Rama për Eliot Engel: Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë e tij, qëndroi në krahun tonë kur kishim nevojë më së shumti

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se ka vdekur ish-kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel.

    Rama është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Engel, duke shtuar se, Engel ishte ndër të parë që qëndroi në krahun e Kosovës, kur kjo e fundit kishte më shumti nevojë për miq.

    ‘’ Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj’’, ka shkruar ai.

    Postimi:

    Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Eliot Engel.

    Në një kohë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që qëndroi në krahun tonë duke ngritur zërin me qartësi, bindje dhe mbështetje të palëkundur.

    Udhëheqja e tij në Kongresin e SHBA-ve ndihmoi që kauza jonë të marrë vëmendje ndërkombëtare dhe luajti një rol të rëndësishëm në avancimin e saj.

    Kosova do ta kujtojë gjithmonë miqësinë dhe përkushtimin e tij. 🇽🇰 🇺🇸

    Në emër të qytetarëve të Prishtinës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në kujtesën tonë.

  • “Makineria votuese”, Thaçi e shqetësuar me procedimin e ligjeve nga VV-ja dhe shkelja e rregullave

    “Makineria votuese”, Thaçi e shqetësuar me procedimin e ligjeve nga VV-ja dhe shkelja e rregullave

    Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Adelina Thaqi, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së procedimit të ligjeve në Kuvend, duke akuzuar shumicën për shkelje të rregullave dhe shndërrim të institucionit në “makineri votuese”.

    Në një postim të publikuar gjatë një seance të vonshme parlamentare, Thaqi ka ngritur shqetësimin për, siç tha ajo, shmangien e debatit dhe procedurave ligjore për projektligje me rëndësi të madhe.

    “Makinerinë votuese e keni – pse t’shpenzojmë për Parlament, mbylleni!?”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj, është “e pajustifikueshme shmangia e procedurës për shqyrtimin e dhjetëra ligjeve me rëndësi jashtëzakonisht të madhe – pa asnjë debat”, duke theksuar se Rregullorja e Kuvendit parasheh dy javë kohë për deputetët që të analizojnë dhe propozojnë amendamente.

    Thaqi ka kritikuar veçanërisht procedimin e shpejtë të Projektligjit për organizimin e Lojërat Mesdhetare 2030, duke theksuar se ai u miratua “EXPRES për 5 minuta” në komision parlamentar, pa kaluar në dëgjim publik.

    Ajo ka theksuar se projektligji parasheh investime prej mbi 253 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, ndërsa ka ngritur disa shqetësime kryesore:

    mungesën e dëgjimit publik;
    mungesën e auditimit ndërkombëtar;
    dispozitën që, sipas saj, i jep epërsi këtij ligji ndaj ligjeve të tjera deri në fund të vitit 2030;
    mundësinë për procedura të përshpejtuara të prokurimit, përfshirë tenderë njëburimorë.
    Deputetja e LDK-së ka kritikuar edhe përbërjen e strukturave drejtuese të projektit, duke thënë se në to “është futur e gjithë Qeveria”, ndërsa mungojnë ekspertë ndërkombëtarë dhe profesionistë të fushës.

    Në reagimin e saj, Thaqi ka përdorur tone të ashpra ndaj qeverisë dhe shumicës parlamentare:

    “Qeveria dhe mazhoranca […] i shndërron deputetët […] në një makineri votuese që haber s’ka se çfarë votoi e çfarë buxhete miratoi! Zero përgjegjësi!”, ka deklaruar ajo.

    Ajo ka shkuar më tej duke e krahasuar funksionimin aktual të Kuvendit me një “ndërtesë protokolare komuniste – pa asnjë mision serioz përgjegjësie kushtetuese”.

    Në fund, Thaqi ka ironizuar duke sugjeruar se, sipas saj, nëse vazhdohet me këtë qasje, “s’kemi pse mbajmë dhe shpenzojmë para për me mbajte Parlament”, duke shtuar se “demokracia më shumë se numra, është kulturë”.