ATV

Author: K.B.

  • Kusari: Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht

    Kusari: Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht

    Juristja e mediave, Flutura Kusari ka shkruar lidhur me intervistimin e kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së dhe KPM-së.

    Përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, se Kuvendi për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative.

    “Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve”, ka shkruar ajo.

    Sipas saj intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione.

    Postimi i saj i plotë:

    Rreth intervistimit të kandidatëve për anëtarë të bordeve të RTK-së dhe KPM-së

    Deri në shpërndarje të Kuvendit, nëse nuk kemi president, kanë mbetur pak a shumë edhe dhjetë ditë pune. Ky afat kohor është me rëndësi për proceset e rekrutimit dhe ja pse.

    Për të zgjedhur borde kualitative, fillimisht deputetët duhet të kenë kohë: 1) të shqyrtojnë aplikimet/CV-të dhe 2) të zhvillojnë intervista kualitative. Deri më tani asnjë deputet nuk i ka pranuar CV-të e kandidatëve të KPM-së, ndërsa ato të RTK-së po, ndonëse ende nuk i kanë shqyrtuar sepse kanë pasur seancë plenare dhe mbledhje të komisioneve.

    Të martën (nesër) mbahet takimi për anëtarët e KPM-së (ende nuk është caktuar ora, por është thënë që pasdite), si dhe takimi për anëtarët e RTK-së (në ora 10). Në këto takime vendoset metodologjia, kontrollohen të gjitha dosjet e aplikuesve, pra në total rreth 108 kandidatë për dy proceset, dhe caktohen intervistat. Te intervistat janë disa elemente me rëndësi lidhur me kohën në dispozicion.

    Intervistimi i kandidatëve për RTK dhe për KPM nuk mund të bëhet paralelisht, sepse disa deputetë shërbejnë në dy komisione. Rrjedhimisht, i njëjti deputet s’mund të jetë në dy komisione në të njëjtën ditë dhe kohë.

    Elementi tjetër është që intervistimi duhet të bëhet në mënyrë profesionale; intervista duhet të zgjasë të paktën 30 minuta (sipas praktikës së Kuvendit) që t’u japë hapësirë kandidatëve t’i shpalosin planet e veta.

    Nëse një intervistë mbahet minimalisht 30 minuta (e jo 15 minuta sa për sy e faqe), komisionit për KPM i duhen 2.5 ditë pune: një ditë pune ka 7 orë (nëse nuk llogaritet pauza), për 7 orë mund të intervistohen 14 kandidatë. KPM ka 33 kandidatë, që i bie se duhen minimalisht 2.5 ditë. RTK-ja ka 75 kandidatë, që i bie rreth 5.5 ditë pune, pra një javë.

    Në total, për të dy proceset duhen 8 ditë pune. Pastaj duhen edhe 1 ditë për përgatitjen e raportit për seancë plenare dhe 1 ditë për votim.

    Nëse sot mbahen takimet, intervistat mund të fillojnë të mërkurën, sepse do të ishte absolutisht e papranueshme nëse thirren kandidatët sot për nesër. Do të ishte përqeshje e këtij procesi dhe nivel i ulët i profesionalizmit nga ana e Kuvendit. Njerëzit kanë plane, mund të jenë jashtë shtetit, mund të kenë halle personale dhe sigurisht që jetën nuk e orientojnë ashtu që të jenë 24 orë në dispozicion për një telefonatë nga Kuvendi.

    Koha nuk është në anën e Kuvendit që këto procese të kryhen në mënyrë profesionale, siç e meritojnë, dhe çfarëdo nxitimi do t’i dëmtonte përgjithmonë këto procese. Këtu duhet t’i shtohet fakti që anëtarë e kaluar në dy bordet e dy institucioneve iu vetënënshtruar VV-së (me disa përjashtime të vogla por domethënese). Prandaj unë kam pak besim që do të zgjedhen persona sipas meritës por po e presim procesin për me japë vlerësim të plotë. (lexoni shkrimin e Xhemes për këto procese https://sbunker.org/…/bordet-e-rtk-sedhe-kpm-se-nje…/).

    Proceset janë duke u monitoruar nga AGK, FOL, IKD dhe unë. Tash, meqë po raportoj live, po ndiej obligim me kallëzu që e kam zor me i përcjellë krejt intervistat për katër arsye: një anëtar i familjes më është operu sot, e kam në përkujdesje një anëtare të vockël të familjes, i kam tri udhëtime jashtë vendit të punës në dy javët e ardhshme, kështu që çka mbërrij, mbërrij. Amo me ju inform ju informoj!

    Për juve live nga Prishtina,

    Flutura Kusari

  • Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë

    Konjufca merr pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë

    Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë, i cili do të fillojë sot dhe do të mbahet deri më 15 prill 2026.

    Në agjendën e publikuar nga organizatorët, Konjufca do të jetë panelist me Ferit Hoxha – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), RMV; Dritan Abazoviq, ish-kryeministër dhe deputet, Mali i Zi; Arbër Gashi, deputet në Parlamentin suedez; dhe Lazim Destani, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës.

    Kryeqyteti shqiptar mirëpret sot një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare të vitit. Nga dita e sotme deri më 15 prill 2026, Tirana kthehet në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota përmes Samitit të Katërt të Diasporës, që vjen me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.

    Samiti do të zhvillohet kryesisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve në datat 14-15 prill, ndërsa ditën e sotme në orën 18.00 Ceremonia e Mirëseardhjes do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasat e një feste të vërtetë kombëtare.

    Aktiviteti do të ofrojë një program të larmishëm me panele tematike, ku pjesëmarrësit do të mund të eksplorojnë fusha të ndryshme interesi si ekonomia, inovacioni, arsimi, shëndetësia, arti dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

    Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita.

  • ​6 euro vezët, shtrenjtohen edhe perimet – ankohen qytetarët e tregtarët thonë se s’kanë konsumatorë

    ​6 euro vezët, shtrenjtohen edhe perimet – ankohen qytetarët e tregtarët thonë se s’kanë konsumatorë

    Shtrenjtimet e fundit dhe rritjet e çmimeve po gjejnë vend edhe në tregun e Prishtinës.

    Me ankesa për vështirësi në përballje me produktet po vlerësojnë qytetarët, ndërsa tregtarët po arsyetohen tek çdo rritje që po bëhet së fundmi.

    Tregtari që shet pemë e perime, Patriot Maqestena thotë se sikur këtë vit nuk kanë qenë çmimet më të larta asnjëherë.

    Maqestena që kompletin prej 30 vezësh të fshatit e shet për 6 euro ankohet se të gjitha janë shtrenjtuar.

    “Domatet janë 3 euro, specat e djegëst janë 3 euro. Trangujt janë më lirë se po vijnë nga Shqipëria. Këto që vijnë nga Shqipëria po janë pak më lirë. Është e dukshme që u zbeh edhe interesimi i qytetarëve çmimet e shtrenjta, nuk donin të merrnin…E te pemët çmimet kanë qenë të njëjta, nuk kanë ndryshuar”, tha Maqestena.

    Ndërkohë, janë shtrenjtuar edhe cigaret. E kjo, sipas tregtarit Hasan Matoshi, po ndodh edhe për shkak të politikave të qeverisë.

    “Nëse shtrenjtohet pak rryma, nëse shtrenjtohet pak nafta, menjëherë i rrisin çmimet…Ka 50 euro akcizë për paketën e cigareve, nuk është në rregull kjo”, u shpreh Matoshi.

    Kjo situatë nuk e la pa përfshirë as shitësitë e veshjeve.

    Edhe Rrahim Govori shpreh ankesën për mungesë të interesit për blerje të rrobave dhe njëkohësisht, atë të konsumatorëve.

    “Aktualisht çmimet janë në rritje, e konsumatorë nuk ka…Puna është përtoke por tash po mundohemi që punën ta kryejmë tamam”, shtoi Govori.

    Në anën tjetër, qytetarët po e hedhin përgjegjësinë mbi qeveritarët.

    Muharrem Metolli thekson se ata po shikojnë vetëm per vetëm e tyre, duke mos u interesuar fare për popullin.

    “Këta nuk mendojnë për askënd, vetëm për vetën e tyre….Në vend që ta ndihmojnë njëri-tjetrin, jo, këta vetëm për vetën”, vijoi Metolli.

    Ndërkohë qytetari Veton Kika e cilëson si problem këtë gjendjen me cmimmet, sepse me një pagë mujore sipas tij, nuk mund të ia dalësh.

    “Çmimet janë shumë të shtrenjta, kanë ndryshuar shumë, sa mundemi ta përballojmë po mundohemi…Është problem kështu se me një rrogë s’mund të ia dalësh”, tha Kika.

    Edhe Zeqir Govori është pesizimit për tejkalimin e këtyre rrethanave.

    “Vështirë është boll po s’kemi çka të bëjmë. Rrogat e vogla, penionet e vogla asgjë. Si e qysh do t’ia dalim kështu nuk e di”, tha Govori.

    Muajve të fundit, çdo produkt është shtrenjtuar dhe janë rritur çmimet, për çka njësoj janë rritur edhe ankesat e qytetarëve sepse të njëjtit, ashtu siç shprehën po e kanë të vështirë t’ përballojnë ato. /KP/

  • Haradinaj: Gjatë përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, rajoni i Hasit ishte aty ku shkruhej historia

    Haradinaj: Gjatë përpjekjeve shekullore të shqiptarëve, rajoni i Hasit ishte aty ku shkruhej historia

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë luftës në Kosovë në Rajonin e Hasit.

    Përmes një postimi, Haradinaj ka kujtuar se kontributi i kësaj ane kulmoi me Brigadën 126 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, ishte në vijën e parë të betejave deri në ditën e fitores.

    Ai ka bërë të ditur se në Lugishtë të Hasit, së bashku me Shejh Xhemajliun, familjarë dhe bashkëluftëtarë, janë nderuar me respekt të thellë 14 dëshmorë dhe janë përkujtuar 40 martirë të kësaj zone.

    Haradinaj ka theksuar se luftëtarët e kësaj ane u përballën drejtpërdrejt me armikun, duke dhënë goditje vendimtare para kapitullimit, ndërsa ka shtuar se në shenjë hakmarrjeje, forcat shtetërore serbe ushtruan terror mbi popullatën civile, duke vrarë mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj.

    Po ashtu, ai ka përkujtuar edhe 11-vjetorin e vdekjes së Safet Gashit, të cilin e ka cilësuar si mësues që u bë strateg lufte dhe udhëhoqi Brigadën 126 të UÇK-së në beteja të shumta.

    Në të njëjtin postim, Haradinaj ka kujtuar edhe 27-vjetorin e masakrës së Llashticës së Gjilanit, duke nderuar 26 martirët e rënë gjatë periudhës 13–30 prill 1999.

    Ai ka rikujtuar gjithashtu ngjarjet tragjike në Studenicë të Istogut, ku u vranë nëntë shqiptarë, si dhe në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, ku forcat serbe ekzekutuan anëtarë të familjeve Zeka dhe Hoxha.

  • “Shumë gabim”, Blero pendohet për lidhjet e kaluara

    “Shumë gabim”, Blero pendohet për lidhjet e kaluara

    Këngëtari Blero Muharremi ka qenë së fundmi ka folur hapur për jetën e tij personale dhe përvojat e së kaluarës.

    Gjatë bisedës, ai është përballur me pyetje të drejtpërdrejta rreth lidhjeve të mëparshme, përfshirë edhe nëse ka pasur ndonjë marrëdhënie që sot e konsideron gabim.

    “Po, shumë gabim bile”, tha në “The Elite Way”.

    Artisti pranoi se vëmendja e mediave ndaj jetës së tij private e ka lodhur ndër vite, duke e bërë shpesh që çdo lidhje e tij të kthehet në tituj lajmesh dhe spekulime publike.

    Megjithatë, theksoi se sot ndodhet në një fazë më të qetë të jetës dhe se ka nisur një kapitull të ri, më të qëndrueshëm emocionalisht.

    I pyetur nëse këtë herë ka zgjedhur ndryshe në dashuri, Blero u shpreh me bindje se po, duke shtuar se nuk ka frikë nga përsëritja e gabimeve të së kaluarës.

    Në fund, la të kuptohet se marrëdhënia e tij aktuale është shumë më e qetë dhe stabile, duke e përshkruar si një periudhë ku ka gjetur më shumë paqe dhe ekuilibër në jetën personale.

  • Çfarë do të thotë bllokimi i porteve iraniane nga ShBA-ja?

    Çfarë do të thotë bllokimi i porteve iraniane nga ShBA-ja?

    Gjashtë javë pas fillimit të luftës me Iranin, presidenti Donald Trump i ka dhënë Marinës amerikane disa nga detyrat më të vështira të konfliktit: bllokimin e porteve iraniane dhe pastrimin e Ngushticës strategjike të Hormuzit nga minat iraniane.

    Një bllokadë konsiderohet një mjet i luftës ekonomike, sepse synon të dëmtojë ekonominë e kundërshtarit duke i ndaluar eksportet dhe importet. Sipas Manualit të Newportit mbi të Drejtën e Luftës Detare, bllokada përfshin kapjen ose shkatërrimin e mallrave dhe pronës së armikut në det, duke i mohuar atij të ardhura dhe furnizime që mbështesin luftën.

    Trafiku në Ngushticën e Hormuzit është ulur ndjeshëm për shkak të konfliktit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit.

    Kjo rrugë detare, e cila më parë transportonte rreth 20% të naftës botërore, tani është pothuajse e bllokuar, me qindra anije që presin në të dy anët e ngushticës.

    Që një bllokadë të jetë e ligjshme, duhet ndjekur disa rregulla:

    – Duhet të shpallet dhe të njoftohet, që do të thotë se duhet të dërgohen paralajmërime për anijet që mund të preken prej saj.

    – Duhet të jetë efektive, që do të thotë se SHBA duhet të ketë anijet dhe avionët për ta zbatuar atë.

    – Duhet të jetë e paanshme, duke prekur anijet e çdo kombi.

    – Nuk mund të synojë vetëm popullsinë civile, por dëmi ndaj civilëve është i pranueshëm.

    – Nuk duhet të bllokojë aksesin në portet neutrale dhe nuk mund të bllokojë një ngushticë, si Hormuzi, të cilën Trump ka thënë se është e hapur për transport ndërkombëtar që nuk lidhet me Iranin.

  • Ministri i ardhshëm i Hungarisë bëhet viral pas fitores, feston duke vallëzuar

    Ministri i ardhshëm i Hungarisë bëhet viral pas fitores, feston duke vallëzuar

    Mijëra qytetarë hungarezë kanë dalë në rrugë për të festuar humbjen e Viktor Orbán dhe fitoren e Péter Magyar në zgjedhjet e së dielës.

    Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale të gazetarës së RTL hungareze, Noemi Zalavari, një ndër momentet që mori më shumë vëmendje ishte videoja e Zsolt Hegedus, e cila u bë virale gjatë festimeve.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Noémi Zalavári (@noemizalavari)

    Në përshkrimin e videos, gazetarja thekson se Hegedus, emri i të cilit po përmendet si kandidat i mundshëm për postin e Ministrit të Shëndetësisë.

  • Netanyahu: Irani shkeli rregullat e negociatave, e mbështesim Trumpin për vendosjen e bllokadës detare

    Netanyahu: Irani shkeli rregullat e negociatave, e mbështesim Trumpin për vendosjen e bllokadës detare

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se Izraeli e mbështet vendimin e Donald Trump-it për të vendosur një bllokadë detare ndaj Iranit dhe se Tel Avivi po koordinohet me Wshingtonin për situatën, raporton AFP.

    “Irani ka shkelur rregullat (e bisedimeve të paqes në Pakistan), presidenti Trump mori vendim për të vendos një bllokadë detare,” tha Netanyahu në një mbledhje qeveritare, sipas një deklarate video të publikuar nga zyra e tij.

    “Ne, sigurisht, e mbështesim këtë qëndrim të fortë dhe jemi në koordinim të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

    Komanda Qendrore e SHBA-së (US Central Command) tha se do të fillojë një bllokadë të të gjitha porteve iraniane në Gjirin Persik dhe zonave bregdetare të hënën në orën 10:00 ET (17:30 në Iran dhe 14:00 GMT), duke marrë efektivisht kontrollin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.

  • Procedura të reja në Aeroportin e Prishtinës për fluturime, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online

    Procedura të reja në Aeroportin e Prishtinës për fluturime, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar për disa përditësime në procedurat e udhëtimit, të cilat kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli 2026, duke synuar lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit të fluturimeve.

    Sipas njoftimit zyrtar, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online dhe të mbajnë kartën e imbarkimit në celular ose të printuar, ndërsa pasagjerët pa bagazh të regjistruar mund të shkojnë direkt në portën e nisjes.

    Po ashtu, është theksuar se pasagjerët duhet të jenë në aeroport shumë më herët se zakonisht, duke filluar nga tri orë para orës së nisjes së fluturimit, për shkak të procedurave të imbarkimit dhe mbylljes së check-in-it.

  • Gucati: Pres lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri më 19 maj, procesi është stërzgjatur

    Gucati: Pres lirimin e ish-krerëve të UÇK-së deri më 19 maj, procesi është stërzgjatur

    Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, për FrontOnline ka folur për afatin e 19 majit si datë e fundit për vendimin e Gjykatës Speciale në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke shprehur pritshmëri të forta për një aktgjykim lirues.

    Ai ka theksuar se beson fuqishëm që të akuzuarit do të shpallen të pafajshëm dhe do të kthehen pranë familjeve të tyre, ndërsa ka shtuar se edhe vendi ka nevojë për ta.

    “Unë besoj dhe fuqishëm se ata me 19 maj të lirohen të pafajshëm dhe kështu besojnë gjithë shqiptarët që ata me ardhë në gjirin familjar dhe të dashamirëve dhe ka nevojë edhe Kosova për ta. Nuk e besoj se shtyhet afati, por asaj gjykate nuk i besohet asgjë dhe ky proces është stërzgjatur. Uroj të mos zgjatet tutje dhe uroj të jetë vendim i drejt e në anën tonë dhe ne kemi luftuar për vendin tonë dhe besoj fuqishëm që ata të lirohen me 19 maj”, ka deklaruar Gucati për FrontOnline.