ATV

Author: K.B.

  • Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prizrenit priti në takim përfaqësues të OSBE-së

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në një takim pune përfaqësuesit e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përkatësisht Menaxherin e projektit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Kahramon Sanginov, si dhe zyrtaren për monitorimin e proceseve gjyqësore, znj. Etleva Kelmendi – Shabani.

    Gjatë këtij takimi u diskutua për çështje të rëndësishme që lidhen me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit, rritjen e transparencës institucionale dhe forcimin e llogaridhënies.

    Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe mbështetjen që OSBE-ja ofron në ngritjen e kapaciteteve profesionale, monitorimin dhe avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

    Kryeprokurori Kryeziu, falenderoi përfaqësuesit e OSBE-së për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në funksion të rritjes së efikasitetit në trajtimin e rasteve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

    Nga ana e tyre, përfaqësuesit e OSBE-së vlerësuan angazhimin e Prokurorisë së Prizrenit në adresimin e rasteve të korrupsionit dhe shprehën përkushtimin për të vazhduar mbështetjen në këtë drejtim.

    Takimi përfundoi me dakordim për vazhdimin e koordinimit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

  • Të premten seanca e re e Kuvendit

    Të premten seanca e re e Kuvendit

    Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka njoftuar se seanca e re e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet të premten.

    Pas mbledhjes së Kryesisë, para mediave ajo tha se seanca nis në orën 10:00 dhe pos deklarimeve të jashtë rendit të ditës dhe pikave të zakonshme, do të trajtohen edhe dy vendime.

    “Projektligji për Byronë si dhe vendimi i Qeverisë për dërgimin e FSK-së në Gaza”, tha Nagavci.

  • Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Çështja e presidentit, Nagavci: Kurti po vazhdon angazhimet – zgjedhjet janë të panevojshme

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka folur për çështjen e presidentit pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Ajo tha se kryeministri Albin Kurti po vazhdon angazhimet e tij sa i përket kësaj çështjeje, derisa theksoi se shpreson që do të ketë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit.

    “Kurti po vazhdon angazhimet e tij dhe besoj që në ditët e mbetura, të arrijmë një pajtueshmëri dhe një mbështetje, gjegjësisht propozime konkrete dhe të gjejmë zgjidhje për zgjedhjen e presidentit”.

    “Pres dhe besoj që jo vetëm ne si deputetë të grupit tonë parlamentar, por edhe qytetarët presin që të gjejmë një zgjidhje, propozime konkrete dhe të votohet presidenti në kuvend sepse e kemi thënë disa herë, që një palë zgjedhje të reja janë të panevojshme dhe të padrejta”, deklaroi Nagavci para mediave.

  • Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Vrau fqinjin me çekiç, Apeli dënon me burgim të përjetshëm autorin

    Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm I.H.

    Ai u cilësua fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinj i tij të cilin e goditi me çekiç.

    Trupa gjykuese e cilësoi I.H-në fajtor për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e Xhemal Metës, fqinji të cilin e goditi me çekiç.

    Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 janar të vitit 2025, ku 64-vjeçari goditi me çekiç fqinjin e tij Xhemal Meta, në oborrin e shtëpisë së viktimës.

    Pas ngjarjes ai i mori edhe rreth 200 mijë lekë që Meta i mbante me vete.

    Ai kishte akumuluar mllef ndaj Metës prej kohësh pasi viktima i thoshte shpesh se nuk ishte burrë pasi rrinte 4 ditë në punë pa ardhur në shtëpi dhe nuk e dinte çfarë bëhej me gruan e tij.

  • Kaos në linjat e fluturimeve në Gjermani, anulohen qindra udhëtime

    Kaos në linjat e fluturimeve në Gjermani, anulohen qindra udhëtime

    Greva e pilotëve në “Lufthansa” hyri në ditën e dytë të martën, duke e detyruar grupin e linjave ajrore gjermane të anulojë qindra fluturime në qendrat e saj kryesore në Frankfurt dhe Mynih dhe duke ndërprerë udhëtimet për mijëra pasagjerë.

    Në Frankfurt, afërsisht 550 fluturime u prekën, sipas sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit (VC). Më shumë se 300 fluturime u anuluan në Mynih, qendra e dytë më e madhe e “Lufthansa”-s, ndërsa rreth 40 nisje dhe mbërritje u anuluan në Berlin.

    Greva 48-orëshe, e thirrur nga VC-ja të hënën, rrjedh nga muaj të tërë negociatash të bllokuara mbi pagat dhe pensionet e kompanisë. Sindikata thotë se Lufthansa nuk ka arritur të bëjë oferta të pranueshme.

    Edhe pse aksioni i pilotëve përfundon në mesnatë të martën, udhëtarët përballen me ndërprerje të reja. Një grevë e veçantë dyditore nga ekuipazhi i kabinës është planifikuar të fillojë në orën 12:01 të mëngjesit të së mërkurës (22:01 GMT të martën) dhe të zgjasë deri pak para mesnatës së së enjtes.

    Organizata e Pavarur e Asistentëve të Fluturimit (UFO) tha se greva do të ndikojë në të gjitha nisjet e markave kryesore “Lufthansa” nga Frankfurti dhe Mynihu.

  • Gaxherri: Kurti funksionon me kriza, nuk lejojmë ta ketë edhe presidentin

    Gaxherri: Kurti funksionon me kriza, nuk lejojmë ta ketë edhe presidentin

    Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se janë të gatshëm për bashkëpunim për zgjidhjen e bllokadës për zgjedhjen e presidentit.

    Gaxherri tha se me Albin Kurtin është gati e pamundur të qeverisësh. Mirëpo, siç thotë ajo, kontributi i tyre për presidentin mund të bëhet edhe pa përfshirje në qeverisje. Gaxherri kërkoi reflektim nga Kurti për të arritur marrëveshje politike, sepse sipas saj nuk mund t’i ketë një subjekt politik tri institucionet qendrore.

    “LDK-ja është e gatshme të kontribuojë për të zhbllokuar krizën e stërzgjatur në vend, por duke pasur parasysh edhe pasojat si subjekt politik, sepse ne nuk mund ta mohojmë atë çfarë kemi thënë dje dhe për të cilën jemi të bindur se të qeverisësh me LVV-në është shumë e vështirë, gati e pamundshme. Por, duke pasur parasysh situatën në të cilën kemi ardhur me sjelljen e zotit Kurti, mendojmë se jemi të gatshëm të kontribuojmë. Nuk është e thënë që domosdoshmërish të jemi në qeverisje. Por, natyrisht, Kurti duhet të reflektojë dhe ta dijë se nuk mund t’i ketë të gjitha institucionet e shtetit në duart e tij. Këtë nuk do ta lejojmë ne si subjekte politike, nuk e lejon as vetë Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta parasheh që të ketë balancë të pushteteve dhe bashkëpunim midis partive politike, të ketë marrëveshje politike gjëra që zoti Kurti nuk i njeh, dhe kjo është për të ardhur keq. Kam bindjen se Kurti po krijon këto kriza, sepse vetëm kështu ai mund të funksionojë.”, tha Gaxherri për rtv21.

    Anëtarja e LDK-së, Besa Gaxherri, po ashtu tha se LDK-ja nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së për president nëse nuk ka marrëveshje politike.

    “Kurti po përgatit skenarë si zakonisht dhe po e përgatit elektoratin, duke i paketuar mashtrimet e tij se ai deshi të bëjë zgjidhje, por partitë opozitare nuk ishin të gatshme. Unë uroj dhe shpresoj se qytetarët e këtij vendi tashmë e kanë parë lojën e Kurtit. Unë besoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në qershor. Nuk mund të ketë votë nga LDK-ja pa marrëveshje politike. Kurti duhet të mësohet të bëjë marrëveshje politike, duhet të mësohet të respektojë opozitën, mediat dhe sindikatat. Kurti pretendon ta kapë shtetin.’’, u shpreh Gaxherri.

  • Musliu: LVV po tenton të kapë RTK-në përmes një procesi të përshpejtuar

    Musliu: LVV po tenton të kapë RTK-në përmes një procesi të përshpejtuar

    Caktimi i datës 15 prill për intervistimin e kandidatëve për bordin e RTK-së u shoqërua me kundërshtime nga opozita në Komisionin Ad hoc për bordin e RTK-së.

    Opozita tha se data duhet të caktohet për javën e ardhshme.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se intervistimi i kandidatëve po bëhet me qëllim me një afat të përshpejtuar për qëllime udhëheqjeje nga LVV në këtë bord.

    “Siç e patë edhe ju, edhe ishit pjesë e këtij komisioni, këta po tentojnë që ta anashkalojnë çdo procedurë, domethënë jashtë çdo standardi po tentojnë që t’i kapin bordin e RTK-së edhe të KPM-së. Dhe unë nuk bëhem pjesë e një maskarade të tillë, e thashë edhe në komision. Krejt çka kemi kërkuar ne është që të respektohen procedurat. Kuvendi nuk ka filluar me ta. Ata, shumica e anëtarëve të komisionit, kanë qenë edhe më herët deputetë dhe i dinë procedurat. Ata qëllimisht po i anashkalojnë të gjitha procedurat thjesht për me i kapë bordin e RTK-së dhe bordin e KPM-së.

    Ne i kemi rreth 100 kandidatë në të dy bordet që i kemi me i intervistuar. Saktësisht 70 i kemi për bordin e RTK-së dhe 30 i kemi për KPM-në. Domethënë llogarite tash, 100 kandidatë në mënyra të përshpejtuara. Nuk ka kapacitete komisioni në mënyrë të përshpejtuar sepse nuk është e nevojshme asnjë nguti. Krejt çka kemi kërkuar ne është që të caktohet intervista, të mbahet të hënën, të martën, të mërkurën dhe derisa të përfundojë. Këta po kërkojnë me fillua nesër, që është e mërkurë, pastaj me ndërpre atë që kemi seancë parlamentare, dhe me vazhdu të premten. Ka shumë gjasa që edhe të premten do të kemi seancë parlamentare dhe prapë na duhet me i ndërpre intervistat”, tha Musliu.

    Musliu tha LVV po tenton ta “kap” bordin e RTK-së dhe KPM-në.

    “Dhe në momentin kur ti i merr të mërkurën disa kandidatë në intervistë, pastaj pauzon tri-katër ditë, ajo është pabarazi ndaj kandidatëve dhe është shkelje e të drejtave të kandidatëve të cilët janë në konkurs. Dhe si anëtare e këtij komisioni, kam kërkuar që të respektohen rregullat bazë, që është minimalisht tri ditë punë përpara me i njoftuar kandidatët, me u përgatit kandidatët, së pari psikologjikisht për me ardhë në komision.

    E mos flas tani edhe profesionalisht. Nuk mundesh ti sot me marrë vendim që ata nesër në ora 09:00 me ardhë në komision në intervistë. Por, fatkeqësisht, ata e kanë arrogancën e numrave. Na kanë mbivotuar edhe po na mbivotojnë, po marrin vendime qysh po dojnë vetë, jashtë rregullave të Kuvendit, jashtë procedurave, jashtë rregullores. Çdo gjë e bëjnë qysh atyre iu konvenon. Dhe synimi i tyre konkret është me e kap bordin e RTK-së dhe me e kap edhe KPM-në dhe pastaj me kriju diktat edhe anarki në të gjitha institucionet e vendit. Dhe unë jam kundër këtij regjimi. Nuk mundemi ne në këtë formë, duke degraduar çdo proces, me vazhdua tutje. Krejt çka kemi kërkuar është respektim i rregullave bazë të konkursit. Nuk mundesh ti qysh t’i marrësh direktivat dhe urdhrat nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes me ardhë me na i imponu neve në komision”, thotë ajo.

    Musliu tha se në emër të PDK-së nuk do të hesht dhe se do ta ngrisë zërin kundër parregullsive.

    “Ne gjatë ditës do të konsultohemi edhe një herë faktikisht, dhe thjesht si Parti Demokratike, aty ku unë jam përfaqësuese e Partisë Demokratike, nuk do të hesht asnjëherë duke e ngritur zërin kundër parregullsive. Këto komisione janë krijuar në mënyrë të parregullt dhe kanë funksionuar në mënyrë të parregullt gjatë gjithë kohës dhe po vazhdojnë edhe tutje, dhe unë jam kundër parregullsive. Thjesht si Parti Demokratike do ta japim qëndrimin tonë në momentin e duhur. Vetë fakti që sot është ora afër 12:00 dhe nesër në ora 09:00 janë ftuar për intervistë, kjo tregon që nuk janë as 24 orë përpara që të përgatitemi për ato intervista. E thashë edhe një herë, kemi material voluminoz, kemi 100 kandidatë në dy borde. Dhe kjo është e papranueshme. Nuk ka nevojë, sepse nuk është përgjegjësi e askujt tjetër vetëm e partisë në pushtet që i ka zvarritur bordet deri tash dhe i ka lënë të pakompletuara. Dhe nëse kanë pritur gjashtë muaj a një vit, pse mos me pritur edhe dy ditë, tri, deri të hënën? Shkojmë të hënën, në mënyrë të rregullt, mbas procedurave, pa shkëputje i intervistojmë dhe e kryejmë procesin. Pse kjo nguti? Sepse dëshirojnë ta imponojnë mënyrën e vet të punës dhe t’i kapin institucionet. Është arrogancë numrash komplet. Aktualisht jemi të pafuqishëm që t’i ndalim këto procese të dëmshme, por po shpresoj shumë që shumë shpejt do të shkojmë në zgjedhje dhe qytetari i Republikës së Kosovës do t’ua tregojë vendin”, theksoi deputetja.

    Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj për Ekonomia Online tha se partia në pushtet dëshiron që të ketë persona në krye të RTK-së që janë nga kjo parti.

    “Po, ky proces duhet të jetë transparent, ku respektohet dinjiteti dhe integriteti i të gjithë kandidatëve. Dhe kur ka transparencë të plotë edhe në evidentimin e këtij procesi apo mbarëvajtjes së procesit, po mbi të gjitha sigurisë dhe barazisë në intervistë. Partia në pushtet dhe shumica nuk e dëshirojnë këtë. Dëshirojnë që ky proces të shkojë vetëm sa për sy e faqe dhe të ketë individë, sigurisht të përzgjedhur të pushtetit, për të vazhduar kapjen e Radio Televizionit të Kosovës. Këtë nuk mund as ta pranojmë, por as nuk dëshirojmë të jemi pjesë e saj, por do ta ngrisim në të gjitha nivelet e mundshme edhe kundërshtimet tona në aspektin demokratik të këtij procesi”, theksoi deputeti.

    Zemaj tha se intervistimi duhet të jetë transparent dhe i barabartë për të gjithë kandidatët.

    “Po, intervistimi së pari duhet të jetë një mundësi e barabartë për të gjithë kandidatët. Dhe kur fillon procesi, nuk duhet të ndërpritet procesi. Dhe insistimi im është që të kemi një proces kur fillon dhe kur përfundon, dhe ku barazia në kohë, në mundësi, në pyetje-përgjigje t’u jepet të gjithë kandidatëve në mënyrë të barabartë. Kjo nuk u pranua fatkeqësisht dhe dëshironin që të fillonin menjëherë intervistimin pa iu dhënë mundësinë e njoftimit të plotë të gjithë kandidatëve, dhe pa u evidentuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë edhe me materialet, por edhe me kushtet dhe kriteret që i plotëson çdo kandidat për këtë garë zgjedhore”, shtoi tutje Zemaj.

    Intervista ndaj kandidatëve do të mbahet nga ora 09:00 gjatë ditës së nesërme.

  • Nga 1500 deri 5000 euro, MINT gjobit KEDS’in: U verifikuan njehsorë me afat të skaduar

    Nga 1500 deri 5000 euro, MINT gjobit KEDS’in: U verifikuan njehsorë me afat të skaduar

    MINT ka shqiptuar gjoba ndaj KEDS’it për njehsorë me afat të skaduar, të cilët janë identifikuar pas verifikimit. Ministria ka bërë të ditur se aktivitetet në terren janë intensifikuar pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, përmes Komisionit Verifikues.

    Tutje, nga MINT, bëhet e ditur se, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë, dhe se në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

    Komunikata:

    MINTI shqipton gjoba ndaj KEDS-it për njehsorët me afat të skaduar të verifikimit

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, ka intensifikuar aktivitetet në terren përmes Komisionit Verifikues për njehsorët elektrikë.

    Gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

    MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin me prioritet të çdo ankese të adresuar në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

    Me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar edhe një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë ditët e vikendit dhe festat, edhe përmes platformës Viber.

    Numri për pranimin e ankesave:

    +383 (0) 46 311-000

  • Vritet 20-vjeçari në Suedi, raportohet se është shqiptar

    Vritet 20-vjeçari në Suedi, raportohet se është shqiptar

    Një 20 vjeçar është vrarë në Helsinborg të Suedisë.

    Siç raporton TopChannel, viktima është shqiptar.

    Po ashtu në këtë ngjarje, është plagosur edhe një vajzë e moshës 25 vjeçare e cila ishte në shoqëri të të ndjerit.

    Policia deklaron se akoma nuk dihen motivet e këtij rasti, e gjithashtu nuk ka ndonjë të dyshuar lidhur me rastin.

    Tutje i riu dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti trafikimi droge në Helsinborg dhe në rajonin Skane.

    Mësohet se viktima është shtetasi M.Ll, 20 vjeç, emigrant nga Fieri, i cili ndodhej prej vitesh në Suedi së bashku me familjen e tij.

  • Ramadani: Në Kosovë nuk ka opozitë të strukturuar

    Ramadani: Në Kosovë nuk ka opozitë të strukturuar

    Ish-deputeti Burim Ramadani ka thënë se në Kosovë nuk ka opozitë të strukturuar.

    Sipas tij, ka parti që nuk janë në pushtet, por ato assesi nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe as qëllimet e përbashkëta.

    “Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, partitë jopushtetare nuk kanë arritur të ndërtojnë koncept e platformë të përbashkët. Kështu, nuk i kanë dhënë qytetarëve një alternativë, nuk i kanë dhënë qytetarëve besimin se ato mund të ndërrojnë pushtetin tashmë shumëvjeçar të LV-së”.

    “Në vend se të ndërtojnë qasje të përbashkët, partitë jopushtetare kanë vazhduar të shohin vetëm veten në mënyrë të ndarë dhe nuk kanë dhënë opsion tjetër qeverisës e institucional. Në periudhën e fundit, kanë ndodhur disa takime të ndara midis LV-së dhe PDK-së e LDK-së për çështjen e presidentit. Uroj që këto takime të nxjerrin ‘tymin e bardhë’ më në fund, me qëllimin që Kosova të mos shkojë edhe njëherë në zgjedhje. Pasi që këto parti jopushtetare kanë filluar diskutimet me LV-në për Presidentin, besoj se do të ishte mirë që këto negociata të dalin ë suksesshme. Në të kundërtën, besimi qytetar do të tronditej edhe më shumë dhe kjo do të çon tek një apati politike qytetare”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.