ATV

Author: K.B.

  • Prodhuesi gjerman i dërgon Ukrainës 10,000 dronë – Zelensky takon kancelarin Merz në Berlin

    Prodhuesi gjerman i dërgon Ukrainës 10,000 dronë – Zelensky takon kancelarin Merz në Berlin

    Prodhuesi gjerman i dronëve Quantum Systems planifikon të zgjerojë bashkëpunimin e tij industrial me Ukrainën, me një numër të sipërmarrjeve të reja të përbashkëta që do të zbulohen gjatë një takimi të politikëbërësve të rangut të lartë, tha kompania të martën.

    Quantum Systems po rrit gjithashtu prodhimin e 10,000 dronëve shumëfunksionalë kuadkopterë në Gjermani të destinuar për forcat e armatosura të Ukrainës, pasi një grup fillestar u dorëzua në fund të marsit 2026, shkruajnë mediat e huaja.

    Duke komentuar sipërmarrjet e përbashkëta gjermano-ukrainase, Matthias Lehna, drejtor menaxhues i Quantum Frontline Industries, tha: “Jemi të bindur se kjo formë bashkëpunimi formon një themel qendror për aftësitë e ardhshme mbrojtëse të Evropës”.

    Gjatë disa vizitave në Ukrainë, ministrat gjermanë kishin thënë se Gjermania dëshironte të zgjeronte bashkëpunimin industrial me kompanitë ukrainase të mbrojtjes.

    Ata kanë argumentuar se kjo pritet të jetë gjithashtu në dobi të Bundeswehr-it, forcave të armatosura të Gjermanisë, qoftë drejtpërdrejt ose përmes përvojës që fiton.

    Dhe një lajm i vjen i tillë vjen në ditën kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të vizitojë Berlinin më vonë të martën për bisedime me kancelarin Friedrich Merz, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë gjermane.

    Vizita, e cila shënon konsultimet e para zyrtare gjermano-ukrainase në vite, ishte mbajtur sekret për arsye sigurie.

    Zelensky do të shoqërohet nga disa ministra të kabinetit.

    Sipas mediave të huaja, politikëbërësit pritet të diskutojnë mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, si dhe përpjekjet e rindërtimit dhe kthimin e refugjatëve ukrainas.

    Të dyja palët pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje dhe Merz dhe Zelensky kanë planifikuar të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

  • Ministri i Jashtëm rus Lavrov mbërrin në Kinë për bisedime mbi Iranin dhe Ukrainën

    Ministri i Jashtëm rus Lavrov mbërrin në Kinë për bisedime mbi Iranin dhe Ukrainën

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mbërriti në Kinë të martën për bisedime mbi luftërat në Ukrainë dhe Iran, si dhe mbi marrëdhëniet dypalëshe.

    Lavrov u shfaq në televizionin shtetëror rus duke mbërritur në Pekin, ku pritet të zhvillojë takime me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi. “Pritet një shkëmbim i thelluar pikëpamjesh për një sërë çështjesh të ‘nxehta’ dhe probleme rajonale, përfshirë krizën në Ukrainë dhe situatën në Lindjen e Mesme,” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

    Sipas ministrisë, Lavrov dhe Wang do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin dypalësh dhe atë në forume shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, BRICS, Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, G20 dhe Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

    Kina dhe Rusia shpallën një partneritet “pa kufij” në shkurt të vitit 2022, kur presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Pekinin, vetëm pak ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë. Putin e ka përshkruar ndonjëherë Kinën si një “aleate”.

    Në vlerësimin e saj vjetor të kërcënimeve, agjencitë amerikane të inteligjencës e konsiderojnë Kinën dhe Rusinë si rivalët kryesorë të Uashingtonit në fusha që variojnë nga Arktiku dhe inteligjenca artificiale deri te hapësira dhe armët bërthamore./A2Cnn

  • A po flini gabim? Jastëku mund të rrisë presionin në sy dhe rrezikun për shikimin

    A po flini gabim? Jastëku mund të rrisë presionin në sy dhe rrezikun për shikimin

    Pozicioni i kokës gjatë natës mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e syve. Ja çfarë tregojnë rezultatet dhe pse duhet t’i kushtoni rëndësi mënyrës si flini

    Një zakon i pazakontë, si fjetja pa jastëk, mund të jetë një nga mënyrat më të thjeshta për të ruajtur shëndetin e syve. Vendosja e disa jastëkëve nën kokë mund të rrisë në mënyrë të lehtë presionin në sy, një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e glaukomës.

    Dihet se lloji i jastëkut dhe mënyra e fjetjes ndikojnë në cilësinë e gjumit, por më pak dihet për rolin që ka pozicioni i trupit në shëndetin e syve. Një studim i ri tregon se edhe një detaj i thjeshtë, si këndi në të cilin mbahet koka gjatë gjumit, mund të ndikojë në shikim në mënyra të papritura.

    Studimi, i publikuar në fund të janarit në revistën “British Journal of Ophthalmology”, tregon se fjetja pa jastëk mund të ndihmojë në uljen e presionit brenda syrit.

    Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi presioni i lartë në sy është një nga shkaqet kryesore të glaukomës, një nga arsyet më të shpeshta të humbjes së shikimit në botë.

    Si ndikojnë jastëkët në qarkullimin e syrit
    Studiuesit shpjegojnë se ngritja e kokës ndryshon pozicionin e qafës dhe mund të shkaktojë shtypje të venave kryesore që kthejnë gjakun nga koka. Kjo pengon rrjedhjen normale të lëngut të syrit, i cili ushqen strukturat e tij dhe rregullon presionin e brendshëm.

    Meqenëse presioni në sy ndryshon gjatë ditës dhe rritet kur kalojmë nga pozicioni në këmbë në atë shtrirë, pozicioni gjatë gjumit bëhet një faktor i rëndësishëm.

    Detajet e studimit
    Për të analizuar këtë efekt, studiuesit nga një qendër universitare në Kinë përfshinë 144 persona me glaukomë.

    Struktura e pjesëmarrësve ishte:

    84 persona deri në 44 vjeç
    41 persona nga 45 deri në 59 vjeç
    19 persona mbi 60 vjeç
    Sipas llojit të sëmundjes:

    70 kishin glaukomë me presion normal
    9 kishin presion të rritur në sy
    65 kishin glaukomë të zakonshme me kënd të hapur
    Studimi zgjati gjashtë muaj dhe përfshiu kontrolle të detajuara të syve.

    Rritje e presionit në shumicën e rasteve
    Presioni në sy u mat çdo dy orë gjatë 24 orëve, si në pozicion ulur ashtu edhe në shtrirje.

    Kur pjesëmarrësit shtriheshin dhe koka u ngrihej në kënd 20–35 gradë (si me dy jastëkë), rezultatet ishin të qarta:

    67 për qind e tyre shfaqën rritje të presionit në sy
    rritja mesatare ishte rreth 1.61 mm Hg
    presioni ishte më i lartë kur koka ishte e ngritur sesa kur ishte në nivel të sheshtë
    Gjithashtu u vu re ulje e furnizimit me oksigjen dhe lëndë ushqyese në indet e syrit.

    Të rinjtë në rrezik më të madh
    Studimi tregoi se të rinjtë kishin më shumë gjasa të përjetonin rritje të ndjeshme të presionit në sy. Rreziku ishte më i lartë edhe te pacientët me formën më të zakonshme të glaukomës.

    Një analizë shtesë te persona të shëndetshëm tregoi se përdorimi i jastëkëve ngushton venat e qafës dhe ndryshon qarkullimin e gjakut, duke ndikuar drejtpërdrejt në zonën e kokës.

    Një ndryshim i thjeshtë që mund të ndihmojë
    Edhe pse studimi kërkon konfirmim të mëtejshëm, studiuesit besojnë se ndryshimi i pozicionit gjatë gjumit mund të jetë një ndihmë shtesë në trajtim.

    Ata theksojnë se, përveç terapive me barna apo procedurave të tjera, edhe ndryshimet në sjellje mund të kenë rol të rëndësishëm.

    Rekomandimi i tyre është i qartë:
    personat me glaukomë duhet të shmangin pozicionet që përkulin qafën dhe rrisin shtypjen në venat e saj.

    Ky ndryshim i thjeshtë mund të jetë një mënyrë praktike për të ndihmuar në menaxhimin afatgjatë të sëmundjes.

  • Starmer dhe Macron thërrasin samit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

    Starmer dhe Macron thërrasin samit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit

    Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe Emmanuel Macron do të bashkëorganizojnë këtë javë në Paris një samit për të vazhduar përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

    Udhëheqës ndërkombëtarë do të mblidhen të premten në një përpjekje për të hartuar një plan që të sigurohet që kjo rrugë tregtare jetike të mbetet e hapur për transportin detar, pas kërcënimeve të Donald Trump për bllokimin e saj, raportojnë mediat britanike.

    Një zëdhënës i Downing Street tha: “Samiti do të çojë përpara punën drejt një plani të koordinuar, të pavarur dhe shumëkombësh për të mbrojtur transportin ndërkombëtar pasi konflikti të përfundojë.”

    Macron më herët ka thënë se vendet pjesëmarrëse në këtë nismë do të punojnë në një “mision rreptësisht mbrojtës, të ndarë nga palët ndërluftuese të konfliktit”, i cili “synon të vendoset sapo ta lejojnë rrethanat”.

    Në Westminster është krijuar një komitet i ri qeveritar për të trajtuar pasojat e konfliktit me Iranin.

  • Antimafia çmonton organizatën shqiptare të drogës në Itali, 28 arrestime

    Antimafia çmonton organizatën shqiptare të drogës në Itali, 28 arrestime

    Që nga orët e para të së martës, (14 prill), Operacioni “Daku” ka qenë në zhvillim e sipër, me 28 masa paraprake të ekzekutuara nga Policia e Shtetit në Itali, në provinca të ndryshme, ku pjesa më e madhe e të ndaluarve janë shqiptarë.

    Operacioni, i koordinuar Antimafia dhe nga Operacionalja e Trentos, përfshinte gjithashtu personel nga Seksioni Hetimor i Shërbimit Qendror të Operacioneve në Trieste. Bastisja u përqendrua në një komplot të trafikimit të drogës në provincën e Bolzanos.

    Organizata ishte e dedikuar në aktivitetin e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, teksa aksioni është ende aktiv dhe pritet të zbardhen detaje të reja.

    Operacioni e ka marrë emrin “Daku” për shkak të nofkës shqip apo pseudonimit që shumë nga të dyshuarit shqiptarë thërrisnin njëri-tjetrin.

    Masat paraprake kundër njëzet e tetë të dyshuarve, kryesisht shqiptarë, po ekzekutohen nga hetuesit e Skuadrës Fluturuese të Bolzanos, së bashku me kolegët nga Belluno, Trento, Venecia, Verona dhe Vicenza, dhe nga njësitë SISCO të Breshias, Trentos, Triestes dhe Venedikut, të bashkuara në kryeqytetin e Tirolit të Jugut nga Shërbimi Qendror i Operacioneve, si dhe Njësitë e Parandalimit të Krimit të Milanos dhe njësitë e qenve të Ankonës, Milanos dhe Padovës.

    Dhjetë nga të dyshuarit janë burgosur, tetë janë nën arrest shtëpiak dhe dhjetë prej tyre janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, informon media italiane.

    Provincat e Barletta-Andria-Trani, Brescia, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio janë gjithashtu të prekura në këto raste të fundit.

  • Bajqinovci e ka gati rrëfimin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të Presidentit: Opozita fajtore

    Bajqinovci e ka gati rrëfimin nëse vendi shkon në zgjedhje për shkak të Presidentit: Opozita fajtore

    Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, tha se nëse dështon zgjedhja e Presidentit “faji dhe turpi” do të jetë i opozitës.

    Duke u përpjekur t’ia lë fajin opozitës, ai po ashtu përdori frazën “nëse opozita na çon në zgjedhje”, ndërsa nuk dha ndonjë përgjigje mbi përgjegjësinë e Vetëvendosjes për të dalë nga kjo situatë si grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Këtu ai përmendi ftesat e shefit të tij, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare dhe kërkesat për dërgim të emrave.

    Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje s’ka lëvizur nga propozimet e saj për President, dy anëtarët e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

    “Opozita duhet të reflektojë dhe jo vetëm të shkojë në takime, por edhe të ketë dëshirë të bëjë zgjidhje. E në këtë rast zgjidhja është të bëhet presidenti i Kosovës”.

    Ai tha se opozita duhet të ketë “dëshirë” dhe jo të bëjë deklarata që “ne duhet të shkojmë në zgjedhje”.

    “Kjo s’është e mirë sepse vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje për shkak se i ka institucionet stabile dhe nuk duhet populli të maltretohet çdo gjashtë muaj në zgjedhje”, tha ai për RTV 21.

    I pyetur se në cilën parti këmbëngul më shumë Vetëvendosja për bashkëpunim, Bajqinovci, tha se nuk ka ndonjë parti politike opozitare që ka “kërkesë të bashkëpunojmë më shumë a më pak”.

    “Iu kemi dërguar ftesa, por po shihni se shpesh ka deklarata se “vetëm zgjedhje dhe nuk ka tjetër”. Pra, nuk ka reflektim nga opozita”.

    Bajqinovci gjithashtu e cilësoi si “absurde të shkohet në zgjedhje kur dihet se sapo kemi dalë me një rezultat prej 51.1% për Lëvizjen Vetëvendosje”.

    I pyetur se me dy anëtarët partiakë të propozuar për pozitën e Presidentit, Vetëvendosje po synon të dështojë këtë proces, Bajqinovci sërish akuzoi opozitën.

    “Ata nuk i kanë dërguar emrat. Faji dhe turpi është te opozita. Kërkimi i emrave është bërë publik disa herë”.

    Megjithatë, ai tha se është i bindur se do të ketë zgjidhje sepse në të kundërtën opozita “e di” fatin e saj.

    “Shumë i bindur jam që do të ketë zgjidhje për çështjen e Presidentit. Në bazë të asaj që po e shoh. Unë besoj se do të ketë reflektim, sepse nëse opozita na çon në zgjedhje dihet se cili do të jetë fati i tyre”.

  • Ish-kryetari i Nju Jorkut pasi mori pasaportën shqiptare, regjistrohet edhe si banor i Tiranës

    Ish-kryetari i Nju Jorkut pasi mori pasaportën shqiptare, regjistrohet edhe si banor i Tiranës

    Ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams është zyrtarisht banor i Njësisë Administrative Nr. 2 në Tiranë.

    Pak ditë më parë Adams mori nënshtetësinë shqiptare.

    Sipas njoftimit të bërë publik, Adams ka kryer procedurat e regjistrimit si rezident në kryeqytet dhe, sipas fotove të publikuara, ka aplikuar gjithashtu edhe për pajisjen me pasaportë shqiptare.

    Kreu i Njësisë Nr. 2, Florian Pullazi,i cili ka ndarë foto në rrjetin e tij social Facebook, e ka cilësuar Adams si “banorin më të ri të njësisë”, duke e pritur atë në ambientet e institucionit lokal.

    “Eric Adams, banori më i ri i njësisë nr. 2 në Tiranë!

    Me kënaqësi mikprita sot në ambientet e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ish-kryetarin e bashkisë së Nju-Jorkut dhe ish-senatorin e njohur, Eric Adams.

    Eric Adams është një mik i madh i shqiptarëve – sot, shqiptar me pasaportë – përveçse një politikan i njohur për fokusin tek çështjet e sigurisë publike, si ish-kapiten i Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut.

    Siç e thotë edhe vetë ai, marrja e shtetësisë shqiptare është edhe reflektim i lidhjes së gjatë dhe të thellë mes qytetit të Nju-Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA.

    Kënaqësi që, nga sot, e kemi banor të njësisë nr. 2 në kryeqytet”, shkruan ai.

  • Sulmi me 16 të plagosur në Turqi, identifikohet autori – zbulohet mesazhi ku kishte paralajmëruar aktin

    Sulmi me 16 të plagosur në Turqi, identifikohet autori – zbulohet mesazhi ku kishte paralajmëruar aktin

    Detaje të reja janë zbardhur lidhur me sulmin e armatosur të regjistruar paraditen e kësaj të marte në Turqi. Autori i sulmit është identifikuar si Omer Ket. Sipas raportimeve ai ishte një ish-nxënës i shkollës ku u krye sulmi teksa la pas 16 të plagosur.

    Këtë mësohet se kishte postuar një mesazh në llogarinë e tij në Instagram para sulmit, ku shkruhej: “Përgatituni, do të ketë një sulm në këtë shkollë brenda pak ditësh, përgatituni”.

    Pas aktit të rëndë, autori i ka dhënë fund jetës. Ngjarja ndodhi në një shkollë të mesme në Siverek, Sanlıurfa. Nxënës dhe mësues u plagosën në sulm, dhe një numër i madh personeli mjekësor dhe policor i operacioneve speciale u dërguan në zonë.

    Një dëshmitar deklaroi se sulmuesi, i përshkruar si 18-19 vjeç, fillimisht hapi zjarr në oborrin e shkollës përpara se të hynte në shkollë dhe të vazhdonte të qëllonte.

    “Ai ishte 17 ose 18 vjeç. Sapo hyri nga dera e përparme, nxori armën e tij me tytë të gjatë. Filloi të qëllonte majtas e djathtas dhe drejt shkollës. Pastaj hyri brenda në shkollë dhe filloi të qëllonte. I dëgjova nxënësit duke bërtitur ndërsa ai qëllonte mbi këdo që haste. Pastaj mbërriti policia”, tha ai.

    Një deklaratë nga Ministria e Brendshme tha se mes të plagosurve janë 10 nxënës, 4 mësues, 1 oficer policie dhe 1 punonjës mense.

  • Shakira: Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë e tjera

    Shakira: Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë e tjera

    Këngëtarja kolumbiane, Shakira, ka folur gjerësisht për mesazhet që po promovon në turneun e saj botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”, gjatë një paraqitjeje në emisionin “Al Cielo Con Ella”.

    Në këtë turne ajo prezanton një koncept simbolik që lidhet me forcën, vetë-dashurinë dhe solidaritetin mes grave.

    Gjatë intervistës, Shakira u ndal veçanërisht te mesazhi i bashkëpunimit dhe mbështetjes mes grave, duke theksuar se nuk duhet të ekzistojë rivalitet, por ndihmë dhe respekt i ndërsjellë.

    Sipas saj, gratë duhet të funksionojnë si një “tufë” që mbështet njëra-tjetrën, në vend që të konkurrojnë mes vete.

    Ajo iu referua edhe një thënieje të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila ka thënë se “ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk mbështesin gratë e tjera”.

    Shakira tha se ky parim është një nga shtyllat kryesore të filozofisë duke e lidhur atë me mesazhin e fuqizimit dhe solidaritetit femëror që ajo promovon në skenë.

    Edhe pse nuk bëri deklarata të drejtpërdrejta për jetën e saj private, ajo la të nënkuptohej një referencë e tërthortë për ndarjen nga futbollisti Gerard Pique.

    Ajo u shpreh se “ujkonjat nuk dëshirojnë pasurinë e fqinjëve të tyre”, një koment që u interpretua gjerësisht nga mediat si një mesazh i koduar për periudhën e saj personale dhe përvojat e fundit në jetën private.

  • Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Miratohet projektligji për menaxhimin e ujërave dhe banimin e përballueshëm social

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë dy projektligje të propozuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që kanë të bëjnë me menaxhimin e resurseve ujore dhe banimin social.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore dhe Projektligjin për banim të përballueshëm dhe social, të cilat synojnë të përmirësojnë politikat publike në dy fusha me rëndësi të veçantë për qytetarët.

    “Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore synon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e ujërave në vend. Përmes tij parashihen mekanizma të qartë financiarë që sigurojnë investime afatgjata në këtë sektor, me ndikim të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin publik”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, Projektligji për banim të përballueshëm dhe social synon të adresojë nevojat e qytetarëve për strehim të dinjitetshëm.

    Ai krijon bazën ligjore për zhvillimin e politikave që mbështesin familjet në nevojë dhe kategoritë e cenueshme, duke rritur qasjen në banim të përballueshëm në nivel vendi.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se këto projektligje pritet të kalojnë edhe fazat e tjera të shqyrtimit në Kuvend para hyrjes në fuqi.