ATV

Author: K.B.

  • Shefi i NATO-s thotë se Ukraina do të marrë 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake këtë vit

    Shefi i NATO-s thotë se Ukraina do të marrë 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake këtë vit

    Partnerët ndërkombëtarë të Kievit duhet të rrisin kontributet e tyre për ndihmë në siguri në mënyrë që Ukraina të marrë 60 miliardë dollarë ndihmë ushtarake këtë vit, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, më 15 prill.

    Ai i bëri këto komente përpara takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Berlin.

    “Po e shohim Ukrainën të mbajë vijën e frontit dhe t’u shkaktojë humbje të mëdha rusëve”, tha Rutte, duke shtuar se humbjet mujore të Rusisë i tejkalojnë shumë ato të pësuara gjatë luftës 10-vjeçare të Bashkimit Sovjetik në Afganistan.

    Rutte pranoi se partnerët e Kievit përballen me sfida të shumta, por tha se ata duhet të “sigurojnë aftësinë e tyre për të ofruar mbështetje të pandërprerë për Ukrainën”.

    Ai vuri në dukje se Ukraina nuk është vetëm marrëse ndihme, por gjithashtu “kontribuon në siguri dhe është e gatshme të ndihmojë partnerët që përballen me kërcënime të ngjashme diku tjetër”, duke përmendur mbështetjen për vendet në Gjirin Persik.

    “Të gjithë aleatët duhet të investojnë më shumë për të arritur objektivin prej 60 miliardë dollarësh ndihmë për sigurinë dhe mbrojtjen për Ukrainën këtë vit”, tha ai.

    “Çdo fond që vjen nga kredia e BE-së [90 miliardë euro] për të mbështetur Ukrainën duhet të jetë përveç angazhimeve dypalëshe të aleatëve”.

    Lidhur me prioritetet e mbrojtjes, Rutte theksoi nevojën për sisteme të mbrojtjes ajrore, dronë dhe municione me rreze të gjatë veprimi.

    Ai tha se iniciativa PURL (Lista e Kërkesave të Prioriteteve të Ukrainës) mbetet thelbësore për ofrimin e aftësive kyçe të mbrojtjes ajrore dhe pajisjeve të tjera kritike, dhe se nuk ka pasur ndryshime në dorëzimet e PURL.

    Duke parë përpara samitit të NATO-s në Ankara, Rutte kërkoi një qasje më të parashikueshme për të mbështetur përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës dhe tha se shpresonte të dëgjonte më shumë premtime nga anëtarët e Grupit të Kontaktit gjatë takimit.

  • Nis procesi për legalizimin e objekteve pa leje në Fushë Kosovë, Prebreza fton bizneset dhe qytetarët të aplikojnë

    Nis procesi për legalizimin e objekteve pa leje në Fushë Kosovë, Prebreza fton bizneset dhe qytetarët të aplikojnë

    Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar për nisjen e një procesi për legalizimin e objekteve të kategorisë II, të ndërtuara deri në vitin 2018, duke e cilësuar këtë si hap drejt vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë në komunë.

    Sipas tij, tashmë është krijuar komisioni për shqyrtimin e aplikimeve për ndërtimet pa leje, me synim garantimin e një procesi të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

    “Si Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës, jam i përkushtuar që të vendosim rend, ligjshmëri dhe siguri për çdo qytetar dhe biznes në komunën tonë”, ka deklaruar Prebreza.

    Ai ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët dhe bizneset të aplikojnë për legalizimin e objekteve të tyre, duke theksuar përfitimet që sjell ky proces.

    “Ftoj të gjithë qytetarët dhe bizneset që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi, duke pajisur objektet e tyre me certifikata të përdorimit”, është shprehur ai.

    Sipas Prebrezës, ky proces do të ndikojë në rritjen e sigurisë juridike dhe vlerës së pronave, si dhe do të hapë mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

    “Ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, rritjes së vlerës së pronës dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik”, ka theksuar ai.

    Në fund, kryetari i komunës ka nënvizuar se ky veprim është pjesë e zotimeve të tij ndaj qytetarëve.

    “Ky proces është një nga zotimet e mia të dhëna para qytetarëve dhe sot po e konkretizojmë me veprime të qarta”, ka përfunduar Prebreza.

  • Superkompjuteri nxjerr favoritët e Ligës së Kampionëve – befason me përqindjet

    Superkompjuteri nxjerr favoritët e Ligës së Kampionëve – befason me përqindjet

    Superkompjuteri i Opta ka publikuar përllogaritjet më të fundit për fituesin e Ligës së Kampionëve këtë edicion dhe lista ka shumë vend për debat.

    Liga e Kampionëve ka hyrë tashmë në fazën më të nxehtë me vetëm katër ekipe të mbetura ku fillimisht synojnë arritjen e finales e pastaj edhe triumfin në garën më prestigjioze evropiane për klube.

    Por, kush është favorit për të ngritur në fund trofeun dhe sa janë përqindjen këtë e ka treguar superkompjuteri i kompanisë së njohur Opta, nga 10,000 simulime të bëra.

    Në krye të listës qëndron Arsenali, me rreth 36.7% shanse për të ngritur trofeun këtë sezon. Një dominim statistikor që reflekton formën e qëndrueshme dhe rrugëtimin bindës të londinezëve deri në këtë fazë.

    Menjëherë pas tyre renditet Bayern Munich, me rreth 34.6% mundësi për triumf. Gjermanët mbeten një nga skuadrat më konstante në Evropë dhe diferenca minimale me Arsenalin tregon se gara për trofeun është plotësisht e hapur.

    Në vendin e tretë është Paris Saint-Germain, me afro 19.3% shanse. Francezët kanë rritur ndjeshëm besimin me paraqitjet e fundit dhe mbeten një kërcënim serioz për çdo kundërshtar në fazat vendimtare.

    Në fund vjen Atletico Madrid, me rreth 9.3% mundësi për të fituar trofeun. Edhe pse me probabilitet më të ulët, skuadra spanjolle njihet për forcën taktike dhe aftësinë për të befasuar në ndeshjet direkte.

    Sipas Opta-s, diferencat mes katër skuadrave janë të qarta në shifra, por në fushë gjithçka mbetet e hapur. Tani mbetet të shihet nëse statistikat do të konfirmohen apo Liga e Kampionëve do të sjellë një tjetër surprizë të madhe.

  • Vdiq në vendin e punës, Komuna e Shtimes telegram ngushëllimi për familjen e Isuf Bislimit

    Vdiq në vendin e punës, Komuna e Shtimes telegram ngushëllimi për familjen e Isuf Bislimit

    Komuna e Shtimes ka i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Bislimi pas vdekjes së Isuf Bislimit, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës.

    Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, në emër të institucioneve komunale, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Bislimi për humbjen e më të dashurit të tyre.

    Në telegram thuhet se lajmi për ndarjen nga jeta e Isuf Bislimit është pritur me pikëllim të thellë, ndërsa ai përshkruhet si një njeri i ndershëm, i urtë dhe punëtor, i cili ka lënë gjurmë të mira tek të gjithë ata që e kanë njohur.

    Sipas komunës, i ndjeri shquhej për qetësinë, maturinë dhe respektin ndaj të tjerëve, duke qenë shembull i një qytetari të denjë me vlera të larta njerëzore.

    “Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjen dhe u qëndrojmë pranë me mendje e zemër”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit, ku njëkohësisht u shprehen ngushëllime familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur të ndjerin.

  • IKD thirrje Kuvendit: Mos i shmangni procedurat për Projektligjin për Byronë

    IKD thirrje Kuvendit: Mos i shmangni procedurat për Projektligjin për Byronë

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të mos shmang procedurat lidhur me shqyrtimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Sipas IKD-së në mes të dy leximeve parlamentare, duhet të mundësohet evitimi i çdo parregullsie eventuale të Projektligjit për Byronë, ashtu që i njëjti ta tejkaloj një test eventual në Gjykatën Kushtetuese.

    Fillimisht, në raport me këtë Projektligj, IKD kohë më parë ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, në kundërshtim me Rregulloren e saj, ka shmangur procesin e konsultimeve publike. Kjo duke miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë, pa zhvilluar asnjë proces të konsultimeve publike.

    IKD pas shqyrtimit të Projektligjit për Byronë, i cili pritet të shqyrtohet këtë të premte në Kuvend, ka gjetur se në parim, janë adresuar pjesa më e madhe e rekomandimeve të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ka ende disa çështje të mbetura, të cilat lehtësisht mund të adresohen në mes të dy (2) leximeve, ashtu që mos të mbeten hapësira të cilat rrezikojnë kushtetutshmërinë e Projektligjit për Byronë.

    Pika e parë e cila duhet të diskutohet është shumica e nevojshme për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Byrosë. Përkundër kufizimit të nenit 80.1. të Kushtetutës, se në parim, të gjitha vendimet merren me shumicë të thjeshtë të votave, ka praktika kur Komisioni i Venecias ka potencuar mundësinë që në raste të caktuara të përcaktohet një shumicë më e lartë e votimit. Ky komision në një opinion ndaj Bullgarisë (ku edhe atje rregullohet kjo çështje me Kushtetutë njësoj si në Kosovë), ka theksuar se “një gjykatë kushtetuese nacionale zakonisht ndërhyn kur ka mungesë të një garancioni, e jo kur ligji i zakonshëm parashikon një garancion më të rreptë, si në rastin konkret, i cili do të përforconte pavarësinë dhe karakterin përfaqësues të [autoritetit kompetent për fillimin e konfiskimit civil].” Prandaj, në rasitn konkret, Komisioni i Venecias rekomandonte “rikthimin e përcaktimit ligjor të shumicës së kualifikuar në nenin 4 [të Ligjit][1]. Mbi bazën e kësaj, në mes të dy (2) leximeve, duhet të shqyrtohet mundësia që të përcaktohet me Ligj se zgjedhja e Drejtorit dhe anëtarëve Komisionit të bëhet me shumicën e votave të të gjitha deputetëve.

    Një çështje tjetër që duhet adresuar është mungesa e një Divizioni të specializuar në Gjykatën e Apelit për trajtimin e këtyre rasteve, përderisa një i tillë përcaktohet të themelohet në shkallë të parë.

    Po ashtu, një çështje që duhet të adresohet është edhe kompensimi i palëve në procedurë. Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, duke iu referuar Opinionit të parë të Komisionit të Venecias, ka rikujtuar se ligji duhet të garantojë kompensimin e dëmeve të pësuara nga pala në rastet kur procedura e konfiskimit përfundimisht rezulton e pasuksesshme. Megjithëse Projektligji për Byronë e trajton këtë çështje në nenin 64, ai e bën këtë vetëm në mënyrë të përgjithshme, duke referuar zbatimin e legjislacionit për marrëdhëniet e detyrimeve, pa saktësuar qartë përgjegjësinë për dëmin apo llojet e dëmit që kompensohen. Prandaj, në mes të dy leximeve, duhet të shqyrtohet mundësia që kjo dispozitë të qartësohet më tej, ashtu që e drejta në kompensim të mos mbetet vetëm deklarative, por të jetë e rregulluar në mënyrë të qartë dhe efektive në vetë Projektligjin për Byronë.

    Po ashtu, një çështje që duhet të qartësohet më tej është edhe barra e provës në procedurën gjyqësore. Ndonëse Projektligji për Byronë parasheh që Byroja, para se të paraqesë propozimin për konfiskim, duhet të arrijë standardin civil të vlerësimit të gjasave dhe në Gjykatë t’i paraqesë provat në mbështetje të propozimit të saj, formulimi aktual lë hapësirë që barra e provës të kuptohet sikur kalon pothuajse automatikisht tek pala sapo propozimi, formalisht i kompletuar, dorëzohet në Gjykatë. Standardi duhet të jetë që para se barra e provës të kalojë tek pala, Byroja të dëshmojë të paktën prima facie ekzistencën e pasurisë së pajustifikuar. Për këtë arsye, në mes të dy leximeve, duhet të shqyrtohet mundësia që Projektligji për Byronë ta saktësojë qartë se barra e provës tek pala nuk kalon automatikisht vetëm me paraqitjen e propozimit dhe kompletimin formal të tij, por vetëm pasi Gjykata të konstatojë se Byroja e ka përmbushur barrën fillestare për ta arsyetuar bazueshmërinë e kërkesës së saj. Kjo do të forconte sigurinë juridike dhe do ta bënte më të qartë balancën ndërmjet efektivitetit të procedurës dhe mbrojtjes së të drejtave të palëve.

    E drejta e Drejtorit të Përgjithshëm, dhe jo Komisionit, për miratimin e Kodit të Mirësjelljes për Zyrtarët e Byrosë është po ashtu një çështje që duhet shqyrtuar me kujdes në mes të dy leximeve.

    Po ashtu, një çështje që duhet të qartësohet më tej është edhe përkufizimi i blerësit me mirëbesim. Formulimi aktual i Projektligjit për Byronë e lidh këtë status kryesisht me çmimin e paguar dhe me faktin nëse blerësi e ka ditur ose është dashur të dijë se pasuria është e pajustifikueshme. Megjithatë, ky formulim mbetet jo mjaftueshëm i qartë. Prandaj, në mes të dy leximeve, duhet të shqyrtohet mundësia që kjo dispozitë të riformulohet më qartë, ashtu që të mos mbetet hapësirë për interpretime të gjera apo të paqëndrueshme dhe që mbrojtja e palëve të treta me mirëbesim të jetë e rregulluar në mënyrë më të saktë dhe më të zbatueshme në praktikë.

    Nisur nga fakti se ky Projektligj është rrëzuar dy (2) herë në Gjykatën Kushtetuese, njëherë për meritat e tij dhe njëherë për procedurën e ndjekur, se po shqyrtohet për herë të tretë në Kuvend, si dhe se kemi të bëjmë me një Ligj me potencial të lartë për cenimin e të drejtave të njeriut, Kuvendi në asnjë rrethanë nuk duhet ta kalojë këtë Projektligj me procedurë të përshpejtuar. Të gjitha dilemat e ngritura duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, në mes të dy (2) leximeve në Kuvend.

  • Nafta sot më lirë se dje për 1 cent

    Nafta sot më lirë se dje për 1 cent

    1 cent më lirë se ditën e djeshme do të shitet një litër naftë në Kosovë.

    1.76 ishte çmimi të mërkurën, kurse sot do të jetë 1.75 euro.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, benzina do të shitet për 1.43 euro, derisa çmimi i gazit do të jetë 0.88 cent për litër.

    Çmimet do të hyjnë në fuqi nga ora 10:00

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Dragodan

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Dragodan

    Një burrë është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në Dragodan (Arbëri) të Prishtinës.

    Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Klankosova.tv, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    “Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, tha Pllana.

  • Ministria e Punës njofton fillimin e inspektimeve për siguri dhe shëndet në punë

    Ministria e Punës njofton fillimin e inspektimeve për siguri dhe shëndet në punë

    Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare ka njoftuar se në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës do të fillojë aksionin e jashtëzakonshëm të inspektimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Ky aksion ndërmerret në zbatim të vendimit të Ministrit, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me fokus të veçantë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, si ndërtimtaria dhe aktivitetet e ngjashme”, thuhet në njoftim.

  • Të shtëna me armë në orët e mëngjesit në Prishtinë, dy të plagosur

    Të shtëna me armë në orët e mëngjesit në Prishtinë, dy të plagosur

    Në orët e para të mëngjesit ka pasur të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, saktësisht në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Dragodan.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për pasojë dy persona janë plagosur.

    Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

    “ Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informatat fillestare, dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor

    Aktualisht hetuesit policor në koordinim me Prokurorin e Shtetit po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.

  • Rama sot drejt Italisë, takohet me Melonin

    Rama sot drejt Italisë, takohet me Melonin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vizitojë sot Italinë.

    Kreu i qeverisë shqiptare mësohet se do të zhvillojë një takim me homologen e tij italiane, Georgia Meloni.

    Takimi do të nisë në orën 15:00 në Palazzo Chigi.

    “Ditën e enjte, më datë 16 prill, kryeministrja Meloni do të zhvillopjë një takim me kreun e qeverisë së Shqipërisë Edi Rama në Palazzo Chigi”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Romës.

    Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane. Dy liderët vazhdojnë që të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, në interes të të dyja vendeve, raporton Tv Klan.