ATV

Author: K.B.

  • Përleshje mes dy vëllezërve në Podujevë, njëri dërgohet në mbajtje

    Përleshje mes dy vëllezërve në Podujevë, njëri dërgohet në mbajtje

    Dje në Podujevë, rreth orës 05:00, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shtetas të Kosovës, të cilët janë vëllezër.

    Sipas autoriteteve, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, të dy janë përfshirë në një përleshje fizike

    Të dyshuarit kanë marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

    Raporti i plotë:

    Podujevë 16.04.2026-05:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë-vëllezër, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt.

  • Gjenden eshtra në Negroc të Drenasit, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Gjenden eshtra në Negroc të Drenasit, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit, gjatë një aksioni gërmimi dhe eksumimi janë hasur mbetje mortore që dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998/1999.

    Sipas raportit policor, me 16.04.2026, njësitë përkatëse kanë realizuar veprimin hetimor në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në këtë fshat.

    Gjatë gërmimeve janë gjetur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi

    Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore dhe identifikim.

    Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Trump reagon pas njoftimit për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

    Trump reagon pas njoftimit për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit

    Në një postim të shkurtër në Truth Social, presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur atë që ai e quan “një ditë historike për Libanin” pasi armëpushimi 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi.

    Kjo vjen pasi presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu arritën marrëveshjen pas diskutimeve me Trumpin, deklaroi presidenti amerikan.

    Megjithatë, vetëm pak orë pas ndërprerjes së dukshme të armiqësive, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për “shkelje” të armëpushimit.

    Sipas Trumpit, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio tani do të punojnë me të dy vendet “për të arritur një PAQE të qëndrueshme”.

    Ndërkohë, SHBA ka bërë të ditur gjashtë pika të armëpushimit Izrael-Liban.

    Luftimi do të ndërpritet në orën 17:00 EST (ora 23:00 sipas kohës në Kosovë) për 10 ditë si një “gjest vullneti të mirë” nga Izraeli;

    Kjo periudhë mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë nëse bëhet përparim në negociata dhe nëse Libani “demonstron në mënyrë efektive aftësinë e tij për të pohuar sovranitetin e tij” – një referencë e dukshme për përballjen me Hezbollahun;

    Izraeli ka të drejtë të “marrë të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje në çdo kohë”, por “përveç kësaj”, nuk do të kryejë sulme;

    Gjatë armëpushimit, me mbështetje ndërkombëtare, Libani do të ndërmarrë “hapa kuptimplotë” për të ndaluar Hezbollahun dhe “grupet e tjera të armatosura jo-shtetërore” nga kryerja e sulmeve ndaj Izraelit;

    Të gjitha palët i njohin forcat e sigurisë së Libanit si përgjegjëse ekskluzive për sovranitetin dhe mbrojtjen kombëtare të Libanit – jo ndonjë grup tjetër;

    Izraeli dhe Libani kërkojnë që SHBA-të të lehtësojnë negociatat e mëtejshme të drejtpërdrejta midis dy vendeve.

    Siç theksohet në fund, teksti u miratua nga qeveritë e të dy palëve, tha departamenti.

  • Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore  në nder të Eliot Engel

    Haradinaj dorëzon kërkesë në Kuvend për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të Eliot Engel

    Kreu i AAK-së. Ramush Haradinaj, tha se sot ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, të cilin Haradinaj e quajti mik të madh të shqiptarëve.

    “Përmes kësaj iniciative, si Kuvend do të shprehim mirënjohjen tonë institucionale për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Eliot Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet më vendimtare të historisë sonë, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në përkrahje të kauzës sonë të drejtë”.

    Propozimi përfshin mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, si dhe krijimin e një çmimi vjetor “Eliot Engel” dhe një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit, tha Haradinaj.

    “Besoj fuqishëm se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar aleancën tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

  • Dështon mbledhja e Komisionit për anëtar të KPM-së

    Dështon mbledhja e Komisionit për anëtar të KPM-së

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të KPM-së si pasojë e mungesës së kourumit, raporton Ekonomia Online.

    Anëtaret e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës dolën nga mbledhja ende pa nisur ajo, pasi mungonin anëtarët nga partitë tjera.

    Në këtë mbledhje ishte e paraparë shqyrtimi i listës së kandidatëve.

    Kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Bajrami tha se do të tentojnë që gjatë ditës të mbajnë mbledhjen.

    “Në rëndësinë e procesit, po e shtymë që me mundësi me u mbledhë gjatë ditës. Për fat të keq, mbrëmë kemi mbetur deri vonë në trajtimin e konkursit të bordit të RTK-së, edhe kjo ka ndikuar paksa te anëtarët që me mundë me mbërri në kohë. Një lloj mirëkuptimi ndoshta me mund me gjetë. Ju njoftojmë monitoruesve dhe mediave për afatin e ri gjatë ditës”, tha Gashi.

  • Haxhiu nga Çikatova e Vjetër: U vranë 24 civil të paarmatosur, trupat e tyre u dërguan në Rashkë për t’u fshehur krimi

    Haxhiu nga Çikatova e Vjetër: U vranë 24 civil të paarmatosur, trupat e tyre u dërguan në Rashkë për t’u fshehur krimi

    U.D.Presidentja e Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Çikatovë të Vjetër.

    Ajo, tha se në këtë vend u vranë 24 civil të paarmatosur me bomba dore.

    “Trupat e tyre përveç se u sulmuan me bomba dore dhe armë automatike u dogjën, u dogjën disa herë me qëllim që të fshehin krimin. U vranë 24 civil të paarmatosur dhe pasi u vranë trupat e tyre u dërguan në Rashkë të Serbisë për tu fshehur krimi….Si institucione jemi angazhuar që të shtojmë edhe kapacitete edhe në Polici edhe në Prokurori Speciale kemi miratuar institutin e krimeve të luftës që të dokumentohen të gjitha krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë. Jemi pranë familjeve në këto kohë të vështira…. Dhimbja mbetet e madhe edhe pas 27viteve”, ka thënë ajo.

  • Pacolli: Jemi të gatshëm për kompromise për presidentin, opozita po dëshiron zgjedhje

    Pacolli: Jemi të gatshëm për kompromise për presidentin, opozita po dëshiron zgjedhje

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se dëshirojnë vazhdimin e qeverisjes dhe se po bëjnë maksimumin për të arritur një marrëveshje për presidentit.

    Pacolli ka thënë se janë të gatshëm për të bërë kompromise dhe këtu ka përmendur edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë, Glauk Konjufca, i cili tha se do të tërhiqej nga kandidatura për president, nëse arrihet marrëveshje për një kandidat konsensual.

    “Si LVV nuk jemi të interesuar për shkuarjen ne zgjedhje, po provojmë po tentojmë, po bëjmë maksimumin tonë për gjetur një zgjidhje. Në interesin tonë është që të vazhdojmë qeverisjen. Jemi të gatshëm të bëjmë kompromise, gjithmonë kemi bërë për hir të ecjes përpara, kështu që edhe tani mund t’i bëjmë këto kompromise”, ka thënë ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

    Por, ajo ka akuzuar paritë opozitare që sipas saj nuk duan marrëveshje dhe janë të interesuar në zgjedhje.

    Pacolli ka vlerësuar se opozita pret që të rritë ketë rritje elektorale në zgjedhje, por sipas saj e kanë gabim.

    “Partitë opozitare nuk kanë vullnet për me zgjidh ketë problem, sepse ata po mendojnë që nëse shkojmë në zgjedhje do të sigurojnë përqindje më të lartë, por që e kanë gabim, kështu menduan edhe para disa muajve. Ne parashikojmë që nëse shkojmë në zgjedhje do të kemi rritje. Ne u themi partive opozitare që të ulemi dhe të bashkëpunojmë dhe të vazhdojmë të qeverisim, sepse prapë se prapë do të jemi në një situatë të njëjtë dhe nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare”, ka thënë Pacolli.

    Kryeministri Kurti ka thënë se është në kontakt me partitë opozitare.

    Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është dita e fundit për votimin e presidentit në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

  • Nisin punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Nisin punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në magjistralen Gjilan-Prishtinë

    Kanë nisur punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në kryqëzimin e rrugës transit në dalje të Gjilanit për Prishtinë, e cila qytetarëve u ka krijuar vështirësi në lëvizjen e lirë të mjeteve.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kryqëzimi në magjistralen Gjilan-Prishtinë nuk do të jetë më pikë bllokimi.

    “Pas përfundimit të procedurave administrative dhe lidhjes së kontratës, kemi nisur me intervenimet e para në terren”, tha kryetari i Gjilanit.

    Hyseni tha se rrethrrotullimi i ri do të zgjidhë problemin e kolonave të përditshme, duke lehtësuar qarkullimin për të gjithë udhëtarët.

    Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, tha se ky kryqëzim ka shkaktuar kolona të gjata të mjeteve dhe tashmë po i vjen fundit dhe do të zgjidhet problemi.

    “Problemet janë evituar, kontrata është nënshkruar dhe kemi nisur punimet dhe së shpejti do të kemi rreth rrotullimin”, tha Ibrahimi.

  • Çfarë nuk duhet të vishni në dasmë: Këshillat e ekspertëve për të shmangur gafat e veshjes

    Çfarë nuk duhet të vishni në dasmë: Këshillat e ekspertëve për të shmangur gafat e veshjes

    Zgjedhja e veshjes për dasmë shpesh krijon konfuzion. Nga “black tie” deri te “smart casual”, kodet e veshjes nuk janë gjithmonë të qarta dhe gabimet janë të zakonshme.

    Sipas Tracy Mudd, eksperte në The Wedding Travel Company, një nga gabimet më të shpeshta është interpretimi fjalë për fjalë i kodit të veshjes pa marrë parasysh vendndodhjen e dasmës — një problem që ndodh veçanërisht te të ftuarit më të rritur.

    “Ata mbi 50 vjeç zakonisht fokusohen te veshjet elegante dhe të rehatshme që i përshtaten ambientit. Materialet që marrin frymë, prerja e mirë dhe këpucët praktike bëjnë diferencën, sidomos në dasmat jashtë vendit,” shpjegon ajo.

    Sipas saj, kodet e veshjes janë vetëm udhëzim, ndërsa komoditeti është po aq i rëndësishëm për të shijuar ditën.

    Në stinët e ngrohta, materialet e rënda dhe prerjet e ngurta mund të bëhen shpejt të papërshtatshme, veçanërisht në klimë të lagësht. Edhe këpucët mund të krijojnë problem, sidomos në ambiente të jashtme ose rrugë me kalldrëm.

    Një rregull i thjeshtë mbetet i pandryshuar: ngjyrat e çelura janë të pranueshme, por e bardha duhet shmangur, përveç rasteve kur çifti e lejon shprehimisht.

    “Duhet shmangur çdo gjë që mund të ngatërrohet me fustanin e nuses ose me veshjet e çiftit,” thekson ekspertja.

    Më poshtë janë shpjeguar kodet më të zakonshme të veshjes dhe si duhen interpretuar.

    Black tie (formal shumë i lartë)

    Ky është kodi më formal i veshjes, që kërkon fustane të gjata deri në fund dhe kostume elegante. Ngjyrat e forta, detajet luksoze dhe pamja “red carpet” janë të mirëpritura.

    Megjithatë, duhet shmangur çdo gjë tepër e hapur ose e rëndë.

    “Shpesh gabimi ndodh kur zgjidhen veshje të rënda, sidomos në dasma jashtë vendit. Materialet e lehta dhe të ajrosshme funksionojnë më mirë pa humbur formalitetin,” thotë Mudd.

    Formal

    Këtu zakonisht përfshihen fustane të gjata ose midi, ose kostume të rregullta.

    Sfida është të ruhet eleganca pa humbur rehatinë, sidomos në ditë të gjata ose mot të nxehtë.

    Kjo kategori lejon eksperimentim me forma: dekolte të theksuara dhe shpinë të hapur mund të jenë të përshtatshme në restorante ose hotele luksoze, ndërsa ambiente fetare kërkojnë stil më modest.

    Cocktail

    Pak më i lirshëm se formal, por ende i rregullt dhe festiv.

    Gabimi më i madh është të vishet shumë thjesht.

    Fustanet më të shkurtra, materialet e lehta dhe detajet dekorative janë të pranueshme. Nëse dukeni gati për një mbrëmje elegante, jeni në drejtimin e duhur.

    Semi-formal

    Shpesh përdoret për ceremoni civile ose vetëm pritje pas dasmës.

    Ky kod mund të krijojë konfuzion sepse është më fleksibël.

    Duhet shmangur veshjet e përditshme si lino shumë e thjeshtë apo kombinime jo formale. Zgjedhjet më të mira janë fustane të thjeshta ose komplete moderne, por ende të menduara për event.

    Smart casual

    Një nga kodet më të keqkuptuara.

    Shumë njerëz e interpretojnë si “shumë të thjeshtë”, por kjo është gabim.

    Xhinset dhe veshjet sportive nuk janë të përshtatshme. Më mirë janë fustane verore të rregullta ose kombinime të thjeshta por elegante, të shoqëruara me këpucë të rregullta — jo atlete.

  • Këta janë emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së që shkojnë për votim në Kuvend

    Këta janë emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së që shkojnë për votim në Kuvend

    Pasi Komisioni Ad-hoc ka intervistuar gjithsej 61 kandidatë për anëtarë në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), nga ky proces do të përzgjidhen 6 anëtarë shqiptarë, 1 nga komuniteti serb dhe 1 nga komunitetet tjera joshumicë.

    Për votim në seancë plenare do të paraqiten 12 kandidatë shqiptarë me më së shumti pikë nga radhët e kandidatëve shqiptarë, 2 nga komuniteti serb dhe 2 nga komunitetet tjera joshumicë.

    Votimi nuk do të mbahet në seancën e sotme të Kuvendit, por në një seancë tjetër.

    Anëtarët që morën pjesë në këtë proces nga ky komision janë: Arbërie Nagavci – kryetare; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Fitim Haziri; Nezir Kraki; Alban Bajrami; Ganimete Musliu; Armend Zemaj – zëvendëskryetar i parë; Slavko Simiq dhe Emilija Rexhepi – zëvendëskryetare e dytë.

    Kandidatët shqiptarë që do të paraqiten për votim në seancë plenare janë: Arbërore Riza, Gëzim Brahaj, Valmire Thaqi, Fatos Mustafa, Lulzim Beqiri, Flokart Aliu, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj, Xheraldina Çernobregu, Anita Toçi, Avni Zuka, Njomza Beqiri Novosella.

    Ndërsa kandidatët nga radhët e komunitetit serb: Vidosav Kostovic dhe Ivana Milic. Kurse, nga komunitetet tjera joshumicë: Anesa Colakovic dhe Aldin Sabani.

    Ndryshe, në këtë proces Komisioni Ad-hoc ka zhvilluar 53 intervista me kandidatë shqiptarë: Arbërore Riza; Armend Kubati; Rasim Çubolli; Hazir Reka; Gëzim Brahaj; Valmire Thaqi; Ali Misimi; Mimoza Vila; Dafina Boja; Enver Gashi; Gasper Konami; Fatos Mustafa; Rahmi Limani; Fadil Lepaja; Kujtim Nushi; Visar Berisha; Lutfi Bilalli; Fatbardha Osmani Jashari; Shukrije Rama; Bardhyl Plakolli; Bajram Koqinaj; Lulzim Beqiri; Vlera Kastrati; Florije Manaj Zogaj; Besart Hyseni; Besa Maxhuni; Jehona Murati Dugolli; Avni Dalipi; Flokart Aliu; Dhurata Prokshi; Fatmir Podrimaj; Adriana Sedaj; Genc Berisha; Majlindë Leci; Gëzime Pacolli Pllana; Ilirjan Himaj; Isuf Berisha; Erza Shala; Halit Veliu; Sadik Ahmetaj; Vegim Kraja; Fatime Buzolli; Melihate Zeqiri; Afërdita Camaj Isa; Shqipe Ahmeti Berisha; Eljesa Elezi Daka; Xheraldina Çernobregu; Anita Toçi; Arta Jashari; Avni Zuka; Dardana Goranci Iliyaz; Demir Reshiti; Njomza Beqiri Novosella.

    Mirëpo, për disa prej tyre u konstatua se largohen nga gara për shkak se kanë ndalesa.

    Po ashtu, janë intervistuar 3 kandidatë nga radhët e komunitetit serb: Vidosav Kostovic, Ana Ameti Kostic dhe Ivana Milic. Kurse, 5 kandidatë nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë: Anesa Colakovic, Mediha Yarimhoro, Zylerha Ustaibo Mecihan dhe Amanda Toska. /Betimi për Drejtësi