ATV

Author: K.B.

  • Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Çfarë dihet për kartelin ballkanik të drogës, anëtarë të të cilit u arrestuan në Mal të Zi?

    Dymbëdhjetë arrestime, operacione në disa shtete, veprimtari në pesë kontinente dhe sekuestrim i 4.2 tonëve drogë. Ky është epilogu i një aksioni ndërkombëtar policor, të zhvilluar në Mal të Zi dhe në Gjermani.

    Ndër të arrestuarit në Mal të Zi është edhe S.F., për të cilin policia e këtij vendi bëri të ditur se është një nga drejtuesit e kartelit ballkanik.

    Mediat malazeze e identifikuan si Svetisllav Fillipoviq dhe ai dyshohet për prodhim, posedim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.

    Ai përballet me një dënim deri në 15 vjet burg dhe, përveç kësaj, akuzohet edhe për tregti të paligjshme të armëve dhe materialeve shpërthyese.

    Për të nuk ka shumë informacione, ndërsa gjatë publikimit të të dhënave për aksionin, policia evropiane, Europol, tha se në Mal të Zi është arrestuar një person me rrezikshmëri të lartë.

    Ai vjen nga Podgorica dhe është 47 vjeç, ndërsa që nga viti 2002 figuron si drejtor i kompanisë “Spectacular”, sipas regjistrit publik të të dhënave të biznesit “Company wall”.

    Kjo kompani, deri më tani, ka pranuar 139 dërgesa nga 16 vende, përfshirë Ekuadorin, Ukrainën dhe Kolumbinë, tregojnë të dhënat e platformës Volza, e cila mbledh informacione për tregtinë globale.

    Sipas saj, kompania ka importuar banane, shalqinj, fruta të thata dhe arra, ndërsa ndër furnizuesit e saj figuron edhe një kompani nga Hong Kongu.

    Në vitin 2023, “Spectacular” gjeneroi të ardhura totale prej 664.206 eurosh.

    Fillipoviq është gjithashtu një nga bashkëpronarët e kompanisë “Europayment”.

    Llogaritë e të dyja kompanive janë bllokuar.

    Përveç arrestimeve në Mal të Zi, katër persona u arrestuan edhe në Gjermani, por ende nuk ka shumë informacione rreth tyre.

    Sipas policisë ndërkombëtare, Interpol, në Gjermani veprojnë disa grupe globale të krimit të organizuar, të cilat merren me një gamë të gjerë krimesh, si: trafikim i drogës, krime kundër pronës dhe kontrabandë e qenieve njerëzore.

    “Të rrënjosur fort” në rrugët e trafikimit të kokainës

    Të arrestuarit më 15 prill akuzohen për dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika e Jugut në vendet e Bashkimit Evropian, tha drejtori i Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, Llazar Shqepanoviq.

    Sipas tij, ky grup kriminal siguroi dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës dhe kanabisit, si në Mal të Zi ashtu edhe në vende të tjera, si: Gjermania, Holanda, Belgjika, Bolivia dhe Tajlanda.

    Ky operacion konfirmon se, pavarësisht goditjeve të shkaktuara nga operacionet e mëparshme, grupet ballkanike nuk janë zhdukur, por vazhdojnë aktivitetet e tyre, duke i përshtatur dhe rindërtuar zinxhirët e tyre logjistikë, thotë Sasha Gjorgjeviq nga Iniciativa Globale për Luftën kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

    “Grupet kriminale ballkanike mbeten të rrënjosura fort në rrugët tradicionale të trafikimit të kokainës, veçanërisht në linjën Amerikë Latine-Evropë, me Gjermaninë që është ende një nga tregjet kryesore”, thotë Gjorgjeviq.

    Grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë identifikuar nga organizatat ndërkombëtare, si Europol dhe Interpol, si aktorë kryesorë në kontrabandën e kokainës nga vendet e Amerikës Latine – si Brazili, Kolumbia dhe Ekuadori – drejt tregjeve kryesisht të Evropës Perëndimore.

    Por, përveç kokainës, u kontrabandua edhe kanabis – rreth 1.5 ton u gjet nga 12 sekuestrime të ndryshme.

    Kanabisi, siç tha Europol-i, u kontrabandua në Bashkimin Evropian nga dhe përmes Shqipërisë, Tajlandës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Prania e kanabisit, shpjegon Gjorgjeviq, tregon se grupet kriminale të Ballkanit nuk specializohen vetëm në kokainë.

    “Ato tashmë po veprojnë në mënyrë oportuniste dhe po hyjnë në tregje të tjera, ku ofrojnë një kanal të sigurt dhe fitime të mira”, shton ai.

    Rreth 100 oficerë policie morën pjesë në operacionin e fundit dhe, përveç institucioneve gjermane dhe malazeze, mbështetje dhanë edhe Austria, Spanja dhe Europol-i.

    Transporti me avion

    Pas arrestimeve në Mal të Zi dhe në Gjermani, Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë ngriti aktakuzë kundër dhjetë personave.

    Padia penale i ngarkon të dyshuarit me shitje, transportim dhe ndërmjetësim të përsëritur në shitjen e drogave narkotike – kokainë dhe kanabis – ndërsa një grup prej katër të dyshuarve akuzohet edhe për veprën penale të organizimit kriminal.

    “Një i dyshuar urdhëroi dhe organizoi transportin detar ose ajror të ngarkesave me sasi të mëdha drogash narkotike – kokainë, kanabis dhe hashash – në Podgoricë, Gjermani, Bolivi, Tajlandë, Belgjikë dhe Republikën Dominikane”, deklaroi Zyra e Prokurorit.

    Europol-i tha gjithashtu se grupi ka përdorur edhe trafikun ajror, përveç rrugëve detare.

    Gjorgjeviq thotë se kjo tregon se këto rrjete po i përshtatin vazhdimisht metodat e tyre dhe po kërkojnë kanale të reja për kontrabandë.

    “Përdorimi i trafikut ajror, duke përfshirë korrierët dhe aviacionin e përgjithshëm, shkakton shqetësim prej kohësh, por shkalla e tij ende nuk është e qartë plotësisht”, thotë Gjorgjeviq.

    Përveç metodave të reja të transportit, grupet po i ndryshojnë edhe rrugët.

    Kështu, një hulumtim i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, vitin e kaluar, tregoi se grupet e krimit të organizuar, anëtarët e të cilëve kanë origjinë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përdorin një rrugë të re për të kontrabanduar kokainë nga Amerika Latine në Evropë, përmes vendeve të Afrikës Perëndimore.

    Mali i Zi është strehë e dy klaneve kriminale, Kavaç dhe Shkalar, të cilat janë në konflikt që nga viti 2014, kur disa qindra kilogramë kokainë u zhdukën në Valencia.

    Më shumë se 70 persona janë vrarë në konfliktet e tyre deri më tani.

    Vitin e kaluar, ky vend u rendit i dhjeti në Evropë në Indeksin Global të Krimit të Organizuar.

    Përveç tij, Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina janë gjithashtu në dhjetë vendet e para.

    Indeksi Global i Krimit të Organizuar vlerëson nivelin e krimit dhe rezistencën ndaj krimit të organizuar në 193 vende të botës./REL/

  • Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Sekuestrohet mall i kontrabanduar, arrestohet një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës ka sekuestruar mall të kontrabanduar si dhe ka arrestuar një person për ‘kalim të paautorizuar të kufirit’

    Policia e Kosovës, ekipet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë-NjNSh Veri, Departamenti për Kufi, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme policore, në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, me datën 16.04.2026 rreth orës 20:05, në rrugën ilegale ndërmjet fshatrave Beluqe-Rvatska -Leposaviq kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra nga territori i Serbisë, duke ndaluar automjetin me vozitës P. S. (2002), të ngarkuar me mallra të ndryshme:

    – 38 pako me gjithsej 760 shishe me pije alkoolike/birra,

    – 2 pako pije,

    – 2 pako korneta.

    Sipas njoftimin, me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘kalim i paautorizuar i vijës kufitare’, kurse automjeti dhe malli i kontrabanduar janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë, për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës.

    Personi i dyshuar lirohet pas intervistimit dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Fjala përfundimtare: Dalin para gjykatës tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

    Ka filluar senaca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, raporton Ekonomia Online.

    Sot në këtë seancë pritet që të dëgjohen fjalët përfundimtare për këtë rast.

    Pkuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj tyre dhe ndaj Tom Dodajt.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

    Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

    Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

    Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

    Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Plava thotë se për vrasjen kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për këtë rast.

    Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Naim Murseli thotë që s’e di si iu shkaktuan Liridonës lëndimet në dorën e majtë

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

    Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

    Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Plava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

    Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit.

    Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

    Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se qeveria është duke përgatitur një paketë të re financiare për të përballuar rritjen e inflacionit dhe për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike tek qytetarët.

  • BE’ja me një aplikacion të ri për verifikimin e moshës

    BE’ja me një aplikacion të ri për verifikimin e moshës

    Një aplikacion i ri për verifikimin moshës në internet, i krijuar nga BE-ja, është teknikisht gati dhe synon të mbrojë fëmijët në internet.

    Bashkimi Evropian njoftoi se një aplikacion i ri për verifikimin e moshës është teknikisht gati. Aplikacioni është projektuar për të përmbushur rregullat e rrepta digjitale të BE-së.

    Mjeti mund të ndihmojë së shpejti përdoruesit të dëshmojnë moshën e tyre online pa ndarë të dhëna personale, njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen.

    Si funksionon?

    Pasi të hidhet në treg përdoruesit do të mund ta shkarkojnë aplikacionin dhe ta konfigurojnë atë duke përdorur një dokument identifikimi, p.sh. pasaportë ose kartë identiteti.

    Më pas ata mund ta përdorin këtë aplikacion për të konfirmuar se janë mbi një moshë të caktuar kur duan të hyjnë në faqe me përmbajtje të kufizuara, pa zbuluar identitetin e tyre.

    Sipas Komisionit sistemi është i ngjashëm me certifikatat digjitale të përdorura gjatë pandemisë COVID-19, të cilat u lejonin njerëzve të provonin statusin e tyre të vaksinimit.

    Aplikacioni pritet të mbështesë zbatimin e Ligjit për Shërbimet Digjitale, i cili synon të rregullojë më mirë platformat online. Kjo përfshin kufizimin e aksesit në përmbajtje si pornografia, lojërat e fatit dhe shërbimet që lidhen me alkoolin.

    Zyrtarët thonë se aplikacioni do të jetë “plotësisht anonim” dhe i ndërtuar mbi teknologji open-source, që do të thotë se mund të adoptohet edhe jashtë Bashkimit Evropian.

    Siguria e fëmijëve në rrjetet sociale në fokus

    Presioni për të ndërmarrë masa në nivel evropian u rritur që kur Australia vendosi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit nën moshën 16 vjeç.

    Disa vende të BE-së po shqyrtojnë tani vendosjen e kufijve minimalë të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale. Megjithatë deri tani nuk ka pasur një mjet të besueshëm verifikimi që përmbush standardet e rrepta të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.

    “Kur bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve në internet, situata është jashtëzakonisht shqetësuese,” tha Ursula von der Leyen. Ajo përmendi scrolling pa pushim, përmbajtje shumë të personalizuara dhe videot e shkurtra, të cilat sipas saj mund të krijojnë varësi dhe të jenë të dëmshme për përdoruesit e rinj.

    Edhe pse ende nuk ka një ligj detyrues në të gjithë BE-në, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për një moshë minimale prej 16 vjeç për akses në rrjetet sociale.

    Për momentin zbatimi i këtyre rregullave do të mbetet kryesisht në dorë të shteteve anëtare, por aplikacioni i ri synon të ndihmojë platformat të përputhen me rregullat e ardhshme kombëtare dhe të BE-së./DW/

  • Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Rasti tragjik në Malishevë, trupat e pajetë dërgohen në IML

    Një rast i rëndë ka ndodhur të enjten në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën pasi zjarri ka përfshirë banesën ku jetonin.

    Rasti ka ndodhur në lagjen “Mirdita” në Malishevë, të enjten në ora 12:55.

    Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    “Është raportuar se është përfshirë nga zjarri një banesë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Pas kontrollit brenda në banese janë gjetur tre persona, dy meshkuj dhe një femër (dy të mitur) të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente ku është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Digjet një shtëpi në Miradi të Epërme, i dyshuari përfundon në mbajtje

    Digjet një shtëpi në Miradi të Epërme, i dyshuari përfundon në mbajtje

    Një shtëpi është përfshirë nga flakët paraditen e së enjtes në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, duke shkaktuar dëme materiale, por pa raportime për të lënduar.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 16 prill 2026 rreth orës 10:39, kur është raportuar se një shtëpi, pronë e një burri kosovar, është kapluar nga zjarri. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një person i dyshuar, i cili sipas autoriteteve ka aftësi të kufizuara mendore.

    I dyshuari fillimisht është dërguar për trajtim dhe kontroll mjekësor në repartin e psikiatrisë. Pas vlerësimit mjekësor, me vendim të prokurorit, ai është ndaluar dhe dërguar në mbajtje.

    “Fshati Miradi e Epërme, Fushë Kosovë 16.04.2026-10:39. Raportohet se është përfshirë nga zjarri shtëpia pronë e ankuesit mashkull kosovar. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga i dyshuari mashkull kosovar me aftësi të kufizuara mendore. I dyshuari fillimisht është dërguar në psikiatri për kontroll mjekësore, e më pas me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Burri dëbon gruan nga shtëpia, arrestohet nga policia

    Burri dëbon gruan nga shtëpia, arrestohet nga policia

    Një burrë është arrestuar në Podujevë pas një rasti të dhunës në familje, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

    Sipas raportit zyrtar, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10:30, ku i dyshuari, mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshorten e tij, e ka dëbuar atë nga shtëpia.

    Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    “Podujevë 16.04.2026-10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka dëbuar nga shtëpia bashkëshorten e tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

  • Dy punëtorë lëndohen rëndë në vendin e punës në veri, një person arrestohet

    Dy punëtorë lëndohen rëndë në vendin e punës në veri, një person arrestohet

    Dy punëtorë të një kompanie private kanë pësuar lëndime trupore gjatë punës në fshatin Ceraj të Mitrovicës së Veriut.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, punëtorët janë rrëzuar nga një mjet pune dhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

    Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

    Ndërkohë, një i dyshuar mashkull kosovar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka bërë të ditur PK.

  • Osmani: Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë

    Osmani: Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar të rënët me rastin e 27 vjetorit të masakrave në Poklek, e Çikatovë.

    Sipas Osmanit kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, duhet të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës.

    Ajo thotë se dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

    Postimi i plotë:

    Liri Muqolli ishte 6 muajshe kur së bashku me 53 anëtarë të familjes, kryesisht fëmijë e gra, u ekzekutuan, u dogjën njëherë, pastaj u dogjën sërish.

    Liri kishte emrin, por lirinë nuk e arriti kurrë.

    Kushdo që thotë se në Kosovë nuk është kryer gjenocid, le të shkojë në Poklek e në çdo pjesë të Kosovës. Dëshmitë e holokaustit të kryer në Kosovë janë akoma të freskëta.

    Në këte përvjetor të masakrave në Poklek e Çikatovë, kujtojmë e nuk harrojmë kurrë.

    Lavdi e përjetshme të gjithë martirëve të lirisë.

  • Gjermania kërkon ekstradimin e dy kosovarëve të dyshuar për tentimvrasje në Augsburg

    Gjermania kërkon ekstradimin e dy kosovarëve të dyshuar për tentimvrasje në Augsburg

    Policia në Augsburg të Gjermanisë ka identifikuar dy persona të dyshuar për të shtënat që kanë ndodhur rreth 1 vit më parë në një bar.

    Sipas mediave gjermane, dy të dyshuarit janë nga Kosova dhe dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në restorantin “Loco” në rrugën Donauworther të Augsburgut.

    Ky veprim është klasifikuar si tentim vrasje.

    Një grup special hetues i quajtur “Hettenbach” është krijuar për të sqaruar rastin.

    Si pjesë e hetimeve, një bastisje ka ndodhur tetorin e vitit 2025, e cila rezultoi me arrestimin e disa personave për trafikim ilegal të drogës.

    “Të dyshuarit janë në Kosovë, dhe zyra e prokurorit publik ka lëshuar kërkesë për ekstradim”, ka raportuar “RadioFatansy” e Gjermanisë.
    Policia nuk ka ofruar informacione nëse të dyshuarit janë ndaluar në Kosovë.

    Një gjykim i menjëhershëm në Gjermani nuk pritet të ndodhë për shkak të kompeksitetit të procedurave të ekstradimit.

    Hetimet mbi motivet e rastit janë duke vazhduar.

    Ndërkaq, “Augsburger Allgemeine” ka dhënë detaje mbi rastin e ndodhur në majin e vitit 2025.

    “Një shpërthim u dëgjua teksa raketat e fishekzjarrëve ngriheshin në ajër aty pranë. Në zonën e Urës Wertach në Oberhausen, fishekzjarrët tradicionalë të festës Plarrer dëgjohen gjithmonë me zhurmë të madhe. Por zhurmat që kalimtarët dëgjuan në një mbrëmje të majit 2025 nuk vinin vetëm prej tyre”.

    “Në atë kohë, dy burra qëlluan me armë drejt një lokali në rrugën Donauworther. Predhat goditën fasadën dhe pjesën ballore me xhama. Brenda në ‘Loco Bar’ kishte mysafirë, ndërsa edhe jashtë, në trotuar, ndodheshin njerëz, por fatmirësisht askush nuk u lëndua”.

    “Tani, Prokuroria dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale në Augsburg thonë se kanë identifikuar personat që qëndrojnë pas kësaj ngjarjeje, të cilën hetuesit e cilësojnë si tentim vrasjeje”.

    Ky medium thotë se ka shumë gjasë që rasti të jetë konflikt mes bandave.