ATV

Author: K.B.

  • Bullgarët në zgjedhje për herë të tetë në pesë vjet

    Bullgarët në zgjedhje për herë të tetë në pesë vjet

    Bullgarët kanë filluar të votojnë në zgjedhjet e teta parlamentare në pesë vjet, pasi protestat masive rrëzuan qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga konservatorët në dhjetor.

    Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit. Votimet pritet të mbyllen në orën 17:00, ndërsa sondazhet e daljes priten menjëherë pas kësaj. Rezultatet zyrtare nuk priten para të hënës.

    Protestat e dhjetorit tërhoqën qindra mijëra njerëz, kryesisht të rinj, në rrugë. Protestuesit kërkuan një gjyqësor të pavarur për të luftuar korrupsionin e përhapur, transmeton Telegrafi.

    Radev, një ish-gjeneral i forcave ajrore, ka thënë se dëshiron ta çlirojë vendin nga “modeli i qeverisjes oligarkike” dhe mbështeti protestat kundër korrupsionit në fund të vitit të kaluar që rrëzuan qeverinë e mbështetur nga konservatorët.

    Ai ka mbështetur rinovimin e lidhjeve me Rusinë dhe ka kritikuar dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë. Ai dha dorëheqjen nga presidenca kryesisht ceremoniale në janar për të nisur përpjekjen e tij për të udhëhequr qeverinë si kryeministër.

    Radev gjithashtu ka kundërshtuar përpjekjet bullgare për të furnizuar me armë Ukrainën në përgjigje të pushtimit të Rusisë në vitin 2022, megjithëse ka thënë se nuk do ta përdorë të drejtën e vetos së Sofjes për të bllokuar vendimet e Bashkimit Evropian.

    Ai ka bërë thirrje për rivendosjen e lidhjeve me Moskën dhe ka kritikuar një marrëveshje 10-vjeçare mbrojtëse të nënshkruar muajin e kaluar midis Bullgarisë dhe Ukrainës, duke shkaktuar akuza të reja nga kundërshtarët se ai është shumë i akomodueshëm ndaj Kremlinit.

    Ish-presidenti gjithashtu u kritikua në internet pasi imazhe nga takimet me udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin rus Putin, u shfaqën gjatë tubimit të tij të fundit të fushatës.

    Bullgaria, një komb me 6.5 milionë banorë, është përballur me paqëndrueshmëri të përsëritur politike që nga viti 2021, me parlamente të fragmentuara që kanë prodhuar qeveri të dobëta koalicioni.

    Asnjëra nuk ka zgjatur më shumë se një vit para se të shembej mes protestave në rrugë ose manovrave parlamentare.

    Shteti anëtar i Bashkimit Evropian ka kaluar nëpër një sërë administratash që kur protestat masive kundër korrupsionit në vitin 2021 i dhanë fund sundimit konservator të udhëheqësit të gjatë Boyko Borissov.

    Partia pro-evropiane GERB e Borissov pritet të përfundojë e dyta, sipas sondazheve të opinionit, me rreth 20 përqind mbështetje, përpara aleancës liberale PP-DB.

  • Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Rama: Banorët do të marrin mbështetje për qira nga bashkia e Tiranës

    Zjarri që shkrumboi 71 apartamente, Rama: Banorët do të marrin mbështetje për qira nga bashkia e Tiranës

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar sërish në podkastin “Flasim” për pallatin që u dogj në Tiranë, duke prekur dhjetëra familje.

    Ai ka njoftuar se deri në momentin ku apartamentet e tyre të rregullohen ata mund të përfitojnë bonus qiraje dhe mbështetje nga Bashkia e Tiranës për të përballuar shpenzimet.

    “ Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda.

    Ndërkohë, çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, sipas meje, është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj dhe nga ana tjetër, angazhimi për të ndihmuar banorët që, deri në momentin – dhe besoj nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty – por deri në momentin kur ata banorë do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre.

    Tani, gjithmonë në këto raste, shfaqen menjëherë, si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj gjithologësh dhe lloj-lloj ekspertësh publikë, por pa licencat dhe pa njohuritë e nevojshme për të marrë një rol të tillë. Po gjithsesi, edhe për shkak të emocioneve, edhe për shkak të nevojës për të marrë protagonizëm, kush nuk del e çfarë nuk thotë.

    E vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri, po të doni, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin, por, nga ana tjetër, kjo është një arsye për të parë dhe për të kuptuar ashtu siç duhet edhe çka lidhet me cilësinë dhe me materialet e ndërtimit, edhe pse, nga verifikimi i parë që është bërë, ndërtimi kishte të gjitha materialet të certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë.

    Më e rëndësishmja është që askush prej atyre banorëve që patën atë moment dramatik, që fatmirësisht dhe, përsëris, falë, në radhë të parë, forcave zjarrfikëse, por edhe forcave të rendit aty të pranishme, nuk u kthye në një moment tragjik, nuk do të lihet vetëm dhe nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar”, tha Rama./TCH

  • 13 vjet nga Marrëveshja e Brukselit, moment kyç në dialogun Kosovë–Serbi

    13 vjet nga Marrëveshja e Brukselit, moment kyç në dialogun Kosovë–Serbi

    Sot bëhen 13 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, një dokument i rëndësishëm që synonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Më 19 prill 2013, atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, nënshkruan marrëveshjen 15-pikëshe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Marrëveshja përfshinte një sërë pikash kyçe, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në veri në kuadër të institucioneve të Kosovës, si dhe organizimin e zgjedhjeve lokale në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

    Dokumenti parashihte gjithashtu që të dyja palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimit evropian, ndërsa me ndërmjetësimin e BE-së u krijua edhe një mekanizëm për zbatimin e marrëveshjes.

    Edhe pas më shumë se një dekade, Marrëveshja e Brukselit mbetet një pikë referimi në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, ndonëse zbatimi i saj ka qenë i shoqëruar me sfida dhe debat të vazhdueshëm politik.

  • Sveçla: Goditje e fortë krimit – 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara

    Sveçla: Goditje e fortë krimit – 26 të arrestuar dhe 150 mijë euro të sekuestruara

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një aksion të gjerë policor të zhvilluar në disa qytete të Kosovës, në kuadër të luftës kundër kriminalitetit.

    Sipas tij, përveç aksionit anti-drogë në Peja, Policia e Kosovës ka realizuar edhe një operacion tjetër të madh në dhjetëra lokacione në Mitrovica dhe Vushtrri.

    Aksioni kishte në shënjestër veprimtari të dyshimta që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozin e paligjshëm.

    Si rezultat, janë arrestuar 26 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 150 mijë euro.

    Ministri Sveçla thotë se institucionet mbeten të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës.

    “Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo”, ka shkruar ai.

  • Basistje në 50 lokacione, 34 të arrestuar në aksionin kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Basistje në 50 lokacione, 34 të arrestuar në aksionin kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar operacione të koordinuara kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në disa rajone të vendit.

    Gjatë aksioneve janë arrestuar 34 persona dhe janë kontrolluar rreth 50 lokacione, përfshirë biznese dhe shtëpi private.

    Autoritetet kanë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri dhe pajisje të tjera të përdorura në aktivitete të kundërligjshme.

    Me vendim të prokurorit, 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

    Operacionet janë zhvilluar edhe në Skenderaj, ku janë arrestuar 8 persona, prej të cilëve 4 janë dërguar në mbajtje.

    KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS DHE PROKURORIA THEMELORE NË MITROVICË

    34 të arrestuar në operacionin policor kundër skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm Prishtinë, 19 prill 2026

    Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka realizuar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

    Bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur këto rezultate:

    ➢ Janë arrestuar 34 persona të dyshuar.
    ➢ Janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private;
    ➢ Janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë:
    ✓ rreth 170,000 euro para të gatshme,
    ✓ pesë (5) automjete,
    ✓ armë zjarri,
    ✓ si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

    Me vendim të prokurorit kompetent:
    • 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa
    • të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

    Veprime policore në këtë fushëveprim, gjithashtu janë ndërmarr edhe nga hetimet rajonale dhe stacionet kompetente policore, ku ka pasur rezultate konkrete në parandalim dhe po ashtu arrestim të personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale.

    Në totalin e bastisjeve/kontrolleve dhe arrestimeve janë përfshirë edhe veprimet e ndërmarra policore në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione të ndryshme, 8 persona janë arrestuar dhe nga ta 4 janë derguar në mbajtje.

    Këto operacione përfaqësojnë një angazhim të fuqishëm dhe të koordinuar institucional në parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, krimit ekonomik dhe organizimit të aktiviteteve të paligjshme që cenojnë rendin juridik dhe sigurinë publike.

    Policia e Kosovës dhe Prokuroria vlerësojnë lart profesionalizmin, përkushtimin dhe efikasitetin e zyrtarëve policorë dhe hetuesve të përfshirë në këto operacione komplekse, të cilat janë zhvilluar në disa faza dhe lokacione të ndryshme. Bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë kyç në arritjen e këtyre rezultateve konkrete.

    Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në luftimin e çdo forme të kriminalitetit dhe ftojnë qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo aktivitet të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare.

  • Osmani në Antalya, takon këshilltarin e Trump, Boulos – Zbulon detaje nga biseda

    Osmani në Antalya, takon këshilltarin e Trump, Boulos – Zbulon detaje nga biseda

    Presidentja Vjosa Osmani deklaron se ka falënderuar Këshilltarin Special të Presidentit Trump, Massad Boulos, “për mbështetjen e palëkundur të Administratës Trump për Kosovën, përfshirë edhe për ftesën e SHBA-ve që Kosova të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes”, shprehet ajo, nga takimi që u realizua gjatë qëndrimit në Antalya.

    Tutje, në takim Osmani thekson se ka shprehur shpresën “që kjo mbështetje për popullin e Kosovës do të vazhdojë, ndërsa punojmë së bashku për të avancuar paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”.

    “Kosova do të vazhdojë të jetë vendi më pro-amerikan në botë”, shkruan Osmani.

  • Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

    Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

    Në njoftim thuhet se i dyshuari me inicialet S.R. u arrestua në pikën e kalimit kufitar nër Merdarë, dhe është ndaluar për 48 orë.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ndaluar personin me incialet S.R., mbi bazën e dyshimit për përfshirje në vepra penale të natyrës së rëndë, përfshirë veprat që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    “I dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, ndërsa me vendim të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë”.

    Sulmi terrorist në Banjskë kishte ngjarë më 24 shtator të vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur kishin sulmuar Policinë e Kosovës, ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

  • Hyri në ‘Ferma VIP’, librat e Mimoza Ahmetit po shiten me të madhe

    Hyri në ‘Ferma VIP’, librat e Mimoza Ahmetit po shiten me të madhe

    Në tregun shqiptar të librit, ku shitjet zakonisht varen nga panairet, sezonet festive apo titujt bestseller të autorëve të njohur, mjafton një zhvendosje e papritur e vëmendjes publike për të ndryshuar sjelljen e blerësit.

    Kjo po ndodh këto javë me titujt e autores Mimoza Ahmeti, për të cilët libraritë kryesore në Tiranë raportojnë një rritje të kërkesës, pas rikthimit të autores në qendër të bisedës publike.

    Shkrimtarja është pjesë e reality show Ferma VIP, që prej muajit të kaluar, ku me stilin e saj spontan, ironinë e mprehtë dhe batutat, është bërë virale në rrjetet sociale, përtej audiencës tradicionale të letërsisë.

    Ky interes po reflektohet tashmë edhe në sjelljen e konsumatorit në tregun e librit. Në librarinë Adrion, shitësit thonë se nuk bëhet fjalë për një shpërthim të madh shitjesh, por për një lëvizje të qartë të kërkesës.

    “Kërkesa për librat e saj ka qenë më e lartë javët ë fundit, aq sa i nxorëm të dukshme prej rafteve të librave, sepse njerëzit nisën të pyesnin çdo ditë”, shprehen ata, duke përshkruar një fenomen tipik të tregut shqiptar të librit, ku vëmendja publike shpesh mjafton për të rikthyer në qarkullim tituj që kishin mbetur në heshtje.

    E njëjta tendencë konfirmohet edhe nga libraria Leximtari. Albert Gjoka thotë për Monitor se “ka një rritje të lehtë dy javët e fundit”, një sinjal që interesi nuk është thjesht kuriozitet televiziv, por po përkthehet në blerje konkrete, sado modeste në volum.

    Ndërkohe në rrjetin social Tiktok, përpos videove me momentet e saj brenda reality show-t, kanë shpërthyer video me hashtag “Mimoza Ahmeti libra”, ku edhe librari, edhe individë, po risjellin në vëmendje librat e saj.

    Ky nuk është fenomen i ri për vendin tonë. Precedenti më i freskët mbetet efekti që krijoi Luis Ejlli, pjesëmarrës në reality show Big Brother VIP disa vite më parë, kur popullariteti i tij nuk ndikoi vetëm audiencat televizive, por nxiti menjëherë sektorë të tërë retail. Nga veshjet dhe aksesorët që imitoheshin nga publiku, te kërkesa për produkte, evente dhe bashkëpunime tregtare që mbanin emrin ose estetikën e tij, tregu reagoi me shpejtësi ndaj trendit të momentit.

    Fenomeni nuk është unik për Shqipërinë. Në tregjet ndërkombëtare, televizioni dhe trendet e momentit kanë prodhuar shpesh efekte të ngjashme në shitjet e librave. Në vitet e fundit, i njëjti mekanizëm është parë me serialet streaming, ku ekranizime rikthen në qendër të tregut libra që kishin vite në qarkullim. Rasti i fundit ishte seriali i ri në Netflix “Muzeu i Pafajësisë” që riktheu vëmendjen botërore drejt librit me të njëjtin titull të autorit Orhan Pamuk, përfshirë edhe në Shqipëri. /Monitor

  • Real Madridi bën një gjest të madh pas lëndimit të rëndë të Kosovare Asllanit

    Real Madridi bën një gjest të madh pas lëndimit të rëndë të Kosovare Asllanit

    Real Madrid ka bërë një gjest të madh human dhe mbështetës ndaj ish-lojtares së saj, Kosovare Asllani, pas dëmtimit të rëndë që ajo ka pësuar së fundmi.

    Klubi madrilen i ka dërguar një letër zyrtare Asllanit, duke i uruar shërim të shpejtë dhe duke shprehur mbështetje të plotë institucionale nga e gjithë struktura e klubit, përfshirë edhe presidentin Florentino Pérez.

    Në mesazhin e publikuar, Real Madridi thekson respektin dhe lidhjen e veçantë me futbollisten, e cila ka qenë pjesë e ekipit të femrave dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme gjatë periudhës së saj në klub.

    Letra e plotë e dërguar nga drejtori i marrëdhënieve institucionale të klubit, Emilio Butragueno, është si më poshtë.

    “E dashur Kosova, në emër të të gjithëve ne që formojmë Real Madridin, dhe veçanërisht të presidentit tonë, Florentino Perez, dua t’ju përcjell urimet tona më të mira për një shërim të shpejtë nga dëmtimi juaj. Me shumë dashuri. Një përqafim të madh”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Emilio Butragueno, drejtori I Marrëdhënieve Institucionale të klubit.

    Ky gjest nga “Los Blancos” vjen si dëshmi e vlerësimit dhe respektit që klubi ruan për ish-lojtarët e tij, si dhe për kontributin e Asllanit gjatë kohës së saj në ekipin madrilen.

  • Guvernatori i BQK-së, nga zyrtarët publik me pagën më të lartë në Kosovë

    Guvernatori i BQK-së, nga zyrtarët publik me pagën më të lartë në Kosovë

    Ahmet Ismaili mund të jetë qytetari i Kosovës me pagën më të lartë në sektorin publik.

    Ai, si guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës merr 58 mijë e 706 euro neto pagë vjetore.

    I bie që në muaj ai arkëton 4 mijë e 892 euro, neto.

    Por, paga vjetore prej 60 mijë euro, nuk përfshinte krejt të ardhurat publike që ai mori, vitin e fundit nga shteti.

    Në deklarimin e pasurisë që ka bërë, Ismaili ka futur edhe shumën prej 8 mijë e 208 euro “mëditje si kompensim për bord” dhe 9 mijë e 845 euro si mëditje – udhëtim zyrtar jashtë vendit.

    Në total, ai ka marrë nga shteti, vitin e fundit 76 mijë e 759 euro.