ATV

Author: K.B.

  • Kurti përkujton viktimat e 19 prillit ’99 në Lipjan dhe intelektualët e zhdukur të Mitrovicës

    Kurti përkujton viktimat e 19 prillit ’99 në Lipjan dhe intelektualët e zhdukur të Mitrovicës

    Pas kthimit nga Barcelona, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Hallaq të Vogël e Rufc të Ri të Lipjanit, në nderim të të vrarëve më 19 prill 1999.

    Krahas pamjeve, Kurti shkruan se “atë ditë, forcat e armatosura të Serbisë vranë 20 civilë të pafajshëm. Ata u ndanë nga familjet e tyre dhe u ekzekutuan. Më pas, të gjithë u varrosën në një varrezë masive”.

    Tutje, Kurti ka shkruar:

    Në këtë ditë përkujtojmë grupin e intelektualëve të Mitrovicës. 23 mjekë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të të drejtave të njeriut, në Dreth të Zubin Potokut, u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë.

    Krahas mohimit të krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon të shkelë detyrimet e saj ndërkombëtare duke ua mohuar familjeve të drejtën për të vërtetën dhe drejtësinë, duke mos zbardhur fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

    Ne nderojmë sot e gjithmonë, çdo jetë të dhënë për lirinë e Kosovës dhe qëndrojmë pranë familjarëve, duke ruajtur kujtesën dhe duke kërkuar drejtësi.

    Sakrifica për liri mbetet udhërrëfyese për të çuar përpara Republikën e Kosovës!

    I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

    Postimi i plotë:

  • Çështja e Presidentit: Kurti dhe Abdixhiku takohen nesër

    Çështja e Presidentit: Kurti dhe Abdixhiku takohen nesër

    Nesër pritet të zhvillohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

    Takimi, i cili është i katërti me radhë në tentativë për arritjen e një konsensusi, do të mbahet në Kuvendin e Kosovës nga ora 11:00.

    Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

    Ndërkohë, Kosova ka hyrë në dhjetëditëshin e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa 28 prilli është afati i fundit i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

  • Hadergjonaj: Vendimi i Kuvendit për dërgimin e FSK-së në Gaza është dëshmi e partneritetit ndërkombëtar të Kosovës

    Hadergjonaj: Vendimi i Kuvendit për dërgimin e FSK-së në Gaza është dëshmi e partneritetit ndërkombëtar të Kosovës

    Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit ish komandant i UÇK-së, Fadil Hadergjonaj i gëzohet vendimit që mori Kuvendi për dërgimin e kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ndërkombëtar në Gaza.

    Hadergjonaj në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se vet ka qenë pjesë e proceseve prej fillimit deri tek formimi i Ushtrisë së Kosovës dhe marrja pjesë e saj në misione ndërkombëtare për stabilizim.

    “Është një vendim i jashtëzakonshëm, është një vendim i madh i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sidomos përçkon mesazhin e fuqishëm se subjektiviteti i Republikës së Kosovës gjithnjë e më shumë po rritet. Kur flasim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, kjo ka themelet e forta në UÇK. Sot patëm edhe 27 vjetorin e rënies së heroit Sali Çekaj dhe 12 dëshmorëve të tjerë, por historia na tregon dhe aktiviteti i Sali Çekajt ishte një ndër nismëtarët dhe ideatorët e themelimit të grupeve të armatosura deri edhe në ngritjen, zhvillimin e UÇK-së dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Pastaj proceset nëpër të cilat ka kaluar FSK-ja, pjesëtarët e saj janë sfiduar, sidomos gjatë kohës së TMK-së për shkak të kushteve, çarmatimit, për shkak të gjitha aspekteve që kanë qenë. Por vetëm vullneti i madh dhe vendosmëria e tyre ka bërë që të vazhdojnë e të qëndrojnë përkundër pagave të vogla, përkundër mungesës së pajisjeve, përkundër mungesës së infrastrukturës ligjore dhe shumë e shumë gjërave të tjera. Por ishin të betuar dhe të vendosur që amanetin e të rënëve për lirinë e Kosovës ta çojnë në vend. E ai amanet ishte që ne të kemi shtet, të kemi institucione të forta të sigurisë dhe gjithsesi të ecim në procesin e integrimeve euroatlantike që janë edhe vizion strategjik që nga Presidenti Rugova”, tha Hadergjonaj për EO.

    Ai tha se marrja e këtij vendimi është meritë e të gjithëve mirëpo veçanarisht e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët janë shume profesionistë dhe të stërvitur ndërkombëtarisht.

    “Vendimi që ne morëm në Kuvend i ka paraprirë një marrëveshje e quajtur “Marrëveshja e Bordit të Paqes”, pjesë e të cilës është edhe Republika e Kosovës, ndër themeluesit e atij bordi. Dhe nga aty burojnë pastaj edhe obligimet e forcës ndërkombëtare stabilizuese pjesë e të cilës do të jetë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës për t’i dhënë fund apo për të zbatuar planin gjithëpërfshirës për dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme, përkatësisht në Gaza. Vërtet është një arritje e madhe dhe kjo meritë ekskluzive është e natyrisht e të gjithëve, por në veçanti është e profesionalizmit dhe ekspertizës si dhe përfaqësimit dinjitoz të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët janë ngritur, zhvilluar dhe stërvitur në kuadër të standardeve ndërkombëtare. Kështu që merita u takon atyre, sepse kudo që janë shfaqur, qoftë në aktivitete individuale, qoftë në aktivitete kolektive, stërvitje të ndryshme të përbashkëta me shumëkombëshe, kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme dhe kanë treguar se kanë arritur një nivel të zhvillimit dhe profesionalizmit që e lakmojnë edhe shumë ushtri rajonale. Dhe kjo e ka rritur, është dëshmi se FSK-ja është bërë një partner i besueshëm për miqtë tanë, në veçanti për SHBA-të dhe shtetet e NATO-s që na ndihmojnë që bashkarisht ta kemi edhe lirinë edhe pavarësinë edhe shtetin e Kosovës. Është një arritje e madhe, unë si një prej pjesëtarëve të të gjitha këtyre proceseve deri në pensionimin tim, vërtet jam shumë krenar dhe i lumtur sepse unë asnjëherë, edhe pse kam përfunduar shërbimin aktiv në uniformë, vazhdoj të shërbej në formë tjetër, por prapë mendjen, bindjen dhe zemrën e kam te ushtarët tanë”, tha Hadergjonaj.

  • VV paralajmëron edhe një “intesifikim” të përpjekjeve për zgjedhjen e Presidentit, Rexhaj: Do të kalojmë në emra

    VV paralajmëron edhe një “intesifikim” të përpjekjeve për zgjedhjen e Presidentit, Rexhaj: Do të kalojmë në emra

    Me vetëm nëntë ditë të mbetura nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka paralajmëruar intensifikim të përpjekjeve politike nga kryeministri Albin Kurti për arritjen e një marrëveshjeje.

    Ai për KosovaPress, ka bërë të ditur se java e ardhshme pritet të karakterizohet me takime më të shpeshta të Kurtit, duke theksuar nevojën që procesi të kalojë nga diskutimet e përgjithshme në propozime konkrete për emra.

    “Unë pres intensitet të takimeve. Pres që të ketë takime gjatë javës së ardhshme. Natyrisht duhet të kalojmë në propozime konkrete të emrave të zgjidhjes së problemit që na çon në drejtim të zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Ashtu siç kemi biseduar në grupin parlamentar, nuk do të ketë asnjë problem që e pengon këtë proces sa i përket LVV-së. Ne jemi të bindur se duhet të zgjidhet presidenti”, deklaron ai.

    Sipas tij, dështimi për zgjedhjen e presidentit në këtë fazë do të kishte pasoja serioze politike, ku vendi mund të hyjë në një cikël krizash, në të cilin zgjedhjet mund të përsëriten vazhdimisht.

    Duke folur për dialogun ndërpartiak, Rexhaj ka theksuar se kompromisi është i domosdoshëm, por ka kritikuar qasjen e disa partive opozitare. Ai ka vlerësuar se diskutimi i kritereve, siç propozon LDK-ja, është i nevojshëm, ndërsa ka kundërshtuar kërkesën e PDK-së për ftesa zyrtare për takime, duke e cilësuar si pengesë për komunikim.

    Rexhaj thotë se LVV-ja është e gatshme për kompromis për presidentin, por sipas tij, kjo nuk nënkupton tërheqje të njëanshme, por gatishmëri për të shqyrtuar emra konkretë dhe për të ndërtuar konsensus brenda grupit parlamentar.

    Nëse Kuvendi nuk zgjedh presidentin deri më 28 prill, vendi shkon në zgjedhje të reja.

    Deri më tani, pas aktgjykimit të Kushtetueses për këtë çështje, është mbajtur vetëm një takim mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut nga LDK-ja. Në anën tjetër, PDK-ja ka kërkuar ftesë zyrtare për takim, e cila deri më tani nuk ka ndodhur./KosovaPress

  • 27 vjet nga rrëmbimi i “Grupit të Intelektualëve”, kërkohet ende drejtësi për 23 të zhdukurit nga Zubin Potoku

    27 vjet nga rrëmbimi i “Grupit të Intelektualëve”, kërkohet ende drejtësi për 23 të zhdukurit nga Zubin Potoku

    Në 27-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së 23 qytetarëve shqiptarë në fshatrat Dreth dhe Kalludër të Zubin Potokut, është rikujtuar një nga rastet më të rënda të luftës në Kosovë, i njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

    Përmes një reagimi publik, Kushtrim Gara udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka theksuar se bëhet fjalë për 23 jetë të ndërprera padrejtësisht, plagë që, sipas tij, mbeten ende të hapura për familjet dhe shoqërinë.

    “23 jetë të ndërprera padrejtësisht… 23 plagë që nuk mbyllen kurrë… jetë, familje, histori që jetojnë me ne çdo ditë,” ka deklaruar ai.

    Ngjarja ka ndodhur më 19 prill 1999, kur 23 shqiptarë, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës, u rrëmbyen dhe u zhdukën me forcë, ndërsa deri më sot fati i tyre mbetet i pazbardhur.

    “Sot, 19 prill 2026, përulemi me dhimbje e respekt para jetëve dhe kontributit të tyre, duke qëndruar pranë familjeve dhe duke kërkuar drejtësi e të vërtetën,” ka shtuar Gara.

    Ai ka theksuar se edhe pas 27 vitesh, mungesa e përgjigjeve dhe e drejtësisë vazhdon të jetë shqetësuese, duke përmendur se dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim.

    “Edhe pas 27 vitesh, ky rast mbetet pa përgjigje. Dokumente zyrtare dëshmojnë përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, ndërsa mungesa e bashkëpunimit dhe mos hapja e arkivave vazhdojnë të pengojnë zbardhjen e fatit të tyre,” ka theksuar ai.

    Në fund, është bërë thirrje që kujtimi për viktimat të mbetet i gjallë dhe përpjekjet për zbardhjen e fatit të tyre të mos ndalen.

    “Kujtimi për ta nuk zbehet. Ai jeton në përkushtimin tonë për të mos harruar asnjë emër dhe për të kërkuar pa ndalur të vërtetën,” ka përfunduar Gara.

  • Konjufca në Forumin e Dipolmacisë në Antalya: Rajoni ka nevojë për bashkëpunim më shumë se kurrë

    Konjufca në Forumin e Dipolmacisë në Antalya: Rajoni ka nevojë për bashkëpunim më shumë se kurrë

    Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Antalya Forumin e Diplomacisë në Antalya që është mbajtur në Turqi.

    Në kuadër të këtij forumi, të organizuar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, Konjufca ka përfaqësuar Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).

    Sipas tij, gjatë takimit është ritheksuar përkushtimi i Turqisë për të mbështetur rajonin, në një kohë kur bashkëpunimi rajonal konsiderohet kyç.

    “U ritheksua përkushtimi i Turqisë për të qëndruar afër rajonit tonë dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur bashkëpunimi dhe bashkërendimi rajonal janë më të rëndësishëm se kurrë,” thuhet në njoftim.

    Ai ka bërë të ditur se në forum janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe ndryshimet gjeopolitike, si dhe ndikimi i tyre në rajon dhe më gjerë.

    Forumi i Diplomacisë në Antalya mbledh liderë dhe diplomatë nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar çështje kyçe të politikës ndërkombëtare dhe sigurisë globale.

  • Abdixhiku përkujton Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies: Ra për të mos vdekur kurrë

    Abdixhiku përkujton Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies: Ra për të mos vdekur kurrë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Sali Çekaj në 27-vjetorin e rënies së tij në Betejën e Kosharës.

    Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku e ka cilësuar Çekajn si figurë të shquar të luftës dhe rezistencës së armatosur, duke theksuar rolin e tij si intelektual, politikan dhe ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Në prillin që nuk njihte pranverë më të vështirë; në vend se t’i gëzohej triumfit të lirisë; atje lart në majet e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë, Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Në këtë 27 vjetor, ne nderojmë figurën e madhe të historisë së Kosovës, figurën e luftës dhe rezistencës së armatosur, intelektualin, politikanin dhe ushtarakun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Heroin Sali Çekaj. Ndonëse rreziqet e jetës e kishin shtyrë të ikte në mërgim, shtypjet që po i bëheshin popullit të tij e detyruan të kthehej në vendlindje veprimtarin e madh, Sali Çekaj për të iu bashkuar shokëve, burrave e grave në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atje në Alpet Shqiptare, në Koshare”.

    ‘Sali Çekaj, veprimtar i zellshëm politik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, jurist e ushtarak vizionar, u detyrua të largohej nga vendi, për shkak të presionit e të përndjekjes sistematike që i bënte regjimi okupues. Rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Megjithëse fillet e angazhimit të Sali Çekajt për çështje kombëtare janë të hershme, ai qysh në fillim të viteve të 90-ta ia kishte vënë vetes objektiv çlirimin e Kosovës. Në vitin 1991 Sali Çekaj ishte përgjegjës për përgatitjen ushtarake të dy grupeve të para guerile në Shqipëri në mesin e të cilëve ishin Komandanti Legjendar, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra e shumë bashkëluftëtarë të tjerë”, shkroi i pari I LDK-së.

    Abdixhiku theksoi po ashtu se figura dhe vepra e Sali Çekajt mbetet në piedestalin e historisë së Kosovës, ndërsa kujtoi se ai është nderuar me titullin “Hero i Kosovës” nga presidenti Rugova.

    “Ai bashkë me Agim Ramadanin ishin po ashtu edhe ideatorët e fitores së madhe të UÇK-së, në shpartallimin e forcave serbe dhe thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar që kishte mbajtur padrejtësisht të ndarë një komb për vite të tëra. Sali Çekaj me punën dhe përkushtimin e tij, prej politikani e ushtaraku vizionar, do të mbetet përherë në piedestalin e historisë tonë, prandaj dhe Presidenti Historik Rugova e nderoi me urdhërin Hero i Kosovës. Sot, kujtojmë dhe nderojmë rolin, kontributin e sakrificën e tij sublime për liri e pavarësi. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Sali Çekaj!”, shkroi Abdixhiku.

  • Edhe 10 ditë afat për Presidetin, Haxhiu: S’ka kërkesa që unë t’i thërras partitë, po e bën Kryeministri – uroj të ketë konsensus

    Edhe 10 ditë afat për Presidetin, Haxhiu: S’ka kërkesa që unë t’i thërras partitë, po e bën Kryeministri – uroj të ketë konsensus

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, sot kur përkujtuar jetën dhe veprën e veteranit Sali Çekaj, është deklaruar edhe për media duke theksuar se “qytetarët nuk i duan zgjedhjet në këtë moment”. Prandaj, u shpreh që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, duke uruar konsensus mes partive politike.

    E pyetur nga gazetarët nëse do t’i ftojë në takim partitë politike, për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu tha:

    “Unë nuk jam përgjegjësë për t’i ftuar partitë politike në takim. Takimet po thirren nga kryeministri Kurti, si kryetar partie e kryeministër dhe si dikush që i ka 66 deputetë në Kuvendin e Kosovës me koalicionin”, tha Haxhiu para gazetarëve, transmeton Express.

    “Nëse partitë presin ftesën nga unë, do t’i ftoj, por nuk kam parë kërkesa”, shtoi ajo.

    Sipas saj, “Ajo çka duhet është t’i përgjigjen pozitivisht ftesave të kryeministrit Kurti se ato mund të shërbejnë sa i përket zgjedhjes së presidentit. Mendoj që është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kemi shumë punë para vetës, jo vetëm brenda por edhe për zhvillimet jashtë vendit tonë, prandaj duhet të jemi të vëmendshëm”, tha ajo

  • Raportohet se vëllai i Faruk Mujkës është në mesin e 21 të arrestuarve në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm

    Raportohet se vëllai i Faruk Mujkës është në mesin e 21 të arrestuarve në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm

    Fahredin Mujka, vëllai i Faruk Mujka, është në mesin e 21 personave të arrestuar në kuadër të një operacioni të madh kundër bixhozit të paligjshëm dhe skemave piramidale.

    Aksioni është zhvilluar në disa qytete, përfshirë Mitrovicën, Vushtrrinë, Prishtinën dhe Istogun, në koordinim mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Sipas informacioneve, Fahredin Mujka (55 vjeç) dyshohet për përfshirje në organizimin e aktiviteteve ilegale të lojërave të fatit.

    Gjatë bastisjeve në dhjetëra lokacione janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, vetura, telefona dhe dy armë zjarri, ndërsa disa nga të dyshuarit janë kapur në flagrancë.

    Por as vet Faruk Mujka nuk është i pastër nga akuzat, pasi ai përballet me disa procedura penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, mosraportim të pasurisë dhe dyshime për raste financiare që lidhen me periudhën e tij në detyrë publike./Sinjali

    Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes
    Read more
    Advertisement

  • Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes

    Apeli vërteton pezullimin e vendimit të KGjK-së për zgjedhjen e Zhitija-Ymerit si anëtare nga radhët e Supremes

    Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte caktuar masën e sigurisë ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), me të cilin ishte certifikuar si anëtare e këtij institucioni gjyqtarja nga radhët e Gjykatës Supreme, Franciska Zhitija-Ymeri.

    Vendimi del të jetë marrë nga kryetari i kolegjit të gjyqtarëve, gjykatësi Hajriz Hoti, dhe anëtarët Ramiz Kuqi dhe Arsim Hamzaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesën për masë të sigurisë të paraqitur nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke pezulluar kështu zbatimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) të 29 janarit 2026 për certifikimin e rezultatit zgjedhor për anëtarët e Këshillit nga Supremja, në pjesën që ka të bëjë me kandidaten Franciska Zhitija-Ymeri.

    Vendimi i Apelit:

    Ankesën ndaj vendimit të Themelores e kanë parashtruar mbrojtësi i paditëses Mejreme Memaj, avokati Besnik Berisha, si dhe e paditura, Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Po ashtu, ankesë ka paraqitur edhe pala me interes juridik, Zhitija-Ymeri.

    Kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka dhënë vlerësim dhe qëndrim të ligjshëm dhe të drejtë.

    Sipas Apelit, pretendimet e palëve që kanë paraqitur ankesë, përfshirë edhe palën me interes Zhitija-Ymeri, janë të pabazuara.

    Kjo pasi që shtyrja e ekzekutimit të vendimit të KGjK-së, me të cilin Zhitija-Ymeri ishte certifikuar si anëtare e jo Memaj, është e domosdoshme për të shmangur dëmin ndaj Memajt dhe se caktimi i masës nuk cenon interesin publik.

    Sipas Apelit, pa paragjykim të çështjes kryesore, vendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KGJK-së, përkatësisht caktimi i masës, është i bazuar.

    Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, palës kundërshtare KGjK-së dhe palës me interes Zhitija-Ymeri nuk u shkaktohet dëm, por përkundrazi evitohen pasoja që mund të shkaktoheshin në rast se do të aprovohej padia e Memajt.

    Më tej, Apeli vlerëson se vendimi i shkallës së parë nuk ka të meta, është i kuptueshëm dhe nuk ka kundërthënie mes vete.

    Apeli ka udhëzuar Themeloren që gjykimit të padisë t’i japë prioritet për vendosje meritore, bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative.

    Ndryshe, gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin ishte certifikuar rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Memaj kishte paraqitur edhe kërkesë për masë të sigurisë – pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

    Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGjK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshillit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitija-Ymeri. Dy të fundit ishin zgjedhur në raundin e dytë. Andaj, paditësja Memaj kërkon të certifikohet rezultati që doli nga raundi i parë dhe që ajo dhe Thaqi të zgjidhen anëtarë pasi kanë marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas padisë së gjyqtares Memaj e cila përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha, që mban datën 18 shkurt 2026, thuhet se më 26 dhjetor 2025, Këshilli Gjyqësor shpalli konkursin për dy pozita për anëtarë nga radhët e Gjykatës Supreme, e në të cilin konkurs aplikoi edhe paditësja Mejreme Memaj pasi i plotësonte kriteret.

    Aty thuhet se më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, në të cilin nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34 gjyqtarë nga Supremja, dhe se nga 34 fletëvotime vetëm një u shpall i pavlefshëm. Dhe pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota sa edhe Rrustem Thaqi, kurse nga 16 Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri.

    Sipas padisë, nga raudi i parë i votimit, paditësja ka fituar 51.52%- shumicën e votave, ku edhe kishte kuorum të mjaftueshëm dhe se paditësja duhej të shpallej anëtare e KGjK-së. Por, në padi theksohet se Komisioni Zgjedhor kishte vendosur që përkundër këtij rezultati të kalohej në raund të dytë, në të cilin nga 19 vota kishte marrë Thaqi dhe Zhitia-Ymeri, kurse nga 15 Hyseni dhe Memaj.

    Në padi thuhet se një veprim i tillë, i legjitimuar edhe nga KGjK-ja, është në kundërshtim me Rregulloren për procedurën dhe kriteret për zgjedhjen e anëtarit të KGjK-së duke u cenuar të drejtet kushtetuese ngase Memaj kishte marrë votat e nevojshme në raund të parë.

    Por, thuhet se megjithëse me shkelje, rezultati i raundit të dytë u certifikua me vendimin e Këshillit më 29 janar 2026.

    Gjithnjë sipas padisë, përmes veprimeve, KGjK-ja ia ka mohuar kadidates Memaj një të drejtë thelbësore të fituar në raundin e parë. Aty thuhet se shumica fillimisht lidhet me kuorumin e që plotësohej pasi që nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, ishin 34 prezent dhe që morën pjesë në votim dhe votuan sipas preferencës e jo në formë deklarative për/kundër apo abstenim.

    Në padi thuhet se pas konstatimit të kuorumit, kalohet në përcaktimin e dytë dhe atë se kush shpallet fitues pas përfundimit të numërimit të votave dhe del se kandidati shpallet i zgjedhur nëse merr shumicën e votave të vlefshme, e kjo bazuar në vendimet e Kushtetueses në rastet KI/34/17 dhe KI/55/17. Gjithashtu, thuhet se nga rregullat e përgjithshme të së drejtës zgjedhore, shumica llogaritet mbi votat e vlefshme.

    Prandaj, sipas padisë, konstatimi i Komisionit Zgjedhor se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave dhe se duhet të kalohet në raund të dytë, është vendim arbitrar dhe në kundërshtim me vetë rregullat që KGjK ka përcaktuar. Në rastin konkret, thuhet se Memajt i është mohuar një e drejtë substanciale e fituar nga procesi i votimit.

    Ndërkaq, paditësja gjithashtu pretendon se vendimmarrja e KGjK-së që e kishte hudhur si të palejuar kundërshtimin e saj, është në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 32- me të cilin sigurohet mjeti juridik. Sipas padisë, kalimi në raund të dytë përveç se është arbitrar, ka edhe pasoja kushtetuese duke cenuar barazinë para ligjit.

    Prandaj, në padi është kërkuar që të anulohet vendimi Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kishte certifikuar rezultatin zgjedhor me të cilin Thaqi dhe Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të KGJK-së nga radhët e Supremes. Ka kërkuar të vërtetohet se vetë Memaj ishte fituese e garës në raundin e parë me shumicë votash, të vërtetohet se raundi i dytë u zhvillua në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk prodhon pasoja juridike, dhe anëtarë të zgjidhen Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi.

    Sipas padisë, përmes kërkesës për sigurimin e kërkesëpadisë, është kërkuar pezullimi i ekzekutimit të vendimit të KGJK-së, me të cilin është certifikuar rezultatin zgjedhor me fitues Rrustem Thaqin dhe Franciska Zhitia-Ymerin. Në këtë garë ishte edhe tani paditësja.

    Në kërkesë thuhet se ekzekutimi i vendimit do të shkaktonte dëm të rëndë dhe pakthyeshëm tek paditësja. Aty thuhet se paditësja Memaj ka përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, përfshirë funksionin e gjyqtares në Supreme, ushtrimin për një periudhë të detyrës së kryetares së kësaj Gjykate, pjesëmarrëse në Panelin për Lirim me Kusht e aktualisht nënkryetare e Supremes.

    Më tej, thuhet se mosnjohja e rezultatit të votimit, megjithëse shumica e votave të vlefshme është konstatuar nga e paditura KGJK, prodhon pasoja të drejtpërdrejta në integritetin profesional, reputacionin institucional dhe ushtrimin efektiv të të drejtave kushtetuese të paditëses.

    Sipas kërkesës, dëmi i shkaktuar prek jo vetëm sferën personale, por edhe vetë funksionimin e rregullt të rendit institucional, duke cenuar barazinë e gjyqtares Mejreme Memaj në qasjen ndaj funksioneve publike.

    Dëmi, sipas kërkesës, në rast se nuk pezullohet vendimi i KGjK-së për certifikim do të ishte i pakthyeshëm për faktin se në mungesë të pezullimit ekziston rreziku që padia të gjykohet në themel në mes të mandatit të anëtarit që ka fituar sipas vendimit të KGjK-së.

    Në kërkesë thuhet se pezullimi i vendimit nuk prek interesin publik për faktin se pikërisht zbatimi i vendimit të KGjK-së do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta në rendin kushtetues. Kurse, përbërja e KGjK-së, thuhet se duhet të jetë në harmoni me një proces të rregullt dhe meritokratik, prandaj është e domosdoshme ruajtja e gjendjes ekzistuese deri në vendim përfundimtar, duke u ruajtur integriteti dhe besueshmëria në vendimmarrje.

    Në kërkesës është theksuar se me caktim të masës nuk pengohet rrjedha e punës institucionale të KGjK-së për faktin se kuorumi formohet me nëntë anëtarë prej 12 të tjerë të zgjedhur.

    Gjithashtu, thuhet se kërkesa për masën e sigurisë gjen mbështetje në Ligjin për Konflitetet Administrative, që autorizon gjykatën të bëjë pezullim të vendimit kur ekziston rreziku i dëmit të rëndë dhe pariparueshëm.

    Qëllimi i kërkesës, thuhet se është legjitim dhe ka synim ruajtjen e ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit. Aty thuhet se edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese është konstatuar se vendosja e masës së sigurisë është mjet i duhur për të parandaluar krijimin e pasojave faktike.

    Në fund, thuhet se bazuar në të dhënat rezulton se plotësohen dy kushtet për caktimin e masës- pezullimin e vendimit të KGJK-së dhe atë rreziku real i një dëmi të rëndë dhe se me pezullim nuk cenohet interesi publik, përkundrazi grantohet ligjshmëria.

    Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hudhur si i palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke u certifikuar kështu rezultati zgjedhor i mbajur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

    Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGJK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërkaq gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit,

    Ndryshe, procesi votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas përfundimit të raundit të dytë të votimit për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar. /BetimipërDrejtësi