ATV

Author: K.B.

  • BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    BE e shqetësuar nga vendimi i KPK-së dhe Haxhiut për prokurorët serbë: Përmbahuni nga veprime që pengojnë ri-integrimin

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimeve të fundit të institucioneve të Kosovës përmes të cilave është vendosur ndërprerja e kontratave të punës të Prokurorëve të komunitetit serb, të cilët ishin larguar nga sistemi qysh në vitin 2022, shkruan Gazeta Express.

    BE thotë se sipas Kushtetutës, Kosova është një shoqëri multi-etnike e cila qeveriset nga rendi dhe ligji dhe një sistem drejtësie që duhet të reflektojë llojllojshmërinë etnike.

    “BE në vazhdimësi ka bërë thirrje që Kosova të mundësojë ri-integrimin e serbëve të Kosovës në sistemin e drejtësisë në linjë me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në reagim.

    BE ka theksuar se mirëpret tërheqjen e dorëheqjeve të bërë nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës dhe potencon se është e shqetësuar nga vendimi i KPK-së për të pranuar ato dorëheqje pasi ishin tërhequr dhe gjithashtu thonë se janë të shqetësuar edhe nga vendimi i Albulena Haxhiut si u.d e presidentit për të dekretuar dorëheqjet.

    “BE-ja mirëpret tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb të Kosovës. BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i Presidentit në detyrë që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket e papajtueshme me ligjin, me procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

    BE në fund thotë se u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të përmbahen nga veprimet që synojnë parandalimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës.

  • Pasojat e stuhisë në Istog, Ferati: Vlerësimi i dëmeve brenda 7 ditësh, qeveria t’i kompensojë fermerët

    Pasojat e stuhisë në Istog, Ferati: Vlerësimi i dëmeve brenda 7 ditësh, qeveria t’i kompensojë fermerët

    Komuna e Istogut është në mesin e vendeve që është prekur më së shumti nga stuhia e djeshme që ka goditur disa rajone të Kosovës.

    Për të parë dëmet e shkaktuara, zyrtarë komunalë dhe institucionalë gjatë së martës kanë vizituar disa prej bujqve që janë dëmtuar më së shumti.

    Me këtë rast, kryetari i Isotgut, Ilir Ferati ka thënë se menjëherë janë ndërmarrë masa për dëmet e shkaktuara dje nga reshjet e breshrit.

    Ai ka thënë se gjatë vizitave në terren, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, kanë parë nga afër pasojat që breshri kishte lënë në tokat e punuara dhe në frytin që ishte gati për vjelje, por që tashmë ishte shkatërruar pothuajse tërësisht.

    “Së bashku me komisionin komunal diskutuam për hapat e radhës drejt mbështetjes që mund t’u ofrojmë fermerëve tanë. Si rezultat, komisionet janë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe vlerësimi komunal i dëmeve do të përfundojë në afat rekord prej 7 ditësh kalendarike.”, ka shkruar Ferati në Facebook.

    Ai ka thënë se nga Muja ka kërkuar që urgjentisht të veprojë në drejtim të kompensimit të dëmeve, në mënyrë që fermerët të marrin mbështetjen e nevojshme sa më parë.

    “Bashkë rimëkëmbemi, sepse puna nuk ndalet asnjëherë. Falë fermerëve tanë, as fatkeqësi të tilla nuk e ndalin përkushtimin për tokën.”, ka shkruar Ferati.

  • ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    ATK detyron 216 subjekte t’ia paguajnë kontributet pensionale të mbetura pezull punëtorëve, shuma mbi 5.4 milionë euro

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës janar–qershor 2026 ka trajtuar për herë të parë kontributet pensionale të mbetura pezull për 216 subjekte, duke mundësuar kreditimin e llogarive të punëtorëve me mbi 5.4 milionë euro.

    ATK këtë e quajti “një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”.

    “Sepse çdo kontribut duhet të shkojë aty ku i takon”.

  • Paralajmërimi për stuhi, Inspektorati porosit punëdhënësit: Siguroni pajisjet, sidomos kranët në vendpunishte

    Paralajmërimi për stuhi, Inspektorati porosit punëdhënësit: Siguroni pajisjet, sidomos kranët në vendpunishte

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pak më herët paralajmëroi për paqëndrueshmërinë e motit e vende-vende për stuhi e shi të rrëmbyeshëm.

    Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës, duke parë këtë paralajmërim, tha se u bën thirrje të gjithë punëdhënësve, e në veçanti ata që veprojnë në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    “Punëdhënësit duhet të kryejnë kontrollin e pajisjeve dhe mjeteve të punës, ndërsa në mënyrë të veçantë, ata që operojnë në sektorin e ndërtimtarisë duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë fizike të kranëve dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë së punëmarrësve”, tha Inspektorati.

    Instituti tha se gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.

  • “Konjufca president, Abdixhiku zv.kryeministër, Osmani kryekuvendare”, Selimi me parashikim për koalicion LDK-VV

    “Konjufca president, Abdixhiku zv.kryeministër, Osmani kryekuvendare”, Selimi me parashikim për koalicion LDK-VV

    Ish-ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, ka bërë një parashikim për një koalicion të mundshëm në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Sipas Selimit, nëse LDK s’do të ndahet dhe nëse Abdixhiku do të mbijetojë në Kuvendin e jashtëzakonshëm, atëherë një koalicion LDK-VV është i mundur.

    Ai thotë se Glauk Konjufca mund të jetë kandidat për president, Osmani kryetare e Kuvendit dhe Abdixhiku zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm ose i Transportit.

    Derisa, sipas Selimit, AAK mund t ërrijë në sallë nëse Kurti e pranon projektin amerikan të gazit.

    “Ma merr menja Glauku do t’jete kandidat për president nëse LDK-ja hyn ne koalicion. Vjosa ndoshta kryetare e Kuvendit. Lumiri ZvKM & minister i jashtem (a transportit). Por kyçe eshte nese AAK rrin ne salle, gjë që varet nese Albini pranon gazpërçuesin per LNG amerikan”, ka shkruar Selimi.

    “Krejt kjo nese LDK shpeton pa ndarje ne kuvend partiak & Lumiri mbijeton. + natyrisht krejt kjo nese Albini vlereson qe s’don zgjedhje perseri. I vetmi person qe mundet me çu vendin ne zgjedhje eshte Kurti. Ca deputetëve te VV ju ka thane “bonu gati për dhjetor, kemi zgjedhje”“, ka shtuar tutje.

  • Haxhiu thotë se bashkë me kabinetin shpenzuan mbi 12 mijë euro qe kur hyri në Presidencë deri në fund të qershorit

    Haxhiu thotë se bashkë me kabinetin shpenzuan mbi 12 mijë euro qe kur hyri në Presidencë deri në fund të qershorit

    Presidenca e Kosovës ka publikuar shpenzimet e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kabinetit të saj që kur ajo hyri në zyre deri më 30 qershor.

    Shpenzimet gjatë kësaj periudhe janë gjithsej 12,421.39 euro, sipas Presidencës.

    Presidenca tha se pasqyrën e shpenzimeve zyrtare për periudhën prill–qershor 2026 e publikoi “për informim të saktë të publikut”.

    “Për të shmangur çdo paqartësi, theksojmë se këto janë shpenzimet që i përkasin periudhës nga marrja e detyrës nga u.d. Presidentja Albulena Haxhiu, më 4 prill 2026, deri më 30 qershor 2026”.

    Presidenca gjithashtu u zotua se do të japë përgjigje për “çdo medium apo palë e interesuar për të dhëna dhe sqarime shtesë”, duke publikuar kontaktin e saj: [email protected].

    “Informacioni i kërkuar drejtpërdrejt nga institucioni mundëson raportim të plotë dhe shmang krijimin e perceptimeve të pasakta përmes paraqitjes së pjesshme ose jashtë kontekstit të të dhënave”.

  • Pronari kundërshton rrënimin e shtëpisë në rrugën A në Prishtinë: Nuk largohem pa u kompensuar

    Pronari kundërshton rrënimin e shtëpisë në rrugën A në Prishtinë: Nuk largohem pa u kompensuar

    Faruk Manxhuni, pronari i shtëpisë që parashihet të rrënohet për shkak të punimeve në rrugën A në Prishtinë, ka kundërshtuar të martën ekzekutimin e vendimit të Inspektoratit.

    Në shenjë kundërshtimi, ai ka qëndruar brenda objektit, duke refuzuar të largohet pavarësisht pranisë së inspektorëve, të cilët kishin dalë në terren për të realizuar rrënimin.

    Manxhuni ka deklaruar se nuk do të largohet nga shtëpia derisa të kompensohet për dëmin që, sipas tij, i është shkaktuar.

    Pas rezistencës së pronarit, zyrtarët e Inspektoratit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë tërhequr nga vendi i ngjarjes, ndërsa procesi i rrënimit nuk është realizuar.

  • Fermeri paralajmëron ministrin Muja: Nëse nuk përkrahemi, asnjë zyrtar s’ka me shkel më në këtë tokë

    Fermeri paralajmëron ministrin Muja: Nëse nuk përkrahemi, asnjë zyrtar s’ka me shkel më në këtë tokë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, gjatë vizitës në Istog për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga breshëri në kulturat bujqësore, u përball me pakënaqësinë e një fermeri, i cili kërkoi mbështetje konkrete për dëmet e pësuara.

    Fermeri tha se ai dhe bujq të tjerë janë përballur vazhdimisht me humbje nga ngricat, breshëri dhe kushtet e tjera të pafavorshme atmosferike, por, sipas tij, nuk kanë marrë asnjëherë kompensim për dëmet.

    “Ne kemi pasur dëme edhe më herët dhe nuk jemi subvencionuar asnjëherë për to. Kisha bërë apel që këtë vit të përkrahemi. Nëse nuk ndodh as këtë herë, po ju them se asnjë zyrtar nuk ka më me shkelur në këtë tokë për vizita. Është momenti i fundit që Ministria, Qeveria dhe Komuna të na mbështesin”, u shpreh fermeri.

    Madje ai e dha edhe një betim.

    “Po ju betohem se nëse kemi fatkeqësi viteve të tjera, këtu asnjë zyrtar s’ka me shkel më këtë tokë”, tha fermeri.

    Ai shtoi se gjatë këtij viti kulturat bujqësore janë dëmtuar edhe nga ngricat, duke theksuar se temperaturat në zonë kishin arritur deri në minus nëntë gradë Celsius.

    Vizita e Mujës vjen një ditë pasi breshëri shkaktoi dëme të konsiderueshme në disa zona të Dukagjinit, ndërsa fermerët po kërkojnë vlerësim të shpejtë të dëmeve dhe mbështetje financiare nga institucionet.

  • Hasani për shkarkimin e prokurorëve serbë: Është çështje politike, jo ligjore, pushteti po demonstrohet nën petkun e ligjshmërisë

    Hasani për shkarkimin e prokurorëve serbë: Është çështje politike, jo ligjore, pushteti po demonstrohet nën petkun e ligjshmërisë

    Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se vendimi i ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për të nënshkruar dekretet për shkarkimin e shtatë prokurorëve serbë përbën një çështje politike, e jo juridike.

    “Nëse dikush donte të vepronte sipas ligjit, duhej të vendoste atëherë. Jo katër vjet më vonë”, thotë ai.

    “Tani po krijohet përshtypja sikur ligji po zbatohet, kur në fakt po zgjidhet një çështje politike.”, shton Hasani.

    Hasani në një intervistë për KoSSev konsideron se si Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu edhe Haxhiu, kanë vendosur për një çështje për të cilën, sipas tij, as nuk kanë pasur kompetencë të vendosin, duke paralajmëruar se “nën petkun e ligjshmërisë po demonstrohet pushteti”.

    “Ky është një demonstrim pushteti nën maskën e ligjshmërisë. Ushtrim pushteti”, thotë ai.

    Komenetet e Hasanit vijnë pasi Haxhiu këtë mëngjes nënshkroi dekretet për shkarkimin e shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, vetëm një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës refuzoi kërkesat e tyre për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor të vitit 2022 dhe propozoi shkarkimin e tyre.

  • Qorrolli i LVV-së: Duam marrëveshje me LDK-në, përfshirë edhe presidentin

    Qorrolli i LVV-së: Duam marrëveshje me LDK-në, përfshirë edhe presidentin

    Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, tha se synimi i partisë është të arrijë një marrëveshje politike me LDK-në për formimin e institucioneve të reja, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, po presin që LDK-ja t’i zgjidhë çështjet e brendshme lidhur me kërkesën për shkarkimin e Lumir Abdixhikut, në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet.

    Në një bisedë për RTV21, deputeti Qorrolli tha se u.d presidentja Haxhiu pritet ta thërras seancën për konstituimin e Kuvendit jo më vonë se deri më 5 gusht.

    “Ne jemi në pritje që të thirret seanca konstituive. Afati i fundit është 7 gushti dhe besojmë se jo më vonë se 5 gushti do të thirret seanca konstituive. Besoj se gjatë kësaj jave zonja Haxhiu do ta nxjerrë dekretin për thirrjen e seancës konstituive. Kanë mbetur edhe tri javë në mënyrë që LDK-ja të arrijë një konsensus të brendshëm. Ne duam dhe e kemi bërë të qartë se duam një marrëveshje politike për të gjitha institucionet. Kjo ka qenë edhe kërkesa e LDK-së. Në muajt mars dhe prill, LDK-ja kërkonte një marrëveshje klasike politike. Negociatat kanë qenë në rrugë të duhur për të arritur një marrëveshje të tillë politike, në mënyrë që të hyhet në seancë, të zgjidhet kryetari i Kuvendit, kryeministri Kurti të rikonfirmohet në detyrë dhe më pas të zgjidhet edhe çështja e presidentit, duke i dhënë Kosovës institucione stabile”, tha Qorolli.

    Deputeti Qorrolli tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje nëse partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje, nga e cila do të propozohej një kandidat jopartiak për president.

    “Nëse nuk arrihet kompromis për një emër të veçantë, që do t’i kënaqte të gjitha partitë politike, pra për një emër konsensual, natyrisht zgjedhjet mund të duken të pashmangshme. Por ne nuk duam zgjedhje, sepse nuk është zgjidhja më e mirë. Në rast se partitë nuk bien dakord për një emër konsensual, në gjykimin tonë, në këtë moment mendojmë se figura e presidentit duhet të jetë jopartiake, një figurë mbi palët politike. Atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje, por jo me dëshirën tonë.”, u shpreh ai.