ATV

Author: K.B.

  • IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

    IKD: Ngërçi politik po rrezikon funksionimin e institucioneve të pavarura

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura dhe bazuar në këtë analizë, të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e ketyre institucioneve.

    Sipas IKD-së, gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët”, thuhet në analizën e IKD-së.

    Po ashtu, theksohet se pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

    “Pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara. Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre. Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024”, thuhet më tej.

    Probleme me plotësimin e përbërjes, sipas IKD-së, vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme.

    “Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës”, thekson IKD.

    Gjithashtu, IKD vë bën të ditur se në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme.

    “Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj. Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues. Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit”, thuhet në analizën e IKD-së.

    IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative. Kjo ngase mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

    IKD i bëri thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura.

    “Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj”, thuhet në këtë analizë.

    Komunikata e plotë:

    “Një numër i madh i institucioneve dhe agjencive të pavarura vazhdojnë të funksionojnë me pozita të paplotësuara, mandate të skaduara ose me procedura të papërfunduara për zgjedhjen dhe emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të tyre. Në disa raste, mungesa e emërimeve ka lënë disa prej ketyre institucioneve pa përbërje të plotë, ndërsa pozita të caktuara vazhdojnë të jenë të zbrazëta prej vitesh.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka analizuar gjendjen e mandateve dhe pozitave të lira në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i pozitave vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, ndërsa për mandate që kanë përfunduar ose janë në prag të përfundimit duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që të mos krijohen ndërprerje në funksionimin e ketyre institucioneve.

    Gjendja është veçanërisht shqetësuese në institucionet ku mungojnë shumica apo të gjithë anëtarët e organeve përkatëse. Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë, ndërsa Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që nga marsi i vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona është pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media duhet të plotësohet me të tre anëtarët.

    Pozita të paplotësuara vazhdojnë të ketë edhe në dy institucione kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duhet të plotësohet me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon me një pozitë të paplotësuar.

    Pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë po ashtu të mbeten të paplotësuara. Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të plotësohet me Avokatin e Popullit dhe katër zëvendësavokatë. Mandati i Avokatit të Popullit ka përfunduar më 28 shtator 2025, ndërsa mandatet e katër zëvendësve kanë përfunduar më 14 qershor 2025. Ligji kërkon që procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, ndërsa Avokati i Popullit dhe zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve të tyre.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit vazhdon pa Kryetar të Bordit pas dorëheqjes së tij në gusht 2024, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik duhet të plotësojë pozitën e Kryesuesit, mandati i të cilit ka përfunduar në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit vazhdon pa kryesues pas përfundimit të mandatit në qershor 2024.

    Probleme me plotësimin e përbërjes vazhdojnë edhe në institucione të tjera të rëndësishme. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira ka edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës.

    Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2026 kanë përfunduar ose përfundojnë mandatet e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme. Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka përfunduar më 17 qershor 2026. Në përputhje me ligjin, Komisionerja vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit të saj.

    Mandati i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit përfundon gjatë muajit korrik 2026, ndërsa në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

    Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm përfundon më 12 gusht 2026. Sipas legjislacionit në fuqi, Auditori i Përgjithshëm vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit, ndërsa procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet me kohë për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues.

    Mandati i Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përfundon më 24 dhjetor 2026. Procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri duhet të iniciohet para përfundimit të mandatit. Drejtori aktual vazhdon ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësit.

    IKD vlerëson se mosplotësimi me kohë i pozitave në institucionet dhe agjencitë e pavarura nuk mund të trajtohet vetëm si çështje administrative. Mungesa e drejtuesve, anëtarëve dhe përbërjeve të plota rrezikon vendimmarrjen, funksionimin institucional, ushtrimin e kompetencave ligjore dhe mbikëqyrjen efektive në fusha të rëndësishme për qytetarët.

    Situata aktuale nuk është rezultat i një rasti të izoluar, por pasojë e një krize të zgjatur institucionale dhe politike. Që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, Kosova nuk ka arritur të krijojë stabilitet të institucioneve. Mosarritja e shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të rregullta çoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, ndërsa dështimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës solli shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të 7 qershorit 2026. Edhe pse rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik 2026, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa vendi vazhdon të qeveriset nga një Qeveri në detyrë.

    Kjo gjendje ka lënë pezull një numër të madh procedurash për emërimin e drejtuesve dhe anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, varen nga veprimi i Kuvendit ose nga bashkëveprimi ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë. Sa më gjatë të zgjasë moskonstituimi i Kuvendit, aq më shumë rritet numri i institucioneve që funksionojnë me mandate të skaduara, me përbërje të paplotë ose me pozita kyçe të paplotësuara.

    Megjithatë, kriza politike nuk mund të shërbejë si shpjegim për të gjitha vonesat. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre procedurave është dashur të ishin iniciuar muaj para përfundimit të mandateve, ashtu siç kërkon legjislacioni në fuqi. Mosrespektimi sistematik i këtyre afateve ka bërë që vonesat të grumbullohen nga një legjislaturë në tjetrën, duke krijuar një zinxhir të mosveprimit të institucioneve që sot reflektohet në numrin e madh të pozitave të paplotësuara.

    IKD i bën thirrje Kuvendit që, menjëherë pas konstituimit të tij, dhe Qeverisë, në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, të trajtojnë si prioritet absolut përfundimin e procedurave të emërimit në institucionet dhe agjencitë e pavarura. Këto procedura duhet të zhvillohen pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë transparente, mbi bazën e meritës, integritetit profesional dhe respektimit të afateve të përcaktuara me ligj.

    Institucionet e pavarura janë krijuar për të garantuar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, konkurrencën, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien publike. Ato nuk duhet të mbeten peng i krizave politike dhe i mosveprimit institucional. Çdo vonesë në plotësimin e tyre është një vonesë në funksionimin e shtetit“. /BetimipërDrejtësi

  • “Ishin fshehur në paleta bananesh” – Kapet kokainë në Itali, brenda pakove flamuri serb

    “Ishin fshehur në paleta bananesh” – Kapet kokainë në Itali, brenda pakove flamuri serb

    Një operacion i madh policor është zhvilluar në Itali, ku është arritur që të kapet një sasi e madhe e kokainës.

    Në disa prej pakove, ishte vendosur dhe simboli i flamurit serb.

    Gjatë kontrolleve në portin e Vado Ligure, autoritetetkanë zbuluar një ngarkesë me 650 pako, të cilat, së bashku me ambalazhin, përmbanin një sasi totale prej mbi 770 kilogramësh lëndë narkotike.

    Analizat e para të kryera në momentin e kontrollit konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë me pastërti shumë të lartë.

    Droga ishte fshehur me mjeshtëri mes dhjetëra paletave me banane, brenda një kontenieri frigoriferik që kishte mbërritur nga një prej porteve kryesore të Ekuadorit.

    Operacioni është rezultat i një pune të vazhdueshme analitike dhe kontrollesh të imtësishme të kryera nga efektivët e Grupit të Savonës dhe personeli i Doganave, të fokusuar në linjat tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Vado Ligure.

    Ky port është kthyer në një pikë gjithnjë e më të rëndësishme të qarkullimit të mallrave drejt Evropës, por njëkohësisht edhe një objektiv i mundshëm për trafikun ndërkombëtar të paligjshëm.

    Ky sekuestrim i fundit përfaqëson një nga operacionet më të rëndësishme antidrogë të viteve të fundit në portin e Vado Ligure.

    Sipas vlerësimeve të autoriteteve, nëse kjo sasi kokaine do të hidhej në treg, organizatat kriminale do të mund të përfitonin rreth 250 milionë euro.

  • Pse këmbët fryhen më shumë gjatë verës?

    Pse këmbët fryhen më shumë gjatë verës?

    Pse ënjten këmbët gjatë verës? Ja çfarë duhet të dini dhe kur duhet të shqetësoheni
    Temperaturat e larta të verës mund të shkaktojnë ënjtje të këmbëve dhe kyçeve, një problem i zakonshëm që prek shumë njerëz gjatë muajve të nxehtë. Në shumicën e rasteve, kjo është një përgjigje normale e organizmit ndaj nxehtësisë, por në disa situata mund të sinjalizojë edhe probleme më serioze shëndetësore.

    Pse ndodh ënjtja?

    Kur temperaturat rriten, enët e gjakut zgjerohen për të ndihmuar trupin të shpërndajë nxehtësinë. Si pasojë, një pjesë e lëngjeve kalon nga enët e gjakut në indet përreth. Për shkak të gravitetit, këto lëngje grumbullohen kryesisht në këmbë dhe kyçe, duke shkaktuar ënjtje.

    Qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë ose ulur, si në zyrë, gjatë udhëtimeve me makinë apo avion, e vështirëson kthimin e gjakut drejt zemrës dhe e përkeqëson këtë gjendje.

    Kush rrezikohet më shumë?
    Ënjtja e këmbëve gjatë verës është më e zakonshme te:

    personat me insuficiencë kronike venoze ose vena varikoze;
    gratë shtatzëna;
    të moshuarit;
    personat me obezitet;
    ata që punojnë për orë të gjata në këmbë ose ulur;
    personat që udhëtojnë shpesh në distanca të gjata.
    Edhe disa medikamente, veçanërisht ato për trajtimin e hipertensionit, mund të favorizojnë shfaqjen e edemës.

    Si ta lehtësoni ënjtjen?
    Disa masa të thjeshta mund të ndihmojnë në reduktimin e simptomave:

    ngrini këmbët mbi nivelin e zemrës gjatë pushimit;
    lëvizni rregullisht dhe shmangni qëndrimin ulur për periudha të gjata;
    bëni ushtrime të lehta me kyçet dhe pulpat e këmbëve;
    konsumoni mjaftueshëm ujë për të ruajtur hidratimin;
    vishni këpucë të rehatshme dhe shmangni rrobat shumë të ngushta;
    përdorni çorape elastike me kompresim, nëse ju janë rekomanduar nga mjeku.
    A ndihmon uji i ftohtë?
    Po. Një dush me ujë të freskët ose mbajtja e këmbëve për disa minuta në ujë të ftohtë mund të ngushtojë përkohësisht enët e gjakut, duke ulur ndjesinë e rëndesës dhe ënjtjes.

    Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

    Megjithëse në shumicën e rasteve ënjtja lidhet me temperaturat e larta, disa simptoma kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor:

    ënjtje e papritur vetëm në njërën këmbë;
    dhimbje e fortë, skuqje ose rritje e temperaturës në zonën e prekur;
    gulçim ose dhimbje në gjoks;
    ënjtje e rëndë ose që vazhdon edhe pasi moti freskohet.
    Këto shenja mund të lidhen me probleme serioze si tromboza e venave të thella ose sëmundje të zemrës, veshkave apo mëlçisë.

    Nëse ënjtja është e lehtë dhe shfaqet vetëm gjatë ditëve të nxehta, zakonisht mund të menaxhohet me hidratim, aktivitet fizik dhe ngritjen e këmbëve. Megjithatë, nëse simptomat janë të vazhdueshme ose shoqërohen me shenja të tjera shqetësuese, konsultimi me mjekun është i domosdoshëm.

  • Haxhiu nderon Qemal dhe Kozeta Zylon për kontributin në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë

    Haxhiu nderon Qemal dhe Kozeta Zylon për kontributin në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Qemal dhe Kozeta Zylo, themeluesit e televizionit “Alba Life” dhe të Shkollave Shqipe “Alba Life” në Nju Jork, duke vlerësuar kontributin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.

    Haxhiu tha se përmes punës së tyre shumëvjeçare, ata kanë krijuar hapësira ku fëmijët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara mësojnë gjuhën shqipe, njohin historinë dhe kulturën kombëtare, si dhe forcojnë lidhjen me atdheun.

    Ajo theksoi se angazhimi i tyre ka ndikuar edhe në njohjen zyrtare të gjuhës shqipe nga institucionet e shtetit të Nju Jorkut.

    Në shenjë vlerësimi për këtë veprimtari, Haxhiu i ndau Qemal Zylos Medaljen Presidenciale të Meritave, ndërsa Qemal dhe Kozeta Zylo u nderuan me një mirënjohje të përbashkët për kontributin e tyre në zhvillimin e arsimit shqip dhe kultivimin e vlerave kombëtare në diasporë.

    “Puna e tyre vazhdon traditën e gjatë të shqiptarëve të Amerikës, të cilët, brez pas brezi, e kanë mbajtur të fortë lidhjen me atdheun përmes arsimit, kulturës dhe veprimtarisë kombëtare”, ka theksuar Haxhiu

  • Ministri shqiptar: Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro

    Ministri shqiptar: Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro

    Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blenxi Gonxhja, deklaroi se qeveria ka refuzuar zhvillimin e një koncerti në Shqipëri të këngëtares Jennifer Lopez, për shkak të garancisë së madhe financiare që ajo kërkoi.

    “Kemi refuzuar JLo se donte 2 milionë euro garanci nga protesta. Nëse do të ketë protesta donte garanci dhe ne nuk e pranuam”, deklaroi Gonxhja në Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku po diskutohet Akti Normativ i Qeverisë për dhënien e një financimi prej 4,2 milionë eurosh për zhvillimin e koncertit të Kanye West.

    Gonxhja mbrojti vendimin e qeverisë për dhënien e shumës për sigurimin e zhvillimit të koncertit, duke thënë se, sipas një vlerësimi paraprak, më së paku në arkat e shtetit janë kthyer 6,5 milionë euro.

  • Trump paralajmëron për hakmarrje për vdekjen e ushtarëve, ShBA nisin sulme të reja ndaj Iranit,

    Trump paralajmëron për hakmarrje për vdekjen e ushtarëve, ShBA nisin sulme të reja ndaj Iranit,

    Ushtria amerikane thotë se nisi një raund tjetër sulmesh kundër Iranit për të “degraduar më tej” aftësitë e tij për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit.

    Sulmet – nata e 10-të radhazi e sulmeve – vijnë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump u zotua të ndëshkojë Iranin për vdekjen e ushtarëve amerikanë.

    Në përgjigje, Irani tha se goditi dy anije cisterna nafte në kanalin ujor, si dhe asetet ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

    Presidenti Masoud Pezeshkian tha se Irani tani po luftonte një “luftë në shkallë të plotë” me SHBA-në. Trump më parë tha se Irani ishte goditur “shumë rëndë” natën e kaluar “në nder” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë së fundmi – dy në Jordani dhe një në Irak.

    Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se sulmet e saj të fundit kishin goditur “qendrat e komandës ushtarake iraniane, aftësitë detare, vendet e lëshimit të raketave dhe dronëve, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore”.

    Shpërthime u raportuan pranë qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku media shtetërore tha se një person u vra dhe disa u plagosën, si dhe në portet e Gjirit të Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini dhe portet juglindore të Chabahar dhe Konarak.

    Centcom këmbënguli gjithashtu se anijet tregtare po vazhdonin të kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit.

    Ndërkohë, Irani tha se forcat e tij goditën dy anije cisternash ndërsa ato përpiqeshin të kalonin nëpër atë që e quajti “rruga jugore e pasigurt dhe e rrezikshme” e ngushticës dhe ekipet e shpëtimit po merrnin ekuipazhet e tyre, sipas mediave shtetërore.

    Agjencia e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) tha se një anije cisternë në Ngushticën e Hormuzit kishte raportuar se ishte goditur nga një predhë e panjohur, duke e detyruar ekuipazhin e saj të braktiste anijen dhe të hipte në një varkë shpëtimi.

    Nuk ishte e qartë nëse cisterna e raportuar nga UKMTO ishte midis atyre të cituara nga Irani.

    Gjashtë anije cisterna karburanti dhe anije mallrash kaluan Ngushticën e Hormuzit të hënën, sipas të dhënave paraprake nga firma e inteligjencës detare Kpler. Dy prej këtyre anijeve ishin sanksionuar më parë nga SHBA-të për lidhje me Iranin.

    Të dhënat tregojnë se ky numër është më i ulët nga tetë anije që kaluan kufirin më 19 korrik. Të gjitha, përveç njërit, kalimet e bëra më 20 korrik, ishin nëpërmjet rrugës veriore pranë Iranit.

    Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit pretendoi gjithashtu se kishte shënjestruar një qendër të dhënash që i përkiste kompanisë amerikane Amazon në Bahrein, sipas mediave shtetërore të martën.

    IRGC-ja “sulmoi dhe shkatërroi infrastrukturën qendrore të të dhënave të kompanisë amerikane Amazon në Bahrein me disa raketa lundrimi”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

    Jordania tha të martën se kishte kapur pesë dronë, pasi tha se kishte rrëzuar tre raketa të hënën vonë. Bahreini tha se dronët e lëshuar nga Irani kishin synuar sistemet e saj të navigimit ajror, por trafiku mbeti i paprekur. Forcat e armatosura të Kuvajtit thanë gjithashtu se kishin kapur dronë iranianë.

  • Aksidenti tragjik ku humbën jetën tre kosovarët, Ahmeti: Jeta na kujton sa e brishtë është

    Aksidenti tragjik ku humbën jetën tre kosovarët, Ahmeti: Jeta na kujton sa e brishtë është

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Tërnava, e cila humbi disa anëtarë në aksidentin tragjik të ndodhur pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë.

    Përmes një reagimi publik, Ahmeti e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë, duke theksuar se dhimbja e familjes Tërnava është edhe dhimbje e gjithë shoqërisë.

    “Me dhimbje të thellë mora lajmin për tragjedinë e rëndë që goditi familjen Tërnava, e cila humbi më të dashurit e saj në aksidentin tragjik pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai tha se humbje të tilla e bëjnë të qartë sa e brishtë është jeta dhe sa e madhe është dhimbja që lë pas një tragjedi e tillë.

    “Përballë humbjeve të tilla, çdo fjalë është e pamjaftueshme. Jeta na kujton, në mënyrën më të ashpër, se sa e brishtë është, ndërsa dhimbja e një familjeje bëhet dhimbje e mbarë shoqërisë sonë”, theksoi kreu i BDI-së.

    Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe uroi që ata të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.

    “Familjes Tërnava u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe bashkëndjej me ta në këto çaste të rënda. Lutem që Zoti t’u japë forcë, durim dhe kurajë për ta përballuar këtë sprovë të rëndë. U prehshin në paqen e amshuar”, përfundoi Ahmeti.

  • I dha shtetësi të nderit biznesmenit kosovar, Abazoviq merret në pyetje nga policia speciale malazeze

    I dha shtetësi të nderit biznesmenit kosovar, Abazoviq merret në pyetje nga policia speciale malazeze

    Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është marrë në pyetje nga Departamenti Special i Policisë (SPO), në kuadër të hetimeve për dhënien e shtetësisë së nderit biznesmenit nga Kosova, Naser Ramaj.

    Sipas mediave malazeze, Abazoviq dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Filip Adzhiq, janë intervistuar rreth dhjetë ditë më parë nga zyrtarët e SPO-së, të cilët i kanë pyetur se mbi bazën e cilave dokumente është marrë vendimi për regjistrimin e Ramajt në shtetësinë malazeze.

    Abazoviq e ka konfirmuar se ka dhënë deklaratë në cilësinë e qytetarit në ambientet e SPO-së, por nuk ka pranuar të flasë për detajet e marrjes në pyetje.

    Hetimi i Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe SPO-së synon të përcaktojë nëse ka pasur keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë procesit të dhënies së shtetësisë së nderit për Naser Ramajn, vendim i marrë në ditët e fundit të mandatit të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi.

    Shtetësia iu dha Ramajt në bazë të kompetencës diskrecionale të qeverisë, ndërsa më herët ishin dhënë mendime pozitive nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

    Në kërkesën e tij për shtetësi, të dorëzuar më 28 gusht 2023, Ramaj kishte deklaruar se ishte “një adhurues i madh i Malit të Zi” dhe se e konsideronte atë si shtetin e tij.

    Megjithatë, mediat malazeze raportojnë se gjatë shqyrtimit të kërkesës autoriteteve u kishin kaluar pa u vërejtur disa çështje që lidhen me detyrimet tatimore të kompanive të tij.

    Sipas raportimeve, kompania “Alart Centar” ishte në listën e debitorëve tatimorë, ndërsa kompania “Nova gradnja” ishte e bllokuar për shkak të borxheve.

    Vendimi për dhënien e shtetësisë u mor më 27 tetor 2023, ndërsa vetëm katër ditë më vonë përfundoi mandati teknik i Qeverisë së Abazoviqit.

    Në arsyetimin për dhënien e shtetësisë thuhej se Ramaj ishte investitor i projektit shumëmilionësh “Porto Budva”, i cili konsiderohej me rëndësi ekonomike për Malin e Zi. Po ashtu përmendej edhe veprimtaria e tij humanitare.

    Por më vonë biznesmeni kosovar u përball me një procedurë penale. Në gusht të vitit 2024, Policia e Malit të Zi njoftoi se Ramaj dyshohej se kishte dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 2.2 milionë euro.

    Ai u arrestua dhe më pas u la të mbrohej në liri, me masën e konfiskimit të pasaportës.

    Prokuroria në Kotor ngriti aktakuzë ndaj Ramajt, kompanisë së tij “Alart Centar Budva – CG” dhe drejtueses së saj, nën dyshimet për shmangie të detyrimeve tatimore.

    Ndërkohë, kryeministri aktual i Malit të Zi, Milojko Spajiq, kishte kërkuar nisjen urgjente të procedurës për heqjen e shtetësisë së nderit të Ramajt, duke pretenduar se ajo ishte marrë mbi bazën e të dhënave të pavërteta dhe mashtrimit të institucioneve.

    Spajiq kishte deklaruar se rasti mund të dëmtojë interesat jetike të Malit të Zi dhe se dhënia e shtetësive pa kritere të qarta mund të krijojë hapësirë për klientelizëm dhe korrupsion politik. /Vijesti

  • Komuna e Istogut nis pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga breshëri

    Komuna e Istogut nis pranimin e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga breshëri

    Komuna e Istogut ka njoftuar qytetarët e prekur nga dëmet e shkaktuara prej breshërit se ka nisur procesi i pranimit të kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga Komisioni Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore.

    Sipas njoftimit të Komunës, kërkesat do të mund të dorëzohen nga 21 deri më 28 korrik 2026, ndërsa pas përfundimit të këtij afati aplikimet për vlerësimin e dëmeve nuk do të pranohen.

    “Kryetari i Komunës, në bashkëpunim me Komisionin Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore, njofton të gjithë qytetarët e prekur se pranimi i kërkesave për vlerësimin e dëmeve do të bëhet në periudhën 21.07.2026 – 28.07.2026”, thuhet në njoftimin e Komunës së Istogut.

    Kërkesat mund të dorëzohen çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në 16:00, në Zyrën për Shërbime me Qytetarë, në katin përdhes të objektit të Komunës së Istogut.

    Aplikimet duhet t’i drejtohen Drejtorisë për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Komisionit Komunal për Vlerësimin e Fatkeqësive Natyrore.

    Komuna ka bërë të ditur se qytetarët duhet t’i bashkëngjisin kërkesës disa dokumente, përfshirë kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e fermerit (NIF), konfirmimin e llogarisë bankare, dëshmi për dëmin e shkaktuar nga breshëri përmes fotografive, si dhe certifikatën e biznesit për personat juridikë.

    Breshëri i fuqishëm që goditi së fundmi territorin e Komunës së Istogut shkaktoi dëme të konsiderueshme në kultura të ndryshme bujqësore, ndërsa institucionet lokale kanë paralajmëruar evidentimin dhe vlerësimin e pasojave në terren.

  • E trishtë: 18-vjeçari shkakton aksident fatal në Hessen, vdes nëna – dy vajzat i mbijetojnë

    E trishtë: 18-vjeçari shkakton aksident fatal në Hessen, vdes nëna – dy vajzat i mbijetojnë

    Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Hessen të Gjermanisë, ku një grua 45-vjeçare humbi jetën, ndërsa dy vajzat e saj të mitura mbetën të lënduara rëndë.

    Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 18:00 në rrugën Burgsolmser Straße, mes qyteteve Leun dhe Burgsolms.

    Gruaja po udhëtonte me një automjet Smart Forfour, së bashku me vajzat e saj 10 dhe 12 vjeçe, në drejtim të Leun-Lahnbahnhof.

    Në një moment, një Mercedes i drejtuar nga një 18-vjeçar hyri në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me makinën e familjes, transmeton Klankosova.tv. Dyshohet se i riu kishte humbur kontrollin e veturës për shkak të shpejtësisë së madhe.

    Përplasja ishte aq e fortë, sa Smart-i u hodh anash rrugës dhe përfundoi i përmbysur në çati, raportojnë mediat gjermane.

    Dy vajzat dhe drejtuesi 18-vjeçar i Mercedesit u nxorën, ndërsa për 45-vjeçaren u desh ndërhyrja e zjarrfikësve.

    Gruaja, e cila kishte pësuar lëndime shumë të rënda, u transportua me helikopter në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.