ATV

Author: K.B.

  • Listat në Serbi për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sopi: Mos kaloni në territorin serb

    Listat në Serbi për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Sopi: Mos kaloni në territorin serb

    Një lëvizje nacionaliste serbe ka bërë thirrje publike për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke publikuar lista me emra dhe të dhëna personale të personave që pretendon se kanë qenë pjesë e brigadave të UÇK-së.

    Këto thirrje vijnë në një kohë kur vazhdojnë arrestimet e shqiptarëve nga autoritetet serbe në pikat kufitare, kinse nën dyshime për krime lufte.

    Lidhur me këtë, Fatmir Sopi, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në një intervistë për Ekonomia Online u shpreh se në Serbi gjithmonë ka pasur lista për arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Kjo nuk është risi, Serbia gjithmonë ka pasur lista për arrestimin e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur parasysh se në Interpol ekziston një listë e përbërë nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos nga udhëheqësit e saj, që Serbia vazhdimisht i ka kërkuar për arrestim dhe për dënim. Ne kemi qenë palë në konflikt më të, palë në luftë me të dhe e kemi zhvilluar një luftë çlirimtare, ndërsa ajo e ka zhvilluar një luftë pushtuese ndaj vendit tonë”, tha ai.

    Sopi konsideron se publikimi i listave është i panevojshëm.

    “Mirëpo, në këtë kohë kur flitet për marrëveshje, jemi në paqe, kur Serbia e ka pranuar humbjen dhe Serbia është tërhjekur me turp pas gati një shekulli pushtim mbi Kosovën, ne konsiderojmë se ato lista dhe ato kërkesa janë të panevojshme, kur kemi parasysh poashtu edhe kërkesat e prononcimet e pushtetarëve, kur ministrja e Serbisë që para disa kohe, kërkon dhe thotë se po të isha në vendin e Millosheviqit do t’a zbrazja Kosovën, do t’a spastroja etnikisht Kosovën dhe ajo do të ishte tokë serbe”, tha ai.

    Ai u bëri apel të gjithë ish-pjestarëve të UÇK-së dhe të gjithë qytetarëve që të mos kalojnë në asnjë rrethanë, në territorin e Serbisë, sepse do të ballafaqohen më kërcënime, arrestime, apo edhe vrasje.

    “Ne kemi pasë punën tonë në luftë për çlirimin e vendit tonë, mirëpo shumë herë ne u kemi bërë apel pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë, të mos kalojnë nëpër territorin e Republikës së Serbisë, sepse do të ballafaqohen me arrestime, me kërcënime, mund të ndodhë edhe me vrasje, prandaj shumë herë apeli ynë ka qenë, edhe pse një pjesë, dikush dikush nuk është duke e përfillur, mirëpo po përballen me pasoja, e sidomos po përballen me pasoja familjarët e tyre, se duhet të merren më punën e tyre edhe me lirimin e tyre. Bëjmë prapë apel, që jo vetëm pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe qytetarët e thjeshtë të rezervohen gjatë udhëtimeve dhe qëndrimeve në Serbi, sepse janë të disponuar armiqësisht ndaj nesh. Prandaj, duhet të kemi kujdes të gjithë, sepse akuza edhe për qytetarëve të thjeshtë është je pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më së lehti për t’i dënuar ata”, shtoi ai, për Ekonomia Online.

    Nënkryetari i OVL-UÇK tha se shteti duhet të ankohet pranë organizatave ndërkombëtare, në mënyrë që situata të tilla mos të ndodhin.

    “Shteti ynë duhet të jetë në nivel të detyrës, duhet të ankohet për këto gjëra pranë organizmave ndërkombëtarë, si shtet i cili duhet t’i mbrojë qytetarët e vet dhe të ketë kujdes, edhe diplomacia jonë të angazhohet që me shtetet mike të bënë presion mbi Serbinë, që këto gjëra të mos ndodhin dhe të ekzistojë një liri e lëvizjes së të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre, për shembull politike, apo të kaluarën e tyre, në qoftë se, normal Serbia të kaluarën tonë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsideron armiqësore”, përfundoi ai.

  • Kolona deri në 500 metra, kjo është gjendja aktuale në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë

    Kolona deri në 500 metra, kjo është gjendja aktuale në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë

    Me ardhjen e diasporës në Kosovë janë rritur edhe pritjet në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë.

    aktualisht mërgimtarët po presin më së shumti në Jarinje, ku kolona aty është deri në 500 metra. Te Dheu i Bardhë, në hyrje të kësaj pike kufitare pritjet janë deri në 20 minuta, ndërsa në dalje të saj deri në gjysmë ore.

    Në Muçibabë, për të hyrë në Kosovë kolona është deri në 100 metra, me pritje deri në 20 minuta.

    Pikat tjera kufitare raportohet të jenë më qetë me pritje të zakonshme 3-5 minuta.

  • Autoritetet maqedonase për aksidentin ku vdiqën 3 kosovarët: Po hetojmë, s’është e vërtetë që po ndiqeshin nga dikush

    Autoritetet maqedonase për aksidentin ku vdiqën 3 kosovarët: Po hetojmë, s’është e vërtetë që po ndiqeshin nga dikush

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut në një reagim për media kanë thënë se s’është e vërtetë që dikush ka qenë duke i ndjekur tre kosovarët të cilët vdiqën në një aksident trafiku në rrugën Bllacë-Shkup.

    “MBP hedh poshtë të pavërtetat dhe spekulimet e publikuara në një pjesë të mediave lidhur me aksidentin rrugor në autostradën PKK Bllacë–Shkup, në të cilin humbën jetën tre persona, sipas të cilave pretendohet se viktimat janë ndjekur nga një automjet tjetër që është paraqitur rrejshëm si polici dhe se një dukuri e tillë është vërejtur edhe më parë”, thuhet në reagimin e tyre.

    MPB maqedonase thotë se organet hetimore po punojnë për të zbardhur shkakun që ka çuar te aksidenti tragjik.

    “Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën “polici e rreme”. Organet hetimore do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”, përfundon reagimi.

  • Vdes gazetari Daniele Compatangelo që zbuloi grindjen Trump-Meloni

    Vdes gazetari Daniele Compatangelo që zbuloi grindjen Trump-Meloni

    Daniele Compatangelo, korrespondent i La7 në Uashington dhe president i Shoqatës së Korrespondentëve të Jashtëm të Shtëpisë së Bardhë (WHFCA), ka vdekur papritur në moshën 50 vjeçare pas një sëmundjeje të papritur, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

    Compatangelo, i cili mbuloi politikën amerikane për më shumë se dy dekada dhe së fundmi siguroi një intervistë ekskluzive telefonike me Donald Trump, drejtoi shoqatën që përfaqësonte gazetarët e huaj të akredituar në Shtëpinë e Bardhë dhe institucione të tjera qeveritare të SHBA-së.

    Intervista ekskluzive e Compatangelos me Trump u bë një nga momentet përcaktuese të karrierës së tij. Komentet e presidentit amerikan në lidhje me marrëdhënien e tij me kryeministren italiane Giorgia Meloni shkaktuan polemika politike në Itali pasi u transmetuan në programin L’aria che tira të La7.

    Intervista bëri bujë ndërkombëtare pasi Trump pretendoi se Meloni i ishte “lutur” atij për një fotografi në samitin e G7, vërejtje që ajo i hodhi poshtë si “plotësisht të fabrikuara” dhe që shkaktuan një debat diplomatik midis Romës dhe Uashingtonit.

    Intervista nxori në pah aftësinë e Compatangelos për të siguruar qasje të nivelit të lartë ndërsa raportonte mbi politikën amerikane nga brenda korridoreve të pushtetit në Uashington.

    Gjatë gjithë kohës së tij në SHBA, ai ofroi rregullisht analiza të politikës së brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë zhvillimet rreth konfliktit që përfshinte Iranin, duke u mbështetur në rrjetin e tij të gjerë të kontakteve në Shtëpinë e Bardhë.

    Sipas korrespondentit, SHBA-të kishin një strategji shumë të qartë për të siguruar mbështetje: çdo kritikë ndaj Evropës ishte në fakt një kërkesë për ndihmë në lidhje me Iranin.

    Compatangelo kaloi 25 vjet duke mbuluar lajmet ndërkombëtare, duke punuar për një gamë transmetuesish dhe botimesh, duke përfshirë Sky dhe Il Secolo XIX, ndërsa drejtoi gjithashtu disa zyra shtypi të profilit të lartë.

    Ai mbuloi tetë Lojëra Olimpike verore dhe dimërore, nga Sidnei në vitin 2000 deri në Londër në vitin 2012, duke kombinuar raportimin sportiv me gazetarinë politike dhe prodhimin e dokumentarëve dhe raporteve të gjata.

    Në qershor 2011, dokumentari i tij investigativ The Los Angeles Breakdown mori një Përmendje Nderi në Southern California Journalism Awards në Los Angeles.

    Puna e tij u transmetua gjithashtu nga RSI, transmetuesi publik zviceran në gjuhën italiane, si dhe Rai dhe Mediaset.

    Krahas punës së tij si korrespondent i La7 në Uashington, Compatangelo shërbeu si president i WHFCA-së, duke përfaqësuar komunitetin e gazetarëve të huaj të akredituar në Shtëpinë e Bardhë dhe duke forcuar lidhjet midis medias ndërkombëtare dhe institucioneve amerikane.

    I lindur në Savona dhe i rritur në Torino, Compatangelo jetoi në Romë përpara se të zhvendosej përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara, ku u vendos si një nga gazetarët më të njohur të Italisë që mbulonte politikën amerikane.

    Vdekja e tij shkaktoi një mori homazhesh nga kolegët, përfshirë ata në La7.

    “Jemi të tronditur. Të gjithë në La7 qëndrojnë pranë të dashurve të tij”, tha drejtori i transmetuesit Andrea Salerno.

    “Daniele ishte një bashkëpunëtor i çmuar dhe i pazakontë, i nxitur nga një dëshirë e vazhdueshme për të treguar histori me saktësi dhe gëzim. Ai ishte një gazetar i shkëlqyer. Do të na mungojë”, shtoi ai.

    Compatangelo u respektua gjerësisht midis kolegëve që mbulonin politikën amerikane dhe mbeti një prani aktive në korpusin e shtypit të Shtëpisë së Bardhë deri pak para vdekjes së tij.

  • Sot u jepet lamtumira e fundit tre vushtrriasve që vdiqën në aksident në Maqedoninë e Veriut

    Sot u jepet lamtumira e fundit tre vushtrriasve që vdiqën në aksident në Maqedoninë e Veriut

    Sot u jepet lamtumira e fundit tre mërgimtarëve nga Vushtrria që humbën jetën nga aksidenti në Maqedoninë e Veriut.

    Kjo është bërë e ditur përmes njoftimit mortor të familjarëve.

    “Sot, pas namazit të ikindisë, do t’i jepet lamtumira e fundit tre mërgimtarëve nga Vushtrria, Ejup Tërnava, Cennet Tërnava dhe Fatmire Shabani, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit ceremonia e varrimit do të zhvillohet në varrezat e fshatit Studime, në Vushtrri.

  • Dramë në një hotel në Spanjë, mbi 60 turistë përfundojnë në spital pas helmimit me gaz

    Dramë në një hotel në Spanjë, mbi 60 turistë përfundojnë në spital pas helmimit me gaz

    Të paktën 60 turistë, mes tyre fëmijë dhe të moshuar, kanë marrë trajtim mjekësor pasi dyshohet se janë helmuar nga gazi në një hotel në Benahavís, pranë Marbellës në Spanjë.

    Sipas mediave spanjolle, incidenti ndodhi në zonën e pishinës së hotelit, ku dyshohet se një defekt teknik në sistemin e mirëmbajtjes së pishinës shkaktoi çlirimin e gazrave, raporton Bild.

    Autoritetet shëndetësore në Andaluzia kanë bërë të ditur se ndërprerësi i pompës që qarkullon klorin dhe acidin në pishinë u ndërpre, duke bërë që rregullimi i nivelit të klorit dhe pH-it të dështonte. Hetuesit po verifikojnë nëse gazrat e çliruar kanë shkaktuar simptomat te mysafirët.

    Sipas raportimeve, të paktën 60 persona u dërguan në Spitalin Costa del Sol në Marbella, ndërsa të tjerë morën ndihmë mjekësore në hotel. Të gjithë pacientët janë liruar nga spitali pas trajtimit.

    Pas incidentit, zona e pishinës u mbyll dhe u izolua, ndërsa ekspertët kanë marrë mostra të ujit për analiza. Hoteli nuk ka komentuar ngjarjen, duke u kufizuar me deklaratën: “Pa koment”.

    Ndërkohë, disa nga turistët e prekur po shqyrtojnë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore ndaj hotelit.

  • Një 52 vjeçar vdes në vetaksidentin e rëndë në Suharekë

    Një 52 vjeçar vdes në vetaksidentin e rëndë në Suharekë

    jë 52-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ka ndodhur paraditen e së hënës në fshatin Shirokë të Suharekës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:06, ku një automjet i drejtuar nga B.U., 52-vjeçar nga fshati Shirokë, është përfshirë në vetaksident.

    Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar.

    Njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti me fatalitet, ka bërë të ditur policia.

  • Franca sot voton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Franca sot voton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

    Franca pritet të votojë këtë të martë një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, duke iu bashkuar një vale gjithnjë e më të gjerë shtetesh që po vendosin kufizime për të miturit.

    Sipas një përllogaritjeje të AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë propozuar ose miratuar masa për të kufizuar aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, ndërsa pesë prej tyre i kanë tashmë këto kufizime në fuqi. Australia ishte ndër të parat që vendosi ndalimin për përdoruesit nën 16 vjeç në dhjetor 2025.

    Brazili kërkon që llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç të lidhen me ato të prindërve dhe detyron platformat të verifikojnë moshën. Kina, Indonezia dhe Malajzia kanë gjithashtu kufizime të ngjashme, ndërsa Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë miratuar ligje që pritet të hyjnë në fuqi në muajt e ardhshëm.

    Komisioni Evropian pritet të propozojë këtë vit ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe një sistem me akses të kufizuar për moshat 13-18 vjeç. Greqia synon të vendosë ndalimin për nën 15-vjeçarët nga 1 janari 2027, ndërsa Austria, Sllovenia, Gjermania, Suedia, Danimarka dhe Irlanda po shqyrtojnë ose përgatisin legjislacion të ngjashëm. Norvegjia planifikon të paraqesë një projektligj deri në fund të vitit për ndalimin e aksesit për nën 16-vjeçarët.

    Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe disa shtete të Indisë po shqyrtojnë rritjen e moshës minimale për përdorimin e rrjeteve sociale. Në Francë, projektligji që votohet sot parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Qeveria synon vendosjen e një “moshe ligjore dixhitale”, duke e bërë Francën vendin e parë në Evropë me një kuadër të tillë ligjor.

    Ndërkohë, Portugalia, Spanja dhe Italia kanë paraqitur ose po shqyrtojnë projektligje që rrisin moshën minimale për përdorimin e pavarur të rrjeteve sociale.

  • Rifillon punën laboratori i QMF-së 6 në Bregun e Diellit

    Rifillon punën laboratori i QMF-së 6 në Bregun e Diellit

    Laboratori i Qendrës së Mjekësisë Familjare 6 në Bregun e Diellit ka rifilluar ofrimin e shërbimeve për qytetarët pas përfundimit të punimeve për renovimin dhe riorganizimin e hapësirave.

    Sipas njoftimit të drejtorisë së shëndetësisë, ndërhyrjet janë realizuar me intensitet të shtuar, duke përfshirë edhe punën gjatë fundjavës, me qëllim që shërbimet laboratorike të rikthehen sa më shpejt për pacientët.

    Me përfundimin e renovimit, qytetarët do të kenë qasje në shërbime në kushte më të mira, ndërsa stafi shëndetësor do të punojë në një ambient më funksional dhe më bashkëkohor.

    Nga institucionet kanë bërë të ditur se investimet në infrastrukturën shëndetësore do të vazhdojnë, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe punonjësit shëndetësorë.

  • Punëtorët parandalojnë më të keqen, shuajnë zjarrin në një trafo në Podujevë

    Punëtorët parandalojnë më të keqen, shuajnë zjarrin në një trafo në Podujevë

    Një trafo e rrymës është kapluar nga flakët pasditën e së hënës, pas të reshurave të mëdha në Peran të Podujevës

    Disa punëtorë, derisa po kalonin andej, u ndalën për ta fikur flakën, e cila tashmë veç kishte kapluar trafon.

    Me bombolën kundër zjarrit, edhe pse në mes të shiut, punëtorët arritën ta fiknin zjarrin.

    Ani pse nuk dihet nëse në trafo ishte ndalur rryma paraprakisht.