ATV

Author: K.B.

  • Burim Ramadani: Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues

    Burim Ramadani: Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues

    Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se lutet që verdikti i Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së të jetë lirues.

    Ai ka bërë me dije se beson në pafajësinë e ish-krerëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi me Hashim Thaçin, duke thënë se gjykata nuk ka argumente për dënimin e tyre.

    “Lutem për çdo ditë që verdikti në Hagë të jetë lirues. Besoj plotësisht se kjo do të ndodh për udhëheqësit e luftës çlirimtare, sepse lufta çlirimtare ka qenë edhe e drejtë, edhe e pastër. Nuk është vetëm çështje e imazhit të Kosovës nëpër botë, por është çështje direkte përmbajtjesore e të vërtetës së Kosovës. Nuk kam parë që Prokuroria e Specializuar ka pasur rast të vërtetë në gjykatë. Kështu, as nuk është dashur të akuzohen. Jam i bindur se lirimi i të akuzuarve në Hagë do të paraqesë një moment kthese pozitive për Kosovën, historinë dhe të vërtetën tonë, sikurse edhe të kthejë besimin publik për proceset”, ka shkruar ai.

  • Shmangni rreziqet, sa shpesh duhet ta pastroni furrën tuaj?

    Shmangni rreziqet, sa shpesh duhet ta pastroni furrën tuaj?

    Pastrimi i furrës është shpesh një nga punët më pak të preferuara të shtëpisë, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për higjienën, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit që përgatisim.

    Sa shpesh duhet ta pastroni furrën varet nga sa shpesh e përdorni. Në familjet ku përgatiten më shumë vakte dhe ku jetojnë më shumë njerëz, këshillohet që furra të pastrohet më shpesh, çdo disa javë ose muaj. Pastrimi i rregullt parandalon grumbullimin e yndyrës dhe mbetjeve të ushqimit që mund të jenë një rrezik për shëndetin dhe sigurinë.

    Një furrë e ndotur mund të paraqesë rrezik për shëndetin sepse ushqimi i djegur dhe yndyra mund të lëshojnë substanca të dëmshme në temperatura të larta, dhe aromat nga gatimet e mëparshme mund të transferohen lehtësisht në ushqimet që përgatisni tani.

    Përveç kësaj, pastrimi i parregullt ndikon në shijen dhe aromën e vakteve, pasi ushqimi mund të thithë aromat e gatimeve të mëparshme dhe të humbasë aromën e tij natyrale. Siguria në kuzhinë kompromentohet gjithashtu kur furra nuk është e pastër. Yndyra dhe mbetjet e djegura mund të bëhen lehtësisht të ndezshme, duke rritur rrezikun e zjarrit.

    Gjithashtu, shtresat e grumbulluara të papastërtisë e bëjnë të vështirë shpërndarjen e nxehtësisë në mënyrë të barabartë, gjë që mund të çojë në pjekje të pabarabartë dhe konsumim të përshpejtuar të ngrohësit dhe ventilatorit. Pastrimi i furrës është një hap i rëndësishëm si për shëndetin ashtu edhe për sigurinë dhe cilësinë e përgatitjes së ushqimit në çdo shtëpi.

  • Trump: Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e bllokuar

    Trump: Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e bllokuar

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është “plotësisht e bllokuar (e mbyllur)”, duke shtuar se Irani është i dëshpëruar për rihapjen e kësaj rruge jetike detare.

    Sipas tij, Teherani në të vërtetë nuk dëshiron mbylljen e ngushticës, pasi ajo i siguron rreth 500 milionë dollarë të ardhura në ditë — shumë që, sipas Trump, po humbet për shkak të bllokadës.

    “Ata pretendojnë se duan mbylljen vetëm sepse unë e kam bllokuar plotësisht, pra thjesht po përpiqen të ruajnë imazhin,” u shpreh ai. Trump shtoi gjithashtu se, sipas burimeve të tij, Irani ka kërkuar hapjen e menjëhershme të ngushticës ditët e fundit. Megjithatë, ai paralajmëroi se një hap i tillë do ta bënte të pamundur arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, përveç nëse ndërmerren veprime ekstreme ndaj vendit dhe udhëheqjes së tij.

    Ndërkaq, SHBA-të kanë vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane pas dështimit të bisedimeve të paqes më herët gjatë këtij muaji.

    Një raund i dytë negociatash ishte planifikuar të mbahej të martën në Pakistan, por nuk u realizua.

    Në të njëjtën kohë, armëpushimi që pritej të përfundonte të mërkurën është shtyrë pa një afat të caktuar.

  • Pas takimit me ambasadorin Whitaker, Kurti kërkon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO

    Pas takimit me ambasadorin Whitaker, Kurti kërkon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO

    Pas takimit të djeshëm me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me SHBA-në dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    Kurti bëri të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Ai theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në mbetet thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke shtuar se anëtarësimi në NATO do të shërbente si garanci afatgjatë për sigurinë në Ballkan.

    “Përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte një kontribut i rëndësishëm dhe një garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, ka deklaruar Kurti.

    Kurti gjithashtu nënvizoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së mbeten të forta dhe të bazuara në vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë.

  • Vdes Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, kryetari Aliu: Lajm tronditës, fort i trishtë e pikëllues

    Vdes Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, kryetari Aliu: Lajm tronditës, fort i trishtë e pikëllues

    Ka vdekur Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu.

    Njoftimin e ka dhënë kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i cili ka thënë se ndarja e parakohshme e saj nga jeta ka shkaktuar humbje të madhe.

    “Yllka ishte drejtoreshë e spikatur e arsimit, që me punën e kontributin e saj ishte frymëzim për çdo të re në komunën tonë, e cila i dha kahje reformës arsimore në Shtime. Ajo ishte e pakompromis ndaj parimeve dhe tërë jetën e kaloi me integritet të lartë e dinjitet të dalluar njerëzor, intelektual e kulturor. Si pinjolle e një familjeje me themel intelektual e kombëtar, në kulmin e karrierës së saj, pas një sëmundjeje të shkurtër, parakohshëm e në ditët e saj më të mira, na la duke na pikëlluar fort neve bashkaktivistëve të saj, por edhe të gjithë qytetarëve të Shtimes e më gjerë”, ka shkruar Aliu.

    Ai ka thënë se Yllka Fejzullahu ishte vajzë e hekurt, aktiviste shembullore, drejtoreshë e spikatur e arsimit në Shtime, që do të mbahet mend gjatë për vlerat, kontributin e saj institucional, politik, arsimor dhe kulturor.

    “Yllka, do na mungosh shumë mikja jonë. U prehsh në paqe dhe shpirti yt i bardhë e i dëlirë u bëftë dritë!”, ka shkruar Aliu në Facebook.

  • Rregulla të reja të BE-së: Nga viti 2027, bateritë e telefonit bëhen të zëvendësueshme

    Rregulla të reja të BE-së: Nga viti 2027, bateritë e telefonit bëhen të zëvendësueshme

    Duke nisur nga viti 2027, çdo celular që do të shitet në tregun europian duhet të përmbushë standarde më të forta për jetëgjatësinë, performancën dhe riparueshmërinë.

    Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me baterinë. Në shumë raste, ajo do të duhet të jetë e zëvendësueshme më lehtë nga vetw pwrdoruesit, duke i dhënë fund praktikës së telefonave të mbyllur që kërkojnë ndërhyrje të kushtueshme për një problem të thjeshtë. Kjo do të thotë se përdoruesit nuk do të detyrohen më të blejnë një pajisje të re vetëm sepse bateria nuk mban më karikim.

    Sipas rregullave të reja, bateritë duhet të ruajnë performancën më gjatë edhe pas shumë cikleve karikimi, ndërsa vetë pajisjet duhet të projektohen në mënyrë që të riparohen më lehtë. Aktualisht, shumë telefona kërkojnë mjete speciale apo shërbime profesionale për t’u hapur, gjë që rrit kostot për konsumatorët.

    Ndikimi i këtyre rregullave pritet të shkojë përtej Europës, pasi kompanitë e mëdha nuk preferojnë të prodhojnë versione të ndryshme për çdo treg. Kjo do të thotë se ndryshimet mund të reflektohen edhe në modelet globale të iPhone dhe Android. Për përdoruesit, përfitimi është i dyfishtë: më pak shpenzime dhe më shumë jetë për pajisjet.

    Ndërsa për mjedisin, më pak mbetje elektronike dhe një përdorim më i qëndrueshëm i burimeve. Në thelb, Europa synon t’i japë fund kulturës së zëvendësimit të shpejtë dhe të nxisë riparimin si zgjedhje të parë.

  • Politikani estonez bëhet viral për stilin e pazakontë të flokëve të tij unikë

    Politikani estonez bëhet viral për stilin e pazakontë të flokëve të tij unikë

    Politikani estonez Rain Eppler është kthyer në një nga emrat më të komentuar në mediat sociale ditët e fundit – jo për ndonjë zhvillim politik, por për stilin e tij të veçantë të flokëve, që shumë përdorues e kanë krahasuar me figurat ikonike “Playmobil”. Fotografia e tij është shpërndarë gjerësisht në platforma të ndryshme, duke nxitur reagime të shumta që fokusohen te modeli i flokëve, i cili dallohet për linjat e pastra gjeometrike dhe simetrinë e theksuar.

    Rain Eppler, anëtar i Partisë Konservatore Popullore të Estonisë (EKRE), ka lindur në vitin 1977 në Talin. Para angazhimit në politikë, ai ka ndërtuar një karrierë në sektorin e biznesit, kryesisht në kompani teknologjike dhe konsulence. Në vitin 2020, ai mbajti për një periudhë të shkurtër postin e Ministrit të Mjedisit dhe aktualisht është deputet në parlamentin estonez.

    Postimi humoristik që shtoi vëmendjen

    Përtej pamjes së tij, një postim i fundit në Facebook tërhoqi gjithashtu interes të madh. Në të, politikani iu referua një kutie të njohur me çokollata nga Kalev, duke sugjeruar me humor një dizajn alternativ për paketimin, në rast se do të krijohej një version me liker për të rritur. Në mënyrë ironike, në vend të figurës tradicionale në paketim, ai vendosi portretin e tij – një veprim që u prit me komente të shumta dhe reagime kreative nga përdoruesit.

    Komentet nuk munguan dhe shpesh kishin tone humoristike. Një përdorues shkroi: “Mendova se ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale, por është real”, ndërsa një tjetër ironizoi: “Pse të mos shfaqet kështu edhe në zgjedhje?”.

    Të tjerë shtuan batuta si: “Nëse është me liker, ndoshta edhe sytë duhet të shkëlqejnë”, apo “mund të jetë një ide e veçantë marketingu”.
    Rasti i Rain Eppler tregon edhe një herë se si detajet e pazakonta personale dhe qasja me humor mund të bëhen shpejt virale, duke e zhvendosur vëmendjen nga politika drejt një dimensioni më të lehtë dhe argëtues në rrjetet sociale.

  • Lumir Abdixhiku sot feston ditëlindjen, kjo është mosha e tij

    Lumir Abdixhiku sot feston ditëlindjen, kjo është mosha e tij

    Në familjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka festë të mërkurën.

    Sot, kreu i LDK-së feston ditëlindjen e tij të 43-të.

    Abdixhiku, i cili fitoi edhe një mandat në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës pavarësisht prej humbjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit të vitit të kaluar, është i martuar dhe është baba i dy vajzave.

  • Mbi 20 garazha, fillon lirimi dhe rrënimi i objekteve pa leje në pronë të Trepçës në veri të Mitrovicës

    Mbi 20 garazha, fillon lirimi dhe rrënimi i objekteve pa leje në pronë të Trepçës në veri të Mitrovicës

    Pas skadimit të afatit të dhënë dhe mosrespektimit të njoftimit të datës 13.02.2026, Trepça Sh.A. ka njoftuar se ka filluar aksioni për lirimin e pronës, përfshirë rrënimin e të gjitha objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në parcelën nr. 02537-1.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të Trepça Sh.A. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.

    “Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim. Aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të Trepça Sh.A”, thuhet në njoftim.

    Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani një prononcim për Telegrafin ka thënë se kanë asistuar në lirimin dhe rrënimin e disa garazhave në veri.

    Sipas tij, nuk kanë hasur në ndonjë problem gjatë asistimit.

    “Kemi pranuar një kërkesë për asitencë nga ndërmarrja Trepça për disa garazha përball burgut. Kemi ofruar asistencën tonë dhe nuk kemi has në ndonjë problem”, ka thënë Elshani.

  • Iranianët kërcënojnë vendet fqinje: Thuajini lamtumirë naftës nëse ndihmoni të na sulmojnë

    Iranianët kërcënojnë vendet fqinje: Thuajini lamtumirë naftës nëse ndihmoni të na sulmojnë

    Një komandant ushtarak iranian i ka paralajmëruar fqinjët jugorë të Iranit se nëse toka ose objektet e tyre përdoren për të sulmuar Iranin, ata “do të duhet t’i thonë lamtumirë prodhimit të naftës në rajonin e Lindjes së Mesme”, raportoi media shtetërore iraniane, transmeton CNN.

    Agjencia e lajmeve Fars, e afërt me autoritetet, citoi komandantin e Forcave Hapësinore të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të thoshte se “paralajmërimi vjen sepse disa vende të Gjirit Persik më parë lejuan që territori i tyre të përdorej nga armiqtë e Iranit”.

    Raporti shton se, “nëse kjo vazhdon, baza e tyre ekonomike do të kërcënohet seriozisht”, por nuk specifikon se për cilat vende vlen kjo.

    Komandanti njoftoi gjithashtu se “lista e objektivave” të Iranit është zgjeruar përtej instalimeve ushtarake dhe tani përfshin fusha të mëdha nafte dhe rafineri në të gjithë Lindjen e Mesme. Sipas Fars News, u përmendën posaçërisht vendndodhjet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajtin, Katarin dhe Bahreinin.

    Shumë nga këto shtete të Gjirit janë aleatë të SHBA-së, dhe disa prej tyre kanë baza ushtarake amerikane në territorin e tyre.